Hyrje: Njeriu si Mëkëmbës





Rezart Beka

Falënderimi i përket Allahut, Një e të Vetmit, Zotit të së fshehtës e të së dukshmes, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit. Falënderimi i takon Allahut, Sunduesit, të Përkryerit, Dhuruesit, Shpëtimtarit, Mbikëqyrësit, të Madhërishmit, Mbizotëruesit, të Plotfuqishmit. Falënderimi i përket Allahut Zotit të botëve, Krijuesit, Pikënisësit, Formësuesit. Atij i takojnë emrat më të bukur. Ai është Ngadhënjyesi, i Urti. Falënderimi i përket Allahut që, me madhërinë e Tij, krijoi qiejt dhe tokën e në to shpërndau e shfaqi bukurinë dhe përsosmërinë e emrave e të cilësive të Tij. Falënderimi i përket Allahut, që e krijoi njeriun në formën më të bukur dhe e vendosi atë në qendër të krijimit të Tij. Falënderimi i përket Allahut, që, përmes njeriut, bëri të mundur realizimin në këtë botë të pjesës më të lartë të vullnetit të Tij. Falënderimi i përket Allahut për gjithë mirësinë dhe dashurinë që tregon ndaj shërbëtorëve të Vet, për të gjitha dhuratat e begatitë, me të cilat Ai e ka pajisur njeriun. Falënderimi i takon Allahut që krijoi vdekjen, përmes së cilës i kujtoi njeriut përkohshmërinë e kësaj bote, i preu shpresat Cezarit dhe zgjoi nga iluzioni Faraonin. Përshëndetjet tona më të përzemërta qofshin për të Dërguarin e Tij të Fundit, Muhamedin (a.s.), që Ai e bëri urë, përmes së cilës përsosi fenë e Tij, mjet, përmes të cilit njerëzit arrijnë përmbushjen, e jetën e tij e bëri rrugë për të gjithë ata që dëshirojnë të njohin vetveten dhe të përditësojnë anën më të thellë të vetes së tyre. Përshëndetjet tona qofshin për familjen e tij, për shokët e tij më të afërt dhe veçanërisht për ata shpirtra fisnikë që kanë vendosur të ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

 

Jeta njerëzore, marrëdhëniet me natyrën, ekzistenca dhe lidhja me Zotin janë disa prej çështjeve që e kanë munduar njeriun që nga fillimi i jetës së tij në tokë. E gjithë historia njerëzore mund të shihet si një përpjekje e njeriut për t’i dhënë kuptim qenies së tij, si dhe për t’u siguruar përgjigje këtyre pikëpyetjeve kaq të rëndësishme. Atyre nuk mund t’u shmangesh e të sillesh sikur nuk ekzistojnë, pasi ato janë gjithnjë të pranishme e prej tyre varet lumturia dhe përmbushja e njeriut në këtë jetë. Rruga e shkurtër e mohimit të rëndësisë së tyre dhe shpallja e pamundësisë për t’u dhënë atyre përgjigje nuk ka sjellë asnjëherë sukses, ndonëse në historinë njerëzore këto prirje kanë qenë të pranishme. Teoritë me bazë cinike, sipas së cilave Zoti e krijoi njeriun e më pas nuk është interesuar më për të, apo teoritë fataliste, sipas së cilave njeriu është krejtësisht i përcaktuar e duarlidhur në gjithçka që bën, qoftë kjo e mirë apo e keqe, nuk kanë arritur asnjëherë të kënaqin shpirtin kërkues njerëzor. Njeriu, në thelb, është një homo religious dhe i tillë do të mbetet deri në fund të ekzistencës së tij. Kjo ia bën atij të domosdoshëm kërkimin e një kuptimi për vetveten, për botën që e rrethon dhe mbi të gjitha për Zotin. Ky është një kërkim thelbësor, të cilit ai nuk mund t’i shmanget, pasi nga kjo varet ekzistenca e tij. Njeriu duhet të njohë vendin e tij në këtë gjithësi, pozitën e tij në lidhje me Zotin, si dhe marrëdhëniet që duhet të vendosë me Të. Përkufizimi sokratik, “O njeri, njih vetveten”, mbetet sot po aq aktual sa edhe shekuj më parë, kur ai është shprehur. Nuk ka plotësim dhe lumturi për njeriun në këtë botë nëse këtyre pyetjeve ekzistenciale nuk u jepet një përgjigje. Gjatë historisë së tij në tokë, njeriu ka përjetuar dhe njohur ekstreme nga më çuditshmet, që nga teoritë thellësisht hedoniste që e kufizojnë jetën vetëm në ngrënie, pirje dhe marrëdhënie seksuale, deri tek ato më negativet, që e shohin këtë ekzistencë si diçka thellësisht djallëzore, i vetmi shpëtim prej të cilës është vdekja. Në kohët tona, kur agnosticizmi ka marrë përmasa të papara ndonjëherë dhe kur relativizmi sundon në mënyrë të padiskutueshme, njohja e njeriut dhe përftimi i sigurisë lidhur me rolin e tij në këtë botë janë bërë gjithnjë e më të mjegullta. Të dhënat për shëndetin psikologjik të popullsisë së botës e vërtetojnë frikshëm një fakt të tillë. Kjo turbullirë fatkeqësish nuk ka lënë pa prekur si myslimanët në përgjithësi, ashtu edhe ata në Shqipëri. Në literaturën e botuar prej tyre, kjo temë, përskaj rëndësisë së saj, zë një vend minimal, për të mos thënë inekzistent. E njëjta dukuri, për fat të keq, shfaqet edhe në ligjërimet e ndryshme fetare. Mungon një mendim i kristalizuar dhe serioz lidhur me këto çështje, një sintezë e mendimit dhe e këndvështrimit islam, lidhur me rolin e njeriut dhe marrëdhëniet e tij me Zotin dhe botën. Mendja e myslimanit dhe shqetësimi i tij duket se janë të përqendruara në tema të tjera, që ia shterojnë energjitë dhe dobia e të cilave është, më së paku, e dyshimtë. Për më tepër, në kohën kur po jetojmë, paragjykimet dhe stereotipet për Islamin janë shtuar aq shumë, saqë shumë studiues kanë shprehur mendimin se mund të thuhet pa frikë që Islami është feja më e keqkuptuar në botë. Kur të mençurit nuk flasin, vendin e tyre e zënë të paditurit e këtë gjë myslimanët po e përjetojnë çdo ditë. Kjo zbrazëti kaq serioze, si dhe rreziku i një keqinterpretimi të këndvështrimit Islam për këtë temë, prej kohësh kanë qenë objekt i preokupimeve të mia. Shumë herë kam dashur të shkruaj diçka rreth saj, por rëndësia dhe vështirësia e çështjes më kanë bërë të ngurroj. Më në fund, edhe falë këmbënguljes së miqve të mi, vendosa të shkruaj këtë ese.

 

Kjo ese nuk është menduar si një traktat polemik kundër teorive të ndryshme për rolin e njeriut në këtë botë, për më tepër që as nuk e di nëse do të isha në gjendje të realizoja diçka të tillë; as si një ndër ata libra të rëndomtë apologjetikë, të nisur nga këndvështrime dogmatike, që anashkalojnë e shpërfillin çdo mendim të ndryshëm. Në të vërtetë, qëllimi im ishte të parashtroja një sintezë sa më të qartë e të sistematizuar të këndvështrimit islam lidhur me rolin e njeriut në këtë botë, pa mëtuar të realizoj ndonjë shtjellim përfundimtar e shterues të temës në fjalë apo një analizë të gjatë e të hollësishme të koncepteve për të cilat flitet në ese, si dhe të paraqisja për lexuesin jomysliman bazat e këndvështrimit islam për rolin e njeriut dhe domethënien e tij kozmike, duke pasur parasysh padijen e thellë që mbizotëron sot në lidhje me konceptet e mirëfillta islame. Në këtë mënyrë, shpresoj që ky libër të shërbejë si një nxitje që çështje të kësaj natyre të diskutohen më shpesh dhe më gjerë.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *