Besnik Sinani

 

Islami është fe sociale dhe jetohet në xhemat – kongregacioni që bashkohet për të jetuar në modelin e porosisë së shenjtë. Për këtë arsye studiues të Islamit priren të kërkojnë lidhshmëri të prurjeve skolastike fetare e botimeve të teologëve me emra lëvizjesh, sektesh, apo shkollash teologjike. Nën këtë dritë, libri i fundit i Ismail Bardhit, një prej teologëve më të njohur kontemporanë shqiptarë, përball studiuesin me vështirësinë e kualifikimit. Është vështirë ti gjesh mendimit teologjik të Ismail Bardhit “shtëpinë” sektare apo përkatësinë në shkollat apo tendencat e njohura të mendimit islam. Këtu, ndoshta, qëndron dhe risia e prurjes së tij në traditën teologjike shqiptare.
Qartazi dallohet tek Bardhi impakti i shkollës pereniale, e bërë e njohur nëpërmjet brilancës studimore të Frithjof Schuon apo Sejid Husen Naser. E megjithatë Bardhi qëndron larg tendencës “nostalgjike” të kësaj shkolle për tradicionalen. Në të kundërt, ai tregohet simpatizues i përpjekjeve, apo së paku premisave mbi të cilat u motivuan lëvizjet moderniste të fundit të shekullit te 19 – të dhe fillimit të shekullit të 20 – të, qoftë në vendet arabe, mes turqve apo dhe shqiptarëve. Ndoshta një nga vecantitë e profilit të mendimit të Ismail Bardhit është një kombinim – jo përherë lehtësisht i parashikueshëm – midis një tradicionalisti pa nostalgji dhe një modernisti pa entuzizëm për trendet bashkohore.Por për të kuptuar gamën e sprovës teologjike të Ismail Bardhit, duhet patur parasysh vecantia e konstruktit të teologjisë tradicionale muslimane. Sic vë në dukje Tim Winter, lektor i teologjisë islame në Universitetin e Cambridge – it, studiuesit, vecanërisht ata perendimorë, kanë pas besuar gabimisht gjer vonë se teologjia muslimane është ajo që përfshihet në literaturën e kalam – it. Në të kundërt, vë në dukje Winter, sufizmi, fikhu, dhe falsafa e periudhës klasike, diskutuan, komentuan e shqyrtuan cështje që shkonin përtej mistikës, jurispundencës dhe filozofisë duke përfshirë tema të lidhura me teologjinë. Për këtë arsye, gama e cështjeve që mbulohen nga ‘teologjia’ muslimane janë më të shumta dhe të larmishme nga cfarë pritet të jetë lëmi i studimit të teologjisë. Nuk duhet të habitemi, pra, që sprova e Ismail Bardhit përfshin një diskutim mbi një larmi temash që nga filozofia morale, etika seksuale, fragmetarizimi i dijes, apo kriza e globalizmit etj.

Por mbi të gjitha, sprova e Bardhit ka të bëjë me autoritetin fetar të teologjisë në një kohë kur, sic vë në dukje Bardhi sëbashku me një armatë sociologësh që studiojnë fenë si fenomen social, përballemi sot me zbehje të autoritetit të teologut. Kjo nuk duhet njësuar me zbehjen e jetës fetare. Kjo ka të bëjë me atë që Bardhi quan përjetim fetar emocional pa komponentin e dijes fetare. Por teksa sociologët kanë evidentuar trendet sociale si shkaktarë të kësaj humbjeje autoriteti të liderit fetar teologjik, Bardhi hedh shikimin tek mungesa e angazhimit teologjik të teologëve me shumësinë e sfidave ideologjike dhe shpirtërore të njeriut fetar. Në këtë mënyrë, sygjeron Bardhi, teologjia dështon ti kontribuojë debatit intelektual mbi problematikat e njeriut modern duke mos ofruar paradigmën fetare. Teologu musliman shqiptar ose i bën bishtë kësaj sfide ose nuk pajiset me veglat e duhura për këtë ndërmarje. Kjo rezulton në mënjanim dhe izolim të njeriut fetar nga mejdani i sfidave të kohës e cila shpesh rezulton në ritualizëm pa qetësi shpirtërore, sekinën e premtuar nga religjioni, pa dimensionin e meditimit teologjik që prodhon urtësine e paradigmës fetare. Në të kundërt, njeriu fetar përballet me sfidat e tij morale dhe etike ose nëpërmjet reagimit emocional fetar, ose bëhet mbartës i një lloj skizofrenie morale midis normave që i pranon si të shenjta nga njëra anë, dhe praktikës jetësore nga ana tjeter.

Një nga elementët e shqyrtuar në këtë kontekst ka të bëjë me analizën e sekularizmit si copëtim ndarës së etikes me fetaren, të morales nga metafizika, të fesë nga jeta dhe të teologut nga obligimi i tij. Zgjidhjet që ofron teologjia, vë në dukje Bardhi, janë për nga natyra holistike, gjithë-dimensionale. Bardhi duket të kritikojë teologët se kanë pranuar paradigmën bazë të këtij copëtimi ndarës.

Por na duhet të pyesim nëse ajo për të cilën flet Bardhi është krizë apo mos-egzistencë e teologjisë muslimane shqiptare. Edhe pse nderues ndaj traditës historike – Bardhi është autor i një studimi mbi veprën e H. Ibrahim Dalliut – ai shprehet se teologët shqiptarë nuk guzojnë të kënaqen vetëm me trashigiminë teologjike pa prodhuar dije teologjike për realitetin ku gjendet njeriu fetar sot në hapsirat shqiptare. E megjithatë, ideja e krizës së teologjisë duket sikur sygjeron një handikap në një fenomen prezent, e teksa duket se konkludojmë nga kritika e Bardhit se mendimi teologjik mes muslimanëve shqiptarë, dija fetare që synon të udhëheq emocionin dhe ndjeshmërinë fetare, ështe inegzistente.

Evidentimi i gjendjes së mangët të prodhimit teologjik në një kohë kur Bardhi beson se ka nevojë të ngutshme për të, kërkon hapin pauses të kontribuimit në formimin e kësaj teologjie. Në këtë aspekt, libri i Bardhit duket si parathënie e dickaje që pritet të pasojë, një modeli faktik të dijes teologjike që i përgjigjet aspiratave të ngritura nga Bardhi si një prej teologëve më të njohur shqiptarë. Në një kohë kur është problematizuar ndikimi në mendimin fetar i prodhuar në kontekste sociale dhe kulturore të ndryshme nga ai shqiptar, pritet me të drejtë të shihet se cfarë prurjesh do sjellin teologët shqiptarë në angazhim dhe në një qasje të drejtëpërdrejtë të realitetit social ku gjenden. Në këtë mënyrë, teksa Bardhi i ofron lexuesit një shqyrtim të dendur të gamës dhe nevojave teologjike të muslimanëve shqiptarë, ai ngre dhe sfidën ndaj vetes për tu përgjigjur krizës që ai evidenton.

Sigurisht është e vështirë të parashikosh efektet e mendimit të Bardhit tek kolegët dhe bashkëfetarët e tij kur është se shpesh figurat fetare që nuk gjenden rehat në kostumet sektare apo doktrinare, nuk harmonizohen dot kollaj me qëndrime masive. Por a janë zërat origjinalë të destinuar të jenë gjer diku të izoluar? Historia e fesë na jep plot raste për të qenë skeptikë ndaj parashikimeve te tilla. Ajo që është e sigurtë është se libri i Bardhit do provokojë debat mes kolegësh, studiuesish, bashkëfetarësh dhe lexuesish që interesohen në zhvillimin e mendimit teologjik.

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *