Me pro-amerikanë si këta…





Analizë: e-Zani.

Për disa opinionistë oportunistë shqiptarë, pro-amerikanizmi nuk është thjesht falënderim ndaj supershtetit mik për mbështetjen jetike që na ka dhënë vazhdimisht, nuk është thjesht përkujdesje që marrëdhëniet tona me këtë shtet të mos dëmtohen, por përkundrazi, pro-amerikanizmi duhet doemos të ndërtohet si kundërshti ndaj kombeve, shteteve dhe kulturave të tjera.  Sipas kësaj mënyre të menduari, të jesh pro diçkaje, kushtëzon të qenit kundër gati gjithçkaje tjetër. Zoti na ruajt të jesh pro dy ose tri gjërave njëkohësisht! Ngushtësia që propagandohet në emër të mirënjohjes dhe “besnikërisë” ndaj Amerikës do ta kishte emrin vetëm servilizëm pa shije, sikur të mos keqpërdorej për të shtyrë përpara axhenda ekstremiste të opinionistëve tanë oportunistë.

Pas një interviste shumë pak diplomatike të ambasadorit amerikan në Tiranë, ku gati sa nuk u përmendën me emër pjesëmarrësit në një konspiracion anti-amerikan në botën e lartë të politikës e  biznesit në Shqipëri, këto ditë  shtypi shqip, në të dyja anët e kufirit, bubullon nga zelli në dënimin e këtyre anti-amerikanëve anonimë vendas. Tërheq vëmendjen ndërkaq sot zëri i një opinionisti nga Kosova, Bardh Frangu, në gazetën “Ekspres“, i cili i është bashkuar refuzimit të rrymës anti-amerikane, duke vënë në punë për këtë kundërshtim frazeologjinë e Luftës së Ftohtë, shkrirë me atë të Përplasjes së Qytetërimeve. Nuk është i pari dhe nuk ka asgjë interesante deri këtu, por disa teprime dhe pasaktësi ia vlen t’i vihen në dukje.

Opinionisti kosovar i ka lejuar vetes të shkruajë se fryma anti-amerikane , të cilën ai e gjen deri tek kritikat ndaj punës së kompanive private të biznesit amerikan, po shfaqet tani “ në këtë kohë kur ende mbi kurrizin e shqiptarëve rëndon pesha e boshtit ortodokso-islamik, me në krye Rusinë”.

E tepërt të shënojmë se shumica e popullit shqiptar i përket fetarisht apo tradicionalisht Islamit dhe Krishterimit ortodoks. Është krejt pa shije dhe e gabuar të paraqitet se diçka me etiketë islamike apo ortodokse po i rëndoka mbi shpinë një populli i cili i njeh si të vetët si Islamin, ashtu dhe Ortodoksinë. Po edhe sikur asnjë lidhje të mos kishim me këto fe, respekti qoftë edhe për besimin e hasmit nuk mund të lejojë që të përdoret emri i një feje për të emërtuar makinat shtetërore moderne, sidomos kur çdo i rritur e di se sidomos sot, politikat shtetërore nuk i përfshijnë dot fetë universale e nuk ua uzurpojnë dot qëllimet atyre. E pasaktë është pastaj të shohësh boshte ortodokso-islamike (Turqia me Qipron greke? Malejzia me Rumaninë?) e aq më pak të tilla nën Rusinë, kur dihet se shumica e shteteve “islamike” nuk anojnë në aleanca me këtë shtet, pa përmendur se, paralel me këtë, boll shtete “ortodokse” janë pjesë e Bashkimit Europian apo NATO-s.

Ndoshta fjalia e mëposhtme, qartëson pak më tej motivet pas kësaj kompozitës pa shije “ortodokso-islamike”.

Thotë Frangu:

E nëse vetë Papa Gjon Pali i Dytë pat thënë se Amerikën e ka krijuar Zoti për të vënë rend dhe rregull në botë, kush mund të jenë ata që provojnë të ndërtojnë fronte kundër saj!?”.

Më një anë autori vendos “boshtin ortodokso-islamik”, Boshtin e të Keqes, me Rusinë në kokë, e në anën tjetër Amerikën e përkrahur jo thjesht nga Papa, po nga Zoti vetë. E kush mund guxojë të jetë kundër, jo më Amerikës, po kundër fjalëve të Frangut pas kësaj?

Ndonëse çdo qytetar ka të drejtë të besojë ku të dojë, dhe ka po ashtu liri ta shprehë haptas këtë besim, në një gazetë laike nuk ka shumë vend që gjykimet mbi politikën ndërkombëtare të përcaktohen me opinone personalitetesh fetare. Sidomos nuk ka shije që moraliteti i qëndrimit politik ndaj një shteti të kushtëzohet fetarisht, lere më të shkohet kaq haptas drejt qesharakes kur një medium laik i bën vend bestytnive politike sipas të cilave fuqia ushtarake apo ekonomike e një shteti supozohet si e pathyeshme, vetëm sepse kështu paska thënë një personalitet fetar… Edhe ky i cituar gabimisht! Nëse kjo do të ishte shkruar për ndonjë shtet mysliman, autori pa asnjë hezitim do të ishte dënuar me të drejtë nga kolegët e opinioni si fundamentalist, por meqë ky nuk është rasti, edhe ky shkrim do t’u bashkohet sa e sa qëndrimeve të ngjashme që shkojnë përditë pa u numëruar në mediumet e tribunat tona.

Opozicione si ky më lart, janë mjaft të përhapura, sidomos në shtypin shqiptar të Kosovës, duke paraqitur cektësisht një botë islamike pro-serbe, e cila islamikisht nuk njeh pavarësinë e Kosovës, dhe një botë katoliko-protestante që e njeh. Opozicioni është është i gabuar dhe tendencioz. Nuk ka asgjë fetare në mosnjohjen e Kosovës nga Libia e Gadafit që bombardonte xhami, apo nga Siria e Asadit që i bombardon ende, ashtu si nuk ka motive fetare, por politike në mosnjohjen e shtetit kosovar prej shtetesh të tjera “islamike” ose jo.  Opinionistët e opozicioneve fetare harrojnë përherë të fusin në skemën e tyre fëminore shtetin e Vatikanit, shtetin sigurisht më fetar në glob, i cili po ashtu nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Nëse duhet banalizuar detyrimisht gjykimi politik me prapaskena primitive  fetare, pse oportunistët tanë përjashtojnë përherë nga loja Vatikanin? A nuk është shumë më e ndershme ta braktisin fare abuzimin politik me fetë?

Pasi e ka shenjtëruar fetarisht pro-amerikanizmin në nivelin makro, Bardh Frangu e shpie këtë edhe në ngjyrat rozë të nivelit intim.  Ashtu si frazën e keqcituar të Papës, duket se ka dëgjuar diçka diku edhe për një udhëtim të motrave të Mbretit Zog në Amerikë, dhe nuk ngurron që ta shpërdorojë edhe këtë detaj pa vlerë për pro-amerikanizëm absurd.

E aleat më të natyrshëm se Amerikën shqiptarët nuk kanë pasur në historinë e tyre. Shih për këtë mreti Zog, njeriu që vuri themelet e shtetit shqiptar, kishte dërguar në këtë vend edhe motrat e tij që të martoheshin me amerikanë vetëm e vetëm për ta kultivuar edhe më këtë aleancë”.

Faik Konica dikur pat reaguar prerë ndaj kësaj shpifjeje të ulët dhe cinike, por dekada më vonë ka shqiptarë që ende e përflasin nderin e dinastisë malësore, duke e paraqitur Zogun si nga ai lloj që degdis motrat e veta përtej detit “për të kërkuar burra”! Në fakt, nëse ka ndonjë simbol aleance në martesat e princeshave Zogu, sipas kësaj logjike, këtë duhet ta gjejmë në martesat që ndodhën vërtet, si tek ajo princeshës Senije me princin osman, birin e sultan Abdylhamidit, jo në shpifje të diskredituara të viteve ‘30.

Frangu e mbyll shkrimin e vet duke vënë re se:

“në krejt këtë përpjekje për antiamerikanizëm të aktivizuar nëpërmjet logjikës së bartur të luftës kundër imperializmit, ne mund ta dëmtojmë vetëm qenien tonë, por jo edhe këtë balenë të madhe, e cila neve peshqve të vegjël na u gjet në momentet më kritike të ekzistencës sonë”.

Për të mos e kritikuar më tepër se ç’duhet, po themi se balenën si simbol të Amerikës, autori e ka huazuar nga një tregimi i një vajze 13 vjeçare, të cilën e citon që në fillim të shkrimit të vet. Gjithsesi, një të rrituri i duhet thënë se parabola shqetësuese e peshkut të madh dhe peshkut të vogël, nuk i bën nder askujt prej peshqve.

Comments

  • Ky artikull ngre nje ceshtje me rendesi: sikur kushdo tjeter te thoshte fiks te njejtat fjale ne emer te nje feje tjeter, do kishim nje sulm masiv mbi te. Pse eshte kjo lloj retorike e tolerueshme per katoliket shqiptare?

  • Ka nje kategori katolikocentrikesh opinioniste qe ose bejne sikur nuk i dine gjerat, ose nuk i dine vertete dhe aq kuptojne. Ne fakt katoliket kane mbajtur qendrim jo fort miqesor me SHBA-te per shkak te pushtetlidhur me mbeshtetjen dhe ndikimin e forte protestant qe it te madh qe kane protestantet ne politiken amerikane. Ne kemi shume prifterinj, misionare katolike ne Shqiperi qe jane ne menyre agresive kunder SHBA-ve. Nga ana tjeter komuniteti katolik ne Shqiperi nuk merr pjese ne aktivitetet e USAID-it, me pretekstin se ata mbeshtesin politikat per planifikim familjar duke qene pro abortit. Kemi klerike katolike qe kane deklaruar ne TV fraza te tilla te shpra si “Shtetet e Mallkuara te Amerikes”. Vetem kete tipin me lart shoh t’i quaj kaq te aferta politikat amerikane me ato katolike.

  • Shqiptaret bejne mire te mos perzihen ne konflikte qe nuk lidhen direkt me ta. Te pakten jo derisa te zgjidhin problemet e tyre kombetare.
    Politika e jashtme kudo ne bote behet ne baze kombesie e jo ne baze fetare, cdo menyre tjeter te pari eshte naivitet ose fantazi e shfrenuar.
    Sigurisht katoliket mund ta ndjekin politiken e jashte nga kendveshtrimi katolik apo myslimanet mund ta shohin ne kontekstin fetar, mirepo kjo vetem sa ua cungon mundesine per ta kuptuar drejt.
    Ndonese kjo eshte e diskutueshme per disa vende arabe, po nje bote pa Ameriken si superfuqi, te zevendesuar nga Kina dhe India, do te jete nje bote shume me e keqe per myslimanet kudo, perfshi edhe ata shqiptare.
    Opinionet ne median shqiptare pastaj sigurisht jane shpesh banale, si ato qe e mbeshtesin lidhjen me Ameriken qofte ato qe e kundershtojne. Nuk kane si te shkeputen nga banaliteti qe ne pergjithesi mbizoteron ne debatet publike shqiptare.
    Po mbase rregullohemi pak nga pak. Parimi duhet te jete qe dashuria eksesive apo urrejtja irracionale jane te dyja njesoj te demshme. Le te gjykojme ne menyre praktike dhe llogjike, e te flasim pak me me kujdes.
    Pershendetje e-zanit

    • Me sa me duket mua te pakten, artikulli nuk po sugjeron se duhet mare ndonje lloj ngjyrese fetare ne politiken e jashtme, ne te kundert po kundershton pikerisht te tilla nocione te ndeshura shpesh ne median shqiptare. Se si vendet arabe i mendojne keto pune, as nuk shoh te kete ndonje efekt e as ndonje influence te drejteperdrejte tek myslimanet shqiptare. Per mua ka qene interesante se nuk kam degjuar nga asnje nga myslimanet shqiptare qe kane shkruar per qendrimin shqiptar ndaj Palestines se qeveria, per shembull, duhet te kish mare parasysh se clirimi i xhamise Aksa eshte ceshtje e rendesise fetare per vete myslimanet shqiptare. Problemi ngrihet tek keto thirje per politike te jashtme (dhe te brendshme) me syze te ungjillizuara. Me aq sa i njoh qendrimet e katolicizmi, dhe jo se i njoh mire, keto qendrimet e katoliko-centristeve shqiptare me duken si qendrime kultesh brenda katolicizmit, me te ashpra se qendrimet mainstream te katolicizmit.

      • Nuk e di nese e ke per shenimin tim kete pergjigje, se une nuk kam shkruar qe artikulli e sugjeron nje gje te tille.
        Artikulli analizon shume mire te kunderten dhe me argumente te mira.
        Ne fakt, Vatikani ndersa perplaset me myslimanet ne linjat kulturore dhe ne ato te identitetit europian, nga ana tjeter eshte ne vija te njejta te politikes se jashtme me vendet myslimane e sidomos arabe, madje shume me afer tyre se afer Shteteve te Bashkuara.
        Keshtu qe shpesh katoliket shqiptare nuk e dine se c’flasin dhe duhet ta degjojne me mire se cfare thote Vatikani.
        Nga ana tjeter, une njoh edhe myslimane shqiptare qe e urrejne Ameriken per shkak te zhvillimeve ne Lindjen e Mesme dhe Irak, pavaresisht se ishte kjo qe i shpetoi nga Serbia. Kjo gjithashtu nuk ka shume kuptim. Solidaritet fetar eshte edhe t’i tregosh vellait te te njejtes fe kur e ka gabim ne gjykimin e Amerikes. Disa myslimaneve shqiptare u vjen turp te tregojne se i ka ndihmuar Amerika. Ky lloj qendrimi nuk i ka hije askujt, as myslimanit e as katolikut e sidomos jo shqiptarit, qe te ca huqe ka edhe virtytet e tij me te mira.

        • Totalisht dakort. Pastaj ty te habisin shqiptare myslimane qe urrejne Ameriken? Mua me habisin edhe ata qe urrejne Serbine. Si u urreka nje vend I tere! (Mos flasim qe Serbia ka muzike tulle fare). Po edhe sikur mos na kish shpetuar Amerika gje qe eshte turp ta mohosh, c’kuptim te urresh nje vend te tere? Pastaj shiko artikullin ne kete faqe per muzeun dhe pavionin e ri te artit islam. Kemi budallenj qe I mendojne punet mbrapsht po c’do besh. Edhe mua me irriton mbeshtetja amerikane per izzraelin, dua qe te ikin nje ore e me pare nga Iraku etj po keta qe deklarojne urrejtje “me prag shpie” Zoti I ndihmofte te gjoret.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *