Besnik Sinani.*

Në Shtator të vitit 2010, teksa sërish gazetat po njoftonin se në Komunitetin Musliman Shqiptar (KMSH) po ndodhnin përplasjet e radhës midis tolerantëve dhe ekstremistëve apo të vjetërve kundra të rinjve kam shkruar në gazetën Shekulli (27.9.2010) një kritikë ndaj mënyrës se si interpretohen problemet e kësaj bashkësie fetare në Shqipëri. Aty kam shkruar: “Problemet e KMSH-së nuk janë, siç pretendohet, rezultat i dallimeve ideologjike të brezave. Ato janë produkt i korrupsionit ekonomik të strukturave të KMSH – së, politikës shtetërore ndaj fesë, dhe krizës së përfaqësimit të besimtarëve myslimanë… Ankesat e imamëve dhe këshillave të xhamive, pavarësisht se ku këta hoxhallarë kanë studiuar, janë mbi të gjitha të lidhura me korrupsionin ekonomik të KMSH-së, korrupsion që shteron resurset dhe potencialet e gjithë bashkësisë së besimtarëve myslimanë.”

Aksesi publik në kabllogramet e ambasadës amerikane në Tiranë na tregon jo vetëm se ky është edhe vlerësimi i kësaj ambasade, por se dhe instancat shtetërore ndajnë të njëjtin mendim, edhe pse kanë vazhduar të pretendojnë se konfliketet e brendshme janë rezultat dallimesh ideologjike. Një kabllogram i datës 25 Mars, 2009, që komenton zgjedhjen e kontestuar të kreut të KMSH, Selim Muça, na njofton se “3.(C) Zgjedhjet janë të rëndësishme sepse kreu i KMSH ka influencë të konsiderueshme në asetet e pronave të KMSH-së. Pronat janë çështja e vërtetë. Dikur një nga pronarët më të mëdhenj në vend, KMSH-ja ka rimarrë vetëm një pjesë të pronave të veta të dikurshme. Me të vërtetë, në dy mbledhje, njëra me një zyrtar të KMSH-së dhe një me kreun e Komitetit Shtetëror të Fesë [KSHF], Rasmi Hasanaj, feja pothuaj nuk u përmend; të dy zyrtarët folën vazhdimisht për marrëveshje pronash dhe lekësh… Muça nga ana e tij ka mbrojtur veprimet e veta duke përshkruar kundërshtitë ndaj zgjedhjeve si përpjekje të grupeve ekstremiste, radikale që duan të marrin KMSH-në. Hasanaj dhe të tjerë kanë kundërshtuar këto pretendime.” (US embassy cable – 09TIRANA184)

Kabllogrami përfundon duke vënë në dukje sfidën ligjore me të cilë përballet Muça pas paditjes në gjyq (padi që më vonë u rrëzua), por që përfundon duke theksuar se ai është “një operator i ditur dhe me lidhje të konsiderueshme” e prandaj ishte herët të mendohej se ai do rrëzohej. Falë aftësive të veta “operative” dhe “lidhjeve të konsiderueshme,” Muça vazhdon të jetë në fronin e këtij institucioni.

Një kabllogram i datës 9 Nëntor, 2009, përsërit të njëjtin shqetësim: “Kryesia e KMSH-së ka kohë që dyshohet për korrupsion dhe lëvizjet e fundit të brendshme duket të shkojnë drejt largimit të oponentëve nga postet e KMSH-së, meqë oponenca rrallë herë tolerohet në rrethet politike dhe fetare në Shqipëri. Gjithsesi, korrupsioni tejet i përhapur brenda KMSH-së dhe intoleranca për këndvështrimet e ndryshme mund të ndezë lëvizje nga gjenerata e re dhe të hapë derën për elementë radikalë të Islamit.” (US embassy cable – 09TIRANA724 ).

E megjithatë, në vite, siç kam vënë në dukje dhe në artikullin që përmend më sipër, media ka qenë e prirur të riciklojë trajtimin e këtyre konflikteve si përplasje ideologjike midis të rinjve radikalë, që kanë studiuar në vendet arabe dhe të vjetërve tradicionalistë dhe tolerantë. Vetë z. Hasanaj, i cili siç mësojmë nga kabllogramet nuk e beson këtë tabllo, ka vazhduar, gjithsesi, të riciklojë këtë qëndrim.

Këto kabllograme citojnë një numër zyrtarësh shtetërorë apo figurash të njohura që shprehin të njëjtin shqetësim rreth gjeneratës së re të imamëve të shkolluar në vendet arabe, por këto kabllograme duken që nuk pranojnë gjykimin gjithëpërfshirës për këta imamë dhe përmendin, fjala vjen, ish myftiun e Shkodrës, Ndriçim Sulejmani të diplomuar në Siri, si një promovues të tolerancës fetare. Por edhe myftiu Sulejmani u shkarkua nga detyra e tij ashtu si kolegë të tjerë, kur ngriti zërin kundra korupsionit në manaxhimin e pronave të KMSH –së.

Siç kam shkruar në Shtator të 2010: “Ish-krye myftiu i Shqipërisë, Bledar Myftari, ish-nën kryetari i KMSH-së, Rusheku, ish-myftiu i Shkodrës, Sulejmani e shumë të tjerë, janë shkarkuar jo për çështje debatesh ideologjike, por pasi kanë ngritur zërin kundra korrupsionit në shitjen dhe manaxhimin e pronave të KMSH-së. Teksa këta, siç dihet më së miri nga monitoruesit e Islamit në Shqipëri, janë përfaqësuesit e vërtetë të Islamit tradicional, hanefi, shqiptar, ata janë akuzuar vetëm se nuk pranuan të marrin pjesë në pazaret e shitjeve korruptive të shefave të tyre.”

Duke gjykuar rreth citimeve të qëndrimeve dhe gjykimeve të zyrtarëve shqiptarë përgjegjës për çështjet fetare në kabllogramet e ambasadës amerikane, ngrihen një sërë pyetjesh. Së pari, nëse vetë zyrtarët shtetërorë gjykojnë që problemet në Komunitetin Mysliman nuk vijnë nga përplasje ideoogjike por nga revolta ndaj korrupsionit, atëherë pse ngulin këmbë të potencojnë frikën ndaj “radikalizmit islamik të të rinjve?” Nëse vendi që drejton dhe komandon diskursin mbi “Islamin tolerant” dhe “Islamin radikal,” Shtetet e Bashkuara, vlerësojnë imamë të shkolluar në vende arabe si ish-Myftiu Sulejmani, pse shteti shqiptar ngulmon të portretizojë imamët e shkolluar në këto vende si radikalë? Nëse edhe funksionarët e shtetit, siç bëhet e qartë nga këto kabllograme, pranojnë se kreu i KMSH-së është një figurë e korruptuar, pse kanë vazhduar ta mbrojnë dhe ta mbështesin atë kundra padive ligjore që kanë ngritur besimtarët kundra tij?

Ne nuk mund t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, por ne mund të konstatojmë, se shteti shqiptar po ushqen në mënyrë artificiale retorikën e islamit radikal në Shqipëri, po mbështet figura të korruptuara brenda KMSH-së, gjë që dobëson institucionin përfaqësues të myslimanëve, dhe shkel kufijtë e vendosur nga laiciteti nëpërmjet “animit të peshores” që të vendosë kush do jetë në krye të këtij institucioni. Një masë e madhe literature studimore në botë na bën të njohur se shumë nga problemet që ndeshen në komunitete fetare globalisht janë rezultat i dobësimit të institucioneve, të cilat shpesh zëvendësohen me forma alternative. Sa për pyetjen se pse shteti bëhet mbështetës i figurave korruptive, kjo pyetje do ishte naive.

Marre nga ResPublica

[five-star-rating]

Comments

  • […] Me hapjen e kabllogrameve të Ambasadës Amerikane është bërë e qartë se as instancat shtetrore nuk u zënë besë akuzave që ngrë Muca dhe opinioni i Ambasadës Amerikane është se akuzat për ekstremizëm që vinë nga Muca janë përpjekje për të mbuluar korrupsionin ekonomik. Citimet nga kabllogramet relevante të Ambasadës Amerikane mund të gjenden duke klikuar këtu. […]

  • Leave a Reply to Arma e Ekstremizmit - E-Zani i Nalte Cancel reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *