Raporti i Qendrës për Progres Amerikan.*

Në 22 korrik, një burrë vuri një bombë në një ndërtesë qeveritare në Oslo e cila vrau 8 njerëz. Disa orë më vonë ai vrau 68 njerëz, kryesisht adoleshentë, në një kamp veror të rinisë së Partisë Laburiste në ishullin Norvegjez të Utoya’s.

 

Nga mesdita, analistët po spekulonin se kush mund ta kishte kryer masakrën më të madhe në historinë Norvegjeze që nga Lufta e Dytë Botërore. Shumë burime serioze mediatike si The New York Times, The Washington Post, dhe The Atlantic, spekuluan rreth një lidhjeje me Al-Kaidën dhe një motivim “Xhihadist” pas sulmeve. Por nga mëngjesi i ditës së nesërme i bë e qartë se sulmuesi ishte një 32-vjeçar, i bardhë, bjond me sy blu, Norvegjez i quajtur Anders Breivik. Ai nuk ishte Mysliman, por, siç e përshkruante veten, nje konservator i Krishterë.

 

Sipas avokatit të tij, Breivik mori përgjegjësinë për aktet e tij “të tmerrshme por të nevojshme” sipas atij vetë. Më 26 korrik, Breivik i tha gjykatës se dhuna ishte e “nevojshme” për të shpëtuar Evropën nga Marksizmi dhe “Myslimanizimi”. Në manifeston e tij prej 1,500 faqesh, i cili përshkruan me detaje metodat e sulmit të tij dhe synon të frymëzojë të tjerët në akte dhune ekstremiste, Breivik zotohet për “operacione brutale dhe mbresëlënëse që do rezultojnë në viktima” për të luftuar “Kplonizimin e vazhdueshëm Islamik të Evropës” të pretenduar.

 

Manifestoja e Breivikut përmban shumë shënime dhe citime të blogerëve dhe analistëve Amerikanë, duke i cituar ata si ekspertë të “luftës së Islamit mbi Perëndimin”. Ky grup i vogël organizatash dhe individësh anti-Myslimanë në vendin tonë është i panjohur për shumicën e Amerikanëve por ka peshë të madhe në formësimin e debatit politik kombëtar e ndërkombëtar. Emrat e tyre ngrihen lart brenda komuniteteve të cilat po organizohen aktivisht kundra Islamit dhe Myslimanëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Breivik, për shembull, citon Robert Spencer, një nga dijetarët e keqinformimit anti-Mysliman që ne analizojmë në këtë raport, dhe blogun e tij, Jihad Watch, 162 herë në manifeston e tij. Uebsajti i Spencerit, i cili “ndjek përpjekjet e Islamit radikal për të shkatërruar kulturën Perëndimore” mburret me një tjetër anëtar të rrjetit të Islamofobisë në Amerikë, David Horowitz, dhe uebsajtin e tij Freedom Center. Pamela Geller, një nga kontributorët e shpeshtë të Spencerit, dhe blogu i saj Atlas Shrugs, janë përmendur 12 herë.

 

Geller dhe Spencer bashkë-themeluan organizatën Stop Islamization of America,  një grup veprat dhe retorika e së cilit u vlerësuan nga Anti-Defamation League se “promovojnë një agjendë konspiratore anti-Myslimane nën petkun e luftës kundra Islamit radikal.” Grupi kërkon të nxisë frikën e publikut duke spifur vazhdimisht rreth fesë Islame e duke ngulmuar në ekzistencën e një konspiracioni Islamik për të shkatërruar “vlerat Amerikane”. Duke u bazuar në numrin e madh të citimeve dhe referancave të Breivikut ndaj shkrimeve të ketyri individëve, është e qartë se ai lexoi dhe u mbështet në ideologjinë urrejtëse, anti-Myslimane të një numri burrash e grashë të cilët përshkruhen në këtë raport, një grusht dijetarësh e aktivistësh që punojnë sebashku për të krijuar dhe promovuar keqinformata rreth Myslimanëve.

 

Ndërsa keta blogerë e analistë nuk ishin përgjegjës për sulmet vdekjeprurëse të Breivikut, shkrimet e tyre rreth Islamit e multikulturalizmit duket se kanë ndihmuar në krijimin e një botëkuptimi, i mbajtur prej këtij sulmuesi të vetmuar Norvegjez, i cili e sheh Islamin në gjendje lufte me Perëndimin dhe Perëndimin në nevojë për tu mbrojtur. Sipas ish-oficerit të CIAs dhe konsulentit mbi terrorizmin Marc Sageman, ashtu si ekstremizmi fetar “është infrastruktura prej së cilës doli Al-Kaida”, shkrimet e këtyre ekspertëve të keq-informimit anti-Mysliman janë “infrastruktura prej së cilës doli Breivik.” Sageman shton se retorika e tyre nuk është “pa kosto”.

 

Këta blogerë e analistë, sidoqoftë, nuk janë anëtarët e vetëm të infrastrukturës së Islamofobisë. Manifestoja i Breivikut gjithashtu citon qendra mendimi si Center for Security Policy, Middle East Forum, dhe Investigative Project on Terrorism – tre organizata të tjera të cilat ne analizojmë në këtë raport. Sëbashku, ky grup bazë i ndërlidhur individësh dhe organizatash prodhojnë dhe ekzagjerojnë kërcënime si “Sheriati që po na futet ngadalë”, dominimi Islamik i Perëndimit, apo gjoja thirrjet detyruese për dhunë kundra gjithë jo-Myslimanëve në Kuran.

 

Ky rrjet urrejtjeje nuk është një prezencë e re në Shtetet e Bashkuara. Por në të vërtetë, aftësia a tij për tu organizuar, koordinuar, dhe për të përhapur ideologjinë e tij nëpërmjet organizatave bazë, u rrit dramatikisht gjatë 10 viteve të fundit. Për më tepër, aftësia e tij për të influencuar pikat e debatit të politikanëve dhe çështjet ndarëse të zgjedhjeve të ardhshme të 2012 ka kaluar ne mainstrim atë çka dikur konsiderohej si retorikë margjnale ekstremiste.

 

Dhe gjithçka fillon me paratë që burojnë nga një grup i caktuar fondacionesh. Një grup i vogël fondacionesh dhe donatorësh të pasur janë burimi jetik i rrjetit të Islamofobisë në Amerikë, duke i siguruar financimin e nevojshëm një grushti qendrash mendimi të krahut të djathtë që shesin urrejtje dhe frikë ndaj Myslimanëve dhe Islamit – nëpërmjet librave, raporteve, uebsajteve, blogjeve, dhe pikave të debatit të formuluara me tepër kujdes që organizatat bazë anti-Islamike dhe disa grupe fetare të krahut të djathtë përdorin si propagandë për ndjekësit e tyre.

 

Disa nga këto fondacione dhe donatorë të pasur gjithashtu sigurojnë fonde direkte për disa grupe bazë anti-Islamike. Sipas analizës sonë të gjerë, këta janë 7 kontribuesit më të mëdhenj të promovimit të Islamofobisë në vendin tonë:

 

  • Donors Capital Fund
  • Richard Mellon Scaife foundations
  • Lynde and Harry Bradley Foundation
  • Newton D. & Rochelle F. Becker foundations and charitable trust
  • Russell Berrie Foundation
  • Anchorage Charitable Fund and William Rosenwald Family Fund
  • Fairbrook Foundation

 

Sëbashku, këto 7 grupe bamirësie siguruan 42.6 miljon dollarë për qendrat e Islamofobisë, financim i cili mbështet intelektualët dhe ekspertët që mbulohen në kapitullin tjetër, si dhe disa nga organizatat bazë të cilat janë subjekti i kapitullit 3 të këtij raporti.

 

Dhe çfarë financojnë këto para? Ja një shembull i mirë: Korrikun e kaluar, ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, Newt Gingrich, paralajmëroi audiencën konservative para American Enterprise Institute se praktika Islamike e Sheriatit ishte “një rrezik vdekjeprurës për mbijetesën e lirisë siç e njohim ne në Amerikë dhe në botë.” Gingrich vazhdoi më tej duke pretenduar se “Sheriati në formën e tij natyrale ka parime dhe dënimë që janë totalisht të papranueshme për botën Perëndimore.”

Sheriati, ose kodi fetar Mysliman, përfshin praktika të tilla si dhënia e bamirësisë, lutjet, dhe respekti ndaj prindërve – parime gati identike me ato të Krishtërimit dhe Hebraizmit. Por Gingrich dhe konservatorë të tjerë promovojnë nocione alarmante rreth një feje 1500 vjet të vjetër për një sërë motivesh të errëta politike, financiare, dhe ideologjike. Në komentet e tij atë ditë, Gingrich kopjoi gjuhën e analistit konservativ Andrew McCarthy, i cili ishte bashkëautori i një raporti që e quante Sheriatin “rreziku kryesor totalitar i kohëve tona.” Këto ngjashmëri në gjuhë nuk janë aksident. Mos shiko më larg se organizata e cila e lëshoi raportin anti-Sheriat të McCarthyt: e parapërmendura Center for Security and Policy, e cila është një bazë qëndrore e rrjetit anti-Mysliman dhe një promovuese aktive e mesazheve anti-Sheriat dhe retorikës anti-Myslimane.

 

Faktikisht, CSP është një burim kryesor për politikanët, analistët, dhe organizatat e djathta, e cila i furnizon këta me një rrjedhë të vazhdueshme raportesh që keq-prezantojnë Islamin dhe që paralajmërojnë për rreziqet e Islamit dhe Myslimanëve Amerikanë. Duke vepruar nën lidershipin e Frank Gaffney, organiizata financohet nga një grup i vogël fondacionesh dhe donatorësh që kanë një njohje të thellë se si të influencojnë politikat e Amerikës duke promovuar kërcënime tepër alarmante ndaj sigurisë sonë kombëtare. CSPsë i bashkangjiten organizata të tjera anti-Myslimanë në këtë biznes tepër fitimprurës, si Stop Islamization of America dhe Society for Americans for National Existence. Shumë prej liderëve të këtyre organizatave janë të shkolluar mirë rreth artit të tërheqjes së vëmendjes së shtypit, veçanërisht Fox News, faqet editoriale të The Wall Street Journal, The Washington Times, dhe një sërë uebsajtesh dhe radiosh të së djathtës.

 

Ekspertë të keq-informimit si Gaffney konsultohen dhe punojnë me organizata bazë të së djathtës ekstreme si ACT! for America dhe Eagle Forum, si dhe grupe fetare të djathta si Faith and Freedom Coalition dhe American Family Association, për të përhapur mesazhin e tyre. Duke folur në konferencat e tyre, shkruar në uebsjatet e tyre, dhe duke marrë pjesë në programet radiofonike të tyre, këta ekspertë çirren kundra Islamit dhe përhapin dyshime mbi Myslimanët Amerikanë. Pjesa e madhe e propagandës së tyre përdoret si mjet për të mbledhur fonde prej organizatave bazë apo fetare të së djathtës. Paratë e mbledhura më pas hynë në proçesin politik dhe financojnë reklama që mbështesin politikanë të cilët i bëjnë jehonë paralajmërimeve alarmante dhe sponsorizojnë sulme anti-Myslimane.

 

Këto përpjekje na kujtojnë disa nga episodet më të errëta në historinë e Amerikës, në të cilat minoritetet fetare, etnike, e rracore u diskriminuan dhe persekutuan. Që nga Katolikët, Mormonët, Japonzo-Amerikanët, imigrantët nga Evropa, Hebrejtë, dhe Afrikano-Amerikanët, historia e Amerikës është ajo e përpjekjes për të bërë realitet idealet tona themeluese. Fatkeqësisht, Myslimanët Amerikanë dhe Islami janë kapitulli i fundit i një përpjekjeje të gjatë Amerikane kundra persekutimit në bazë të fesë, rracës, apo besimit.

 

Pjesërisht për shkak të përpjekjeve të palodhura të këtij grupi të vogël individësh e organizatash, Islami është tashmë feja me imazhin më negativ në Amerikë. Vetëm 37% e Amerikanëve kanë një opinion pozitiv ndaj Islamit: përqindja më e ulët kjo që në 2001, sipas një sondazhi to 2010 nga ABC News/Washington Post. Sipas një sondazhi të 2010 nga revista Time, 28% e votuesve nuk besojnë se Myslimanët duhet të ishin të kualifikuar për tu emëruar në Gjykatën Supreme të Amerikës, dhe gati 1/3 e vendit mendon se ndjekësit e Islamit duhet të përjashtohen prej garës për President.

 

Nuk ishin vetëm sulmet terroriste të 11 Shtatorit që i orientuan perceptimet e Amerikanëve ndaj Myslimanëve dhe Islamit. Presidenti Xhorxh W. Bush reflektoi opinion e përgjithshëm të publikut Amerikan kur ai e përpoq fort të bënte të qartë se Islami dhe Myslimanët nuk jane armiku. Duke folur në një tavolinë bisedimesh të liderëve Arabë e Myslimanë në ambasadën e Afganistanit në 2002, për shembull, Presidenti Bush tha, “Të gjithë Amerikanët duhet ta kuptojnë se fytyra e terrorit nuk është fytyra e vërtetë e fesë Islame. Islami është një fe që u jep prehje 1 miljard njerëzve në mbarë botën. Është një fe që ka bërë vëllezër e motra nga çdo rracë. Është një fe e bazuar në dashuri e jo urrejtje.”

 

Fatkeqësisht, fjalët e Presidentit Bush u eklipsuan shumë shpejt nga një ngritje e organizuar e deklaratave urrejtëse ndaj Myslimanëve dhe Islamit prej anëtarëve të rrjetit të Islamofobisë të përshkruar në këtë raport. Kjo është sa dëshpëruese aq dhe e rrezikshme. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të kuptohet se duke bërë të huaj komunitetin Mysliman Amerikan rrezikohet jo vetëm premtimi ynë themelor i lirisë fetare, por rrezikohen dhe përpjekjet tona për të luftuar terrorizmin. Që prej 11 Shtatorit, komuniteti Mysliman Amerikan ka ndihmuar zyrtarët e sigurisë Amerikane për të parandaluar më tepër se 40% të planeve terroriste të Al Kaidës që kërcënonin Amerikën. Burimi kryesor i informatave fillestare për autoritetet Amerikane rreth atyre pak Myslimanëve Amerikanë  që kanë marrë pjesë në plane të tilla, ka qenë vetë komuniteti Mysliman Amerikan.

 

Nëpër botë ka njerëz që vrasin njerëz në emër të Islamit, gjë e cila kundërshtohet nga shumica e Myslimanëve. Në të vërtetë, në shumicën e rasteve të komshinjve, kushërinjve, apo shokëve të radikalizuar, komuniteti Mysliman Amerikan është po aq i shokuar dhe i shqetësuar sa edhe publiku i gjerë. Ti trajtosh qytetarët Myslimanë Amerikanë si pjesë e problemit e jo si pjesë e zgjidhjes, është fyese jo vetëm ndaj vlerave bazë të Amerikës, por është tepër e paefektshme në luftën ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

 

Shtëpia e Bardhë sapo nxorri strategjinë kombëtare për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm, “Empowering Local Partners to Prevent Violent Extremism in the United States.” Një nga pikat kyçe të kësaj përpjekjeje është “kundërvënia ndaj propagandës së Al Kaidës së Shtetet e Bashkuara janë në njëfare mënyre në luftë me Islamin.” Por përpjekjet e organizuara nga individët dhe organizatat e detajuara në këtë raport e bëjnë të lehtë për Al Kaidën për të pretenduar se Amerika i urren Myslimanët dhe se Myslimanët nëpër botë persekutohen thjesht pse janë Myslimanë dhe se praktikojnë fenë e tyre.

 

Fatkeqësisht, izolimi i tanishëm i Myslmanëve Amerikanë u bën jehonë gjuetive të kaluara të shtrigave në historinë tonë – që prej spastrimeve ndarëse të McCarthyt në vitet 1950 tek fushatat e dhunshme anti-imigrante të shekujve të 19 e 20. Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Majkëll Bloomberg, e ka krahasuar nxitjen e frikës ndaj Myslimanëve me ndjenjat anti-Katolike të së kaluarës. Si përgjigjie ndaj kontraversialitetit të fabrikuar rreth “xhamisë në Ground Zero” në Nju Jork verën e kaluar, Bloomberg tha:

Në vitet 1700, kur liritë fetare zunë vend në Amerikë, Katolikët e kishin praktikisht të ndaluar të praktikonin fenë e tyre, dhe priftërinjtë e tyre mund të arrestoheshin. Si rezultat i kësaj, famullia e parë Katolike në Nju Jork nuk u themelua deri në vitet 1780, Shën Pjetri në Rrugën Barclay, e cila akoma qëndron një bllok në veri të zonës së World Trade Center, dhe një bllok në jug të xhamisë e qendrës komunitare të propozuar… Ne do tradhëtonim vlerat tona dhe do bënim lojën e armikut tonë nëse do i trajtonim Myslimanët ndryshe nga të tjerët.

 

Ky raport hedh dritë mbi rrjetin Islamofob të të ashtu-quajturve ekspertë, akademikëve, institucioneve, organizatave bazë, mediave, dhe donatorëve të cilët prodhojnë, shpërndajnë, dhe fusin në mainstream frikën irracionale ndaj Islamit dhe Myslimanëve. Le të mësojmë mësimin e duhur nga e kaluara dhe të ngrihemi përtej frikë-ndjelljes deri tek vetëdija publike, pranimi, dhe respekti për bashkëatdhetarët tanë Amerikanë. Në këtë mënyrë, le të mos e lejojmë urrejtjen të infektojë dhe rrezikojë vendin tonë sërish.

 

Në faqet që vijojnë, ne bëjmë profilin e numrit të vogël të financuesve, organizatave, dhe individëve të cilët kanë kontribuar në diskursin e Islamofobisë në këtë vend. Ne fillojmë me paratë në Kapitullin e parë – analiza jonë e fondeve që mbështesin aktivitetet anti-Myslimane. Kapitulli i dytë identifikon rrjetin intelektual të Islamofobisë. Kapitulli 3 nënvizon organizatat aktorët kyç që ndihmojnë në shpërndarjen e urrejtjes. Kapitulli 4 përmbledh amplifikatorët kryesorë mediatikë të Islamofobisë. Kapituli 5 tërheq vëmendjen ndaj politikanëve të cilët më së shpeshti mbështesin kauzën o organizimit anti-Mysliman.

 

Para se të fillojmë, një fjalë rreth termit “Islamofobi”. Ne nuk e përdorim këtë term lehtësisht. Ne e përcaktojmë atë si një frikë, urrejtje, dhe armiqësi e ekzagjeruar ndaj Islamit dhe Myslimanëve e cila mbahet gjallë nga stereotipet negative që rezultojnë në diskriminim dhe margjinalizim e përjashtim të Myslimanëve nga jeta sociale, politike, dhe qytetare e Amerikës.

 

Është pikëpamja jonë që për të ruajtur sigurinë tonë kombëtare dhe për të mbrojtur vlerat bazë të Amerikës, ne duhet të kthehemi në një diskurs civil të bazuar në fakte rreth sfidave me të cilat përballohemi si komb dhe në botë. Ky diskurs duhet të jetë i sinqertë e i drejtpërdrejtë por gjithashtu konsistent me vlerat Amerikane të lirisë së fesë, drejtësi e barabartë para ligjit, dhe respekt për pluralizmin. Hapi i parë drejt një diskursi të ndershëm e civil është ekspozimi, dhe margjinalizimi, i influencës së grupeve e individëve që përbëjnë rrjetin e Islamofobisë në Amerikë dhe që punojnë fort për të ndarë Amerikanët kundra njëri tjetrit nëpërmjet keq-informimit.

 

Titulli i origjinalit: Fear, Inc.

The Roots of the Islamophobia Network in America

 

Linku i origjinalit: http://www.americanprogress.org/issues/2011/08/islamophobia.html

 

Raporti i plotë në PDF: http://www.americanprogress.org/issues/2011/08/pdf/islamophobia.pdf

 

Përktheu nga anglishtja A.T.

 

Comments

  • njish fare ky raport. ta dine te gjithe kush jane Spencer, Horowitz, Pipes e Geller. Sepse ka dhe nga ata shqiptare, si botuesit e gazetes Illyria ne Nju Jork psh qe shkojne e botojne artikuj te Pipes ne gazeten e komunitetit Shqiptaro-Amerikan, qe me sa duket nuk i njohin keta figura kyce te rrjetit te islamofobise ne Amerike e ne bote gjithashtu…

  • nje mik i shpeshte i gazetes Illyria eshte dhe Stephen Schwartz, nje “mysliman” me origjine hebreje i cili ka shume qef te sulmoje hoxhallaret dhe intelektualet myslimane shqiptare, si Shefqet Krasniqin, Fuad Ramiqin, FRI e Maqedonise etj. Gjithashtu qellon te jete dhe shok i ngushte i Pipes…ndoshta thjesht nje koincidence…

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *