Kosova është Palestina jonë.





Armir Taraj.
“Kosovo është Jeruzalemi ynë” është motoja e nacionalistëve serbë. Por jo vetëm e tyre. Miti i Kosovës si djepi i civilizimit serb është një histori që mesa duket u mësohet fëmijëve Serbë që të vegjël dhe askush në shoqërinë serbe nuk guxon ta kundërshtojë këtë kushtrim. Kjo ra në sy kohët e fundit kur nacionalistët Serbë iu vërsulën Miss Serbisë pse ajo guxoi të dilte në foto me Miss Kosovën. “Kjo fotografi është bërë gjatë pauzës mes dy xhirimeve.” u shfajësua bukuroshja serbe Anja Sernoviç. “Kur do të flas zyrtarisht, unë do të them se Kosova është Serbi dhe Jerusalemi serb” shtoi ajo me krenari. Po ashtu kampioni botëror serb i tenisit, Novak Gjokoviç, raportohet se ka dhuruar mijëra dollarë për manastiret serbe dhe strukturat paralele në veri të Kosovës.
Që serbët kanë një mit kombëtar dhe që e reklamojnë fuqishëm dhe në gjuhën angleze në internet, kjo nuk është çudi. Por çudia është tek paaftësia e dukshme e intelektualëve, politikanëve, e gazetarëve shqiptarë për ta kundërshtuar po aq fuqishëm këtë mit, sidomos në burimet anglisht folëse. Mjafton të bësh kërkim  fjalën “Kosovo” në Google dhe do shohësh menjëherë sa material propagantistik kanë botuar serbët në mbështetje të narrativës së tyre historike mbi Kosovën. Materialet që prezantojnë pikëpamjen korrekte historike, atë shqiptare në këtë rast, janë fare të pakta dhe të dobëta. Po ashtu YouTube është i tejmbushur me video propagandistike serbe e ruse që i paraqesin shqiptarët e UÇKnë si mafiozë, kriminelë, e djegës manastiresh serbe. Ku janë mediat shqiptare në anglisht?
Duke parë këtë prezantim mjeran historik të Shqiptarëve në internet, nuk është çudi kur lexon artikuj si “Why Kosovo but not Palestine” nga Dr. Zoltan Grossman i Evergreen State College në Washington të Amerikës, i botuar fillimisht tek Counterpunch e më pas dhe tek Al Jazeera. Artikulli në fjalë shtron një pyetje mëse të vlefshme: Pse Amerika mbështeti pavarësinë e Kosovës por kundërshton edhe hapa modestë të Palestinës drejt shtetnjohjes, si kërkesa e fundit e saj në OKB?
Artikulli ama përmban një sërë gabimesh faktike rreth Kosovës dhe paraqet një panoramë krejtësisht pro-Serbe, paçka se edhe pro-Palestineze. Ndër të tjera Grossman shkruan: “Serbët e shikojnë Kosovën si djepin e identitetit të tyre kombëtar, ku Perandoria Osmane i mundi ata më 1389. Kosovo ruajti një shumicë serbe me shekuj, por në fund të viteve 1800 u bë qendra e rilindjes kombëtare shqiptare, dhe më pas fitoi një shumicë shqiptare.”
Dhe më tej: “Lufta civile midis forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës filloi më 1998, dhe mëse 2000 veta u vranë në luftime. Luftëtarët e UÇKsë shënjestruan civilë serbë në provincë, si dhe shqiptarë të moderuar të Kosovës, dhe forcat serbe shënjestruan civilët shqiptarë. Në Shkurt të 1999, Presidenti Klinton udhëhoqi NATOn në një fushatë bombardimi ndaj Serbisë, duke i dhënë shkas planit të Millosheviçit për “spastrimin etnik” (ose largimin me forcë) të shumicës shqiptare të Kosovës, fushatë e cila filloi pasi bombat nisën të bien.
Ndërkohë që e vërteta historike është në anën e Shqiptarëve, pse heshtin historianët Shqiptarë? Ku janë akademikët e shkrimtarët anglisht folës? Pse hapësira anglisht folëse e internetit vazhdon të jetë e mbushur plot e përplot me propagandë serbe?
Të jemi të qartë, Jeruzalemi, apo Palestina, nuk ka asnjë ngjashmëri me Serbinë. Palestina nuk ka pushtuar territoret e fqinjëve e as nuk ka spastruar etnikisht  kërrkënd. Përkundrazi, Palestina, po ashtu si Kosova, është viktimë e pushtimit ushtarak, copëtimit territorial, spastrimit etnik dhe mohimit shumëvjeçar të së drejtës për vetëvendosje. E vetmja menyrë se si Serbia mund të pretendojë të thotë se “Kosova është Jeruzalemi ynë” është sipas kuptimit anti-historik dhe mohues ndaj tjetrit që përdor Izraeli kur thotë se “Jeruzalemi është kryeqyteti ynë i përjetshëm dhe i pandashëm”.
Izraeli dhe Serbia ishin shtete të përkëdhelura të Fuqive të Mëdha që përfituan në botën që pasoi shembjen e Perandorisë Osmane në injorim të vullnetit dhe aspiratave të popujve që jetonin aty ku serbët dhe izraelitët pretendonin se ishin qendrat e tyre civilizuese. Ka ardhur koha t’i themi botës qartë e kthjellët: Kosova nuk është Jeruzalemi Serb. Dhe nëse do e çonim diskursin në të njëjtin nivel të patriotizmit romantik si serbët, atëherë do na duhej të thoshim: Kosova është toka jonë e shenjtë, është atdheu ynë shekullor, është Palestina jonë heroike dhe më së fundmi e lirë.

Comments

  • shume artikuj te mire keto nga Noel Malcolm, flm Che.
    shyqyr qe kujtohet Malcolm per historine e shqiptareve se te ishte per historianet tane… aha

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *