Dr. Lejla Demiri

HYRJE

Ai ju përcaktoi juve atë fe

që i pat përcaktuar Nuhut

dhe atë që Ne të shpallëm ty

dhe atë me çka patëm porositur Ibrahimin

dhe Musain dhe Isain ;

ta zbatoni fenë e drejtë dhe

mos të mos përçaheni në të”

(Kur’an 42 :13)

Që prej nisjes së saj, më 13 tetor 2007, Një Fjalë e Njëjtë midis Nesh dhe Jush, letra e hapur e udhëheqësve fetarë myslimanë drejtuar kishave të krishtera, është bërë iniciativa udhëheqëse në dialogun ndëfetar midis të krishterëve dhe myslimanëve në botën sotme të globalizuar. Letra fillimisht u nënshkrua dhe mbështet prej 138 dijetarësh të spikatur myslimanë, klerikë dhe intelektualë, të cilët përfaqësonin të gjitha rrymat dhe shkollat e rëndësishme të mendimit në Islam. Lista përfshin emra individësh të shquar, të tillë si Kryemyftiu Ali Xhuma i Egjiptit, sheh Abdullah bin Bejah i Mauritanisë, sheh Said Ramadan el Buti i Sirisë, Kryemyftiu Mustafa Çeriç i Bosnjës, sheh Habib Ali el Xhifri dhe sheh Habib Omari i Jemenit, profesorët Seid Hysen Nasr dhe Ingrid Mattson, imam Jahja Sergio Yahé Pallavicini dhe shumë të tjerë. Që prej nisjes së tij, dokumenti është nënshkruar prej qindra udhëheqësish të tjerë islamë, dijetarë dhe organizatorë, dhe po ashtu prej mijra myslimanësh të thjeshtë.

 

Dokumenti i Fjalës së Njëjtë është një përpjekje e dlirë për të njohur terrenin e njëjtë të dy traditave abrahamike, Islamit dhe Krishtërimit, duke u bazuar në dy principet themeltare që ato ndajnë mes tyre : dashuria për Zotin dhe dashuria për fqinjin[i]. Letra i fton të krishterët të tokin duart me myslimanët për të përkrahur paqen në botë dhe harmoninë në emër të Zotit. Ajo i thërret të gjithë trashëgimtarët e traditës abrahamike të përkrahin dialogun e vërtetë në frymën e mirëkuptimit dhe respektit reciprok duke u frymëzuar nga mesazhi Kur’anor :

 

Thuaj: O ithtarë të Librit! Ejani te një fjalë e njëjtë mes nesh dhe mes jush: të mos adhurojmë tjetër përpos All-llahut, dhe të mos i bëjmë Atij asnjë shok, dhe askush prej nesh të mos e njohë tjetrin për zot përpos All-llahut! Dhe nëse ata refuzojnë, thuaj: Dëshmoni se ne jemi ata që jemi dorëzuar (në Zot). s

(Kur’an 3 :64)

 

Duke iu referuar një numri citimesh nga tekste myslimane dhe të krishtera, dokumenti lartëson vlerat që i bashkojnë këto dy fe, gjithë duke u njohur ndryshimet.

 

Konteksti socio-historik i Fjalës së Njëjtë sugjeron se, principi i dashurisë është i ndërthurur me vlerat e mëshirës dhe dhembshurisë. Letra nis me ‘Në emër të Zotit, mëshiruesit mëshirëplotë’, duke thirrur kështu për bekimin dhe mbështetjen e Zotit në përputhje me traditën e ndjekur prej myslimanëve për çdo veprim të ndërmarrë prej tyre. Për më tepër, Fjala e Njëjtë u dërgua me rastin e festimeve të Bajramit të Madh të vitit 1428/2007, i cili kremton përmbushjen e Ramazanit, muaji i mëshirës së jashtëzakonshme hyjnore, gjatë të cilit, sipas besimit të myslimanëve, filloi zbulesa e Kur’anit. E rrënjosur thellë në mesazhin hyjnor të përçuar prej Librave, Fjala e Njëjtë përpiqet të jetë besnike ndaj traditës profetike të mëshirës dhe dashurisë dhe ndaj dashurisë hyjnore që e paraprin krijimin tonë dhe cilëndo prej veprave tona[ii]. Për më tepër, shfaqja e saj shenjon përvjetorin e parë të ‘Letrës së Hapur ndaj Papës’ (13 tetor 2006), kur 38 autoritete fetare dhe dijetarë myslimanë nga e gjithë bota i nisën përgjigjen e tyre të përbashkët Papës Benedikt XVI, një muaj pas fjalës së tij në Regensburg (13 shtator 2006). Jo vetëm Fjala e Njëjtë dhe ‘Letra e Hapur ndaj Papës’ përfaqësojnë një hapje të çiltër intelektuale dhe gadishmëri për të trajtuar keqkuptime të ndryshme që e identifikojnë sot Islamin me skaje të papërfaqësuara, por ç’është edhe më e rëndësishme, ato dëshmojnë për dëshirën e fortë të myslimanëve për të ndërtuar ura, si dëshmues të një tradite skripturale që e përkrah dhe e mbështet bashkëjetesën paqësore me bashkësitë e tjera fetare.

 

Shumë është arritur që prej shpalljes së këtij dokumenti. Faqja e saj zyrtare në Internet[iii] përfshin tashmë një listë të figurave udhëheqëse të krishtera të rrymave të ndryshme, të cilat i janë përgjigjur ngrohtësisht dhe pozitivisht letrës së hapur. Lista përfshin emrat e Papës Benedikt XVI, të ndjerin Patriark Aleksei II të Kishës Ortodokse ruse, kryepeshkopin Dr. Rowan Williams të Cantebury-it, peshkopin Mark Hanson Peshkop Kryesues i Federatës Botërore Luteriane, presidentin dhe sekretarin e përgjithshëm të Aleancës Botërore të Kishave të Reformuara, presidentin e Këshillit Botëror të Kishave, Këshillin e Peshkopëve të Kishave Metodiste, Kreun e Aleancës Botërore të Evangjelistëve, Kishën Menonite, krerët Quaker dhe një numër patriarkësh ortodoksë dhe ortodoksë lindorë, kardinalësh katolikë, kryepeshkopësh, krerësh kishash kombëtare, dekanësh të seminarëve teologjikë, predikuesish të njohur, profesorësh dhe dijetarësh të shquar të krishterë të Islamit. Përmes këtyre iniciativave, një Letër e Hapur, e nënshkruar prej më se treqind udhëheqësish evangjelistë dhe udhëheqësish e dijetarësh të rrymës kryesore, është vështruar si një prej përgjigjeve më të shquara të krishtera ndaj Fjalës së Njëjtë. Letra, e cila mbante titullin ‘Të Bashkuar në Dashurinë për Zotin dhe Fqinjin’ u shkrua dhe koordinua nga profesor Miroslav Volf i Shkollës për Hyjnoren të Universitetit Yale dhe u botua në një faqe të plotë në New York Times në nëntor 2007.

 

Në vazhdim të përgjigjeve institucionale dhe individuale, katër konferenca madhore ndërkombëtare janë organizuar që prej botimit të Fjalës së Njëjtë. Në korrik 2008, konferenca e parë madhore u mbajt në Universitetin Yale, e ndjekur nga një e dytë në Universitetin Cambridge në tetor 2008, organizuar bashkarisht nga Universiteti Cambridge, Instituti Mbretëror Al el Bejt për Mendimin Islam dhe kryepeshkopi i Cantebury-it. Në nëntor 2008, Forumi i Parë Ndërkombëtar Katolik-Mysliman, organizuar nga Papa Benedikt XVI, u mbajt në Vatikan dhe u hap nga vetë Papa Benedikt XVI. Ndërkaq, në tetor 2009, Universiteti Georgetown dhe Qendra për Mirëkuptimin Mysliman-të Krishterë e Princit el Uelid Bin Talal, në bashkëpunim me Institutin Mbretëror Al el Bejt për Mendimin Islam, mbajtën konferencën e katërt madhore, e cila u përqendrua në disa prej domethënieve praktike dhe diplomatike të këtyre iniciativave.

 

Gjatë tre viteve të fundit, Fjala e Njëjtë ka provokuar gjithashtu edhe një numër gjithnjë e në rritje simopoziumesh, leximesh, ateliesh, konferencash dhe të tjera aktivitete lokale në të gjithë botën. Libra dhe revista të ndryshme akademike i janë dedikuar Fjalës së Njëjtë dhe një numër disertacionesh pasuniversitare janë përqendruar në të (për shembull, në Universitetin Harvard, në Seminarin Teologjik të Univestitetit Tübingen dhe në Qendrën e Studimit të Islamit në Birmingham). Përtej një interesi gjithnjë e në rritje në qarqet akademike, një gamë iniciativash vendore dhe lokale të krishtera-myslimane janë shfaqur në shtete të ndryshme, të tillë si India, Pakistani, Bangladeshi, Kanadaja, Afrika e Jugut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar[iv].

 

Iniciativa Fjala e Njëjtë solli fryte të reja kur, më 20 tetor 2010, Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara aprovoi njëzëri përcaktimin e javës së parë të muajit shkurt të çdo viti si ‘Java e Harmonisë Ndërfetare Botërore’. Bazuar kryesisht në dokumentin e Fjalës së Njëjtë, por duke iu referuar gjithashtu edhe iniciativës së Terrenit të Njëjtë (një sipërmarrje e veçantë e shumë prej të njëjtëve dijetarë myslimanë, të cilët u përpoqën ta shpien më tej bashkëbisedimin dhe bashkërendimin me bashkësinë globale budiste)[v], resoluta përfshiu për herë të parë në kalendarin e OKB-së një ngjarje të madhe ndërfetare.  Duke theksuar natyrën e saj pastërtisht vetëdashëse dhe se kushdo që dëshiron ta shenjojë këtë ngjarje ta bëjë ‘në përputhje me traditën dhe bindjet e veta’, kjo rezolutë dhe fjala e princit Gazi bin Muhamed të Jordanisë që e prezantoi atë në Asamblenë e Përgjithshme, njohu se shprehja ‘Dashuria për Zotin dhe për Fqinjin’ ose ‘Dashuria për të Mirën dhe Dashuria për Fqinjin’ do të interpretohen domosdoshmërisht në mënyra të papajtueshme, dhe se nuk po bëhej asnjë përpjekje për sinkretizëm apo thjeshtësim.

 

Ky vëllim, i cili mëton ta vendosë Fjalën e Njëjtë në një spektër të gjerë xhamish dhe bashkësish kishtare, përfshin dy kontribute diturore lehtësisht të kuptueshme ndaj iniciativës Një Fjalë e Njëjtë, të hartuara prej dy akademikësh të shquar : David Burrell C.S.C.*, një prej dijetarëve katolikë më të spikatur të Islamit, i cili është profesor Hesburgh i teologjisë dhe filozofisë në Universitetin Notre Dame në Indiana, SHBA dhe Tim Winter (Abdel Hakim Murad), një dijetar i shquar mysliman i Universitetit Cambridge, dekan në Cambridge Muslim College dhe një prej firmëtarëve të parë të Fjalës së Njëjtë, i cili e ka ndihmuar veçanërisht këtë projekt që prej sprovës së tij të parë.

 

Artikulli i z. Burrell, ‘Të Krishterët dhe Myslimanët nën një Frymë të Re’ është bazuar në një leksion të tij, dhënë në kapelën katolike të Universitetit Cambridge më 20 shkurt 2009. Ai fillon me një analizë të shkurtër të fjalës së Papës Benedikt XVI në Regensburg, duke paraqitur një kritikë të sinqertë dhe një perspektivë të hapur në lidhje me një ngjarje kundërshtuese. Në vijim ndjek një diskutim për domethënien dhe qëllimin final të dialogut ndërfetar, i cili në këndvështrimin e z. Burrell, duhet t’i shërbejë ‘kuptimit’ më tepër se sa ‘të vërtetës’. Me fjalë të tjera, dialogu duhet të jetë ‘një mënyrë […] për të shprehur atë që besojmë’ dhe për të dhënë ‘dëshmi për atë çka kemi marrë nga Zoti’ si bartës së traditës skripturale. Duke shqyrtuar tri shembuj teologjikë : doktrinën e krishterë të trinisë, marrëdhëniet ndërhyjnore (personae) dhe mëkatin fillestar, të cilat ai i identifikon si ‘çështje nevralgjike’, z. Burrell qëmton të paraqesë mënyrën se si ‘këmbimet ndërfetare mund të ofrojnë tashmë një mjet të prirur për zhvillimin e doktrinës’ sepse traditat janë ‘të afërta me njëra-tjetrën në mënyra që mund të provohen reciprokisht të frytshme, më tepër se të veçuara’.  Përfundimisht, ai mbërrin në përfundimin se, ‘kërkimet krahasuese ndërfetare’ i ndihmojnë anëtarët e secilës traditë të vlerësojnë po aq sa edhe të dëshmojnë për shpalljet hyjnore që kanë marrë. Shembull i një dialogu të frytshëm, qasja e tij na risjell përsëri në rëndësinë e asaj çka Fjala e Njëjtë mund t’u ofrojë ligjërimeve teologjike bashkëkohore midis myslimanëve dhe të krishterëve.

 

Artikulli i z. Murad, ‘Dinjiteti Njerëzor dhe Respekti Reciprok’, është një prej dy fjalëve më të rëndësishme që u mbajtën në Forumin e Parë Ndërkombëtar Katolik-Mysliman në Vatikan, më 2008[vi]. Theksi i tij kryesor vendoset në rëndësinë e asaj çka Krishtërimi dhe Islami si fe abrahamike mund të ofrojnë për të zgjidhur krizën shpirtërore të modernitetit, e tillë sikurse ajo përjetohet në ‘shoqërinë e patënzot’ bashkëkohore të Europës. Sikurse z. Murad vëren me të drejtë, bashkëpunimi mysliman dhe i krishterë dhe respekti reciprok janë jetikisht të nevojshëm në fushatën kundër pesimizmit dhe relativizmit, të trupëzuara ‘në mungesën e besimit në Europë, në uljen e dinjitetit njerëzor dhe shkueshmërisë së mirë’. Përmes një ideali të njëjtë ndaj dinjitetit dhe nderit të njerëzimit, anëtarët e këtyre dy feve lipset të qëndrojnë në solidaritet me njëri-tjetrin për të tejkaluar krizën postmoderniste që i ndikon besimtarët e të dyja traditave. Sidoqoftë, ky bashkëveprim dhe mbështetje reciproke nuk duhet të mbeten thjesht pragmatike ; duhet, për më tepër, të bartet edhe një bisedë teologjike. Institucioni i familjes, konflikti israelo-palestinez dhe kriza e tragjedi të tjera në mbarë botën (sikurse Darfuri, Zaireja Lindore dhe gjetkë), ku dinjiteti njerëzor është shkelur dhe, po ashtu, fatkeqësitë natyrore dhe uria globale, janë identifikuar si zonat më të rëndësishme, në të cilat angazhimi mysliman dhe i krishterë ndaj dinjitetit mund të gjejë shprehjen e tij praktike. Kjo kërkohet, përfundon z. Murad, nga principet abrahamike të nënshtrimit ndaj vullnetit të Zotit dhe nga gadishmëria për të sakrifikuar pakursyeshëm, një perspektivë të cilën myslimanët dhe të krishterët e ndajnë bashkarisht në traditat reciproke.

 

Të dy artikujt bien dakord për çastin e përkryer të shfaqes së Fjalës së Njëjtë në një epokë kur respekti reciprok dhe bashkëpunimi ndërmjet besimtarëve të Islamit dhe Krishtërimit është duke u shfaqur gjithnjë e më në rritje si jetik. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që anëtarët e traditave tona reciproke janë bashkuar për të biseduar. Raportet historike të takimeve shoqërore, intelektuale dhe teologjike mund të ndiqen pas që në ditët e para të Islamit. Në veçanti, kujtojmë shembujt prekës të Varaka bin Naufelit, kushëririt të krishterë të gruas së Profetit, Hatixhes, i cili e njohu Muhamedin si profet të traditës biblike ; bashkëbisedimet e bazuara në shkrimet e shenjta që u zhvilluan midis mbretit të krishterë të Abisinisë dhe një grupi të hershëm refugjatësh myslimanë, që gjetën strehë dhe mbrojtje shoqërore nën sundimin e tij ; diskutimet teologjike me një dërgatë të krishterësh nga Naxhrani që u mirëpritën të adhuronin dhe luteshin në xhaminë e Profetit në Medine dhe plot shembuj të tjerë.  Nuk është i habitshëm konstatimi i një morie të gjatë shembujsh takimesh në brezat e mëpasmë ndërkaq që, sikurse e tregon edhe një studim i kohëve të fundit, për më tepër se katërqind vite (midis shekujve VII-XI), rreth pesëdhjetë përqind e të krishterëve në botë jetonin midis myslimanëve[vii]. Historia e Europës po ashtu nuk është e përjashtuar prej këtyre ndërveprimeve. Që prej mbërritjes së Islamit në Spanjë, në shekullin VIII, dhe përparimit të tij të mëpasshëm në Ballkan dhe Europën Lindore, në shekullin XIV, myslimanët dhe të krishterët, pavarësisht vështirësive dhe tensioneve të caktuara të paevitueshme, jo vetëm jetuan së bashku, por edhe ndanë një kulturë të njëjtë në arkitekturë, poezi, letërsi, muzikë dhe dituri.

 

Fjala e Njëjtë, e bazuar sikurse është në traditën skripturale dhe premtimin abrahamik ndaj bujarisë dhe vetëdhurimit është një përkujtim frymëzues për të gjitha principet që ndajmë së bashku. Përtej fuqizimit tonë për të sfiduar mitin e ashtuquajtuar ‘përplasja e qytetërimeve’, i cili vendos Islamin dhe Perëndimin si kundërshtarë të përjetshëm dhe të pashpresë, na inkurajon të qëndrojmë të bashkuar për hir të paqes dhe harmonisë në botë, pavarësisht zërave që e përshkruajnë fenë si një nga paradigmat e mosmarrëveshjes. Atëherë, në këtë frymë, le të kremtojmë idealet dhe angazhimet tona të njëjta për të mirën e njerëzimit nëpërmjet fjalëve të Rumit, ‘Jemi prej familjes së Zotit dhe kemi nevojë për qumështin e Tij, Krijimi është një familje në Zot’[viii].

 

 

 

Dr. Lejla Demiri

Ramadan, 1431/ gusht 2010

Cambridge

Shqipëroi: Nermin Begzade



[i] Fakti që fqinji (xhar) në konceptin islam përfshin fqinjët jo-myslimanë theksohet, për shembull, nga Abu Hamid el Gazali, Ihja’ Ulum el Din (Cairo: el Halebi, ah 1347), II, f.188 (Hukuk el xhiuar); shih gjithashtu Ibn Raxhep el Hanbeli, The Compendium of Knowledge and Wisdom, trans. Abdesamed Clarke (London: Turath Publishing, 1428/2007), f.224. E panevojshme të thuhet se koncepti nuk është fare i njëjtë me atë të ‘fqinjit’ të Dhjatës së Re, sikurse kuptohet prej traditave të ndryshme të krishtera të interpretimit.

 

[ii] Për mendimin islam të rrymës kryesore, dashuria e Zotit për njeriun dhe dashuria e njeriut për Zotit nuk janë të prirura nga interesi vetjak apo të ngarkuara me parakushte, edhe pse qartësisht Zoti nuk i do mëkatarët aq sa do ata që punojnë për të shëruar krijimin e Tij; shih për shembull, Muhamed Seid Ramadan el Buti, el Hub fi’l Kur’an ue daur el hub fi hajat el insan (Damask: Dar el Fikr, 2009); Eric Ormsby, Ghazali: The Revival of Islam (Oxford: Oneworld, 2008), f.138. Një alternativë për perspektivën e Gazaliut është e pranishme në ‘vijën e ashpër’ të mendimtarëve të shkollës minoritare Hanbeli si Ibn Tejmija, i cili mbronte idenë se dashuria për Zotin është e ngjashme me dashurinë ndaj një bamirësi (shih Joseph Norment Bell, Love Theory in Later Hanbalite Islam [Albany: State University of New York Press, 1979]). Për një trajtesë më të përhapur shih Mahnaz Heydarpoor, Love in Christianity and Islam: a Contribution to Religious Ethics (London: New City, 2002), f.61-3 (kapitulli ‘God’s Love as the Highest Reason for Creation’) dhe f.67 për dashurinë e Zotit për mëkatarët.

[iii] www.acommonword.com

[iv] Për një pasqyrim të detajuar të arritjeve të Fjalës së Njëjtë shih http://acommonword.com/en/a-common-word/2-general/161-qacommon-wordq-accomplishments-2007-2009.html.

[v] Shih Reza Shah-Kazemi, HH the Dalai Lama and others, Common Ground between Islam and Buddhism (Louisville KY: Fons Vitae, 2010).

* Congrégation de Sainte-Croix (shënim i përkthyesit)

 

[vi] Fjala tjetër u mbajt nga mendimtari iranian, profesor Seid Hysein Nasr.

[vii] Sydney H. Griffith, The Church in the Shadow of the Mosque: Christians and Muslims in the World of Islam (Princeton-Oxford: Princeton University Press, 2008), f. 11.

[viii] Rumi, Spiritual Verses: The First Book of the Masnavi-ye Ma‘navi, translation Alan Williams, London: Penguin Books, 2006, f. 91.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *