Topi vs. Topalli.





Besnik Sinani.

Pas dështimit të rradhës të kastës politike për të aritur standartet e vendosura nga Brukseli për të afruar vendin drejt integrimit në Bashkimin Evropian (BE), politikanët kanë filluar ping-pongun e akuzave kundra njëri-tjetrit, akuza të cilat kanë marë këto ditë edhe tone krahinore e fetare.

Mësojmë se Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka akuzuar Presidentin Topi se ai është pjesë e një celule anti-evropiane, akuzë të cilës Topi i është përgjigjur duke thënë: “Spikeret kanë një detyrë, të recitojnë bukur atë që u shkruhet. Por në rastin konkret, spikeri duhet të mësojë të flasë pastër e korrekt gjuhën shqipe.” (Përkthim: Topalli akuzon Topin se është kthyer në aleat të Edi Ramës, ku qeveria po faturon derën e përplasur në fytyrë nga Brukseli. Topi përgjigjet duke thënë se Topalli po shërben si papagall i akuzave të Berishës, po dhe këtë punë nuk di ta bëjë mirë.)

Zyra për shtyp e Kuvendit ka reciprikuar flakë për flakë: “Topalli flet me krenari dhe vetëdije gjuhën më të bukur si Fishta. Topalli flet gjuhën e Kol Idromenos, Migjenit dhe Gurakuqit. Haxhi Qamili s’e kupton dot gjuhën që flet Topalli.”

Zgjedhja e Haxhi Qamilit për të shënuar anti-evropianizmin e supozuar të Presidentit nuk është e rastësishme, pasi kjo figurë është investuar si një lloj fenomenologjie binare shqiptare që i kundërvihet fenomenologjisë të Skënderbeut. Kontribues të këtij ligjërimi nuk janë vetëm politikanët, por dhe emra të njohur si shkrimtari Ismail Kadareja (Shiko Mosmarveshja). Kësaj retorike nuk i kanë munguar asnjëherë tonet religjioze për fenë e mirë evropiane dhe fenë e keqe orientale.

Topalli po përdor një armë tashmë të njohur në retorikën politike shqiptare, çfarë Ervin Hatibi quan “islamizim me dhunë i armikut politik,” duke mbivendosur insinuata për anti-evropianizëm e regres me prejardhjen krahinore (Shqipëria e Mesme) dhe fetare (Islami) të Presidentit Topi: si Haxhi Qamili. E gjitha kjo bëhet teksa pretendohen prej saj trashigimia katolike, e prej këndej pro-evropiane e prej këndej me kastë më të lartë në hierarkinë krahinore shqiptare e Shkodrës: si Fishta! A nuk u bëri thirje para pak ditësh Zef Bushati “vëllezërve myslimanë” që të kuptojnë rëndësinë e zgjedhjes së një presidenteje katolike?

Topalli nuk ka bërë asgjë për të pretenduar vazhdimësinë e kontributit në gjuhën dhe kulturën shqiptare të Fishtës apo Gurakuqit e Topi shkoi aq larg në përpjekjet për të treguar rolin special që politika i atribuon Vatikanit, sa që në përshëndetjen drejtuar konferencës evropiane ipeshkvore – habi që nuk ka reaguar asnjë nga ata që refuzojnë rishikimin e historisë – ja atriboi zgjimin kombëtar shqiptar Papa Klementit në vitin 1703.

Etiketimi (apo denoncimi) si haxhiqamilistë u lëshohet si myslimanëve ashtu dhe revizionistëve modernë të historisë, oponentëve të regjistrimit të popullsisë apo Presientit Topi. Konfuzioni e paradoksi historik që mbart kjo lloj retorike nuk është i vetmi problem këtu. Siç shohim nga deklaratat pa shije të zëdhënësve të Topallit, kjo lloj retorike përdoret për të ngritur pretendime supremacie mbi baza fetare e krahinore. Në të njëjtën klimë ligjërimi politiko-fetar, një politikan demo-kristian, Zef Bushati, paraqet prejardhjen katolike të Topallit si kredencial primar të kurikulumit të saj politik në ambicjen për kariken e presidentit.

Harron Bushati që shqiptarët kanë patur president Moisiun në të njëjtën kohë që kishin dhe kryeministër Fatos Nanon dhe nuk u dëgjua ndonjë protestë e “vëllezërve myslimanë” shqiptarë? Qysh kur duhet të fillojnë shqiptarët t’i kushtojnë vëmendje përkatësisë fetare të politikanëve, gjë që vetë politikanët po e bëkan?

Të thuash që politikanët shqiptarë janë të papërgjegjshëm nuk ke thënë asgjë të re. Por nuk mund të lihet pa vënë në dukje kjo nxitje e politikave komunitare mbi baza krahinore e fetare, ku u bëhet thirje shqiptarëve të vendosen në llogore identitare që vendosin kundra njëri – tjetrit trashigimtarët e supozuar të Gjergj Fishtës dhe Haxhi Qamilit.

Fatkeqsisht njihet botërisht taktika e nxitjes së solidariteteve të tilla komunitare në kohë krizash apo dështimesh politike, por janë përherë të rrezikshme dhe përçarëse. Topalli e Topi nuk janë trashigimtarët e Fishtës dhe Haxhi Qamilit, por përfaqsues të dështimit tonë bashkohor për të ngritur një shtet ku politikanët vihen para përgjegjsisë për punën që bëjnë, pa u faturuar dështimet fantazmave të klonuara nga e kaluara.

Comments

  • Bravo Besnik. Por kush te degjon se… Sic e ke vene ne dukje dhe vete, retorika te tilla krahinore e fetare po perdor gati cdo politikan, Edi Rama, Berisha vete (gjate fushates pati thene se do ja bente Rames me zi se c’ja beri Skenderbeu Turqve), gazeta 55, Partia Demokristiane, Ben Blushi, Spartak Ngjela, etj etj…

  • Kam idene qe komuniteti katolik duhet te ndjehet mjaft i ofenduar te perfaqesohet nga Topalli apo nga keqperdorimi i retorikes se saj si ne kuptimin intelektual por dhe te vasalitetit te saj politik. Lidhja e shkurter katolicizem-evrope eshte gafa me e madhe qe pseudo katoliket politikane po bejne. Degjoja para dy ditesh dhe zv drejtuesin e partise Demokristiane qe thoshte qe Berisha beri gabimin me te madh qe na largoi nga koalicioni se ne ishim ndermjetsit me Evropen. Populli ka pas thone hudh nje cike sheqer ne zjerrm me prish synin e keq. Me pak fjale ne nuk po hyjme ne evrope se kete ven nuk po e drejtojne demokristian si Ndoka, Lesi apo neser Topalli. Lum ne per evropianet qe kemi ne politike dhe s’dime ti vleresojme.

  • Sot Jozefina solli per vizite ne Shkoder kryeparlamentaren e Pakistanit!!!Si duket per te rregulluar politiken me muslimanet e pergjumur….ketu ne Shkoder edhe me tej saj…

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *