Qendra e Islamit?





e-zani.

Një komentues në faqen tonë, duke shprehur pakënaqsinë e tij për atë që ai quan neglizhencën e arabishtes në kurikulumin e Universitetit Bedër, në favor të gjuhës turke, shprehet se është i rëndësishëm mësimi i arabishtes që studentët të kenë mundësinë të vazhdojnë studimet e mëtejshme pasuniversitare në vendet arabe, apo siç i quan komentuesi, “vendet burimore” të Islamit.

Vendi që i jepet arabishtes në kurikulumin e Universitetit Bedër ka ngjallur debate në bashkësinë muslimane dhe kjo për arsye të qarta: arabishtja është gjuha e ritualit të lutjeve si dhe gjuha e dijeve të shenjta të Islamit. Pa njohjen e arabishtes nuk mund të ketë akses të mirëfilltë në traditën skolastike dhe kjo do sillte edhe dyshime mbi kredencialet e një imami të ardhshëm, që nuk gëzon dijen fetare që kërkon pozicioni i tij. Kjo ankesë shpreh, gjithashtu, shqetësimin mbi çfarë shihet shpesh si përpjekje shtetrore për të manifakturuar dhe diktuar Islamin sipas shijeve të shtetit.

Sigurisht nuk është e drejtë të paragjykohet një institucion si ky universitet kur sapo ka filluar jetën e tij dhe sigurisht ne i urojmë jetë të gjatë e të begatë. Por ajo që na bën përshtypje është lidhja që bën komentuesi i sipërpërmendur midis dijes së “Islamit burimor” dhe territorit gjeografik të Lindjes së Mesme.

Disa njohuri bazë nga historia islame na kujtojnë se qendrat ku u zhvillua dija dhe skolastika islame rreth universiteteve të famshme të traditës nuk ishin në teritorin ku filloi shpallja dhe ku u ngrit bashkësia e parë e besimtarëve, në qytetet e Mekës dhe Medinës, por në qytetet e Damaskut, Isfahanit, Kajros, Kordobas, Fezit etj.

Fakti që dijetarë si Imam Kurtubi, një nga mjeshtrat e ekzegjezës kuranore, apo Imam Shatibi, një nga formuluesit e filozofisë së ligjit islam, ishin nga Spanja e sotme – goxha larg “teritorit burimor” – nuk i bën ata më pak të rëndësishëm si ikona të traditës së dijes islame.

Kujto këtu që, dijetarët më të rëndësishëm të studimit të hadithit nuk kanë qenë nga “teritori burimor,” por nga ajo që quhej me emrin gjithëpërfshirës si bota perse dhe mjafton të kujtojmë këtu emrat e Imam Buharit dhe Imam Muslim, apo nxënësit të tyre Imam Tirimidhiut për të përmbyllur këtë argument.

Shpesh në historinë e Islamit, siç vë në dukje edhe historiani Richard Bulliet në librin e tij Islam: The View From the Edge, ishin teritoret e “periferisë” ku u prodhuan një pjesë e madhe e librave të rëndësishëm të dijes islame dhe ku u ngritën universitetet. Ideja, e ndeshur shpesh midis myslimanësh sot në botë, se Lindja e Mesme ka një monopol të dijes islame “autoktone” nuk mbështetet nga historia e dijeve islame dhe nxënësit e hadithit sot do të të thonë se studimi më rigoroz i hadithit në botën bashkohore nuk bëhet në Lindjen e Mesme, por në Indi. Nuk ka monopol teritorial e gjeografik të dijes së Islamit.

Presioni mbi myslimanët shqiptarë që mos studiojnë në vendet e Lindjes së Mesme – presion që nuk ushtrohet mbi asnjë komunitet tjetër fetar – është i bazuar sa në paragjykime po aq dhe në injorancë.  Janë dëgjuar shpesh opinione se universitetet e Lindjes së Mesme prodhojnë radikalizëm dhe fundamentalizëm, por termat “radikalizëm” dhe “fundamentalizëm” nuk përkufizohen se çfarë përfaqsojnë. Kushdo që di ndonjë gjë nga Lindja e Mesme e di se universitet fetare, veçanërisht Ezheri në Kajro apo Ebu Nur në Siri, kanë qenë kështjella në luftë kundra radikalizmit fetar, dhe kjo për arsye sa historike e teologjike e po aq edhe politike, për të cilat mund të shkruajmë ndonjë herë tjetër.

E njëjta gjë është e vërtetë edhe për të shumëpërfolurat universitete fetare në Arabinë Saudite. Siç sqaron studiuesi francez Stephan Lacroix, sidomos pas revoltës politike nga qarqe fetare në Arabinë Saudite pas luftës së Gjirit Persik, moment që solli edhe përshkallëzimin e radikalizmit fetar në rajon, universitetet kryesore fetare në vend u përdorën nga qeveria saudite për të nxitur një qëndrim fetar apolitik në oponencë të radikalizmit politik fetar.

Por le t’i kthehemi idesë së njësimit të dijes së “Islamit burimor” me teritorin gjeografik të zanafillës së fesë duke kujtuar se Imam Shafi përmirësoi shkollën e tij pasi u largua nga afërsia gjeografike e Islamit burimor duke udhëtuar në çfarë në atë kohë ishte periferia e teritoreve të Islamit, Egjipti, ku ra në kontakt me shkollën e Imam Lejthit. Mbi të githa, shumica e imamëve të mëdhenj që transmetuan dhe kodifikuan traditën skolastike, si Ebu Hanifja, jetuan në teritore ku popullsia myslimane ishte në minoritet, sepse në teritore si Persia apo Egjipti u deshën nga tre gjer katër shekuj përpara se shumica e popullsisë të konvertohej në Islam.

Një nga elementët thelbësor që ka ushqyer historikisht dinamikën e transmetimit të dijes fetare ka qenë udhëtimi dhe transportimi i librave, kohë përpara epokës së globalizmit. Fe të mëdha si Islami dhe Krishtërimi kanë shekuj që janë fe globale. Me shtimin e popullsisë myslimane në vendet e Perëndimit janë vendosur në këtë rajon dijetarë të shumtë ashtu siç kemi dhe figura të njohura dijetarësh që kanë dalë nga gjenerata e dytë e emigracionit dhe nga të konvertuarit, figura që kanë sjellë kontribute të kalibrit të lartë në dijen islame në kohët moderne.

Instituti i Studimeve Islame në Britani dhe studiues si Jasser Auda kanë kontribuar studime të rëndësishme novatore në fushën e filozofisë së ligjit, apo studimi i Objektivave të Ligjit (makasid el sharia); Hamza Yusuf Hanson ka themeluar një kolegj të studimeve të larta në Kaliforni, ShBA të quajtur Zejtuna, pas universitetit të famshëm të Zejtunës në Tunizi; një iniciativë e përafërt po ngrihet pranë Universitetit të Kembrxhit në Britani nga Timothy J. Winter; Tarik Ramadan po prodhon studime të rëndësishme mbi qëndrimet e etikës islame ndaj sfidave të myslimanëve në shoqëritë perëndimore dhe ndaj sfidave etike të teknologjisë dhe ekonomisë së tregut dhe Sherman Jackson në ShBA ka ofruar një kontribut origjinal në pyetje të rëndësishme të teologjisë në kohët moderne nga këndvështrimi islam si fjala vjen rreth çështjes së qëndrimit të Zotit ndaj padrejtësisë dhe fatkeqsive, çështje e ngritur me urgjencë pas viteve ’60 të shekullit të kaluar në Perëndim. Së fundmi, dijetarët e hadithit sot, teksa janë të ndërgjegjshëm për paragjykimet dhe efektin e studimeve të orientalistëve, kanë vlerësuar dhe studiojnë kontributin e orientalistëve në fushën e studimit të hadithit. Nuk ka dhe nuk ka patur monopol gjeografik të dijeve islame.

Vendet e Lindjes së Mesme kanë qendra të rëndësishme të studimit të traditës fetare ku Ezheri në Kajro është më i moçmi dhe më i famshmi. Universitetet e Gjirit Persik janë të rinj në moshë dhe janë rezultat i shtimit të burimeve ekonomike pas zbulimit të naftës në shekullin e njëzetë. Burimet financiare kanë bërë të mundur që këto vende ashtu si në shumë lëme të dijes, kanë patur mundësinë të mbledhin figura të rëndësishme të dijeve islame nga rajone të ndryshme të botës, përfshi të konvertuar nga Perëndimi.

Presioni ndaj myslimanëve shqiptarë për mos studiuar në këto vende janë shkelje të lirisë së besimit dhe presion paragjykues mbi institucione të një rajoni të tërë që gjykohet si një njësi dhe realitet i vetëm, gjykim që është sa i painformuar, po aq dhe reduktues.

Në anën tjetër, nuk duhet haruar se në Perëndim sot gjenden institucione, qendra, dijetarë që po adresojnë çështje shumë të ngjashme me çështjet me të cilat përballen myslimanët shqiptarë dhe prandaj kontributet intelektuale të dijes islame nga dijetarë që jetojnë në Perëndim – po aq larg nga vendet nga lindi Islami sa dhe largësia e dikurshme e Imam Kurtubit – janë të një rëndësie të dorës së parë për myslimanët shqiptarë.

Comments

  • Nuk e di ne me referohet mua shkruesi artikullit apo ndonje komentuesi tjeter, sepse edhe un kam ngritur problematiken e mungeses se arabishtes ne universitetin e ri Beder, por vetem kaq. Personalish e mbeshtes ngritjen e ketij institucioni edukues, packa se kam rezerva mbi menyren gati konspirative se si u ngjiz. Sigurisht per shkak te mungeses se nje shoqerie civie aktive dhe me permbajtje muslimane, nuk kishte menyre tjeter se si te ngrihej ky istitucion. Por megjithe mireseardhjen me te cilin e pershendesim nuk mund te mos vrasi syte mungesa e ARABISHTES ne kete institucion. Personalisht nuk jam i njohes i fushes, por nuk e di se mbi cfare kurikule do te ngrihen studimet islame aty. Ne mungese te saje na ngel vec te spekulojme neper webe. Se pari literature islame ne gjuhen shqipe nuk para ka( edhe kur ka, imagjinoni disi perkthimet) nderkaq literature ne anglisht ka qamet, por nuk ma merr mendja se do te futet, gjersisht ne llogari (dhe nuk duhet harruar se studimet ne anglisht kane per baze literaturen origjinale, se nuk ta vershellen njeri ndryshe), arabishten po e harrojme, dhe na mbet vec turqishtja perderisa dhe medresistet, kontigjenti natyral per ne Beder e njohin mire si gjuhe. Me sa arrij ta rrok me mend arabishtja do te reduktohet vec ne njohje te terminologjise ne leksionet e paraqitura aty, tjeter gje nuk arrij te perceptoj qofsha i gabuar. Nese studimet islame do te shkojen pergjithsisht ne linjat e paraqitura me siper, vaj medet per ate universitet, do te nise dhe bitise ne periferi te qendrave te cilat cek dhe artikulli. Uroj me gjith zemer te mos ndodhe keshtu, sepse studentet do te dalin cyryk ne dijet e islamit, pasi dhe vete institucionet analoge ne Turqi jane deri diku periferi e qendrave te dijes islame sot ne bote. Problemi qe shtrohet eshte qe arabishtja te mos kthehet ne tabu ne shqiperi, ai i cili e levron ta barazohet me ekstremistet, turqishtfolesit te jene te privilegjuar pasi nuk e njohin islamin nga tekstet origjinale por nepermjet nje zmusimi me origjine turke. Nga ana tjeter duhet bertitur me te madhe qe turqishtja eshte periferi dhe vec periferi e literatures islame( pervec poezive mistike. etje)dhe me te do te mbetemi periferi e periferise ne kete fushe.

    • Shkrimi i referohet nje tjeter komentuesi i cili shkruan: “Lendet duhet te behen ne arabisht( fetaret) dhe jo ne turqisht; perspektiva e studenteve kur mbarojne fakultetin teologjik te jete qe te shkojne te bejne nje master ne vendet arabe dhe jo ne turqi.Sa me afer vendit burimor te behen studimet aq me e paster merret feja.” postuar tek shrkimi KMSh: Rizgjidhet Gurra…

      • Shkrimi eshte bere mbi nje koment te timin. Une jam shume dakort te ngrihen institucione arsimore edukuese islame ne cdo shtet, por arabishtja te jete gjuhe baze per studimet fetare sepse ajo eshte gjuha e Kur`anit, e haditheve, e jetes se profetit Muhamed alejhi selam. Muhadithi i madh Buhari, dihet qe nuk ishte me origjine arabe dhe as nuk ka lindur ne vende arabe, por ai e studio kete gjuhe dhe iu kushtua fese islame dhe na dha ato vepra te pavdekshme deri ne ditene kijametit , ne gjuhene paster arabe : Hadithet Sahih.Shembujt jane pafund nga histori islame dhe ju keni sjelle shembuj te ndryshem, qe nuk ka nevoje qe une tu shtoj gje.Une nuk jam kunder mesimit te turqishtes; eshte krenari kur lexon se dikur ne medrese mesonin disa gjuhe te huaja, para luftes se dyte boterore; kemi hoxhallare te pregatitur per ate periudhe.( te pakten me ato qe kemi lexuar).Me pelqen kur degjoj, qe studente myslimane nga Kosova pasi kane studiuar mesimet fetare dhe arabishten e FSI , shkojne e bejne mastera ne Az`har. Kjo tregon qe kane programe shume te mira arsimore dhe stafe te kualifikuara per mesimin e lendeve fetare , shto edhe qe eshte shembull qe mundet qe edhe ne si shqiptare mund te ndertojme nje fakultet islamik me forcat tona te brendshme pa tutele nga jashte. Sa studente kane mbaruar shume mire jashte ne Jordani, Saudi, Egjipt, Turqi?. Nuk mund te bejme dot nje perzegjdhje te ketyre qe kane mbaruar per ti patur pedagoge ne kete fakultet? Dhe nese vazhdoj , ke nga keta qe kane bere edhe mastera.Pra nuk eshte se na mungojne kuadrot, apo na mungonin studimet ( e kam thene me perpara per studimin e shoqates se katarit per te ngritur fakultet islamik me kuadro shqiptare dhe qe nuk u miratua nga keshilli ministrave , ky lajm nga gazetat shqiptare te para disa viteve).Une nuk jam qe te na vijne nga jashte per te na mesuar islamin ketu. As arab dhe as turq.Mendoj qe nese ne bashkohemi, paguajme zekatin per ndertimin e nje medreseje islamike ( nen shembullin e medreseve te Maqedonise dhe Kosoves ) , mendoj qe mund te kemi sukses. Se si e qysh, kush di nga keto projekte dhe ide , le ta beje dhe jemi gati ta paguajme. por kryesorja eshte uniteti dhe nijeti i paster. Ndoshta flas gabim, por keshtu e ndjej. selam. sa per artikullin lart , me pelqeu dhe me ate mendim jam, ndoshta nuk jam shprehur qarte dhe mund te duket sikur jam kunder artikullit; por me pelqeu artikulli vertet.

  • o Imam, dukesh nje jave larg qe je Neki Kaloshi. Nuk ecni para me idete madheshtore te Nekiut o Ezan. Nekiu e ka mendjen tjeterku.

    • Ju lutem komentuesve, permbajuni etikes se diskutimit dhe mos spekulloni per emra e as mos perdorni faqen e komenteve per te atakuar emra e njerez. Per me teper kerkoni te demaskoni njerez, e une nuk e di dhe nuk me intereson se kush eshte njeri apo tjetri por vjen e shkruan vete me pseudonim. Ju lutem shume, bujrum nese doni te kontribuoni per temen e ngritur ne artikull po mos banalizoni nivelin e bisedes.

    • A merzitesh po te te them qe : Nuk e kam pa dhe as nuk e njoh kush eshte Neki Kaloshi? Mos u perpiq te gjesh se kush shkruan poshte ketij emri.Por ezani mund te te siguroj qe une nuk jam neki kaloshi. e mail im mban emrin tim te vertete. Dhe me aq sa kam lexuar ne internet, nuk besoj se Neki kaloshi do shkruante me pseudonim. selam dhe leri dhannet.

  • Selam Alejkum.
    I nderuar shkrues i artikullit. Problemi kryesor apo tema kryesore nuk eshte se Islami eshte i perfaqsuar nga Arabia, por puna ishte qe Islami mesohet me se miri duke mesuar edhe gjuhen Arabe, apo duke e mesuar ne gjuhen Arabe.
    Kjo nese mohohet eshte gjynah i madh. Gjuhet tjera jane te dobishme po Arabishtja eshte numer nje sa i perket Islamit.
    Ti ne artikull thua qe dijetaret Islam kane ardh prej periferis se teritorit ku ka jetuar umeti musliman, po kjo mund te jet e sakt por ato kan shkruar ne gjuhen arabe. Sa i perket Hamza Yusufit dhe Timothy Winterit, jan pak i njoftuar me punen e tyre nepermjet disa dokumetareve dhe videove. Me sa e di gjuha kryesore ne Zaytuna Kolexhin eshte gjuha Arabe dhe ato japin kurse intensive per te. Dhe vet qendrimi i Hamza Yusufit eshte i qart sa i eprket gjuhes Arabe, aj vet ka jetuar ne Afriken Veriore ne mes te bediuneve me qellim qe ta mesoje gjuhen Arabe.

    Dhe se fundi ti shkrues i nderuar nuk jep argumente se pse ne Universitetin Beder nuk eshte rasti i ketille (perfaqesimi i gjuhes Arabe) po shkon te mbrosh se dijetaret musliman kan qene prej periferise!!!

    • I nderuar Balli, ue alejkum selam,
      Ti Shkruan: “I nderuar shkrues i artikullit. Problemi kryesor apo tema kryesore nuk eshte se Islami eshte i perfaqsuar nga Arabia, por puna ishte qe Islami mesohet me se miri duke mesuar edhe gjuhen Arabe, apo duke e mesuar ne gjuhen Arabe.
      Kjo nese mohohet eshte gjynah i madh. Gjuhet tjera jane te dobishme po Arabishtja eshte numer nje sa i perket Islamit.”

      Nuk e shoh qe te kem mohuar rendesine e gjuhes arabe. Nese lexon me me kujdes me lart do shohesh qe kam shkruar: “arabishtja është gjuha e ritualit të lutjeve si dhe gjuha e dijeve të shenjta të Islamit. Pa njohjen e arabishtes nuk mund të ketë akses të mirëfilltë në traditën skolastike dhe kjo do sillte edhe dyshime mbi kredencialet e një imami të ardhshëm, që nuk gëzon dijen fetare që kërkon pozicioni i tij.”

      Ti me pas shkruan: “Dhe se fundi ti shkrues i nderuar nuk jep argumente se pse ne Universitetin Beder nuk eshte rasti i ketille (perfaqesimi i gjuhes Arabe) po shkon te mbrosh se dijetaret musliman kan qene prej periferise!!!”

      Perseri jo sakte. Une kam shkruar: “Vendi që i jepet arabishtes në kurikulumin e Universitetit Bedër ka ngjallur debate në bashkësinë muslimane…” dhe “Sigurisht nuk është e drejtë të paragjykohet një institucion si ky universitet kur sapo ka filluar jetën e tij dhe sigurisht ne i urojmë jetë të gjatë e të begatë.”

      Pra, ne perpjekje per te sqaruar keto keqkuptime, ne asnje rast nuk kam mohuar rolin primar te gjuhes arabe ne studimet islame dhe e kam konfirmuar kete qysh prej fillimit. Gjithashtu, une kam mare per pikenisje nje komentues te meperparshem ne kete faqe, i cili ka komentuar dhe per kete artikull sic thote ai vete, dhe nuk po flas per komentet e mia per universitetin Beder, por ato qe jane sjelle dhe ne kete faqe nga komentues te ndryshem dhe qe u sollen edhe ne emisionin ne Top Channel ne emsionin qe prezantoi kete universitet dhe kam permendur keto komente ne kete artikull. As nuk kam thene se dijetaret e Islamit vine (vetem nga periferia) por qe, mbi te gjitha, dija Islame nuk ka qender gjeografike dhe se mund te zhvillohet ne vende te ndryshme, ku myslimanet jane shumice apo pakice, ne Lindjen e Mesme apo ne Azine e larget, ne Ameriken e sotme apo Spanjen mesjetare, ne Indi apo Egjipt. Kaq kam thene i nderuar Balli dhe as nuk kam vene ne dyshim rolin primar te arabishtes, e as nuk jam mare me universitetin Beder. Pershendetje.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *