11 Shtatori dhe Pranvera Arabe.





Besnik Sinani.*

 

Dhjetë vjetori i sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, një ngjarje që në shumë aspekte përcaktoi dhe dinamikën e marëdhënieve të ShBA me popujt e vendeve të Lindjes së Mesme në këto dhjetë vjet, e gjen rajonin në një proçes transformimi revolucionar të njohur si Pranvera Arabe.

 

Pak ditë pas sulmeve të 11 Shtatorit, një gazetar i The Wall Street Journal, pyeti në Kajro një grup biznesmenësh, bankierësh e avokatësh, njerëz interesat e të cilëve ishin të lidhura me ShBA: Pse urrehen Shtetet e Bashkuara në Lindjen e Mesme? Katër arsye u dhanë për këtë “urrejtje”: Embargoja vdekje-prurëse ndaj Irakut, që shkaktoi mijëra të vdekur; mbështetja e pakusht ndaj Izraelit kundra palestinezëve; ndërhyrja dhe imponimi në jetën e rajonit dhe mbështetja për diktatorët.

 

Qysh atëherë, ShBA filloi një luftë pushtuese kundra Irakut, për të cilën edhe shumë mbështetës fillestarë mes politikanëve amerikanë e quajnë tani një gabim fatal. Amerika po përgatit tërheqjen nga aventura më fatkeqe ushtarake qysh nga lufta e Vietnamit, duke lënë pas tensionin e luftës sektare. Disa nga aleatët e ShBA në rajon, si Presidenti Mubarak i Egjiptit, gjenden në bankën e të akuzuarve. Presidenti palestinez, Mahmud Abaz, në kohën e shkrimit të këtij artikulli, ka deklaruar se do kërkoj prej Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) njohjen e sovranitetit të Palestinës. Teksa ShBA kanë bërë të qartë se do vënë veton kundra këtij deklarimi, aleatë të rëndësishëm të ShBA në rajon, si Mbretëria Saudite, kanë deklaruar, në fjalët e princ Turki el Fejsal se, nëse Amerika “[V]ë veton kundra një shteti, do humbasë një aleat.”

 

Në një nga vizitat e para si President jashtë ShBA, Presidenti Obama deklaroi në 2009 në Kajro fillimin e një marëdhënieje të re me popujt e rajonit. Por Bagdadi vazhdon të digjet dhe jehona e shpërthimeve përcillet nga miliona refugjatë të luftës, veçanërisht në vende si Siria dhe Jordania. Pamundësia për të sjellë fundin e konfliktit mes Izraelit dhe popullit palestinez ka sjell më shumë acarim ndaj politikave amerikane. Ndërkohë që Izraeli është izoluar në rajon pas ashpërsimit të marëdhënieve me dy aletatë tradicionalë: Turqia dhe Egjipti. Nuk ndihmon fakti se demonstruesit në sheshin Tahrir në Kajro, goditeshin me bomba lotsjellëse me logon “Made in the USA.” Vendet që patën sukses në rrëzimin e diktaturave kanë një të ardhme plot pasiguri drejt ndërtimit të institucioneve të nevojshme për të ruajtur kohezionin e shoqërisë. Në fjalët e opinionistit të njohur të gazetës The New York Times, Thomas Friedman, stabiliteti ka dalë nga ndërtesa.

 

Vite të tëra nën regjime autoritare kanë bërë që sot, ashtu si në 2002, kur OKB publikuan raportin e zhvillimeve njerzore për Lindjen e Mesme, rajoni të jetë nga zonat më të prapambetura në botë në nivelin e papunsisë, edukimit dhe të të ardhurave për frymë popullsie. Revolucionet nuk kanë zgjidhur dhe nuk do mund të zgjidhin me shkop magjik problemet që u evidentuan para dhjetë viteve më parë, por ato kanë sjellë hapjen e mundësive të reja në një kohë rikonfigurimi të balancave botërore, që shënohet me ritjen e fuqisë së Kinës dhe krizën globale ekonomike, që ka efektuar veçanërisht ShBA dhe Evropën.

 

A do të thotë kjo që rethanat që sollën gjer në sulmet e 11 Shtatorit vazhdojnë të jenë prezente? A ka sjellë Pranvera Arabe ndonjë ndryshim të këtij realiteti?

 

Problemi me këtë pyetje, që dëgjohet këto ditë shpesh në analizat e bëra në ShBA, është se konsideron sulmet e 11 Shtatorit si reagim të shumicës së popujve të Lindjes së Mesme apo dhe më gjerë të popujve muslimanë në botë. Ky vlerësim neglizhon disa fakte të rëndësishme.

 

Sulmet e 11 Shtatorit u gatuan në Afganistan, sepse krerët kryesorë të al Kaidas, Osama bin Laden dhe Ajman el Zauahiri, kishin dështuar në përpjekjet e tyre politike në vendet e tyre përkatëse, Arabia Saudite dhe Egjipti. Ata shprehën të njëjtat ankesa ndaj Perëndimit si shumica e njerëzve në Lindjen e Mesme, por ata përfunduarn në Afganistan sepse nuk kishin aritur të kishin mbështetje për zgjidhjen që propozonin. Në shkrimet e Zauahirit bëhet e qartë se çfarë ai shpresonte të vinte si pasojë e përgjigjes amerikane ndaj sulmeve të 11 Shtatorit, ishte radikalizimi i popullsive muslimane dhe nisja e një lufte kolektive kundra Amerikës dhe aleatëve të saj në rajon. Ai kërkonte të arinte atë që nuk kish aritur dot më parë si aktivist politik në Egjipt. Ashtu si më parë në Egjipt, edhe me strategjitë nga Afganistani, ai ka dështuar.

 

Shumë reporterë perëndimorë raportuan nga Lindja e Mesme se reagimi i shumicës së njerëzve pas vdekjes së bin Ladenit ishte një frymarje lehtësuese. Shumica e njerëzve në Lindjen e Mesme shprehën që ishin kundra mënyrës se si u vra, se do kishin dashur ta shihnin në gjyq. Por nuk duhet harruar se fokusi i luftës së al Kaidas nuk ishte Perëndimi, por projekti i një rendi të ri në Lindjen e Mesme dhe se shumica e viktimave të al Kaidas në këto dhjetë vite kanë qenë muslimanë, ata të cilët al Kaida pretendonte se do i mbronte nga Perëndimi. Dhuna që kanë përhapur në rajon ka sjellë armiqësinë e popujve të këtij rajoni. Në vendin kryesor ku bin Laden kishte fokusin e veprimeve të tij, Arabia Saudite, al Kaida konsiderohet totalisht e mundur.

 

Studiues që kanë vëzhguar al Kaidan prej dekadash, si Peter Berger, kanë theksuar se al Kaida ka mbetur pa asnjë influencë politike në ngjarjet e fundit në Lindjen e Mesme dhe dy zhvillime janë treguesit më të rëndësishëm për këtë.

 

E para, revolucionet nuk u ngritën dhe nuk po synojnë përqafimin e programit ideologjik të al Kaidas. Së dyti, edhe islamistët e Vëllazërisë Muslimane në Egjipt, kanë vite që janë dedikuar ndaj politikave elektorale. Nuk është habi që Zauahiri sot kalon më shumë kohë duke demaskuar “devijimin” dhe “tradhëtinë” e islamistëve, se sa duke sharë Amerikën.

 

Revolucionet arabe, sido që të zhvillohen dhe pavarësisht nga sa regjime do arrijnë të mbijetojnë këtë valë ndryshimesh, detyrimisht do jenë më të ndërgjegjshme për sentimentet e popullsive të tyre dhe do reflektojnë këto sentimente në politikat e jashtme. Kjo do jetë e vërtetë edhe për regjime që do mbijetojnë si Mbretëria Saudite. Në dy artikuj të princ Turki el Fejsal, një në Washington Post dhe një në The New York Times, familja Saudite bëntë totalisht të qartë qëndrimin e vet përpara publikut amerikan, se me ngjarjet e Pranverës Arabe, asnjë regjim në Lindjen e Mesme nuk mund të injorojë rëndësinë që popujt e rajonit i vënë një zgjidhjeje të drejtë të dramës palestineze.

 

Veçanërisht vende të pasura të rajonit si Katari, Emiratet e Bashkuara dhe Arabia Saudite, po investojnë në mënyrë masive në arsim, duke hapur degë të universiteteve më të rëndësishme amerikane në vendet e tyre dhe duke punësuar emrat të njohur në Amerikë në shkenca, mjekësi, ekonomi dhe humanitetet. Trashigimia që Mbreti Abdullah i Saudisë po lë pas për vendin e tij, është krijimi i fondit prej 50 bilionë dollarësh për të ndërtuar një qendër rajonale për studimin e shkencave sipas modelit të Massachusetts Institute of Technology (MIT) në ShBA, fondi i të cilit, në fakt, është 10 bilionë dollarë.

 

Studiues si Vali Nasr i Universitetit të Harvardit, kanë shkruar për atë që ai quan kapitalizmi islamik, ritjen e një klase biznesmenësh që përqafojnë vlerat dhe etikën e tregut të lirë, teksa janë koshientë ndaj devocionit fetar. Biznesmenë të tillë nga rajoni i Kajserit në Turqi, biznesmenë konservatorë që u përpoqën të rrëzojnë Ahmedinexhad në Iran, apo dhe në Emiratet e Bashkuara sillen si shembull i këtij zhvillimi.

 

Al Kaida ka shpërndarë një memo me 14 pika se si çdo musliman mund të sjellë dëm në perëndim, shumë prej tyre shumë të thjeshta për tu kryer dhe gati të pamundura për t’u parandaluar nga shërbimet e inteligjencës. Sociologu amerikan, Charles Kuzman, në librin e tij të fundit, The Missing Martyrs (Martirët e munguar) vë në dukje se nëse al Kaida do kishte aq pasues sa pretendohet, të gatshëm për t’u martirizuar, pse nuk ka sulme përditë në perëndim ku jetojnë miliona muslimanë. Kuzman përgjigjet se al Kaida nuk ka aritur të ketë mbështetje në masat e muslimanëve, në Perëndim apo në Lindjen e Mesme. Kjo nuk do të thotë se terrorizmi nuk do vazhdojë të ngjallë shqetësim, qoftë thjesht nga fakti se një grupi terrorist nuk i duhen shumë pasues për të bërë dëm. Politikat amerikane në rajon vazhdojnë të përdoren në propagandën rekrutuese të al Kaidas. Por al Kaida nuk përbën një pretendent politik në rajon dhe marëdhëniet e ShBA me Lindjen e Mesme në këtë kohë ndryshimesh, teksa do marin në konsideratë çështjet e sigurisë, nuk mund të bazohen mbi një grup që përbën një kokëçarje të përbashkët për Amerikën dhe për vendet e Lindjes së Mesme.

 

Pakënaqsitë dhe pasiguria e ndërsjelltë do vazhdojnë, ashtu siç do të barazpeshohen nga pragmatizmi politik dhe interesat e përbashkëta, por terrorizmi dhe ndërhyrje të papërgjegjshme ushtarake nuk janë zgjidhje për askënd.  Përgjigja më efikase kundra tërrorizmit është krijimi i shoqërive të lira dhe të drejta në rajon, me ritjen e mundësive ekonomike dhe ritjen e nivelit të edukimit. Pranvera Arabe ka qenë zhvillimi më i rëndësishëm në këtë drejtim dhe ShBA, edhe pse hezitues në fillim, përqafuan drejtimin e duhur duke mbështetur aspiratat e popujve të rajonit në rrëzimin e diktaturave. Teksa ndikimi politik i ShBA në rajon është zbehur, Amerika vazhdon të ketë atë që quhet, soft poëer, influenca kulturore nëpërmjet paraqitjes së një modeli që është tërheqës për miliona të rinj të Lindjes së Mesme. Mesazhet në pankartat e revolucionarëve në sheshin Tahrir apo gjetkë në Lindjen e Mesme, të huazuara nga ata që kryen revolucionin amerikan, deklarimi i shumë prej organizatorëve të protestave se ishin inspiruar nga shembulli i aktivistit amerikan për të drejtat civile, Martin Luther King Jr., ishin një mesazh sfidues për diktatorët, por edhe një zgjatje dore për publikun amerikan, një mesazh se njerëzit kudo në botë, pavarësisht nga besimi fetar, raca apo kontekstet kulturore, synojnë të jetojnë të lirë dhe me dinjitet.

 

Revolucionet në Lindjen e Mesme nuk nisën nga ndonjë nga qindra proklamatat e al Kaidas, por nga protesta vetëmohuese e një shitësi perimesh në Tunizi, Muhamed Buazizi, kundra shkeljes së dinjitetit nga një shtet shtypës.

Marre nga Revista Shenja, Shkup.

Comments

  • Nje shkrim shume i mire. Analiza, kthjelltesia, por edhe elokuenca e narratives tregon per pjekurine e autorit ne trajtimin e temave te tilla. Nje analize qe do te mund te botohej pa asnje hezitim ne cdo reviste nderkombetare prestigjoze.
    Urime

  • Shume analize e mire, pergezime. Paragrafi i fundit eshte pak i dobet si paragraf mbylles, dhe gjithashtu kujdes me w e me ë. Se fundmi, ne shqip nuk thuhet billione por miljarde…

  • Do shtoja dhe se Pranvera Arabe tashme ka mberritur dhe ne ShBA, me Occupy Wall Street, proteste e cila u quajt Pranvera Amerikane nga vete Bill Clinton. Ndoshta nuk eshte heret te fillojme te flasim per nje pranvere te mirefillte Shqiptare, duke pare nivelin mizerabel te politikes sone dhe koston e paimagjinueshme qe politikanet tane te vjeter po i kushtojne popullit shqiptar me mos-perparimin drejt integrimit Europian, e mos-perparimin ne cdo fushe ne fakt… do i bashkangjitesha cdo proteste popullore spontane e te pa korruptuar nga partite politike qe do kerkonte zevendesimin total te klases sone politike…

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *