Armir Taraj

Në datën 7 Shtator, gazeta MAPO botoi një artikull nga Tonin Gjuraj me titull Rasti Palestinez dhe si Shqiperia mund te loboje për Kosoven.”

Autori shkruan rreth votës së pritshme këtë shtator në OKB rreth kërkesës, së spekuluar por jo të sigurtë, të Palestinës për njohje si shtet anëtar i kësaj organizate. Gjuraj bën një analizë të situatës në Lindjen e Mesme dhe më pas rreket të nxjerrë një konkluzion se cili do ishte qëndrimi më i mirë dhe më i dobishëm (gjoja për Kosovën) në këtë rast nga ana e Shqipërisë.

Teza kryesore e shkrimit të Gjurajt është se: “Sa kohë, sipas gjykimit tim, vetë Izraeli është në favor të një shteti palestinez, por të demilitarizuar (pra, pranohet zgjidhja me dy shtete), nuk është momenti, megjithatë, të mbështetet një rezolutë e tillë në këtë shtator, por t’i bashkohemi vetos amerikane, ndërkaq diplomacia shqiptare, në këmbim dhe për reciprocitet, t’i kërkojë hapur Shtetit të Izraelit njohjen tashmë zyrtarisht të shtetit të Kosovës.”

Si ish-ambasodor i Shqipërisë në Izrael, ndoshta është e kuptueshme që Z. Gjuraj mund të ndjejë një afërsi apo simpati për Izraelin, por si ish-diplomat i shtetit tonë ai duhet të jetë tepër më i balancuar në ato që shkruan.

Jo vetëm që është e pamoralshme dhe hipokrite në kulm për Shqipërine të mos njohë shtetin e Palestinës, ndërkohë që ne i kërkojmë mbarë botës, përfshi botën Arabe e Islame, që të njohë Kosovën, por tezat e tij janë krejt të pabalancuara dhe përbëjnë, për mendimin tim, një propagandë të hollë Zioniste anti-Palestineze.

Unë nuk e hedh poshtë kontributin e Zotit Gjuraj për Kosovën, si Ambasador i Shqipërisë në Izrael për sa i përket njohjes së Kosovës nga Izraeli apo avancimit të çështjes shqiptare në përgjithësi, kontribut për të cilin jam në dijeni të vlerësimeve të larta nga figura të ndryshme politike. Por ajo që unë dua të bëj të qartë është se kapërcimi logjik që Gjuraj bën kur thotë se mosnjohja e Palestinës si shtet nga Shqipëria këtë shtator i shërben në njëfarë mënyre çështjes së Kosovës, edhe qoftë duke afruar më shumë Izraelin ndaj njohjes së Kosovës, me duket një kapercim i pa-argumentuar mirë dhe i rrezikshëm.

Qëndrimi i shumicës së shqiptarëve për këtë çështje besoj se është i qartë. Mosnjohja e Palestinës si shtet nga Shqipëria në shtator është një hipokrizi e pafalshme dhe ne nuk do kemi më fytyrë të shkojmë e t’u kërkojmë vendeve Arabe e Islame, apo qoftë vetë Palestinës, të njohë Kosovën si shtet të pavarur më pas.

Aq më shumë kur Izraeli e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend ta njohë Kosovën (deri kur atë ta njohë Qiproja, sipas Ministrit të Jashtëm Izraelit, Liberman, një deklaratë sa shkurajuese, aq edhe ofenduese për shqiptarët) , ndërsa vendet Arabe nuk kanë bërë deklarata të tilla të forta, me përjashtim Libinë e Gadafit, mik i vjetër i Serbisë. Madje Organizata e Konferencës Islamike ka nxjerrë dhe një rezolutë ku përshëndet pavarësinë e Kosovës dhe inkurajon vendet anëtare myslimane ta njohin Kosovën.

Argumenti i Gjurajt se Hamasi duhet të heqë dorë nga retorika anti-hebreje, të heqë dorë nga dhuna ndaj civilëve, e të njohë Izraelin, qëndron. Por të thuash se nuk mund ta njohim Palestinën për sa kohë Fatah e Hamas nuk janë të bashkuar, kjo është si të justifikosh ato vende që thonë se s’mund ta njohim Kosovën sa kohë që PDK e LDK janë të ndara e në Kosovë ka korrupsion e krim të organizuar.

Dhe sa për kartën e mbështetjes së Izraelit, sepse atë e mbështet ShBA-ja dhe ShBA-ja është miku ynë më i fortë, kjo është një tezë e çuditshme, sepse nëse aleanca USA-Izrael do shtrihej dhe në çështjen shqiptare e në njohjen e Kosovës, atëherë Izraeli duhet ta kishte njohur me kohë Kosovën, duke qenë se ShBA-ja ka qenë mbështetësja kryesore e pavarësisë së Kosovës.

E them edhe njëherë, është e turpshme për qeverinë e Shqipërisë të mos njohë Palestinën, ndërkohë që i kërkojmë gjysmës së botës të njohë Kosovën. Është e turpshme të mos mbështesim aspiratat për liri të popullit palestinez, ndërkohë që i kërkojmë botës të njohë aspiratat për liri të popullit shqiptar të Kosovës. Është e pafalshme të shpërblejmë në këtë mënyrë pushtimin brutal ushtarak izraelit ndaj tokave palestineze, pushtim ky po aq brutal sa ç’ishte pushtimi ushtarak serb ndaj Kosovës.

Në përfundim, kam frikë se “pragmatizmi diplomatik” i Z. Gjuraj në këtë rast është i keq-vendosur dhe kam frikë se një titull më i përshtatshëm i artikullit të tij do ishte “Rasti Palestinez dhe si Shqipëria mund te lobojë për Izraelin.”

Marre nga ResPublica

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *