Klisheja e “anti-amerikanizmit” !





Arber Fetiu*
Ka ca kohë, që nëpër hapësirën e shkruar në  disa gazeta ditore, forume online, nëpër mure diskutimesh në facebook apo  nëpër shkrimet e “opinionistëve me rrogë”  është zhvilluar njëfarë  kulture e etiketimit të njerëzve me një nocion sa obskur aq edhe interesant: “anti-amerikanizëm”.  Deklarata e ambasadorit amerikan Arvizu lidhur me “anti-amerikanizmin”, ngjalli një seri  shkrimesh lidhur me këtë mesele. Në Kosove kjo tendence etiketuese është po aq e përhapur sa edhe në Shqipëri. Megjithatë, ky nocion, i cili nga lançuesit kurrë nuk definohet, në mënyrë tacite lejon të kuptohet se për “antiamerikanizëm”  merret  “çdo qëndrim opozitar karshi ndonjë politike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (kryesisht të administratës në pushtet), i ndonjë aspekti kulturor, ndonjë kritikë vlerash apo thjeshtë çdo kritikë e modernitetit në rrafshin filozofik, socio-kulturor…” Pra  nëse ju jeni kritik ndaj ndonjërës prej këtyre aspekteve, kjo ju gradon me gradën “anti-amerikan”, që në kontekstin shqiptar për dikë qenka sinonim me “tradhtar” .

Por ky fenomen i etiketimit çuditërisht ndodhë vetëm kur këto kritika dhe qëndrime –  sado racionale dhe të qëndrueshme të jenë – burojnë diku jashtë Amerikës.  Në një formë apo tjetër, ky definim tacit dhe etiketim radhitet në vazhdën e premisave te doktrinës binare të botës:  ‘Me ne në çdo aspekt  ose kundër nesh”. Ky trend ka një  ngjashmëri të hatashme me një trend tjetër që është po aq banal e irracional, përhapur nga qarqe pro-izraelite nëpër Evrope, ku çdo individ, i cili kritikon një shkelje të drejtash apo politikë diskriminuese të Izraelit, gradohet menjëherë si “anti-semit” .

Vet koncepti i antiamerikanizmit është shumë interesant. Ky nocion, siç do të thoshte intelektuali amerikan Naom Chomsky, “e gjente (dhe gjen)  ekuivalentin e tij vetëm  tek regjimet diktatoriale e ushtarake  si p.sh. në Bashkimin Sovjetik ku disidentët quheshin “anti-sovietikë” (njëlloj sikurse edhe në ish-Yugosllavi) dhe përdorimi i tij i natyrshëm e ka rrënjën tek një lloj instinkti totalitar, i cili e njëson shoqërinë me shtetin, politikën shtetërore me shoqërinë, me popullin dhe  me kulturën. Në kontrast me këtë, njerëzit që posedojnë edhe me të dobëtin  nocion të demokracisë e trajtojnë me përqeshje.”

Në shkrimin e  servuar për lexuesit kosovarë nga Bardh Frengu tek gazeta Express, autori  në një formë krejtësisht naive dëshiron “të shukatë”  e “të tradhëtarizojë”  secilin individ i cili sheh  me sy kritik evenimentet bashkëkohore globale dhe vendore, te cilat direkt apo indirekt, lidhen me Amerikën, duke e cilësuar atë si “anti-amerikan” dhe sikur i takuaka njëfar  boshti “ortodokso-islamik”, një emërim bizar për të cilin për herë të parë dëgjojmë të flitet nga Frangu. Kjo duhet  të jetë kështu në Kosove (apo në Shqipëri)! edhe pse mendimi kritik si kulturë qytetare është njëra nga aspektet më të mrekullueshme të vet shoqërisë amerikane, por në momentin kur  kjo vlerë adaptohet nga shqiptarët, ajo përkundrazi i bën ata “anti-amerikanë”.  Ky klasifikim, përveç dëshmisë së një  “instinkti totalitar” (Chomsky) dëshmon edhe një derexhe interesante të absurditetit dhe synon që përmes kësaj çensure të mendjes dhe shprehjes e shndërron mbretërinë e lirisë , pra Amerikën, , në një  “opium te popullit”,  për te përdorur një maksimë marksiste.

Pse kjo tendence mund të cilësohet si absurde? Kritika më e vrazhdë njëherit edhe më konstruktive,  racionale drejtuar ndonjëherë Amerikës, buron nga vet hapësira e Amerikës, nga e majta dhe e djathta. Në fakt, madhështia e këtij shteti ka qëndruar pikërisht në eliksirin e kritikës publike. Absurditeti i etiketimit me “anti-amerikan” të individit i cili kritikon Amerikën bëhet kështu edhe më i dukshëm kur konsiderojmë qëndrimet e vet amerikaneve karshi Amerikës. Kështu, psh, një kandidat presidencial i Amerikes, si republikani Ron Paul, kritikon pa ndalur politikat intervencioniste të Amerikës dhe praninë e sajë në shtetet e gadishullit arabik, të cilat i konsideron te gabuara. Për të  Irani do duhej të vazhdonte zhvillimin e projektit nuklear dhe Paul nuk nguroi këto ditë të kritikonte ashpër administratën Obama duke konsideruar vrasjen e terroristit al-Awlaki pa “gjykim” si të padrejtë, pasiqë  ky ishte qytetar amerikan.

Kujto ish kandidati presidencial, ish zv. President dhe fituesi i çmimit Nobel per Paqe, Al Gore, i cili është ndër kritikuesit më të ashpër të politikës amerikane mbi ambientin dhe një sërë çështjesh tjera. Apo edhe  ato mijëra shoqata të shoqërisë civile në Amerikë që ngërthejnë në vete me qindra e mijëra shtetas amerikanë, e të cilat punën e tyre ja përkushtojnë “tregtisë së barabartë”, oponencës kundra shkeljes së të drejtave të njeriut në SHBA, racizmit,politikave diskriminuese të imigracionit etj. Kujto ato grupe altermondialiste qe kritikojnë pa ndalur arthi-kapitalizmin Amerikan . Me mijëra qytetarë të cilët protestojnë duke kërkuar për një shtet më të fuqishëm në sferën publike,  duke e ngritur zërin e tyre për të refuzuar “kapitalizmin cullak” siç do ta quante dramaturgu dhe poeti gjerman Bertolt Brecht. Kujto filozofë e shkrimtarë postmodernistë si , Tom Wolf,  Strauss, DeLillo, Mailer, Barthelme….të cilët në krijimtarinë e tyre kritikojnë ashpër karakterin “hegjemonik” të Amerikës dhe shoqërinë konsumatore bashkë me grumbullin e (anti)vlerave të pjellura nga “kapitalizmi cullak” përfshi akademikë e aktivistë si Naom Chomsky, Edward Said apo  Remsey Clarck, të cilët kritikojnë mjetet dhe objektivat e “hegjemonisë  së të drejtave të njeriut”. Kujto ato qindra levizje oponente mes adeptëve pro dhe kundër abortit, pro dhe kundër homoseksualizmit dhe njëmijë aspekteve të tjera si të shtetit edhe të shoqërisë amerikane.

Ironia bën që të gjithë këta  amerikanë për qëndrimet e tyre karshi shtetit dhe shoqërisë paradoksalisht nuk cilësohen si “anti-amerikanë” por konsiderohen si qytetarë të mirëfilltë dhe amerikan-dashës, ndërkaq nëse ndonjëra nga kritikat e bëra nga këta amerikanë buron nga një hapësirë jashtë Amerikës, atëherë individët e kësaj hapësire (Shqiptarët, venezuelasit, meksikanët, egjiptianët, zvicerjanët, francezët etj., etj.) cilësohen në mënyre absurde si “anti-amerikanë”. Në fakt, ky cilësim behet nga disa qarqe në mënyre që të dëshmohet dashuriea pa kushte vis-a-vis Amerikës, për mos të thënë një erotizëm me Amerikën, i cili për hesapin tim, i dëshmuar në ketë mënyrë është jo vetëm idiotesk, por dhe imponon një heshtje dhe kllapi të mendimit kritik.

Ky teatër  i absurdit shkon edhe më tutje. Sipas këtyre etiketimeve dogmatike (si ato të Bardh Frangu-t) na del ab intra se 132 kongresmenet dhe 22 senatoret te cilët ishin kundër luftës në Irak në vitin 2003, qenë  “anti-amerikane”, e prap ab intra na del se edhe ata 66% dhe 63% të qytetareve amerikan të cilët në janar të këtij viti u dëshmuan kundër luftës në Irak apo Afganistan, konsiderohen si “anti-amerikanë” (CNN/Opinion Research Corporation, 2011).

Tentativa për me “u’a mshelë gojën” mendjeve të pavarura në Kosovë, duke  i etiketuar me “anti-amerikanizëm” kur këta nuk pajtohen, p.sh., me qëndrimet ‘sovranitet-shtjerrës-e” të Kristopher Dell-it, të parregullsive në veprimet e kompanive amerikane (apo të tjera) në Kosovë  është tentativë jo shume dalluese prej asaj te Jugosllavisë titiste, e cila shqiptarët sovranitet-kërkues i konsideronte anti-revolucionarë. Kështu, në koshin e “anti-amerikaneve” hidhen individët, lëvizjet, grupet politike, të cilat në një formë apo një tjetër kërkojnë aleancë “hakikat” me Amerikën, e jo një, e cila kërkon për shkëmbim subordinimin e një shoqërie të tërë, apo thëne ndryshe ka për kusht “heshtjen” e shqiptarëve sa herë që ata “sodomizohen”. Psh. edhe pse plot kongresmenë amerikanë ditët e fundit mund të kritikojnë ashpër procesin e blerjes së T-Mobile-it nga AT&T në Amerikë, teksa shqiptarët të cilët ngjashëm kërkojnë rregullsi në procesin e privatizimit apo në kontratat e Bachtel-Enka  bëhen “anti-amerikan”!

Shqiptarët në Kosove dhe në Shqipëri mund te mbajnë qëndrime sikur ato te Ron Paul-it apo të Edward Kennedy-te, apo Al Gore-it dhe të jenë si 66%-shi amerikan kundër luftes në Irak apo të jenë pro-palestinez teksa të kërkojnë rregullim më serioz karshi neo-liberalizmit të tregut të lirë ashtu siç kërkojnë me mijëra qytetarë amerikanë altermondialistë; ata mund edhe të kritikojnë aspekte sociale, kulturore e politike të jetes në Amerike si Chomsky, Said apo si Leo Strauss e filozofë të tjerë bashkëkohorë; ata mund dhe duhet të kritikojnë ndërhyrjen në sovranitetin e shtetit të Kosovës ashtu siç kritikojnë kongresmenë amerikanë ndërhyrjen e korporatave multinacionale në sovranitetin e Amerikës dhe e tërë kjo pa u quajtur apo etiketuar “anti-amerikanë” sepse shumë mirë ata mund të jenë më pro-amerikanë sesa “opinionistët me rroge” si Bardh Frangu. Fundja unë besoj se Ron Paul e Al Gore e duan më shumë Amerikën sesa Bardhi. Fundja kritika është një vlerë e shumëçmuar në vet kulturën politike e sociale amerikane dhe të kërkohet që “çdo gjë nga Amerika” të na pëlqej, do të ishte çdo gjë tjetër pos pro-amerikanizëm. Ndoshta është ky  absurdi i disa shqiptarëve, si  Bardh Frangu, në te cilin  disa profesorë në France  aludojnë edhe sot e kësaj dite kur ju drejtohen studentëve të tyre duke u thënë  “Duajeni atdheun, siç e duan shqiptaret Amerikën” , duke aluduar tek një absurditet sui generis që mbretëron në një pjesë të shoqërisë sonë dhe që njëherit është ndoshta shenja e naivitetit më të madh politik në një shoqëri dhe me një vetëdijeje  të përndrydhur. Duket se kriteri për të qenë “shqiptar i mire” nuk është më në atë se sa e do (ose pretendon ta duash)  Shqipërinë apo Kosovën,  por se sa e do (apo pretendon ta duash) Amerikën.

Gjithsesi, kjo është forma ma lukrative për të fituar disa kredite nga ambasada amerikane apo edhe nga komplicët e padrejtësive të tjera në Kosovë, të cilët pretendojnë se çdo gjë që bëjnë, e bëjnë në bashkëpunim/akord me Amerikën dhe të cilët luajnë me pushtetin politik në Kosovë duke i qëndruar besnik kushtit te “heshtjes gjatë sodomizimit”. Kreditit për etiketime “anti-amerikan” për fat të keq mund të fitohen kudo përveç ne hapësirën më sovrane në botë, në Amerikë.  Pse a thu?  Natyrisht, sepse aty nuk ka ambasadë amerikane!

 

*Autori punon dhe jeton në Kanada. Ai mbart një Master në Shkenca Politike nga Universiteti Laval.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *