Imam Sabaudin Jashari.
Me emrin e Zotit, Mëshiruesit Mëshirëplotit
Falenderoj Allahun e Madhëruar dhe përshëndes e lutem për vulën e profetëve, Muhamedin (a.s).
Një vepër shkencore merr vlerë mbi tre baza: tema që trajton, metoda e përdorur dhe nga autori që e ka shkruar. Duke pohuar se jam shumë i nderuar që më është dhënë mundësia të kontribuoj në promovimin e një vepre të tillë si “Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri”, njëkohësisht e shoh të nevojshme të theksoj se qasja ime është nga pozitat e një Studiuesi të shkencave Islame apo siç jemi mësuar të përmendim shpesh, të një teologu Islam.

Vepra në fjalë merr vlerë së pari, nga tema që trajton, pra nga historia. Kurani rëndësinë e gjërave e vlerëson me vëmendjen që u kushtohet atyre. Edhe lexuesi i thjeshtë i Kuranit, vërteton lehtësisht pohimin se historia në të zë më shumë se një të tretën e Kuranit. Madje këtë e shikon që tek kaptina e parë, e më e rëndësishmja e Kuranit, surja “Fatiha”. Që në fillim Kurani na prezanton me popujt e mëparshëm. Normalisht jo thjesht duke na i përmendur si emra apo si ekzistencë, por na prezanton me përvojën e tyre historike, me shkaqet e ngritjes apo edhe me ato të humbjes dhe devijimit të tyre.
Në më shumë se 14 versete Kuranore, Allahu i Madhëruar na urdhëron të ecim në tokë dhe të studiojmë përvojat e popujve të kaluar. Po ashtu, të tërheq vëmendjen edhe një fakt tjetër i rëndësishëm: Përsëritja e shpeshtë e historive dhe ngjarjeve historike. P.sh historia e profetit Musa (a.s) është përmendur në Kuran më shumë se 36 herë por gjithmonë në kontekste të ndryshme.

Pse vallë gjithë kjo vëmendje?

Mendimtari mysliman, Xhasim Sultan, thotë “Historia është shtëpia e përvojës njerëzore”. Ndërsa Imadudin Halil shprehet: “Kurani fisnik na sjell premisat e tij historike për ta nxitur njeriun drejt objektivave të projektuara nga Islami dhe në të njëjtën kohë për të larguar individët dhe popujt nga pellgjet dhe xhunglat në të cilat u mbytën dhe humbën me qindra dhe mijëra popuj e fise.”

Zoti i Madhëruar ka vënë ligje humane shoqërore ashtu siç ka vënë ligje materiale natyrore. Marrëdhënia e njeriut me këto ligje është përcaktuesi vendimtar në ngritjen dhe rrënimin e popujve dhe të civilizimeve. Allahu i Madhëruar thotë: “Ecni nëpër tokë dhe vështroni se si qe fundi i përgënjeshtruesve”. Nahl/36

Sheh Rashid Rida, autori i komentimit të Kuranit “Menar” në lidhje më këtë ajet komenton: “Myslimanëve në përgjithësi u del për detyrë që të kenë në mesin e tyre studiues dhe sqarues të ligjeve hyjnore shoqërore siç kanë bërë me të gjithë shkencat e tjera kuranore, si teuhidin, legjislacionin dhe bazat e tij etj. Njohja e këtyre ligjeve është nga dijet më të rëndësishme dhe të dobishme.”

Ndërsa Muhamed Abdu thotë: “Ai që i zbaton këto ligje është i fituar edhe nëse është ateist apo idhujtar, ndërsa kush i injoron e i harron është i humbur edhe nëse është evlija apo profet. Vetëm kështu mund të kuptohet dhe interpretohet humbja e myslimanëve në Uhud dhe në fillim të betejës së Hunejnit si dhe prapambetja e shumë popujve në shumë fusha të jetës”.

Njohja e këtyre ligjeve, e cila nuk mund të realizohet vetëm se tek shtëpia e përvojës njerëzore – historia – na mundëson diagnostikimin e shëndetit të popujve, e kam fjalën për pozitën e tyre të shëndoshë apo të dobët.

Cikli historik

Mendoj se një nga të veçantat e kësaj libri, e cila në vetvete është edhe tregues i objektivitetit, është përqendrimi tek historia e institucionit përfaqësues të myslimanëve për 55 vjet rresht. Studiues të filozofisë së historisë pohojnë se edhe në institucione funksionojnë të njëjtat ligje ashtu si me popujt dhe civilizimet. Edhe institucionet lindin, rriten, piqen, bien dhe rrënohen. Por jetëgjatësia e tyre varet nga marrëdhënia e saktë e aktorëve të tyre me ligjet shoqërore. Profesor Ali Basha në pikën e fundit të kreut XVIII Komunitetet fetare kërkojnë mbylljen e tyre e hap me një thënie shumë domethënëse: “Njeriun e poshtërojnë veprat e veta”. Nga kjo kuptoj se faji nuk mund të jetë vetëm i faktorëve të jashtëm sado negativë e të egër të jenë ata. Kurani na bën me dije se roli apo pika kryesore e faktorit të jashtëm është sprovimi i faktorit të brendshëm, pra vetes. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë veten e tyre”.

Një nga dëmet e rënda të sistemit ateist ishte krijimi i hendekut të madh mes brezave në aspektin fetar po e po, por edhe atë kulturor e moral. Sigurisht që vepra e pr. Ali Bashës jep një kontribut të çmueshëm për brezin e studiuesve dhe drejtuesve aktual musliman.

Këtu prezantohemi me një përvojë mjaft të pasur organizative sociale, shkencore, shoqërore e politike të institucionit përfaqësues mysliman, veçanërisht në 20 vjeçarin e parë të këtij institucioni që do t’u shërbejë shumë aktivistëve musliman në fusha të ndryshme. Sakaq hendeku mes përvojës aktuale të institucioneve Islame dhe asaj historike ngushtohet shumë.

Mendoj se periudha e historisë së Islamit në Shqipëri pas 1967–ës mbetet akoma një segment i pambushur i hendekut mes brezave. Pra, natyrshëm na lindin pyetjet: Cila qe rrjedha e Islamit pas 1967? Bindshëm mund të themi se edhe gjatë këtyre dekadave Islami ka pasur histori. Njerëzit kanë besuar dhe kanë adhuruar e janë përballur me sfidën e besimit dhe të jetës fetare. Megjithatë kreu i fundit të librit të profesor Bashës që flet rreth mënyrës sesi mbijetoi besimi përbën një lëndë të parë dhe shumë të vyer orientuese për këdo që merr mundin dhe guximin të hedhë dritë akoma më tepër mbi këtë përvojë sa të vështirë aq edhe të rëndësishme, atë të besimit dhe fetarizmit të përballur me sfidat më të egra të kohërave.

Përqendrimi i autorit tek faktet, dokumentet, argumentet dhe renditja e ngjarjeve sipas kronologjisë së saktë u dhuron studiuesve jo vetëm një referencë të shëndoshë por dhe një mundësi shumë të mirë që ç’do studiues të marrë dhe përfitojë nga ngjarjet aq sa ka mundësi dhe aq sa i nevojitet.

Në momentin që historia kalon nga stadi i fakteve dhe i argumenteve në stadin e orientimit të qëllimshëm dhe ideologjizimit nuk mbetet më histori. Nuk është më depoja e urtësisë për brezat siç nuk mbetet më fanari ndriçues drejt së ardhmes. Vepra në fjalë me çka ngërthen prej ngjarjeve, fakteve, argumenteve dhe dokumenteve, nxjerr në pah një nga cilësitë më të vyera të autorit, durimin e madh për ti shkuar gjërave gjer në fund. Mendoj se kjo përcjell një mesazh shumë të rëndësishëm për çdo studiues por veçanërisht për studiuesit mysliman.

Në fund nuk mund të lë pa përmendur disa detaje me mësime shumë të çmuara nga libri. Për studiuesin mysliman e veçanërisht për juristin Islam, tërheq vëmendjen fuqishëm fetvaja e mençur e Dijetarit Vehbi Dibra ndaj shqiponjës dykrenëshe në flamur si dhe ndaj gjuhës shqipe në institucionet Islame. S’ka dyshim se ky qëndrim buron nga fuqia e tij e saktë perceptuese e argumenteve Islame dhe ligjeve Islame. Siç vjen nga një njohje e thellë e prioriteteve të aktualitetit dhe nga balancimi i saktë i interesave kombëtare aktuale.
Kjo aftësi dhe mençuri shprehet qartë edhe në qëndrimin e Vehbi Dibrës, Ibrahim Dalliut, Hafiz Ali Korçës e të tjerëve ndaj princ Vidit duke e legjitimuar përmes fetave si dhe përmes duave në predikimet e të premtes. Duket i çuditshëm ky qëndrim kur vihet në diskutim elementi fetar jo Islam i Vidit dhe balancimi i tij me propozimin e Esat Pashës për të sjellë një mbret nga Porta e Lartë. Por alternativa e parë garantonte paprekshmërinë dhe integritetin e trojeve shqiptare të 1912.

Në bazë të ngjarjeve të sjella në vepër del qartë në pah interesimi i dijetarëve, intelektualëve dhe popullit shqiptar për edukimin e brezit të ri mysliman shqiptar me dijen Islame dhe vlerat e saj. Për këtë i kushtohet një vëmendje e veçantë institucionit arsimor Islam, medresesë së Tiranës si një nga faktorët bazë të përparimit.

Mehdi Frashëri citohet të thotë se: “Përparimi i vrullshëm për ne shqiptarët është një nevojë e jetës, se për të mjeruarit në këtë botë nuk ka mëshirë. Mëshira mund të jetë personale por jo midis popujve, d.m.th nuk është internacionale. Ai popull që rrëzohet me këmbët e veta nuk ka të drejtë të ankohet. Medresetë që do të jenë foleja e prijësve Islam në Shqipëri, duhet të konformohen me frymën e shekullit brenda të cilit jetojmë”
Koherenca e institucionit përfaqësues të myslimanëve me botën Islame është një nga tiparet e rëndësishme që nxjerrin në pah ngjarjet që ngërthen libri. Komunikimi zyrtar i institucionit me myftininë e Palestinës, interesimi i dijetarëve, hoxhallarëve dhe popullit për xhaminë Aksa, komunikimi zyrtar me Ez’herin, mbështetja e studentëve shqiptarë në Ez’her dhe Hindi, ftesa e institucionit përfaqësues mysliman shqiptar nga Ez’heri për të marrë pjesë në kongrese të rëndësishme të gjitha këto mbështesin pohimin e më sipërm.

Në fund e mbyll duke iu drejtuar Allahut të Madhëruar me një dua të sinqertë për Profesor Ali Bashën, që këtë vepër ta bëjë burim përfitimi për brezin aktual dhe atë të ardhshëm, ta pranojë prej tij dhe ta bëjë burim shpërblimi dhe sevapi për të dhe familjen e tij deri në ditën e kiametit. Siç thotë Profeti Muhamed (a.s): “Tre punëve iu vazhdon sevapi edhe pas vdekjes për atë që i ka bërë … e njëra prej tyre është dija e dobishme.”

*(Fjala e mbajtur në promovimin e librit Rrugëtimit të Islamit në Shqipëri të Ali Musa Basha. Botohet me pak shkurtime.)

Comments

  • Duhet te kishit vene ne dukje se prof. Basha eshte autor edhe i nje sere librash te tjera mbi islamin ne Shqiperi dhe se eshte nje nga riformuesit e Komunitetit Mysliman pas rrezimit te komunizmit dhe i biri i nje prej hoxhallareve te njohur para ndalimit te fese. Po njerezit si prof. Basha nuk i mbajti komuniteti po mbajti zotni Mucen qe pastaj na flet per islamin tradicional kur nuk e ka idene se per cfare po flet.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *