Pushtues dhe administratorë





Elton Hatibi.

Debati i fundit mbi rishikimin e periudhës së sundimit osman në Shqiperi, është reduktuar në një pozicionim të opinonbërësve për të mbrojtur termat “pushtim” dhe “administrim” lidhur me këtë kapitull të historisë. Topin i pari e hodhi historiani Ferid Duka, i cili për t’i rënë shkurt në një emision televiziv, theksoi se kjo perjudhë ndahet në dy pjesë: e para e karakterizuar nga një pushtim i shpejtë, dhe më pas nga administimi i këtyre trojeve të pushtuara. Në fakt historiani Duka, me një thjeshtëzim të tillë, bëri të kuptueshme për audiencën e gjerë se historia ka nevojë që të rishkruhet. Kaq mjaftoi që një pjesë e historianëve, dhe jo vetëm, skeptikë për këtë tezë të re, të jepnin variantet e tyre për këto çështje, për të arritur tek i fundmi i cili u pengua në këtë lojë fjalësh, sociologu Fatos Tarifa.

artikullin e tij tek gazeta “Mapo” e datës 12 tetor, zoti Tarifa shqetësohet nga mundësia e rishikimit të historisë, dhe nga nxitimi bie në kontradiktë me vetveten kur kundërshton idenë e hedhur nga Duka dhe mbështetësit e paktë të rishikimit. Në fillim të shkrimit ai teorikisht supozon se nga mund të vijë frymezimi metodologjik i tezës së rishikimi (Foucault, Piaget, Kuhn), ndërkaq përfshirjen e metodologjive moderne do ta shohë si një kontribut për shkencat humane në vendin tonë. Por nga ana tjetër, ai kritikon autorët për mungesë faktesh të reja me anën e të cilave ata duhet të vinin me tezën e rishikimit të historisë. Siç shihet, këtu ka një nonsens: merret në konsideratë mendimi i Foucault për ta parë ligjërimin historiografik në mënyrë jolineare, pra me thyerje, për të mundësuar që përmes  epistemave të ndryshme  të shkojmë më pranë njohjes, por “për mungesë faktesh”, kërkohet që të ruhet forma aktuale me të cilën serviret historia e periudhës osmane. Por nuk na thuhet se përse ky zëvendësim epistemash, metodologji të cilin Tarifa e merr në konsideratë, nuk duhet ta thërmojë 500 vjetëshin stoik, i cili si monolit ka zënë derën e historiografisë shqiptare. Edhe sikur ta marrim të mirëqenë supozimin se mbi këtë periudhë, fakte dhe dokumente të reja nuk kanë dalë në dritë, ato ekzistueset mund të shihen në këndvështrimet e metodave moderne, proces pas të cilit mund të na dalë një tablo më afër njohjes. Në vend të mistifikojë “errësirën e asaj çfarë ka ndodhur në trojet shqiptare në dekadat dhe në dy-tre shekujt e parë të pushtimit osman”, Tarifa të na thoshte se çfarë mundësish ka sot shkenca dhe institucionet kërkimore për të ndriçuar pjesët në hije të historisë. Kapur fort pas termave “pushtues”, “administrator”, e cila është gracka në të cilën ka rënë, ai do të kërkojë me ngulm nga kolegët dokumente për t’u faktuar transformimi i osmanëve nga pushtues në administratorë. Për të osmanët janë pushtues dhe vetëm pushtues, administrimi i territorit veç trazon ujrat.

Për Tarifën do të ishte interesante të dinim si e konsideron praninë e trupave amerikane sot në Irak, pushtim apo administrim? Po konfliktin me të cilën u përballën marinsët atje, rezistencë apo terrorizëm? Jam i bindur se njerëzit politikisht korrektë do të preferonin termin “ndërhyrje” në rastin e parë, ndërsa për të dytin pa mëdyshje “terrorizëm”, dhe kjo nga lehtësia e përzgjedhjes në larminë sektare të grupeve në konfliktin me amerikanët. Këtë parantezë nga aktualiteti e theksoj për të dalë në një çështje e cila është e njohur në shkencat humane, në atë se pushteti perandorak kur ndërmerr aksione të fuqishme, siç janë pushtimet, kërkon të gjejë legjitimitet, dhe pavarësisht nga shkalla e niveli, gjithmonë ka prodhuar një ligjërim legjitimuese për aksionet e hegjemonisë. Tarifa ka të drejtë kur thotë që të gjitha pushtimet janë të dhunshme dhe të padrejta, duke vënë një paralele ndërmjet pushtimeve moderne koloniale dhe rastit osman. Megjithatë thembrën e Akilit e ka lënë diku zbuluar kur thotë se ndryshimi ndërmjet tyre është se me çfarë ligjesh administrojnë territoret e pushtuara. Për Tarifën ka një ndryshim të fortë ndërmjet kodeve perëndimore, të drejtës romake dhe ligjit te Sheriatit, nëpërmjet të cilit osmanët sipas tij, sundonin me forcën e armëve dhe me përçarjen fetare. Nga mosnjohja e thellë, Sheriati, në specifikat e tij të së drejtës publike, reduktohet në dhunë dhe skizmë. Mbase autori ka parasysh imperativin romak “divide et impera”, por kjo nuk mund të aplikohet me pakujdesi në çdo rrethanë historike kur analizojmë natyrën e pushtetit. Për të demonizuar sundimin osman, Tarifa në mënyrë të pasaktë vendos paralele ndërmjet kolonializmit dhe praktikës osmane e cili në fakt është një rast klasik sundimi, sigurisht me koloritin e veçantë të saj. Them rast klasik, sepse edhe te osmanët si në perandoritë e mëpërparshme kishte një mundësi të qarkullimit të elitave. Makiaveli nuk e klasifikonte sistemin osman në regjimet tiranike, përkundrazi  i mvishte karakteristika pozitive, sipas tij, të ngjashme me perandoritë e antikitetit. Autorë të tjerë si Bodin, Busbecq, vëzhgues të Perandorisë Osmane, ngjashëm me të, në këtë çështje ndanin të njëjtin qëndrim. Diferenca kryesore e shembujve të Tarifës është se tek osmanët një njeri i talentuar praktikisht kishte mundësi të arrinte deri në gradët më të larta të hirarkisë së pushtetit, ndërsa një sundim modern kolonial si ai britanik në Indi, thjesht shtoi një kastë në rendin ekzistues të kastave hindu, atë të njërit të bardhë të mbipushtetshëm, duke mos levizur asgjë nga të mëparshmet.

Përpjekja e mjegullt e Tarifës kërkon të deligjitimojë osmanët si pushtues në histori, pa pasur nevojë t’u kthehet teksteve për të parë nëse osmanët kanë pasur për vete një ligjërim të tillë për të qenë pushtues. Dhe thelbi i këtij delegjitimimi është të pasurit e osmanëve për ligj të tyre Sheriatin, dhe fe Islamin, për këtë arsye ata nuk e meritojnë të “mëshirohen” nga historiografia shqiptare për t’u parë me objektivitet. Studiuesit mund të shikojnë legjitimitetin e agresioneve në rastet moderne kur marrëdhëniet ndërkombëtare së bashku me dallimet etniko-kulturore kanë filluar të luajnë rol gjithmonë e më të madh në rregullimet dhe konfliktet ndërmjet shteteve dhe popujve të ndryshëm. Këtu qëndron dhe diferenca kryesore ndërmjet pushtimeve të mesjetës dhe atyre koloniale, ku të parat përdornin si themel legjitimiteti për të qeverisur të drejtën hyjore, për ta mbështetur ekspansionin më pas me pretekste të ndryshme si përshembull  pretendimet për trashëgimi dinastike etj, ndërsa epoka kulmore e kolonializmi evropian, nën frymën e Iluminizmit shekullar, të drejtën për të nënshtruar popuj e gjeneronte në motivin e barrës së misionit civilizues, të cilin ia delegonte historia. Historianët theksojnë se ekspansioni osman në një moment të caktuar historik i dha vetes legjitimitet përmes së “drejtës” për të zotëruar territoret “legjitime” të Perandorisë Bizantine, e cila në dekadencën politike në të cilin ndodhej kishte lënë një vakum pushteti në Ballkan. ( I vendos në thonjëza termat e drejtë dhe legjitimet, pasi ka sot njerëz që në mënyre naive i refuzojnë keto nocione në rastin e “pushtuesve”dhe harrojnë që këto prekin një tjetër kohë me të tjera mendësi). Tursun beu, një nga kronikanët e Mehmet Fatihut në veprën e tij “Tarih-i Ebu-l Fet’h”, përdor të njëjtën retorikë legjitimimi në ligjërimin e tij, duke e paraqitur rezistencën e vendasve ndaj fuqisë perandorake si një rebelim mjeran dhe të padenjë për osmanët. Sot ne e kemi kthyer përmbys po këtë ligjërim në emër të naconalizmit (dhe islamofobisë) duke i quajtur osmanët të padenjë për të pushtuar dhe sunduar si gjithë të tjerët botën e atëhershme, vetëm mbi faktin se ata kishin fe dhe ligje të ndryshme nga romakët, Napoleoni dhe britanikët. Mbase Tarifa me konstatimin e diferencave në pushtime/administrime, do të kishte preferuar ato veneciane, serbe dhe greke të cilat i zëvendësoi Perandoria Osmane në territore të mëdha të banuara nga shqiptarë, pasi qeverisja e tyre bazohej në kode më pranë atyre kodeve të “mirave” sesa atij të “keqit”. Kjo lloj qasje ndaj historisë, siç duhet ta dijë edhe vetë Tarifa, është shumë larg shkencores.

Tarifa ka një paqartësi ndaj termave “turk” dhe “osman”, sa që duket se termi “turk” e vjel nga mesjeta për të emëruar të gjithë muslimanët e kësaj perandorie. Ai i ngatërron përgjatë shkrimit të tij këto dy terma, për të kulmuar në afirmimin e së “vërtetës” se turqit nuk u larguan për 500 vjet nga Shqipëria, deri ditën që u shpall pavarësia e shtetit shqiptar. ( Qëllimisht ose jo, ai harron se gjatë atyre ditëve të pavarësimit, në tokat shqiptarë kishte më shumë serbë, malazezë, grekë e bullgarë sa mbase dhe shqiptarë. Ata pak ushtarë osmanë qe kishin mbetur, luftonin krahas rezervistëve shqiptarë në mbrojtje të Shkodrës). Mbase ai nuk e di që në tokat e banuara me shqiptarë, ka një histori shumë të shkurtër të turqve si sundimtarë a administratorë direktë, në krahasim më pesë shekujt e Perandorisë Osmane në këto anë, dhe kjo histori lidhet kryesisht me periudhën pas Tanzimatit. Pjesa tjetër e kësaj marrëdhënie është kryesisht ajo e sundimit të tokave shqiptare dhe më gjërë nga vetë shqiptarët nën autoritetin perandorak. Tek ky autoritet sigurisht arrihej përmes përqafimit të një sistemi vlerash, të cilat njësonin maksimalisht strukturat sociale me rendin politik të kohës. Jo vetëm dy autorë, Eqerem bej Vlora dhe Hamdi Bushati, pinjoj të elitave sunduese lokale, e konfirmojnë në veprat e tyre faktin se paraardhësit e tyre qeverisnin në trevat respektive. Edhe historiografia “e parishikuar” mbështet këtë tezë kur pasqyron kundërshtinë e elitave shqiptare ndaj Stambollit, pas prekjes së privilegjeve të tyre shekullore nga zbatimi i reformave të Tanzimatit.

Ka një pafajësi në pretendimin e Tarifës se administrata osmane qeveriste vetëm me dhunë, dhe kjo vjen ngaqë, mbase, autori është i informuar mbi këtë periudhë nga autorë (Pulaha, Zamputi, Thëngjilli) të cilët u mëshojnë vetëm fakteve që paraqesin dhunë. Por faktet e dhunës, pavarësisht peshës së tyre nuk mund të eklipsojnë marrëdhëniet shumdimensionale dhe implikimet e tyre në një realitet perandorak disashekullor. Në të kundërt një narrativë e tillë do të shndërrohej në një raport kronologjik të hallakatur në kohë dhe hapsirë, i padallueshëm nga një manual i teknikave të dhunës dhe  mjeteve të torturës. Si efekt të kundërt kjo do të prodhonte një tip tjetër narracioni të ekstremi tjetër, i cili do të qëndiste në një format idilik të gjithë evidencat kulmore të së kaluarës osmane, për të prodhuar një realitet skandinav modern. Me të tjera fjalë, këtyre lloj tendencash në historiografi u ka skaduar koha diku nga fillimi i shekullit XX.

Kjo lloj historine e autorëve që përmend Tarifa, e cila merret me gjurmim faktesh të izoluara dhe seleksionimin e tyre, ka për synim ndërtimin e miteve për të ruajtur monopolin në parashtrimin e njohjes historike me synime të qarta politiko-kulturore. Siç thotë Barthes “miti e privon nga historia objektin për të cilin flet: prej mitit avullon historia” dhe padyshim “pushtimi osman 500 vjet” është një mit, i cili ka avulluar shumë histori. Miti në këtë rast thjesht zhvendoset dhe pasurohet në kontekste të caktuara historike e ideologjike në të cilat militojnë riprodhuesit e tij. Në fillim “pushtimi osman 500 vjet” dominoi ligjërimin romantik të rilindasve, i pashmangshëm në projektin e tyre të ndërtimit të kombit. Më pas ky ligjërim u fut në formatin e dialektikës nacional-marksiste mesianike të Enver Hoxhës, për t’u shtrirë i ridimensionuar në ditët tona si platformë për këdo që trumpeton mes nesh teorinë e diskredituar të “përplasjes së qytetërimeve”.

Shumëkush preferon të nxijë të trashëgiminë tonë osmane që të brumosë individin shqiptar me një identitet të “përshtatshëm”në mjedisin e sotëm perëndimor. Ky lloj identiteti që na propozohet refuzon të njohë ndonjë vlerë dhe kontribut që na vjen nga ajo kohë, me faktin e thjeshtë racist se kjo periudhë ka qenë një “aksident historik”. Fatmirësisht kjo lloj mitologjie identitare intensive e ka një kundërshtar, dhe ajo është liria akademike. Kushdo është i lirë sot të shkëputet nga klishetë e deritanishme, dhe të sjellë përpjekje serioze  që mundësojnë afrimin e shqiptarve më pranë njohjes historike. Kjo sfidë në këtë fushë, do të tregojë në të ardhmen se në ç’mënyrë intelektualët shqiptarë duan ta përdorin lirinë.

 

Comments

  • Artikulli eshte shume i mire, pergezime. Ndoshta trajtimin me te mire ne favor te osmaneve si administratore e ka bere Ardian Vehbiu, por ky artikull me pelqen vecanerisht pasi ve ne dukje paragjykimet qe ushqejne kete debat, qarte, kthjellet dhe ne menyre te informuar mbi literaturen egzistuese. Emrin e Tarifes mund ta zevendesosh me nje numer kontribuesish te tjere ne kete debat e prandaj ky artikull eshte i vlefshem pasi perballet me nje mendesi e menyre qasjeje qe nuk limitohet tek nje autor si Tarifa.

    • mesa shoh, autori e nxjerr si te parendesishme kundershtine pushtues-administrator. Loje fjalesh e quan.

      Fjala “administrator” ne fakt i sherben me teper atyre qe kane vene si gur baze themeli ne historiografine mitologjike “monolitin 500 vjecar” te pushtimit. Kjo fjale ngjan si cinike ne raport me ashpersine e pezullt, urgjencen e konceptit “pushtim 500vjecar osman”, i cili edhe pse ne diskreditim te pandalshem si koncept, ende prodhon aq radioaktivitet sa per ta molepsur e kompromentuar nje koncept te ri po aq ideologjik sa ai i “administrimit osman”. E rendesishme eshte te kuptojme idiotesine e pashoqe te mitit te “peseqind vjeteve pushtim” (imagjino nje ereksion qe zgjat pese shekuj), te “monolitit” qe permend Eltoni, nje kohe jashte historise, e totalizuar dhe e organizuar rreth fjaleve “pushtim”, “erresire” etj etj.

      Autori ne fakt kur flet per administrim te tokave sot shqiptare gjate 500 vjeteve, kete ua njeh kryesisht vendasve (sigurisht, si delegim autoriteti perandorak). Pas leximit te ketij artikulli, sidomos pas pasazhit ku thuhet se edhe historiografia jone e derimetashme e njeh “vetadministrimin” si koncept (ndryshe pse kemi epoene e Kryengritjeve kunder Tanzimatit), m’u kujtuan tekstet qe pershkruajne kete koncept nga Sami Frasheri, nga Faik Konica dhe Tajar Zavalani, nga Ismail Qemal & Eqrem Vlora. Nuk i gjeta dot ne version te tranportueshem te gjitha pasazhet, ndaj futa vetem Konicen dhe Zavalanin. Patjeter qe edhe “vetadminstrimi” ka tiparet e veta mitike, po gjithsesi me te komplikuara dhe me sfiduese sesa debiliteti qe rrezaton “peseqindvjetpushtimi”

      • Do sugjeroja leximin e ketij artikulli nga Peizazhe te Fjales, me te cilin bie dakort se nuk eshte i parendesishem dallimi midis “pushtues” dhe “administratore.”
        http://xhaxhai.wordpress.com/2011/08/25/gramatika-e-pushtimit/

        Alber Hourani ka shkruar per ate qe ai quan “patrician politics” pikerisht per te vene ne dukje qe ashtu sic pretendohet me siper nga autori se tokat shqiptare jane administruar nga shqiptare, te njejten gje pretendon Hourani per teritoret e Sirise.

        Megjithate dallimi anashkalohet jo sepse mendoj se autori e konsideron te parendesishem, por sepse nuk do qe t’i zihen kembet me kete debat dhe duket sikur hidhet menjehre tek qasjet dhe paragjykimet mbrapa qasjeve te Tarifes & co.

        Ne fakt une kam mendimin se kjo eshte e qarte edhe per nje sere kontribuesisht te tjere te debatit, por problemi eshte per shume prej tyre se behet fjale per nje pari shqiptaresh osmane, myslimane. Shkurt muhabeti, tradhetaret. Mua me duket kjo e qarte edhe tek libri i Piro Mishes kur flet pothuaj si shkarazi per ceshtjen e njohjeve te pronesive te bejlereve dhe eshte interesante te shihet lidhja e kesaj mendesie me tensionin per ceshtjen e pronave.

        • Ambiguiteti i titullit qe i ka perdorur Eltoni, mendoj se eshte perfekt: dmth lidheza bahkerenditese “dhe”, sherben edhe per te ndare “pushtuesin” nga “administratori”; por, sigurisht, edhe per te treguar se pushtuesi ishte EDHE administratori, pra politikisht ishte i njejti subjekt: dallimi eshte thjesht ne periudhe. Dmth nese ndodhi ne nje moment pushtimi, gjendja e tij u normalizua dhe normatizua shpejt ne nje situate te njohur dhe te vjeter, te ngjashme me ate te sundimeve romakobizantine. Si zhvillime te reja (po jo krejt, po te kemi parasysh periudhAT bizantine) mund te numerojme ne faktin se elitat vendase dhe bashkesite fisnore malesore administronin territorin, paguanin tribute ose taksa, sherbenin si ushtare ne emergjencat perandorake, benin presion apo edhe lobonin ne qender per me shume te drejta etj. Ajo cka kam kuptuar une si shume te rendesishme nga artikulli eshte nevoja per te mos folur per 500 vjet te ndonje dickaje, qofte kjo pushtim apo administrim, apo edhe vetadministrim. 500 vjet jane shume per te grupuar ndonje zhvillim historik. Ne fakt nqs ka zgjatur ndonje dicka 500 vjet, kjo eshte pak a shume koha qe i korrespondon politikoadministrativisht perfshirjes se tokave sot shqiptare ne Perandorine Osmane; po as ndonje pushtim, as islamizimi, as devshirmeja, as kryengritjet, as pashalleqet, as nizamet, as bejtexhinjte, as kriptokrishterimi nuk kane kete kohezgjatje. Kjo duket si normale, po ne pergjithesi njerezit totalizojne dhe brendashkruajne si te barazvlefshme gati gjithcka qe ka ndodhur gjate rrumbullakosjes se pasakte 500-vjecare. Shifra eshte e pergatitur si qofte me mish te grire, per te futur gjithcka aty brenda, e per t’i dhene nje forme te rrumbullkosur ne fund.

          Dhe ne fund fare, di njeri te na thote sa ka zgjatur “pushtimi romak” i “Ilirise”? Sigurisht qe vetem ndonje pakice amatoresh te antikitetit mund te japin ndonje shifer. Dallimi eshte se periudha romakobizantine eshte pak a shume historike (sigurisht, bashke me ngjyrat absurde nacionaliste qe e shoqerojne ne imagjinarin kolektiv), por ajo osmane eshte thjesht politikofetare si periudhe. Deshmi per kete eshte ndarja thuajse e persosur fetarokulturore e debatuesve mbi rishkrimin e historise tone omane (nuk gjen bie fjala ASNJE katolik qe te kerkoje rishkrim), implikimi i qeveritareve vasale shqiptare ne kete diskutim dhe sidomos dhuna simbolike qe shoqeron debatin. Po te debatonin shqiptaret me kaq pasion per te drejtat e njeriut, per padrejtesite sociale, per mbrojtjen e mjedisit, kush do ishte si ne…

  • Sic thote edhe shkrimi, autore te tille si Thengjilli, Frasheri, Xhufi etj, e per pasoje edhe armata e kalemxhinjve xhandare te opinionit publik eshte pa te ardhme, per sa kohe Shqiperia nuk eshte me Republike Popullore Socialiste dhe autore te shumte shqiptare e te huaj po shtojne gjithnje e me shume raftet e historiografise moderne dekadente, duke treguar sesa mjerane jane tezat e tyre.
    Ajo qe spikat ne kete mes, eshte injoranca dhe palacolleku i thelle akademik i kesaj kategorie, qe synon ta shpjegoje historine me vjershat e Cajupit. Eshte banale, xhahile dhe e turpshme te paraqitesh ne kete nivel. Kur shikon te zberthehen kaq lehtesisht dhe ne menyre kaq shkaterruese akademike te tille qe kane me shume vite ne krye te katedrave, sa c’ka jete fizike Elton Hatibi, arrin te kuptosh shterpesine dhe gjymtimin e madh mendor te kesaj klase intelektualesh.

  • nga “Historia e Shqipnis” e Tajar Zavalanit

    “…në Shqipni nji aristokraci
    feodale prej origjine shqiptare qeveriste
    vëndin për hesap të Sulltanit, ndërsa fiset e
    malësive gëzonin të drejtën e vetqeverimit
    me fare pak kufizime. Nji pikë tjetër me
    randësi asht se bujku kristjan nuk ndjente
    kundrejt beut muhamedan atë mëni racjale
    që ndante Sërbin ose Bullgarin nga
    sundimtari turk.

    Ky asht ndoshta shkaku themeltar në
    ndryshimin ndërmjet evolucjonit të
    Shqipnisë dhe shteteve të tjerë të Balkanit
    në shekullit e XIX.
    Në kohën kur Ali Pashë Tepelena filloi
    karrjerën e tij, në qytetet kryesore si Janina,
    Berati, Vlona, administrata kryesohej nga
    vezirë ose pashallarë të emnuem me
    ferman të Sulltanit. Në qytetet ma të vegjël
    si Delvina, Kardhiqi, Preveza, Gjinokastra,
    Tepelena, etj., sundonin bejlerët vëndas, të

    cilët iu shtroheshin urdhnave të qendrës
    derisa iu leverdiste. Në krahinat malësore
    si Suli, Himara, Labërija, Skrapari, populli
    vetqeverisej, ashtu si Malësija e Veriut në
    kohët tona. Gjendja nuk ndryshonte nga
    fakti se Suliotët dhe Himariotët ishin
    kristjanë, ndërsa Labërija dhe Skrapari
    ishin myslimanë”.

    Faqe 148

  • Ja si e shihte punen dhe Faik bej Konica:

    “Në Bukuresht, nën drejtimin e një ish ministri radikal që mban emrin e lezeçëm Djali i Lepurit (Taushanoviç), botohet një revistë teologjike, Lindja ortodokse. Teologji, radikalizëm, lepur – sintezë e çuditshme që vetëm serbët mund ta sendërtojnë!
    Lindja ortodokse trajton sidomos çështje politike. Të tërheq shumë vëmendjen një artikull mbi Shqipërinë. Po e përmbledhim me pak fjalë: 1. Shqiptarët janë të egër. – 2. Nuk ka shqiptarë, ata janë sajuar nga Austria për të bezdisur serbët, bullgarët dhe malazeztë. – 3. Shqiptarët nuk kanë histori. Pirrua, Genti, Gjin Shpata dhe baronët e Moresë, Skënderbeu, ishin emisarë austriakë. – 4. Nuk mund të përmendësh asnjë shembull kryengritjeje shqiptare kundër turqve.

    (…)

    Shqiptarët kanë patur autonominë e tyre deri më 1830. Ata vetqeveriseshin dhe ishin zotër në vendin e tyre, dhe për më tepër jepnin një ndihmë të madhe në qeverisjen e përgjithshme të perandorisë.
    Ushtarët turq nuk vinin tek ne për t’u dhënë pas përvojave të kryqëzimit të racave siç bënin tek serbët dhe as për të na rrjepur, kështu që ne nuk kishim asnjë arsye për të ngritur krye. Ajo që do t’u pëlqente gazetarëve të ardhshëm serbë, u ishte dukur e pamjaftueshme stërgjyshërve tanë. Qysh nga heqja e autonomisë shqiptare më 1822-1830 ka patur shumë kryengritje, dhe nëse turqit qëndruan në Shqipëri nëpërmjet diplomacisë dhe forcës së tyre numerike, ata nuk kanë guxuar kurrë të bëjnë tek ne madje as të njëqindën e atyre që u kanë bërë serbëve dhe më vonë armenëve të gjorë.
    Përveç kësaj, unë jam gati të pranoj se shqiptarët s’janë shumë të qytetëruar, por me një kusht: që serbët, kur t’u vijë radha, të pranojnë me plot dëshirë që, nëse shqiptarët, të mbajtur në padituri, sigurisht kanë bërë pak përpara në rrugën e përparimit, serbët, që janë në po atë gjendje nuk kanë asnjë lloj justifikimi. Kanë gjysmë shekulli të pavarur dhe janë ende të qelbëzuar nga fanatizmi dhe shtazëria, pa qeverisje, pa ligje, më të prapambetur dhe më të korruptuar se turqit, lart, të mëdhenjtë, japin shembullin për të gjitha skandalet, poshtë, vegjëlia shembullin për të gjitha veset. Dhe për t’u qytetëruar, Serbisë do t’i duhen të tjerë lepuj si Taushanoviçi”.

    Albania, F 166-167, 1901, nr 10 (tetor)

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *