Rreth Fjalës së Njëjtë lexoni këtu dhe këtu.

Përktheu Nermin Begzade.

 

Në Emër të Zotit, Mëshiruesit Mëshirëplotë,

« Thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë,

 dhe debato me ta në mënyrën më të mirë. Zoti yt e Njeh më së Miri

atë që është larguar nga rruga e Tij, dhe Ai i Njeh më së Miri

të udhëzuarit drejt ».

(Kur’ani i Shenjtë, Nahl, 16 :125)

 

( I )

DASHURIA PËR ZOTIN

 

 

DASHURIA PËR ZOTIN NË ISLAM

 

Dëshmitë e Besimit

 

 

Kredoja qendrore në Islam përbëhet nga dy dëshmi besimi ose Shehadetei, të cilat shpallin se : Nuk ka asnjë zot përpos All-llahut, Muhamedi është i dërguari i Tij.  Këto Dy Dëshmi janë sine qua non-i i Islamit. Ai ose ajo që dëshmon për to është mysliman/e ; ai ose ajo që i mohon nuk është mysliman/e. Për më tepër, Profeti Muhamed a.s. ka thënë : Përkujtimi më i mirë është : ‘Nuk ka asnjë zot përpos Zotit’ […]ii

 

 

Më të Mirat prej gjithë thënieve të Profetëve

 

Duke zhvilluar rreth përkujtimeve më të mira, Profeti Muhamed a.s. ka thënë po ashtu :

 

Më e mira ndër çka kam thënë – unë vetë, dhe profetët që erdhën para meje – është :Nuk ka asnjë zot përpos All-llahut, i Vetëm është Ai dhe i pashoq, i Tiji është sovraniteti dhe i Tiji është lavdi dhe e Tija është fuqia mbi gjithçka’ iii

 

Shprehjet që vijojnë pas Dëshmisë së Parë janë të gjitha nga Kur’ani i Shenjtë ; secila përshkruan një mënyrë dashurie për Zotin dhe përkushtim ndaj Tij.

 

Fjalët : vetëm Ai, i përkujtojnë myslimanët se zemrativ e tyre duhet t’i përkushtohen Vetëm Zotit, përderisa Zoti thotë në Kur’anin e Shenjtë : All-llahu nuk ka vendosur dy zemra në gjoksin e asnjë njeriu (Ahzab, 33 :4). Zoti është Absolut dhe rrjedhimisht përkushtimi ndaj tij duhet të jetë krejtësisht i sinqertë.

 

Fjala : I pashoq, i përkujton myslimanët se lipset ta duan Zotin veçanë, pa ortakëri në shpirtrat e tyre, përderisa Zoti thotë në Kur’anin e Shenjtë : E megjithatë ka njerëz që besojnë të tjerë si All-llahun, i duan ata sikur All-llahun. Ndërsa ata që besuan janë shumë më të fortë në dashurinë e tyre për All-llahun […] (Bekare, 2 :165). Me të vërtetë, lëkura dhe zemrat e tyre zbuten në përkujtimin e All-llahut […] (Zumer, 39 :23).

 

Fjalët : i Tiji është sovraniteti, i përkujtojnë myslimanët se mendjet e tyre ose arsyetimi i tyre duhet t’i përkushtohen krejtësisht Zotit sepse sovraniteti është saktësisht gjithçka në krijim ose qenësi dhe gjithçka që mendja mund të dijë. Dhe gjithçka është në Dorën e Zotit, përderisa Zoti thotë në Kur’anin e Shenjtë : I lartësuar është Ai në Dorën e të cilit është tërë sovraniteti, dhe Ai është i pushtetshëm për gjithçka (Mulk, 67 :1).

 

Fjalët : i Tiji është lavdi, i përkujtojnë myslimanët se duhet t’i jenë mirënjohës Zotit dhe t’i besojnë Atij gjithë ndjenjat dhe emocionet e tyre. Zoti thotë në Kur’anin e Shenjtë :

 

Nëse ti i pyet ata: Kush i krijoi qiejt dhe tokën, dhe shtrëngoi diellin dhe hënën (të lëvizin)? Ata do të thonë: All-llahu! E si zbrapsen atëherë ? All-llahu e pajis mirë atë që do prej robërve të Tij, dhe i pakëson atij që do. Vërtet, All-llahu është i gjithëdijshëm për çdo gjë. Dhe nëse ti i pyet ata: Kush e zbret ujin nga qielli, dhe me të e ringjall tokën pas vdekjes së saj? Ata vërtet do të thonë: All-llahu! Thuaj: Lavdërimi i qoftë All-llahut ! Por shumica e tyre nuk arsyetojnë.

(Ankebut, 29 :61-63)v

            Për gjithë këto mirësi dhe të tjera, qeniet njerëzore duhet përnjëmend të jenë mirënjohëse :

 

All-llahu është Ai që krijoi qiejt dhe tokën, dhe bëri ujin të zbresë prej qielli, që me të të dalin fruta si ushqim për ju, dhe për të mirën tuaj ju vuri në shërbim anijet, të lundrojnë nëpër det me urdhërin e Tij, dhe në shërbimin tuaj i vuri lumenjtë. Dhe shtrëngoi diellin dhe hënën, të qëndrueshëm në udhët e tyre, t’ju shërbejnë ju, dhe për ju përshtati natën dhe ditën. Dhe Ai ju dha gjithë çfarë ju kërkuat prej Tij, dhe nëse përpiqeni t’i numëroni mirësitë e All-llaut nuk mundeni t’i llogarisni. Njeriu është vërtet i padrejtë, mosmirënjohës.

(Ibrahim, 14 :32-34)vi

Vërtet, Fatihaja – që përbën kapitullin më të lartë të Kur’anit të Shenjtëvii – nis me lavdërimin e Zotit :

 

Me Emrin e All-llahut, Mëshiruesit Mëshirëplotë !

Lavdërimi i takon All-llahut, Zotit të botërave !

Mëshiruesit Mëshirëplotë !

Sunduesit të Ditës së Gjykimit !

Ty të adhurojmë, dhe prej Teje ndihmë kërkojmë !

Udhëzona në rrugën e drejtë !

Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi, e jo në të atyre

që kanë shkaktuar zemërimin tënd, as në të atyre që janë të humbur ! (Fatiha, 1 :1-7)

 

Fatihaja, e cila përsëritet së paku shtatëmbëdhjetë herë gjatë ditës prej myslimanëve përgjatë lutjeve të përcaktuara, na përkujton për lavdërimin dhe për mirënjohjen me të cilat i detyrohemi Zotit për Vetitë e Tij të Mirësisë së Pakufijshme dhe të Gjithë-Mëshirës ; jo thjesht për Mirësinë dhe Mëshirën e Tij për ne në këtë jetë, por përfundimisht për Ditën e Gjykimitviii kur është edhe më e rëndësishme dhe ndërsa shpresojmë të falemi për mëkatet tona. Kësisoj, Fatihaja përfundon me lutje për mirësi dhe udhëzim, në mënyrë që të mund të arrijmë – nëpërmjet asaj çka nis me lavdërim dhe mirënjohje – shpëtimin dhe dashurinë, për arsye se Zoti thotë në Kur’anin e Shenjtë : Ata që kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira, i Gjithmëshirshmi do t’i pajisë me dashuri. (Merjem, 19 :96)

 

Fjalët : dhe e Tija është fuqia mbi gjithçka, i përkujtojnë myslimanët se duhet të jenë të ndërgjegjshëm për Plotfuqinë e Zotit dhe kësisoj, t’i druhen Atijix. Zoti thotë në Kur’anin e Shenjtë :

 

Druhuni ndaj All-llahut dhe dijeni se All-llahu është me ata që ruhen nga të këqijat. Shpenzojeni pasurinë në rrugën e All-llaut, dhe mos e sillni veten tuaj në shkatërrim, por bëni mirë; All-llahu me të vërtetë i do bamirësit  […]

(Bekare, 2 :194-5)

 

 

Druhuni ndaj All-llahut dhe dijeni se All-llahu është i ashpër në ndëshkim.

(Bekare, 2 :196)

 

Përmes drojës ndaj Zotit, veprimet, fuqia dhe forca e myslimanëve duhet t’i përkushtohen krejtësisht Zotit. Zoti thotë në Kur’anin e Shenjtë :

 

Dijeni se All-llahu është në anën a atyre që i druhen All-llahut.

(Teube, 9 :36)

 

O besimtarë !  Ç’u bë me ju kur ju qe thënë: Nisuni në luftë në rrugë të All-llahut ; ju sikur u farkuat përtokë? A jeni më të kënaqur me jetën e kësaj bote se sa me atë të Botës tjetër? Kënaqësia e kësaj bote është e vogël në krahasim me atë të Botës tjetër. Nëse nuk shkoni në luftë, Ai do t’ju ndëshkojë me dënim të dhembshëm dhe do t’ju ndërrojë me një popull tjetër, dhe ju Atij nuk mund t’i bëni asnjë dëm. All-llahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë.

(Teube, 9 :38-9)

 

 

 

(

 

 

Fjalët : i Tiji është sovraniteti dhe i Tiji është lavdi dhe e Tija është fuqia mbi gjithçka, ndërsa merren së bashku u përkujtojnë myslimanëve se, ashtu sikurse gjithçka e krijuar e lëvdon Zotin, gjithë çfarë kanë brenda shpirtit duhet t’i përkushtohet Zotit :

 

All-llahun e lëvdon gjithë çfarë gjendet në qiej dhe gjithë çfarë gjendet në Tokë; Atij i takon sovraniteti i vërtetë, dhe Atij i takon lëvdimi dhe Ai është i pushtetshëm për çdo gjë!

(Tegabun, 64 :1)

Dhe me të vërtetë, gjithë çfarë përmbajnë shpirtrat e njerëzve është e njohur dhe i përgjigjet Zotit :

 

Ai di gjithçka që gjendet në qiej dhe në tokë, dhe Ai i di të fshehtat tuaja dhe ato që i bëni haptazi; All-llahu di gjithë ç’keni në zemrat tuaja.

 (Tegabun, 64 :4)

 

Sikurse shihet në fragmentet e lartcituara, në Kur’anin e Shenjtë shpirtrat përshkruhen të kenë tri veti të ndryshme : mendjen ose inteligjencën, e cila është bërë për të kuptuar të vërtetën ; vullnetin, që është bërë për lirinë e zgjedhjes ; dhe ndjenjën, e cila është bërë për ta dashur të mirën dhe të bukurënx. Shprehur ndryshe, mund të themi se, shpirti i njeriut e njeh të vërtetën nëpërmjet kuptimit, nëpërmjet vullnetit për të mirën, dhe nëpërmjet emocioneve të virtytshme dhe ndjesisë së dashurisë për Zotin. Duke vijuar me të njëjtin kapitull të Kur’anit të Shenjtë (atë të lartcituar), Zoti i urdhëron njerëzit t’i druhen Atij sa më shumë të jetë e mundur, dhe ta dëgjojnë (kësisoj të kuptojnë të vërtetën); t’i binden (kësisoj, të dëshirojnë vullnetin e të mirës), dhe të shpenzojnë (kësisoj të ushtrojnë dashuri dhe virtyt), të cilat, thotë Ai, janë më e mira për shpirtrat tanë. Duke angazhuar gjithçka brenda shpirtrave tanë – vetitë e diturisë, vullnetit dhe dashurisë – mund të pastrohemi dhe të arrijmë suksesin përfundimtar :

 

Pandaj druajuni All-llahut sa të mundeni, dhe dëgjoni, dhe përuluni dhe shpenzoni për të mirën tuaj. Dhe ata që ruhen nga ngushtësia e shpirtrave të tyre, ata janë fitues.

                                                                                                (Tegabun, 64 :16)

 

 

 

(

 

 

Përmbledhtas, kur shprehjes së plotë i Vetëm është Ai, i pashoq, i Tiji është sovraniteti dhe i Tiji është lavdi dhe e Tija është fuqia mbi gjithçka i shtohet dëshmia a besimit – Nuk ka asnjë zot përpos All-llahut – kjo i përkujton myslimanët se zemrat e tyre, shpirti i secilit dhe vetitë e fuqitë e shpirtrave të tyre (ose thjesht gjithë zemrat dhe shpirtrat e tyre) duhet të jenë krejtësisht të përkushtuara dhe të lidhura me Zotin. Kështu, Zoti i thotë Profetit Muhamed a.s. në Kur’anin e Shenjtë :

 

Thuaj: Me të vërtetë, namazi im, dhe adhurimi im, dhe jeta ime, dhe vdekja ime i përkasin vetëm All-llahut, Zotit të Gjithësisë. I pashoq është Ai. Kështu jam urdhëruar, dhe unë jam i pari ndër të dorëzuarit tek Ai. Thuaj: A mund të kërkoj unë vallë një tjetër zot, kur Ai është Zot i gjithçkaje? Çdo shpirt punon për vete, dhe askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit […]

(Enam, 6 :162-4)

Këto vargje mishërojnë përkushtimin e plotë dhe tërësor të Profetit Muhamed a.s. ndaj Zotit. Kështu, në Kur’anin e Shenjtë Zoti i urdhëron myslimanët që e duan me të vërtetë Zotin të ndjekin shembullin e tijxi në mënyrë që, në këmbim, të duhenxii edhe ata prej Zotit :

 

Thuaju (o Muhammed!): Nëse e doni All-llahun, ejani pas meje ; All-llahu do t’ju dojë dhe t’jua falë mëkatet! All-llahu është Falës dhe Mëshirues.

(Imran, 3 :31)

Dashuria për Zotin në Islam është kështu pjesë e përkushtimit të plotë dhe tërësor ndaj Zotit ; nuk është një emocion i thjeshtë dhe i pjesshëm. Sikurse u vërejt më lart, në Kur’anin e Shenjtë Zoti urdhëron : Thuaj: Me të vërtetë, namazi im, dhe adhurimi im, dhe jeta ime, dhe vdekja ime i përkasin vetëm All-llahut, Zotit të Gjithësisë. I pashoq është Ai. Thirrja për të qenë tërësisht i përkushtuar dhe i lidhur me Zotin, me zemër dhe me shpirt, larg të qenit një thirrje thjesht për një emocion apo gjendje, është në fakt një urdhër që kërkon një dashuri gjithpërfshirëse, të përhershme dhe vepruese. Ajo kërkon një dashuri në të cilën zemra e thellësisë shpirtërore dhe i gjithë shpirti – me inteligjencën, vullnetin dhe ndjenjën e tij – të marrin pjesë nëpërmjet përkushtimit.

 

(

Askush nuk Vjen me Ndonjë Tjetër më të Mirë

 

Kemi parë se shprehja e bekuar : Nuk ka asnjë zot përpos All-llahut, i Vetëm Ai, i pashoq, i Tiji është sovraniteti dhe i Tiji është lavdi dhe e Tija është fuqia mbi gjithçka – shprehja më e mirë e të gjithë profetëve – qartëson atë çka nënkuptohet në përkujtimin më të mirë (Nuk ka asnjë zot përpos All-llahut), duke dëftuar atë çka kërkohet dhe kuptohet nëpërmjet përkushtimit. Lipset të thuhet se kjo formulë e bekuar përbën në vetvete edhe një përmendje të shenjtë – një lloj zgjatimi i Dëshmisë së Parë të besimit (Nuk ka asnjë zot përpos All-llahut) – përsëritja rituale e së cilës mund të sjellë, përmes mirësisë së Zotit, disa prej qëndrimeve përkushtuese të kërkuara, të tilla si dashurinë dhe përkushtimin ndaj Zotit me gjithë zemër, me gjithë shpirt, me gjithë mend, me gjithë vullnet apo forcë, dhe me gjithë ndjenjë. Profeti Muhamed a.s. urdhëroi kështu përkujtimin duke thënë :

 

Ai që thotë :Nuk ka asnjë zot përpos All-llahut, i Vetëm është Ai, i pashoq, i Tiji është sovraniteti dhe i Tiji është lavdi dhe e Tija është fuqia mbi gjithçka’ një qind herë në ditë, është për të njëlloj sikur të kish liruar dhjetë skllevër, dhe njëqind punë të mira i shkruhen atij dhe njëqind punë të këqija i fshihen, dhe është për të një mburojë nga shejtani për gjithë ditën e deri në mbrëmje. Edhe askush nuk vjen me ndonjë tjetër më të mirë se kjo, përveç atij që bën ende më shumëxiii.

 

Thënë ndryshe, përkujtimi i bekuar, Nuk ka asnjë zot përpos All-llahut, i Vetëm është Ai, i pashoq, i Tiji është sovraniteti dhe i Tiji është lavdi dhe e Tija është fuqia mbi gjithçka, jo vetëm kërkon dhe nënkupton se myslimanët duhet të jenë krejtësisht të përkushtuar ndaj Zotit dhe ta duan Atë me gjithë zemrat e tyre dhe me gjithë shpirtrat e tyre dhe gjithë ç’kanë brenda, por mundëson një mënyrë, sikurse në fillim (dëshmia e besimit) – nëpërmjet përsëritjes së shpeshtëxiv – që ata ta njëmendësojnë këtë dashuri me gjithë çfarë janë.

 

Në njërën prej shpalljeve më të para të Kur’anit të Shenjtë Zoti thotë : Dhe përmende Emrin e Zotit tënd dhe përkushtoju krejtësisht Atij (Muzemil, 73 :8).

 

 

DASHURIA PËR ZOTIN

SI MË I PARI DHE MË I MADHI

URDHËRIM NË BIBËL

Shema në Librin e Ligjit të Përtërirë (6 :4-5), kryeqendra e Dhjatës së Vjetër dhe liturgjisë çifute, thotë :

 

Dëgjo, Israel, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm. Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tëndexv.

 

Po ashtu, në Dhjatën e Re, kur Jezu Krishti, Mesia a.s., pyetet për Urdhërimin më të Madh, ai përgjigjet a.s :

 

Atëherë farisenjtë, kur dëgjuan se ai ua kishte zënë gojën saducenjve, u mblodhën tok. Dhe një nga ata, mësues i ligjit, e pyeti për ta vënë në provë, duke thënë: « Mësues, cili është urdhërimi i madh i ligjit? ». Dhe Jezusi i tha: « ‘Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde’. Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin [fqinjin]tënd porsi vetveten’. Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët ».

(Mateu 22 :34-40)

Dhe gjithashtu :

 

Atëherë një nga skribët që e kishte dëgjuar diskutimin e tyre, duke kuptuar se ai u ishte përgjigjur mirë, iu afrua dhe e pyeti: « Cili është i pari i të gjithë urdhërimeve? ». Dhe Jezusi u përgjigj: « Urdhërimi i parë i të gjithëve është: ‘Dëgjo, o Israel: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot’, dhe: ‘Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!’. Ky është i pari urdhërim. Dhe i dyti i ngjan këtij: ‘Duaje të afërmin [fqinjin]tënd porsi vetveten’. Nuk ka urdhërim tjetër më të madh se këta ».

(Marku 12 :28-31)

 

Urdhërimi për ta dashur Zotin tërësisht është kështu Urdhërimi i Parë i Madh i Biblës. Në të vërtetë, ai gjendet po ashtu edhe në vende të ndryshme përgjatë gjithë Biblës, duke përfshirë edhe : Ligjin e Përtërirë 4:29, 10:12, 11:13 (po ashtu pjesë e Shemës), 13:3, 26:16, 30:2, 30:6, 30:10; Jozueun 22:5; Markun 12:32-33 dhe Llukën 10:27-28.

 

Megjithatë, në vende të ndryshme përgjatë Biblës, gjendet edhe në forma dhe variante të ndryshme. Për shembull : Mateu 22 :37 (Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde), fjala greke për ‘zemër’ është kardia, fjala për ‘shpirt’ është psihe, dhe fjala për ‘mendje’ është dianoia. Në variantin e Markut 12 :30 (Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde) fjala ‘forcë’ i shtohet tri të sipërpërmendurave, duke u përkthyer kështu nga fjala greke iskus.

 

Fjalët e mësuesit të ligjit në Lluka 10 :27 (të vërtetuara prej Jezu Krishtit a.s. në Lluka 10 :28) i përmbajnë të njëjtët katër terma sikurse në Marku 12 :30. Fjalët e skribit në Marku 12 :32 (të miratuara prej Jezu Krishtit a.s. në Marku 12 :34) përmbajnë tri terma kardia (‘zemër’), dianoia (’mendje’) dhe iskus (‘forcë’).

 

Shemën e Ligjit të Përtërirë 6 :4-5 (Dëgjo, Israel, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm. Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde). Në hebraisht, fjala për ‘zemër’ është lev, fjala për ‘shpirt’ është nefesh, dhe fjala për ‘forcë’ është me’od.

 

Në Jozueu 22 :5, israelitët urdhërohen nga Jozueu a.s. ta duan Zotin dhe t’i përkushtohen Atij si vijon :

 

« Vetëm kini kujdes të zbatoni urdhërimet dhe ligjin që Moisiu, shërbëtori i Zotit, ju ka dhënë, duke e dashur Zotin, Perëndinë tuaj, duke ecur në të gjitha rrugët e Tij, duke zbatuar të gjitha urdhërimet e Tij, duke qendruar sa më afër Tij dhe duke i shërbyer me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt ».

(Jozueu 22 :5)

Kështu, ajo çfarë gjithë këto variante kanë të njëjtë – pavarësisht ndryshimeve gjuhësore midis Dhjatës së Vjetër hebraike, fjalëve origjinale të Jezu Krishtit a.s. në aramaishte, dhe transmetimit ekzistues në greqishten e Dhjatës së Re – është urdhërimi për ta dashur Zotin tërësisht, me gjithë zemër dhe shpirt dhe për të qenë të devotshëm ndaj Tij. Ky është Urdhërimi i Parë dhe më i Madh për qeniet njerëzore.

 

Në dritën e asaj që kemi parë të ketë qenë e nevojshme të nënkuptohet dhe shkaktohet prej shprehjes së bekuar të Profetit Muhamed a.s. : Më e mira ndër çka kam thënë – unë vetë, dhe profetët që erdhën para meje – është :Nuk ka asnjë zot përpos All-llahut, i Vetëm është Ai, i pashoq, i Tiji është sovraniteti dhe i Tiji është lavdi dhe e Tija është fuqia mbi gjithçka’xvi, mundemi ndoshta të kuptojmë tashmë fjalët : Më e mira ndër çka kam thënë – unë vetë, dhe profetët që erdhën para meje’ të barazuara me formulën e bekuar ‘Nuk ka asnjë zot përpos All-llahut, i Vetëm është Ai, i pashoq, i Tiji është sovraniteti dhe i Tiji është lavdi dhe e Tija është fuqia mbi gjithçka’ pikërisht me ‘Urdhërimin e Parë dhe më të Madh’ për ta dashur Zotin me gjithë zemër dhe shpirt, sikurse thuhet në vende të ndryshme në Bibël. Thënë ndryshe, Profeti Muhamed a.s., ndoshta, përmes frymëzimit, ishte duke rishprehur dhe përmendur Urdhërimin e Parë të Biblës. Zoti e di më mirë, por ne sigurisht që e pamë ngjashmërinë kuptimore në veprim. Për më tepër, ne dimë gjithashtu (sikurse mund të shihet në shënimet fundore), se të dyja formulat përmbajnë një tjetër paralele të dallueshme : mënyra se si ato ngrihen në një numër variantesh dhe formash imtësisht të ndryshme në kontekste të ndryshme, të cilat, të gjitha, sidoqoftë, theksojnë parësinë e dashurisë dhe përkushtimit tërësor ndaj Zotitxvii.

 

 

(II)

DASHURIA PËR FQINJIN

DASHURIA PËR FQINJIN NË ISLAM

 

 

 

Janë të shumtë urdhërimet në Islam për nevojën dhe rëndësinë e epërme për ta dashur – dhe mëshiruar – fqinjin. Dashuria për fqinjin është pjesë thelbësore dhe përbërëse e besimit në Zot dhe e dashurisë për Zotin, sepse në Islam pa dashuri për fqinjin nuk ka as besim të vërtetë në Zot e as mirësi. Profeti Muhamed a.s. ka thënë :

 

« Askush prej jush nuk ka besuar deri sa të doni për vëllain tuaj atë që doni për vete »xviii.

 

Dhe : « Askush prej jush nuk ka besuar deri sa të doni për fqinjin tuaj atë që doni për vete »xix.

 

Megjithatë, dhembshuria dhe dashamirësia ndaj fqinjit – por edhe lutjet e rregullta – nuk janë të mjaftueshme. Ato lipsen të shoqërohen me bujari dhe vetësakrifikim. Zoti thotë në Kur’anin e Shenjtë :

 

Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrësxx kah Lindja dhe Perëndimi, por, mirësi është kur beson All-llahun, Ditën e Fundit, Engjëjt, Librin, Profetët; dhe jep nga pasuria për dashurinë e Tij, të afërmve, bonjakëve, varfanjakëve, udhëtarëve, nevojtarëve, dhe për të liruar robër ; dhe është kryerja e namazit, dhe dhënia e zekatit, dhe mbajtja e premtimit ; dhe është të duruarit në skamje, në sëmundje dhe në rrezik. Këta janë besimtarët e vërtetë, këta janë të përkushtuarit.

(Bekare, 2 :177)

Dhe, po ashtu :

 

Nuk do të arrini mirësinë e lartë deri sa të mos jepni prej asaj që doni më shumë; çfarëdo të jepni, All-llahu e di atë.

(Imran, 3 :92)

 

Pa i dhënë fqinjit atë që ne vetë e duam, ne nuk e duam Zotin me të vërtetë dhe as fqinjin.

 

 

 

DASHURIA PËR FQINJIN NË BIBËL

 

I kemi cituar ndërkaq fjalët e Mesisë, Jezu Krishtit a.s., rreth rëndësisë epërore, e dyta menjëherë pas dashurisë për Zotin, të dashurisë për fqinjin :

 

Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin [fqinjin]tënd porsi vetveten’. Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët ».

(Mateu 22 :38-40)

Dhe :

 

Dhe i dyti i ngjan këtij: ‘Duaje të afërmin [fqinjin]tënd porsi vetveten’. Nuk ka urdhërim tjetër më të madh se këta ».

(Marku 12 :31)

 

Mbetet vetëm për t’u shënuar se ky urdhërim gjendet po ashtu edhe në Dhjatën e Vjetër :

 

Nuk do të urresh vëllanë tënd në zemrën tënde; qorto gjithashtu fqinjin tënd, por mos u ngarko me asnjë mëkat për shkak të tij. Nuk do të hakmerresh dhe nuk do të mbash mëri kundër bijve të popullit tënd, por do ta duash të afërmin [fqinjin] tënd si veten tënde. Unë jam Zoti.

(Levitiku 19 :17-18)

 

Kështu, Urdhërimi i Dytë, gjithë sikurse Urdhërimi i Parë, kërkon bujari dhe vetësakrifikim, dhe Nga këto dy urdhërime varet i tërë Ligji dhe Profetët.

 

 

(III)

 

EJANI NË NJË FJALË

TË NJËJTË MIDIS NESH

DHE JUSH

 

 

 

 

 

NJË FJALË E NJËJTË

 

Ndërkaq që Islami dhe Krishtërimi janë qartësisht dy fe të ndryshme – dhe pa kurrfarë zvogëlimi të disa prej ndryshimeve të rregullta midis tyre – është e qartë se, Dy Urdhërimet më të Mëdha përbëjnë një hapësirë të njëjtë territoresh dhe një lidhje midis Kur’anit, Teuratit dhe Dhjatës së Re. Ajo çka i paraprin Dy Urdhërimet në Teurat dhe në Dhjatën e Re, dhe ajo prej së cilës ata ngrihen, është Njëshmëria e Zotit – ka vetëm një Zot. Sepse Shema në Teurat nis : (Ligji i Përtërirë 6 :4) Dëgjo, Israel, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm ! Në të njëjtën mënyrë, Jezusi a.s. thotë : (Marku 12 :29) « Ky është i pari urdhërim. ‘Dëgjo, o Israel : Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot’ ». Në të njëjtën mënyrë, Zoti thotë në Kur’anin e Shenjtë : Thuaj : Ai, All-llahu është Një! /All-llahu, tek Ai mbështet çdo krijesë! (Ihlas, 112 :1-2). Kësisoj, Njëshmëria e Zotit, dashuria për Të, dhe dashuria për fqinjin formojnë një territor të njëjtë mbi të cilin Islami dhe Krishtërimi (dhe Judaizmi) janë themeluar.

 

Dhe kjo nuk mund të ishte ndryshe përderisa Jezusi a.s. ka thënë (Mateu 22 :40) : « Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët ». Për më tepër, Zoti e vërteton në Kur’anin e Shenjtë se Profeti Muhamed a.s. nuk solli asgjë thellësisht ose thelbësisht të re : Nuk të thuhet ty (o Muhamed) asgjë përpos asaj që u është thënë të dërguarve para teje. (Fusilet, 41 :43). Dhe : Thuaju (Muhamed): Unë nuk jam i dërguari i parë, dhe unë nuk di çfarë do të ndodhë me mua ose me ju. Unë ndjek vetëm atë që më është Shpallur dhe nuk jam veçse një paralajmërues i qartë (Ahkaf, 46 :9). Kësisoj, Zoti edhe në Kur’anin e Shenjtë vërteton se të njëjtat të vërteta të përjetshme të Njëshmërisë së Zotit, të nevojës për dashuri dhe përkushtim të tërësishëm ndaj Zotit (duke shmangur kështu idhujt), dhe të nevojës për të dashur qeniet e tjera njerëzore (dhe kësisoj për drejtësinë), përbëjnë gurin e themelit për gjithë fetë e vërteta :

 

Ne vërtet i kemi dërguar çdo populli nga një lajmëtar, (për t’u thënë atyre): Adhuroni All-llahun, dhe shmangiuni idhujve! Disa prej tyre, All-llahu i shpuri në rrugë të drejtë, e disa prej tyre merituan të mbeten në humbje. Prandaj udhëtoni nëpër botë, dhe shihni se si e kanë pësuar përgënjeshtruesit!

(Nahl, 16 :36)

 

Me të vërtetë, Ne i kemi dërguar lajmëtarët tanë me argumente të qarta, dhe u shpallëm atyre Librin dhe Peshoren që njerëzit t’i përmbahen së drejtës […]

(Hadid, 57 :25)

 

 

 

 

Ejani në Një Fjalë të Njëjtë !

 

Në Kur’anin e Shenjtë, Zoti, i Më i Lartësuari, u thotë myslimanëve t’u bëjnë të krishterëve thirrjen e mëposhtëme (dhe çifutëve – Popullit të Librit) :

 

Thuaj: O ithtarë të Librit! Ejani në një fjalë e njëjtë mes nesh dhe mes jush: të mos adhurojmë tjetër përpos All-llahut, dhe të mos i bëjmë Atij asnjë shok, dhe askush prej nesh të mos e njohë tjetrin për zot përpos All-llahut! Dhe nëse ata refuzojnë, thuaj: Dëshmoni se ne jemi ata që jemi dorëzuar (në Zot).

(Imran, 3 :64)

 

Qartësisht, fjalët e bekuara : të mos i bëjmë Atij asnjë shok rrëfejnë për Njëshmërinë e Zotit. Po kaq qartësisht, adhurimi i askujt tjetër përpos Zotit lidhet me të qenin krejtësisht i përkushtuar ndaj Zotit dhe kësodore, me Urdhërimin e Parë dhe Më të Madh. Sipas njërës prej trajtesave (tefsir) më të vjetra dhe më autoritative mbi Kur’anin e Shenjtë – Xhami’ el Bejan fi Te’uil el Kur’an nga Ebu Xhafer Muhamed bin Xherir el Tabari ( H. 310/923) – dhe askush prej nesh të mos e njohë tjetrin për zot përpos All-llahut do të thotë se ‘askush prej nesh nuk duhet të bindet në mosbindje për atë çka Zoti ka urdhëruar, as t’i lëvdojë ata duke ju gjunjëzuar atyre në të njëjtën mënyrë që ata i gjunjëzohen Zotit’. Me fjalë të tjera, myslimanët, të krishterët dhe çifutët duhet të jenë të lirë të ndjekin secili atë çfarë Zoti u ka urdhëruar, pa u shtrënguar ‘të gjunjëzohen përpara mbretërve apo të ngjashmëve të tyre’xxi ; sepse Zoti e thotë gjetiu në Kur’anin e Shenjtë : Nuk ka shtrëngim në fe […] (Bekare, 2 :256). Kjo lidhet qartësisht me Urdhërimin e Dytë dhe me dashurinë për fqinjin, drejtësiaxxii dhe liria e besimit e të cilit janë pjesë vendimtare. Zoti thotë në Kur’anin e Shenjtë :

 

All-llahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe me drejtësi ndaj atyre që nuk ju luftojnë për shkak të fesë dhe nuk ju përzënë nga shtëpitë tuaja. Me të vërtetë, All-llahu i do të drejtët.

(Mumtehine, 60 :8)

 

 

Kështu, ne, si myslimanë i ftojmë të krishterët të kujtojnë fjalët e Jezusit a.s. në Ungjill (Marku 12 :29-31) :

 

[…] Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot. Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!’. Ky është i pari urdhërim. Dhe i dyti i ngjan këtij: ‘Duaje të afërmin [fqinjin]tënd porsi vetveten’. Nuk ka urdhërim tjetër më të madh se këta’.

 

Si myslimanë, ne u themi të krishterëve se ne nuk jemi kundër tyre dhe se Islami nuk është kundër tyre – për sa kohë ata nuk i shpallin luftë myslimanëve për shkak të fesë së tyre, nuk i shtypin dhe i përzënë ata nga shtëpitë e tyre, (në pajtim me vargun e Kur’anit të Shenjtë [Mumtehine, 60 :8] cituar më lart). Për më tepër, Zoti thotë në Kur’anin e Shenjtë :

 

Ata nuk janë të gjithë njëlloj. Prej Popullit të Librit disa që janë të drejtë në orët e natës lexojnë vargjet e All-llahut dhe gjunjëzohen (para Tij). Ata i besojnë All-llahut dhe Ditës së Fundit dhe këmbëngulin të bëhen vepra të mira, dhe të pengohen ato të shëmtuarat dhe prijnë të bëjnë mirësi. Këta janë ndër të mirët. Çfarëdo të mire që të bëjnë, asgjë nuk do t’u mohohet. All-llahu i di mirë ata që ruhen nga të këqijat.

(Imran, 3 :113-115)

Është detyrimisht Krishtërimi kundër myslimanëve ? Në Ungjill Jezu Krishti a.s. thotë :

 

Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shkapërderdh.

(Mateu 12 :30)

Sepse kush nuk është kundër nesh, është me ne. (Marku 9 :40)

 

[…] sepse kush nuk është kundër nesh është me ne. (Lluka 9 :50)

 

Sipas Shpjegimit të Dhjatës së Re prej Teofilaktit të Bekuarxxiii këto pohime nuk janë kundërthënëse, sepse pohimi i parë (në tekstin e greqishtes të Dhjatës së Re) i referohet djajve, ndërsa pohimi i dytë dhe i tretë u referohen njerëzve që e njohën Jezusin a.s., por që nuk qenë të krishterë. Myslimanët e njohin Jezu Krishtin a.s. si Mesia, jo në të njëjtën mënyrë si të krishterët (megjithëse vetë të krishterët nuk kanë rënë të gjithë dakord me njëri-tjetrin për natyrën e Jezu Krishtit a.s.), por në formën e mëposhtme : […] Mesia, Isai, i biri i Merjemit, është vetëm i Dërguari i All-llahut si edhe Fjala e Tij të cilën ia tha Merjemit, dhe Shpirt nga Ai […] (Nisa, 4 :171). Ne i ftojmë atëherë të krishterët t’i vështrojnë myslimanët si jo kundër, por rrjedhimisht me ta në përputhje me fjalët e Jezu Krishtit a.s. këtu.

 

Përfundimisht, si myslimanë, duke iu bindur Kur’anit të Shenjtë, ne u kërkojmë të krishterëve që të bashkohen me ne në thelbet e njëjta të dy feve tona […] të mos adhurojmë tjetër përpos All-llahut, dhe të mos i bëjmë Atij asnjë shok, dhe askush prej nesh të mos e njohë tjetrin për zot përpos All-llahut […] (Imran, 3 :64).

 

Le të jetë ky territor i njëjtë baza e gjithë dialogjeve të ardhshme ndërfetare midis nesh sepse territori ynë i njëjtë është ai nga i cili varet i tërë Ligji dhe Profetët (Mateu 22 :40). Zoti thotë në Kur’anin e Shenjtë :

 

Thoni (o Besimtarë): Ne besojmë vetëm All-llahun dhe në atë që na është shpallur ne, dhe në atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakupit dhe pasardhësve, dhe në atë që i është dhënë Musait dhe Isait, dhe në atë që u është dërguar lajmëtarëve nga Zoti i tyre. – Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi midis tyre, dhe ne vetëm Atij i përulemi. Dhe nëse kanë besuar si ju atëherë janë të udhëzuar; dhe nëse i kthejnë shpinën kësaj, ata janë ndarë nga rruga e drejtë, dhe All-llahu do të të mjaftojë ty ndaj tyre ; Ai është Dëgjuesi, i Dituri.

(Bekare, 2 :136-137)

 

 

 

 

 

 

 

 

Midis Nesh dhe Jush

 

Zbulimi i territorit të njëjtë midis myslimanëve dhe të krishterëve nuk është thjesht një çështje dialogu i sjellshëm ekumenik midis udhëheqësish të përzgjedhur fetarë. Krishtërimimi dhe Islami përbëjnë fenë e parë dhe të dytë në botë dhe në histori për nga madhësia. Së bashku ato përfshijnë më tepër se 55% të popullatës botërore, duke e bërë kështu marrëdhënien midis këtyre dy bashkësive fetare faktorin më të rëndësishëm në ndihmën për paqe kuptimplotë. Nëse myslimanët dhe të krishterët nuk janë në paqe, bota s’mundet të jetë në paqe. Me armatimet e tmerrshme të botës moderne ; me myslimanët dhe të krishterët të ndërthurur gjithkund si kurrë më parë, asnjë kah nuk mund ta fitojë njëanëshëm një mosmarrëveshje midis më tepër se gjysmës së banorëve të botës. Kësodore, ardhmëria jonë e njëjtë është në pikëpyetje. Vetë mbijetesa e botës është ndoshta në pikëpyetje.

 

Dhe atyre që gjithsesi i shijojnë mosmarrëveshjet dhe shkatërrimet për hir të tyre, ose llogarisin se përfundimisht kanë për të përfituar prej tyre, ne u themi se vetë shpirtrat tanë të përjetshëm janë gjithashtu në rrezik nëse dështojmë të bëjmë çdo përpjekje të sinqertë për të bërë paqe dhe për t’u bashkuar në harmoni. Zoti në Kur’anin e Shenjtë thotë :

 

All-llahu urdhëron drejtësi dhe mirësi dhe ndihmë ndaj të afërmëve, dhe ndalon flligështinë, shëmtinë dhe ligësinë. Ai ju këshillon ta pranoni udhëzimin.

(Nahl, 16 :90)

Dhe Jezu Krishti a.s. ka thënë :

 

Lum ata që përpiqen për paqen […] (Mateu, 5 :9)

 

Dhe po ashtu :

 

Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet? (Mateu, 16 :26)

 

Le të mos i lejojmë kështu ndryshimet tona të shkaktojnë urrejtje dhe fërkime midis nesh. Le të garojmë me njëri-tjetrin vetëm në mirësi dhe punë të mira. Le ta respektojmë njëri-tjetrin, të jemi të ndershëm, të drejtë dhe të mirë me njëri-tjetrin dhe të jetojmë në paqe të sinqertë, harmoni dhe vullnet të mirë reciprok. Zoti thotë në Kur’anin e Shenjtë :

 

Dhe ty ta shpallëm Librin me të vërtetën, vërtetues për Librat e mëparmë dhe dëshmues për ta. Dhe ti gjyko në mesin e tyre sipas asaj që shpalli All-llahu dhe mos ndiq epshet e tyre dhe të largohesh nga e vërteta që të ka ardhur; për secilin kemi caktuar një ligj dhe një drejtim. Sikur të kishte dashur All-llahu, Ai do t’ju kishte bërë një popull të vetëm ; por Ai do t’ju sprovojë me atë çka ju jep, prandaj garoni për vepra të mira! Tek All-llahu do të ktheheni të gjithë, dhe Ai do t’ju njohë me atë ku ju nuk pajtoheshit.

(Maide, 5 :48)

 

Ues-Selamu ‘Alejkum

 

Pax Vobiscum

Shikoni firmetaret.

i Në arabisht La ilahe ila Allah Muhamed resul Allah. Të dy Shehadetet në fakt gjenden si shprehje (edhe pse veçmas)     në Kur’anin e Shenjtë (respektivisht në Muhamed 47 :19 dhe Fet’h 48 :29).

ii Sunen el Tirmidhi, Kitab el Da’auat, 462/5, n° 3383 ; Sunen ibn Mexhah, 1249/2.

iii Sunen el Tirmidhi, Kitab el Da’auat, Bab el Du’a fi Jeum ‘Arafah, Hadith n° 3934.

 

Është e rëndësishme të shënohet se shprehjet që vijojnë, Vetëm Ai, i pashoq, i Tiji është sovraniteti dhe i Tiji është lavdi dhe e Tija është fuqia mbi gjithçka, vijnë të gjitha prej Kur’anit të Shenjtë përpikmërisht në këtë formë edhe pse në fragmente të ndryshme. Vetëm Ai – referencë ndaj Zotit – gjendet të paktën gjashtë herë në Kur’anin e Shenjtë (7 :70 ; 14 :40 ; 39 :45 ; 40 :12 ; 40 :84 dhe 60 :4). I pashoq gjendet përpikmërisht në këtë formë të paktën një herë (Enam, 6 : 173). I Tiji është sovraniteti dhe i Tiji është lavdi dhe e Tija është fuqia mbi gjithçka, gjendet përpikëmërisht në këtë formë një herë në Kur’anin e Shenjtë (Tegabun, 64 :1), dhe pjesë të saj gjenden në një numër të caktuar vendesh (për shembull, fjalët, e Tija është fuqia mbi gjithçka, gjenden të paktën pesë herë : 5 :120 ; 11 :4 ; 30 :50 ; 42 :9 dhe 57 :2).

 

iv   Zemra

Në Islam zemra (shpirtërore, jo fizike) është organi i perceptimit të njohurisë shpirtërore dhe metafizike. Për njërin prej vizioneve të Profetit Muhamed a.s. Zoti në Kur’anin e Shenjtë thotë : Zemra nuk e mohoi atë çfarë pa. (Nexhm, 53 :11) Tjetërkund në Kur’anin e Shenjtë Zoti thotë : Me të vërtetë nuk i kanë sytë e verbër, por u janë bërë të verbëra zemrat që i kanë në kraharor. (Haxh, 22 :46 ; shih gjithë vargun dhe po ashtu : 2 :9-10 ; 2 :74 ; 8 :24 ; 26 :88-89 ; 48 :4 ; 83 :14 et al.. Në fakt, në Kur’anin e Shenjtë gjenden mbi njëqind përmendje të zemrës dhe sinonimeve të saj.)

v Shih po ashtu : Lukman, 31 :25.

vi Shih po ashtu : Nahl, 16 :3-18.

vii Sahih Buhari, Kitab Tefsir al Kur’an, Bab ma Xha’e fi Fatihat el Kitab (Hadith n°1) ; po ashtu : Sahih Buhari, Kitab Fada’il el Kur’an, Bab Fadl fatihat el Kitab, (Hadith n°9), n°5006.

viii Profeti Muhamed a.s. ka thënë :

 

All-llahu ka njëqind mëshira. Ai ka zbritur njërën prej tyre midis xhinëve dhe njerëzve dhe egërsirave dhe kafshëve të tjera dhe sajë saj ata ndjejnë për njëri-tjetrin ; përmes saj ata kanë mëshirë për njëri-tjetrin ; dhe përmes saj kafshët e egra kanë ndjenja për këlyshët e tyre. Dhe All-llahu ka mbajtur nëtëdhjetë e nëntë mëshira midis të cilave Ai do të mëshirojë shërbyesit e tij në Ditën e Gjykimit. (Sahih Muslim, Kitab el Teube ; 2109/4 ; n°2752 ; shih po ashtu edhe Sahih Buhari, Kitab el Rikak, n° 6469).

 

ix Droja ndaj Zotit është Fillesa e Mençurisë

Tregohet se Profeti Muhamed a.s. ka thënë : Pjesa kryesore e mençurisë është droja ndaj Zotit – Ai qoftë i lartësuar (Musned el Shihab, 100/1 ; el Dejlami, Musned el Firdeus, 270/2 ; el Tirmidhi, Nauadir al Usul ; 84/3 ; el Bejhaki, el Dela’il dhe el Bejhaki, el Shu’ab ; Ibn Lal, el Mekarim ; el Esh’ari, el Emthal, et al.) Shprehja është qartësisht e ngjashme me fjalët e Profetit Solomon [Sulejman] në Bibël : Frika e Zotit është parimi i diturisë […] (Fjalët e Urta 9 :10) ; dhe : Frika e Zotit është fillimi i njohjes. (Fjalët e Urta 1 :7)

x Inteligjenca, Vullneti dhe Ndjenja në Kur’anin e Shenjtë

Kështu, Zoti në Kur’anin e Shenjtë u thotë qenieve njerëzore t’i besojnë Atij dhe t’i drejtohen Atij (duke përdorur kësodore inteligjencën) me drojë (e cila motivon vullnetin) dhe me shpresë (dhe kësisoj me ndjenjë) :

 

Shpalljeve tona u besojnë vetëm ata të cilët kur përmenden për to, bien në gjunjëzim dhe e madhërojnë Zotin me lëvadata, dhe nuk janë kryelartë. /Ata që ngrihen nga shtrati dhe i drejtohen Zotit të tyre me drojë dhe shpresë, dhe shpenzojnë nga ajo që u kemi dhënë Ne. Dhe askush nuk e di se çfarë gëzimesh të fshehta i presin si shpërblim për atë që kanë punuar.

(Sexhde, 32 :15-17)

 

Lutjuni Zotit tuaj përulshëm dhe fshehurazi! Ai, me të vërtetë, nuk i do ata që e teprojnë. Dhe mos bëni çrregullime në tokë pasi është vënë rregulli, e Atij lutjuni në drojë dhe shpresë; Me të vërtetë, mëshira e All-llahut është pranë bamirësve.

(Araf, 7 :55-56)

 

Po ashtu, vetë Profeti Muhamed a.s. rrëfehet në mënyra që shfaqin dije (dhe rrjedhimisht, inteligjencë), japin shpresë (dhe rrjedhimisht, ndjenjë) dhe rrënjosin drojë (dhe rrjedhimisht motivojnë vullnetin) :

 

O Profet, Ne të kemi dërguar si dëshmitar, dhe si prurës lajmesh të mira dhe paralajmërues. (Ahzab, 33 :45)

 

Ne, me të vërtetë të kemi dërguar ty si dëshmitar dhe si prurës lajmesh të mira dhe si paralajmërues. (Feth, 48 :8)

xi Një Shembull i Mirë

Dashuria dhe përkushtimi i plotë i Profetit Muhamed a.s. ndaj Zotit është për myslimanët një model të cilin ata mundohen ta imitojnë. Zoti thotë në Kur’anin e Shenjtë :

 

Ju, me të vërtetë, të dërguarin e All-llahut e keni shembull të mrekullueshëm për atë që i druhet All-llahut dhe Ditës së Fundit, dhe që e përmend All-llahun shumë.

(Ahzab, 33 :21)

 

Tërësia e kësaj dashurie përjashton lakmitë e kësaj bote dhe egoizmin, dhe është në vetvete e bukur dhe e dashur për myslimanët. Dashuria për Zotin është në vetvete e dashur për myslimanët. Zoti thotë në Kur’anin e Shenjtë :

 

Dhe dijeni se në mes jush gjendet i dërguari i All-llahut; sikur ai t’ju bindej juve në shumë çështje, ju do ta kishit pësuar; por All-llahu jua ka bërë juve të dashur besimin dhe jua ka zbukuruar atë në zemrat tuaja, e jua ka bërë të urryer mohimin, shfrenimin dhe kundërshtimin. Këta janë të udhëzuarit drejt.

(Huxhurat, 49 :7)

xii Kjo ‘dashuri e posaçme’ është veçanë Mëshirës universale të Zotit e cila përqafon gjithçka (Araf, 7 :156) ; por Zoti e di më mirë.

xiii Sahih el Buhari, Kitab Bed’ el Halk, Bab Sifat Iblis ue Xhunudihi ; Hadith n° 3329.

 

VARIANTE TË TJERA TË SHPREHJES SË BEKUAR

Kjo shprehje e bekuar e Profetit Muhamed a.s. gjendet në dhjetra hadithe (thënie të Profetit Muhamed a.s. në rrethana të ndryshme në variante dobësisht të ndryshme).

 

Ajo së cilës ne i jemi referuar gjatë gjithë tekstit (Nuk ka asnjë zot përpos All-llahut, i Vetëm është Ai, i pashoq, i Tiji është sovraniteti dhe i Tiji është lavdi dhe e Tija është fuqia mbi gjithçka) përbën në fakt variantin më të shkurtër. E tillë ajo gjendet në Sahih el Buhari : Kitab el Edhan (n° 851) ; Kitab el Tehexhud (n° 1163) ; Kitab el ‘Umre (n° 1825) ; Kitab Bed’ el Halk (n° 3329) ; Kitab el Da’uat (n° 6404, 6458, 6477) ; Kitab el Rikak (n° 6551) ; Kitab el I’tisam bi’l Kitab (n° 7378) ; në Sahih Muslim : Kitab el Mesaxhid (n°1366, 1368, 1370, 1371, 1380)) ; Kitab el Haxh (n° 3009, 3343) ; Kitab el Dhikr ue’l Du’a’ (n° 7018, 7020, 7082, 7084) ; në Sunen Ebu Daud : Kitab el Uitr (n° 1506, 1507, 1508) ; Kitab el Xhihad (n° 2772) ; Kitab el Haraxh (n° 2989) ; Kitab el Adab (n° 5062, 5073, 5079) ; në Sunen el Tirmidhi : Kitab el Haxh (n° 965) ; Kitab el Da’uat (n° 3718, 3743, 3984) ; në Sunen el Nesa’i : Kitab el Sahu (n° 1347, 1348, 1349, 1350, 1351) ; Kitab Menasik el Haxh (n° 2985, 2997) ; Kitab el Iman ue’l Nudhur (n° 3793) ; në Sunen Ibn Maxhe : Kitab el Adab (n° 3930) ; Kitab el Du’a’ (4000, 4011) ; dhe Muvata’ Malik : Kitab el Kur’an (n° 492, 494) ; Kitab el Haxh (n° 831).

 

Një variant më i gjatë që përfshin fjalët juhji ue jumit – (Nuk ka asnjë zot përpos All-llahut, i Vetëm është Ai, i pashoq, i Tiji është sovraniteti dhe i Tiji është lavdi, Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje, dhe e Tija është fuqia mbi gjithçka) – gjendet në Sunen Ebu Daud : Kitab el Menasik (n° 1907) ; në Sunen el Tirmidhi : Kitab el Salat (n° 300) ; el Tirmidhi : Kitab el Da’uat (n° 3804, 3811, 3877, 3901); dhe në Sunen el Nesa’i : Kitab Menasik el Haxh (n°. 2974, 2987, 2998); Sunen Ibn Maxhe: Kitab el Menasik (n°. 3190).

 

Një tjetër variant më i gjatë që përfshin fjalët bi jedihi el hajr – (Nuk ka asnjë zot përpos All-llahut, i Vetëm është Ai, i pashoq, i Tiji është sovraniteti dhe i Tiji është lavdi, dhe në dorën e Tij është e mira, dhe e Tija është fuqia mbi gjithçka) – gjendet në Sunen Ibn Maxhe: Kitab el Adab (n° 3931); Kitab el Du‘a’ (n° 3994).

 

Varianti më i gjatë, i cili përfshin fjalët juhji ue jumit ue Hue Hajun la jemut bi jedihi el hajr – (Nuk ka asnjë zot përpos All-llahut, i Vetëm është Ai, i pashoq, i Tiji është sovraniteti dhe i Tiji është lavdi, Ai jep jetë, dhe Ai jep vdekje, dhe Ai është i Gjalli që nuk vdes, në Dorën e Tij është e mira, dhe e Tija është fuqia mbi gjithçka) – gjendet në Sunen el Tirmidhi: Kitab ‘l Da‘auat (n° 3756) dhe në Sunen Ibn Maxhe : Kitab el Tixharet (n° 2320), me ndryshimin se hadithi i fundit thotë : bi jedihi el hajr kuluhu (në Dorën e Tij është gjithë e mira).

 

Megjithatë, është e rëndësishme të shënohet se Profeti Muhamed a.s. përshkroi vetëm variantin e parë (të shkurtrin) si : Më e mira ndër çka kam thënë – unë vetë, dhe profetët që erdhën para meje, dhe vetëm për këtë variant Profeti a.s. u shpreh se : Edhe askush nuk vjen me ndonjë tjetër më të mirë se kjo, përveç atij që bën ende më shumë.

 

(Këto citime i referohen sistemit të numërimit të Enciklopedisë së Hadithit të Projektit të Sunetit (Xham’ Xhauami’ el Ahadith ue’l Asanid), përgatitur në bashkëpunim me akademikët e el Ezherit, e cila përfshin Sahihun e el Buharit, Sahihun e Muslimit, Sunenin e Ebu Daudit, Sunenin e el Tirmidhit, Sunenin e el Nesait, Sunenin e Ibn Maxhes, dhe Muvatën e Malikut.  

 

xiv Përkujtimi i Shpeshtë i Zotit në Kur’anin e Shenjtë

 

Kur’ani i Shenjtë është i mbushur me udhërime për ta kërkuar ose përkujtuar shpesh Zotin :

 

Dhe, përmende emrin e Zotit tënd në mëngjes dhe në mbrëmje (Insan, 76 :25)

 

Përmendeni All-llahun, në këmbë, të ulur dhe të shtrirë. (Nisa, 4 :103)

 

Dhe në vete përmende Zotin tënd, me përulje dhe drojë – nën zë, në mëngjes dhe mbrëmje, dhe mos u bëj i pakujdesshëm.

(Araf, 7 :205)

 

Por, Zotin tënd përmende shumë dhe lëvdoje Atë në mbrëmje dhe në mëngjes (Imran, 3 :41).

 

O besimtarë, përmendni shpesh All-llahun, dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje! (Azhab, 33 :41-42)

 

(Shih gjithashtu: 2: 198-200; 2: 203; 2: 238-239; 3: 190-191; 6: 91; 7: 55; 7: 180; 8: 45; 17: 110; 22: 27-41; 24: 35-38; 26: 227; 62: 9-10; 87: 1-17, et al.)

 

Në mënyrë të ngjashme, Kur’ani i Shenjtë është i mbushur me vargje që e theksojnë rëndësinë e epërme të përkujtimit të Zotit (shih : 2: 151-7; 5: 4; 6: 118; 7: 201; 8: 2-4; 13: 26-28; 14: 24-27; 20: 14; 20: 33-34; 24: 1; 29: 45; 33: 35; 35: 10; 39: 9; 50: 37; 51: 55-58; dhe 33: 2; 39: 22-23 dhe 73: 8-9 ndërkaq të cituar, et al.), dhe për pasojat e rënda nëse kjo nuk praktikohet (shih : 2: 114; 4: 142; 7: 179-180; 18: 28; 18: 100-101; 20: 99-101; 20: 124-127; 25: 18; 25: 29; 43: 36; 53: 29; 58: 19; 63: 9; 72: 17 et al.; shih gjithashtu 107: 4-6). Prandaj Zoti thotë përfundimisht në Kur’anin e Shenjtë :

 

A nuk është koha që besimtarëve t’u zbutet zemra kur të përmendin All-llahun […] ? (Hadid, 57 :16)

 

[…] Mos rreshtni së më përkujtuari Mua! (Ta-Ha, 20 :42)

 

Dhe :

 

Dhe kur të harrosh, përmende Zotin tënd (Kaf, 18 :24).

 

xv Në versionin e gjuhës angleze të këtij botimi, referencat e Biblës janë marrë nga varianti New King James, © 1982 nga Thomas Nelson Inc. Për botimin në gjuhën shqipe, referencat e Biblës janë marrë nga varianti i Diodatit të Ri, © 1994.

xvi Sunen el Tirmidhi, Kitab el Da’uat, Bab el Du’a fi Jeum ‘Arafah Hadith n° 3934. Op. cit..

xvii Prej Shtatit më të Mirë

 

Krishtërimi dhe Islami kanë koncepte të krahasueshme për njeriun e krijuar prej shtatit më të mirë dhe prej vetë frymës së Zotit. Libri i Zanafillës thotë :

 

(Zanafilla 1 :27) Kështu Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën.  

 

Dhe :

(Zanafilla 2 :7) Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete, dhe njeriu u bë një qenie e gjallë.

 

Dhe Profeti Muhamed a.s. ka thënë : Me të vërtetë All-llahu e krijoi Ademin sipas shëmbëlltyrës së Tij. (Sahih el Buhari, Kitab al Isti’dhan, I ; Sahih Muslim, Kitab el Birr 115 ; Musned Ibn Hanbel, 2 :244, 251, 315, 323, etj. et al.)

 

Ne ju krijuam pastaj ju dhamë formën, e mandej u thamë engjëjve: gjunjëzohuni përpara Ademit. Ata u gjunjëzuan pos Iblisit. Ai nuk qe prej atyre që u gjunjëzuan. (Araf, 7 :11)

 

Pasha fikun dhe ullirin, pasha Malin e Sinait, dhe këtë vend të siguruar ; vërtet Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur ; Pastaj, e zbritëm atë në më të fundmin e fundeve ; Përveç atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, për ta shpërblimi është i vazhdueshëm. Çfarë të shtyn pra, ta përgënjeshtrosh botën tjetër? A nuk është All-llahu më i drejti gjykatës? (Tin, 95 :1-8)

 

All-llahu është Ai që jua ka bërë tokën vendbanim, kurse qiellin kulm. Ju ka dhënë juve formën, dhe jua ka zbukuruar formën dhe ju siguron të mira. Ai është All-llahu, Zoti juaj, dhe bekuar qoftë All-llahu, Zot i Botërave! (Gafir, 40 :64)

 

Por, zullumqarët nga padituria ndjekin epshet e veta. Kush mundet ta udhëzojë atë që e ka humbur All-llahu? Për ta nuk ka kurrfarë ndihmësi. Ti drejtohu me fytyrë kah feja jote si besimtar i vërtetë, feja e All-llahut, në cilën Ai i ka krijuar njerëzit. Nuk ka ndryshim për krijesën e All-llahut, sepse ajo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë. (Rum, 30 :29-30)

 

E pasi ta kem përsosur atë dhe t’i kem dhënë frymë prej Shpirtit Tim, atëherë bini në gjunjë përpara tij. (Sad, 38 :72)

 

Kur Zoti yt u tha engjëjve: Unë do të caktoj mëkëmbësin në tokë, ata thanë: A do të jetë ai që do të bëjë aty turbullira dhe do të derdhë gjak? Kurse ne Ty të madhërojmë dhe të lëvdojmë dhe të lartësojmë ? Ai tha: Unë di atë që ju nuk dini. Dhe All-llahu ia mësoi Ademit të gjithë emrat e gjërave pastaj ato ua paraqiti engjëjve dhe u tha: Nëse thoni të vërtetën, M’i tregoni emrat e këtyre. Qofsh i lëvduar! – thanë ata – ne dimë vetëm atë që na ke mësuar Ti. Ti je i Gjithëdijshmi, i Urti. O Adem – tha Ai – tregojua emrat e tyre! – Kur ai ua tregoi emrat e gjërave, All-llahu tha: A nuk jua kam thënë se vetëm Unë i di të fshehtat e Qiellit dhe të Tokës ? Dhe vetëm Unë e di atë që shfaqni haptazi dhe atë që fshihni. Dhe kur u thamë engjëjve: Përuluni para Ademit – ata u përulën, me përjashtim të Iblisit ; atij iu rrit mendja dhe u bë mosbesues. Dhe Ne i thamë : O Adem jeto ti dhe gruaja jote në Xhenet dhe të hani në të sa të doni dhe kur të doni, por mos iu afroni kësaj peme dhe të bëheni të padrejtë. (Bekare, 2 :30-35)

 

xviii Sahih el Buhari, Kitab el Iman, Hadith n° 13.

xix Sahih Muslim, Kitab el Iman, 67-1, Hadith n° 45.

xx Trajtuesit klasikë të Kur’anit të Shenjtë (shih : Tefsirin e Ibn Kethirit, Tefsirin e el Xhelalejnit) janë përgjithësisht dakord se kjo është një referencë ndaj (lëvizjeve të fundit të) lutjes myslimane.

xxi Ebu Xhafer Muhamed Ibn Xherir el Tabari, Xhami’ el Bejan fi Te’uil el Kur’an, (Dar el Kutub el Ilmije, Beirut, Liban, ed. I, 1192/1412), Tefsir i Ali Imranit, 3 :64 ; Vëllimi 3, f. 299-302.

xxii Sipas gramatikanëve të cituar nga Tabari (op cit.) fjala ‘e njëjtë’ (seua’) në ‘një fjalë e njëjtë midis nesh dhe jush’ do të thotë po ashtu ‘e drejtë’, ‘e ndershme’ (adl).

xxiii Teofilakti i Bekuar (1055-1108) ishte Kryepeshkopi i Ohrit dhe i Bullgarisë (1090-1108). Gjuha e tij e parë ishte greqishtja e Dhjatës së Re. Trajtesa e tij disponohet tashmë në anglishte nga Chrysostom Press.

Comments

  • teksti i me siperm thote:

    ‘Përfundimisht, si myslimanë, duke iu bindur Kur’anit të Shenjtë, ne u kërkojmë të krishterëve që të bashkohen me ne në thelbet e njëjta të dy feve tona […] të mos adhurojmë tjetër përpos All-llahut, dhe të mos i bëjmë Atij asnjë shok, dhe askush prej nesh të mos e njohë tjetrin për zot përpos All-llahut […] (Imran, 3 :64).”

    a jane te gatshem te krushterete qe te “mos i bëjmë Atij asnjë shok” pra a jane ata te gatshem te bejn ate qe thuhet ne Kuran: “O ithtarët e Librit! Mos e kaloni kufirin në besimin tuaj dhe për Allahun thoni vetëm të vërtetën! Mesihu – Isai, i biri i Merjemes, është vetëm i Dërguar i Allahut dhe Fjala e Tij, të cilën ia ka dërguar Merjemes, si dhe shpirt (i krijuar) nga Ai. Pra, besojini Allahut dhe të dërguarve të Tij! Dhe mos thoni: “Tre zota”! Hiqni dorë, se është më mirë për ju! Allahu është vetëm një Zot – qoftë lavdëruar Ai! Ai është tepër i lartësuar për të pasur fëmijë. E Tij është gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Allahu mjafton për rregullimin e gjithësisë.”

    a nuk eshte tamam kjo ajo per te cilen i fton Kurani?
    si ka qene pergjigja e tyre ndaj kesaj? dakord apo jo?

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *