I vdekur pa gjyq. Përsëri.





Tarik Ramadan.

Edhe këtë herë nuk pati as gjyq e as gjykim. Gjatë pesë viteve të fundit skenari në botën arabe duket të jetë i njëjtë. Për të disaten herë rradhazi, i njëjti konfuzion, i njëjti perfundim dramatik. Sadam Husein, Usama bin Laden dhe Kadafi u vranë pa një gjyq të drejtë, pa gjyqtar dhe pa juri që të merrte një vendim, në mënyrën më të padenjë. Sadam Huseini u var në ditën e festës muslimane (pas një gjyqi parodi) dhe ekzekutimi i tij u filmua nga kamera celularësh. Usama bin Laden u vra i parmatosur, pa imazhe për të provuar fatin e tij. Kadafi u kap i gjallë, u rrah dhe më pas u ekzekutua. Me qindra njerëz rreth tij fotografonin fytyren e tij mbuluar nga gjaku. Ata ishin të qeshur, bërtisnin dhe madje edhe vallëzonin, ndërsa i tërhiqnin flokët dhe rrotullonin kokën e tij për të provuar se ishte vërtetë ai. Nisur nga këto pamje dikush me të drejtë mund të pyesë – ku ka shkuar njerzillëku ynë ?

Nuk ka dyshim se Kadafi ishte një tiran dhe një diktator. Por si një qenie e gjallë njerëzore, ai kishte të drejtën e një gjyqi dhe pas vdekjes, trupi i tij duhej të mbrohej dhe respektohej. Mbulimi i kapjes dhe vdekjes së tij dhe komentet e bëra rreth tij ishin ç’njerëzore, te çmendura dhe revoltuese; E urreva mënyrën se si u sollën vrasesit e tij (ata afer dhe ata larg tij). 

Ne tani dimë vetem një pjesë të historisë. Ai po përpiqej të largohej nga Sirte me një grup besnikësh kur forcat e NATO’s i lokalizuan dhe i bombarduan ata. Forcat Franceze që kryesonin operacionin ishin në gjendje ta ndalonin karvanin duke ndihmuar në këtë mënyrë kundërshtarët e Kadafit qe ta kapin atë. Ky ishte imazhi i kryengritjes së Libisë: pa NATO, opozita nuk do të kishte sukses ndaj Kadafit. Një pyetje kritike mbetet për t’u përgjigjur: çfarë roli do të luajnë forcat e huaja në të ardhmen e Libisë? Eshtë shqetësuese të shohësh Presidentë dhe Kryeministra,  si Nikolas Sarkozi, Barack Obama dhe David Cameron – të cilët haptazi bënin marreveshje me Kadafin deri vitin që kaloi – të përshëndesin vdekjen e tij ndërsa përpiqen të bindin publikun se ata kishin mbështetur gjithmonë demokratët dhe demokracinë.

Nën dehjen e fitores nuk po ka turp në përdhosjen e të vdekurve e as po ka turp per të gënjyer të gjallët. Libia është nën kontroll, thonë ata. Por kush po e kontrollon Libinë?

 Këshillit  Kombëtar të Tranzicionit (NTC) nuk mund t’i besohet. Ai udhëhiqet nga një ish-ministër i regjimit të Kadafit, i cili mendohet të ketë pasur lidhje të fshehta me inteligjencën amerikane shumë kohë përpara rebelimit. Gjithashtu, anëtarë të  tjerë të lartë të NTC kanë qenë të përfshirë në regjimin e mëparshëm, disa nga ushtria, disa nga zbulimi libian, ndërsa të tjerë janë identifikuar edhe si ekstremistë. Megjithatë, është mjaft e qartë se nëse NTC ka marrë një mbështetje të tillë të shpejtë nga Perëndimi dhe Kombet e Bashkuara, kjo është për shkak se aktorët kryesorë jane të njohur për ta dhe për faktin se kane marrë garanci se interesat e tyre do të jenë të mbrojtura. Prania e  lidërave francezë, britanikë, amerikanë dhe turq në Tripoli, edhe para se të kapej Kadafi konfirmon se ata kishin të drejtë.

Sot NTC duket sikur e ka situatën nën kontroll, por pyetje të shumta mbeten pa përgjigje. Aq shumë informata kontradiktore vijnë nga NTC (rreth marrëveshjeve të fshehta me Perëndimin, kapjen e individëve të caktuar, dhe madje edhe sukseset e saj në terren) dhe aq shumë trajtimi ç’njerëzor është dëshmuar gjatë luftimeve (sidomos kundër emigrantëve afrikanë), saqë ka arsye të forta për ta vënë në pikpyetje të ardhmen e Libisë si një shtet i bazuar në transparencë dhe vlera demokratike.

 Kadafi vdiq. Libianët kanë bërtitur dhe festuar. Faqja e një epoke të errët tashmë është kthyer. Por revolucioni nuk ka përfunduar akoma. Një vështrim i shpejtë në Irak, Egjipt ose Siri është i mjaftueshëm për të na bindur se interesa të fuqishme ekonomike dhe gjeostrategjike janë në lojë, dhe se vendet e përfshira janë larg të qenit autonomë. Libia nuk do të bëjë përjashtim: Shtetet e Bashkuara dhe vendet Evropiane nuk do t’i lejojnë regjimit të ri të përdorë burimet e naftës për të zhvilluar një solidaritet dinamik Jug-Jug në Afrikën e Veriut.

Libia është tani në një pikë kritike, muajt dhe vitet e ardhshme do të tregojnë nëse kemi dëshmuar një revolucion në rajon apo një rishpërndarje cinike të aleancave. Aq në borxh janë udhëheqësit e saj të ri në Perëndim saqë duket pothuajse e pamundur të shpresojmë në një të ardhme vërtetë të pavarur pe Libinë. Demokracitë e tilla të kontrolluara janë larg nga të qenit demokraci; rruga drejt çlirimit të plotë dhe të vërtetë është ende e mbushur me sfida.

 Pamjet e Kadafi të vdekur dhe të keqtrajtuar ishin një përvojë e trishtuar. Mbulimi mediatik dhe deklaratat e disa udhëheqësve perëndimorë, madje edhe arabë, që festonin vdekjen e tij dhe uronin Libianët, ishin edhe më shqetësuese. A po kremtonin ata për shkak se diktatori kishte vdekur, apo për shkak se rruga ishte e hapur tashme për të implementuar strategjitë e reja të kontrollit ? Ajo që supozohej të ishte një marshim drejt lirisë, sot duket gjithmonë e më shumë si një rrugë që con drejt problemeve dhe një lloji tjetër robërie në të ardhmen.

Perktheu G.B.

http://www.tariqramadan.com/Dead-Without-Trial-Again.html

Comments

  • Si gjithmone me vend fjalet e Ramadanit. Allahu i ruajte vellezerit tane ne Libi se te gjitha fuqite e medha i kane pergatitur kthetrat per pasurite e saj…

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *