Sherman Jackson.

(Prej disa kohësh, kemi qenë dëshmitar të përdorimit spekulativ të “Sheriatit” prej politikanësh shqiptarë, qysh nga Spartak Ngjela në Shqipëri apo këto ditë nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Po sjellim këtë artikull të Prof. Sherman Jackson nga Universiteti i Michigan, ShBA, që kërkon t’i përgjigjet pyetjes: Cfarë është Sheriati dhe pse është i rëndësishëm? Artikullin po e sjellim me pak shkurtime. Ata që duan ta lexojnë të plotë mund të klikojnë tek faqja e Huffington Post.)

Në themel të vet, Sheriati është universi i idealeve të myslimanëve. Është rezultati i përpjekjes së tyre kolektive për të kuptuar dhe aplikuar Kuranin dhe mësimet suplementare të Profetit Muhamed (quajtur Suneti) në mënyrë që të fitojnë kënaqsinë e Zotit dhe për të siguruar mirëqënien e njerëzimit në këtë botë dhe shpëtim në jetën që vjen. Teksa Kurani dhe Suneti janë transhendent dhe të pandryshueshëm, vetë Sheriati është rezultati i negocjuar i interpretimeve konkurente. Në fakt, shumica e myslimanëve nuk flasin për Sheriat por për Fikh, që tekstualisht do të thotë “kuptim” dhe thekson dallimin ndërmjet urdhëresave të Zotit nga një anë dhe përpjekjes njerzore për të kuptuar këto urdhëresa. Kjo shpjegon dy karakteristika të tjera të paevitueshme të Sheriatit: diversitetin e opinioneve dhe ndryshimin e paevitueshëm. Në Islamin Suni (do nevojitej një trajtesë me vete për Shiizmin për ta trajtuar drejtë) ka katër “shkolla” të Fikhut, të gjitha njëlloj ortodokse, njëlloj authoritative. Kjo vjen nga fakti që Sunizmi asnjëherë nuk vendosi një autoritet klerikal apo “kishë” për të vendosur doktrinën. Në vend të saj, të vetmet doktrina që konsiderohen si të obliguara mbi të gjithë bashkësinë ishin ato doktrina për të cilat dijetarët e bashkësisë arritën dakordim – jo të shumicës, por unanim, konsensus. Në mungesë të konsensusit, palët konkuruese thjesht do binin dakort që do kishin dallime qëndrimesh, sepse asnjë shkollë apo individ – as Kalifi apo sunduesi i përkohshëm – nuk mund të pretendonin të drejtën e pagabueshme për të imponuar një doktrinë si të ishte e vërteta e pakontestueshme.

Për sa i përket ndryshimit, rregullat e Sheriatit ndahen në dy kategori: rituale fetare (falja, agjërimi etj.) dhe çështje civile e kriminale (martesa, shit-blerjet, imoraliteti seksual, xhiahdi etj.). Teksa ritualet fetare janë më së shumti fikse dhe të pandryshueshme, rregullat në çështje civile e kriminale mund të pësojnë ndryshime në bazë të rrethanave. Këtu, në fakt, mbërijmë në cilësi të rëndësishme të Sheriatit: përveç interpretimit të teksteve që të mund të aplikohet në realitet, Sheriati përfshin, gjithashtu, përpjekjen për të proçesuar realitetin për të përcaktuar se si tekstet, mësimet profetike dhe të traditës së akumuluar të debateve legale do i përgjigjeshin realitetit. Në bazë të këtij funksioni, Sheriati mund të sanksionojë apo dhe përfshijë një shumësi idesh dhe institucionesh që nuk ishin diktuar nga tekstet. Për shembull, nuk kishte kupola, shkolla Fikhu apo minare në Arabinë e Profetit. Gjithashtu, fakti se nuk kishte demokraci apo “të drejta të njeriut” nuk i bën këto automatikisht jo-islamike. Me pak fjalë, Sheriati përfshin përpjekjen për të ofruar përgjigje për një realitet vazhdimisht në ndryshim, duke qenë të ndërgjegjshëm për Zotin. Në bazë të këtij funksioni, shumë nga rregullat e Sheriatit mund të jenë të ndryshueshme me ndryshimin e rrethanave të cilave kërkon t’u përgjigjen.

Pasi thamë gjithë këto, Sheriati nuk është vetëm “rregulla.” Përkthimi i Sheriatit si “Ligji Islam” nuk është tërësisht i gabuar, por ky përkthim nuk përfshin gjithë çfarë termi përfaqson, sepse Sheriati përfshin një shumësi principesh morale dhe etike, qysh nga respekti për prindërit e gjer tek ndihma për të varfërit apo kojshitë. Për më tepër, shumica e “rregullave” të Sheriatit nuk përmbajnë ndëshkime për këtë tokë e jetë. Urdhëresat për larjen rituale (abdes) apo për ngrënien e mishit të derrit apo për mënyrën e veshjes janë pjesë të Sheriatit ashtu siç janë pjesë të Sheriatit urdhëresat për shit-blerje, divorc apo xhihad. Gjithsesi nuk ka ndëshkim tokësor të urdhëruar për ata që nuk nderojnë këto urdhëresa. Ashtu si shumica e “rregullave” të Sheriatit, shpërblimi apo ndëshkimi në këto çështje i përkasin Zotit dhe jetës që vjen.

Fatkeqsisht, shumë amerikanëve u është thënë se Sheriat do të thotë jo vetëm rregulla por ndëshkime kriminale – si rrahja për shembull. Tre pika rreth kësaj: Së pari, ndëshkimet përbëjnë vetëm një pjesë tejet të vogël të Sheriatit. Nga teksti me dy volume në arabisht me të cilin studiova Sheriatin, me 1,081 faqe, vetëm 60 faqe i ishin dedikuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë ndëshkimeve për krime. (Xhiahdi kishte vetëm 19 faqe). Së dyti, ndëshkimet e Sheriatit për krime nuk lindën si pronë apo instrument i shtetit të myslimanëve, por si funksion, në fakt, për të imponuar limite në shpërdorimin e fuqisë së shtetit. Së treti, ndëshkimet e sjelljeve kriminale nuk mund të ndahen nga rregullat e evidencës – edhe këto pjesë e Sheriatit – të cilat përcaktojnë aplikueshmërinë (p.sh. shumësia e dëshmitarëve okularë). Në terma praktikë, pra, përveç vetë-deklarimit të fajësisë, rregulla për gjëra të tilla si imoraliteti funksionojnë pothuaj tërësissht si këshilla morale. Idealet mbahen nga ndërgjegjsimi për Zotin, ndërgjegjsim që prodhhet nga Sheriati, jo nga ndëshkimet.

Pse është sheriati i rëndësishëm? Është i rëndësishëm sepse përfaqson për myslimanët idealet që përcaktojnë një egzistencë të mirëfilltë islame. Islami pa Sheriatin do ishte Islam pa ideale islame. Shumica e amerikanëve jo-myslimanë mund të mendojnë rreth Islamit pa Sheriat si thjesht Islam pa ndëshkimet për krimet, por për myslimanët  Islami pa Sheriat do të thotë, gjithashtu, Islam pa rregullat e larjes rituale (abdesit) pa falje, pa sadaka a lëmoshë, pa rregulla etike për shit-blerjen, pa devocionin e etikës familjare, pa konsiderata civile etj. Sheriati do vazhdojë të frymëzojë myslimanët, veçanërisht në jetën e tyre private, në përpjekjet, shpresat dhe modestinë si dhe në përpjekjet për të ngushtuar hapsirën midis asaj që “është” dhe asaj se si “duhet” të jetë.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *