Politikë bajraktarësh





Doan Dani

Nga Kosova në Shqipëri metodat e konsumimit të debateve politike brenda kastave janë mbase elementi më i përbashkët mes dy shteteve. Mungesa e tolerancës, pandryshueshmëria e subjekteve politike, nepotizmi, korrupsioni, shoqërohen me etikën e ofendimit dhe të urrejtjes. Sikur të mos u mjaftonte korniza politike, zbaviten me ndërhyrje në çështje që, të paktën për nga niveli i njohurive, janë plotësisht të huaja për ato. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ndërmerr një hap akoma më të avancuar kur tenton analizën komparative mes Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe Sheriatit. Siç duket Presidentja nuk e pranon izolimin nga fakti se është zgjedhur prej testosteronit të politikës kosovare pas incidentit të Pacollit, si një mall konsumi ambasadash, vetëm për të evituar zgjedhje të parakohshme. Në fjalimin e saj, të mbajtur në Zym të Hasit në kuadrin e përvjetorit “Takimet e Gjeçovit”, mori përsipër të depërtojë në shumë tematika, të gjitha të përshkuara nga koncepti i superioritetit: “Gjeçovi  dëshmoi […] se ne ishim më lartë dhe se Kanuni ishte më human dhe ma i drejtë sesa Kanunet e popujve të tjerë të mesjetës, por edhe më vonë”.

Edhe pse e specializuar në jurisprudencë, Jahjaga krahason dy kontekste kohore, kulturore, normative dhe përmbajtëse plotësisht të ndryshme. Universalizmi kohor dhe hapësinor, ndërhyrja e vazhdueshme e motivuar nga transformimet sociale, normativat rregullatore të jetesës fetare përkrah atyre civile e penale, bazimi në dy burime të shkruara, e largojnë Sheriatin nga kodi kanunor i shkruar në shekullin e kaluar, që nuk ka asgjë të ngjashme me këto karakteristika themelore sheriatike. Përkundrazi, ai është lokalist, përmbledh norma të pashkruara, nuk interpretohet, është i përkohshëm, nuk njeh autoritete institucionale.

Nëse juristja Jahjaga nuk e kupton domosdoshmërinë e përkohshmërisë së Kanunit dhe e vlerëson atë si shumësi normash mbrojtëse nga sundimi osman – më saktësisht, Presidentja ka mësuar të përdor përcaktimin “pushtim otoman” – atëherë duhet të na shpjegojë përse akoma sot zbatohen kanunet në disa territore shqiptare. Jemi akoma të pushtuar? Aq e kulluar është analiza e Jahjagës sa ka anashkaluar se Kanuni ishte një përmbledhje pragmatike normash, madje, do të thoja, edhe inteligjente, në mangësi të shtetit dhe institucioneve përkatëse. Ndërtoi shtet apo institucione Lekë Dukagjini? Përse Presidentja e njeh si “Kanuni i Maleve”? Pikërisht aty u rrënjos më tepër, sepse nga periudha “arkaike”, ajo mesjetare, e përgjatë gjithë eksperiencës osmane, forca e institucioneve sunduese ishte pothuajse joekzistuese, ose të paktën me intervale. Edhe sot dobësia e shtetit ndikon në gjallërimin e drejtësisë kanunore, e cila u reduktua jashtë mase, thuajse në mënjanim të plotë, gjatë regjimeve komuniste në Shqipëri dhe Kosovë.

Në aspektin juridik fragmenti më domethënës i analizës komparative ishte se “Kanuni nuk e njeh të drejtën e ndëshkimit si dëmtim dhe poshtërim të dinjitetit”. Diçka e tillë, sipas Jahjagës, shfaq edhe superioritetin e këtij kodi arkaik ndaj normave të popujve të tjerë. Që një kod të parashikojë ndëshkimin kërkohen organe kompetente të afta dhe në gjendje për ta zbatuar. Në mesjetën perëndimore, në kuadrin e pushteteve fetare apo laike, shkelja e normave, padrejtësia, konflikti etj., zgjidheshin (edhe) me ndëshkime, që, në mungesë të hapësirave riedukuese, mund të aplikoheshin në formën e ndëshkimeve fizike. Por kjo kërkon autoritetin funksional të pushtetit, ndërsa mungesa e këtij autoriteti e zhvlerëson ndëshkimin e çfarëdo lloji. Thjesht e bën të parealizueshëm.

Po nëse nuk ka ndëshkim, e nëse etika fetare ekzistuese në rajonet malore nuk udhëheq veprimtarinë e përditshme njerëzore, si realizohet drejtësia sipas Kanunit? Me formën më të thjesht dhe më të hershme, nëpërmjet vetëgjyqësisë. Kanuni rregullon momentet dhe mënyrat e zgjidhjes së marrëdhënieve shoqërore, konflikteve, padrejtësive, apo krimit, por nuk përcakton organe kompetente, përveç dy palëve direkt të interesuara, pra, në rastin e konflikteve, mes viktimës dhe shkelësit. Një njeri mund të vrasë një tjetër, sipas Kanunit L. D, nëse i është cënuar nderi dhe jo ekzistenca fizike, pra vlera e jetës së shqiptarit kanunor varet nga kodi burrëror, që nga ana e tij konsiderohet i cënuar edhe me një “të dhjefsha alltinë”. Mjafton kjo që një burrë – se Kanuni njeh burrat dhe të tjerët – të jetë i justifikuar për vrasjen e ofenduesit, ndërsa Pleqësia konfirmon vetëgjyqësinë. Ai gjithashtu nuk merr përsipër të parandalojë.

Në këtë prizëm Kanuni nuk njeh një organ të tretë me monopol gjykimi, gjë e cila ekziston në hapësirën civile dhe penale të Sheriatit, apo kodeve të tjera edhe më të hershme ose moderne. Kjo sepse normat penale të Kanunit – meqenëse Jahjaga është fokusuar në këtë aspekt – marrin kuptim dhe vlerë vetëm në mungesë të institucioneve të shtetit apo të një organizimi të veshur me autoritet. Kodi aktual i Republikës së Kosovës përmban ndëshkimin dhe gjykimin nga organe superpartes. Nuk ndëshkojnë burgjet e Kosovës? E respekton burgosja dinjitetin e të dënuarit? Sigurisht, emërtimi, veprimtaria, organizimi i organeve gjyqësore, së bashku me mënyrat e ndëshkimit, janë shumëngjyrëshe dhe ka hapësirë për kritika. Të propozojë Jahjaga heqjen e gjykatave, të ndëshkimit dhe rikthimin tek vetëgjyqësia.

Aspekti historik është akoma më i nëpërkëmbur në gjykimin vijues: “Me Kanunin e Maleve të njohur si Kanuni i Lekë Dukagjinit, pasardhësit të Skënderbeut në rezistencën kombëtare kundër pushtimit otoman, rregullohet jeta e njerëzve, dhe kjo e pamundësonte zbatimin e Sheriatit në këto troje […]. Në trojet shqiptare nuk mund të paramendohej që autoritetet osmane t’ia këpusnin dikujt dorën […]. Pra ky Kanun ruajti nderin dhe dinjitetin e njeriut dhe dinjitetin kombëtar gjatë më shumë se pesëqind vjetëve”.

Presidentja, në nevojën e dëshpëruar të klasës politike kosovare për të shpallur shenjtorë, thjeshton veprimtarinë e Lekë Dukagjinit në epilogun e momenteve të fundit të jetës së Skënderbeut dhe menjëherë pas vdekjes së tij, duke e renditur prijësin në ikonografinë kombëtare edhe pse ishte Lekë Dukagjini që dërgoi klerikun Eugjen Suma në vitin 1463 për t’i kërkuar Venedikut të ndërhynte kundër Skënderbeut: familja e Dukagjinëve ishte, mes dyerve të zotërve arbër, ndër të parat që u islamizua dhe mori prona të reja nga Porta e Lartë.

E zhvillon diskutimin në atë formë që krijon përshtypjen se për Jahjagën Porta e Lartë i imponoi Ballkanit një ligj fetar të njëtrajtshëm dhe vetëm ne shqiptarët, në sajë të Kanunit, i shpëtuam hendekut të gëlltitjes historike. Siç vërehet, ekuacioni që përcjell Presidentja e Kosovës në këtë fjalim mbledh elementet e Kanunit të Lekë Dukagjinit, figurën e Shtjefën Gjeçovit dhe Kishën, me rezultat përparësie në dinjitetin njerëzor dhe atë kombëtar shqiptar. Me pak fjalë, Jahjaga mendon se pa normat kanunore, pa përmbledhësin e tyre dhe pa institucionin promotor, vlerat kombëtare do të kishin humbur ose tjetërsuar. Krijohet kështu një precedent përjashtimi edhe nëpërmjet interpretimit të Kanunit, pasi ky zbatohej në një zonë të caktuar të trevave shqiptare. Ata shqiptarët e jugut, që Kanunin në fjalë nuk e njohën, janë vallë më pak shqiptarë? Pyetja mund të shtrohet edhe rreth banorëve të qyteteve dhe zonave rurale të mësuar me ligje dhe institucione. Të gjithë këto janë njerëz pa dinjitet personal dhe kombëtar?

Për të evituar situata komike do të mjaftonte njohja e normave të aplikuara në Ballkanin osman, rezultat i integrimit paralel të disa burimeve normative dhe i fleksibilitetit nga një zonë në tjetrën, siç vëren Peter Sugar. Ose, akoma më thjesht, analiza e evidencës: i njohim normat penale kanunore sepse dikush lejoi të aplikohen; i zbuluam rishtazi pas shembjes së enverizmit, sepse dikush i kishte ndaluar. Për të evituar njëanshmëritë naive, Kanuni i Lekë Dukagjinit duhet gjykuar në kontekstin e vet kohor, territorial dhe normativ, si relikt karakteristik i organizimit social, që sigurisht nuk ka për qëllim ruajtjen e të ashtuquajturave vlera kombëtare, aq më tepër të gjithë shqiptarëve. Tradita shqiptare është transmetuar me rrugë, përmbledhës dhe promotorë të ndryshëm, aspak inferior ndaj ekuacionit të Jahjagës.

Është e qartë se klasa politike, dhe jo vetëm, e mban në gatishmëri listën e armiqve. Zakonisht i peshkon në histori. Kundërshtarët e sotëm i sinonimizon me të keqen e kaluar. “Lista e të keqes” nevojitet si për denigrim dhe baltosje, ashtu edhe për servilizëm e manipulim të ikonografisë kolektive. Dy të fundit duket se kanë qenë objektivi i shkruesve të fjalimit të Presidentes Jahjaga. Evropa kërkon reforma konkrete, ndërgjegjësim politik dhe qytetarë. Politikanët tanë prezantohen me Rozafën, me humanizmin e Kanunit, promovojnë intolerancë, e ndërkohë, nëse nevojitet, dështimin e tyre ja hedhin Tjetrit: sundimit osman, Haxhi Qamilëve etj. Kanuni u shëmbëllen mjaft komod për etikën e komunikimit dhe për përjashtimin e një gjykatësi asnjanës. Kur këtë rol e ndërmerr Evropa, është përherë i gatshëm një Tjetër për t’u stigmatizuar si pengesë e integrimit. Ai që e pëson është populli. Atëherë kur ky duhet të jetë gjykatësi, pret të sakrifikohet një Rozafë i/e politikës për ta shpëtuar kolektivin, por ajo është fantazi.

 

 

Comments

  • Shkrimi ishte fantastik. Gjuha e shkelqyer dhe forca e argumenteve mberthyese. Ishte gjeja me e bukur qe kam lexuar kudo neper shtypin shqiptar, hardcoppy dhe on line, pergjate kesaj jave. Pergezime Doanit!

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *