Tmerri Islamist.





e-zani.

Në numrin e fundit të revistës The Economist lexojmë apologjinë e kësaj reviste ndaj Reshit Ganushit, liderit të partisë islamiste Nahda në Tunizi. Në të thuhet:

Në artikullin tonë të javës së kaluar mbi gratë në zgjimin arab (“ Now is the time “), ne thamë se Reshit Ganushi (Rachid Ghannouchi), udhëheqësi i partisë tuniziane Nahda, kundërshton kodin liberal të të drejtave individuale të vendit të tij, ashtu si dhe Kodin e Statusit Persoanal dhe ndalesën që i bëjnë poligamisë. Ne thamë, gjithashtu, se ai ka kërcënuar që të varë në litar një feministe të njohur tuniziane, Raxha bin Salama (Raja bin Salama), në Sheshin Basixh të Tunizit, sepse ajo ka bërë thirrje që ligjet e vendit të bazohen në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Ne pranojmë se asnjë nga këto thënie nuk janë të vërteta: Z. Ganushi ka thënë qartë se ai pranon Kodin e Statusit Personal dhe se ai nuk ka kërcënuar asnjëherë të varë znj. Bin Salama. Ne kërkojmë falje pa rezerva.

Revista The Economist është ndër revistat më prominente në botë dhe e ka fituar këtë status duke ofruar standartet më të larta të gazetarisë dhe mund t’i ndodhë çdo reviste apo gazete të botojnë lajme apo reportazhe të pasakta. Publikimet serioze kërkojnë ndjesë kur një gjë e tillë ndodh. Por pse ishte qoftë e mundur të hynte në faqet e një reviste e tillë një informacion kaq ekstrem për një figurë politike që ka vite që ka dëshmuar pozicionet e tij si respektues i pluralizmit politik? A po shohim përsëri ringjalljen e tmerrit islamist, kur aktorë politikë apo të shoqërisë civile nga rradhët e myslimanëve përshkruhen me terma që ndjellin frikë dhe ankth edhe kur nuk ka asnjë veprim apo retorikë që ta justifikojë këtë jehonë frike?

Shohim të rikthehen në shumë vende arabe dhe në Perëndim të njëjtat dilema si në fund të viteve ’80 dhe fillimi i viteve ’90 të shekullit të kaluar, kur një sërë partishë islamiste korrën suksese elektorale, përfshi partinë e z. Ganushi, një figurë prominente e lëvizjes islamiste, i shkolluar në Sorbonë dhe azilant politik në Londër gjer ditën e rrëzimit të regjimit të Ben Alit. Kjo frikë ndaj rrezikut islamist bëri që në emër të ruajtjes të të drejtave personale, të shkelej e drejta e votës dhe të mbështeteshin diktaturat që supozoheshin se do ruanin stabilitetin, interesat perëndimore dhe të drejtat e grave. Revolucionet që rrëzuan regjimet si ai i Ben Alit, treguan se kjo lloj alternative nuk është më e mundur në Lindjen e Mesme. Gjer më sot, në Lindjen e Mesme përjashtimi i partive islamiste nga procesi demokratik është quajtur “demokraci e përjashtimit.” Kjo “demokraci” tregoi që nuk mund të mbijetonte. Në dallim nga gjithë parashikimet që ofronin një fitore prej 20% të votave për partinë Nahda, ajo fitoi mbi 40% të votave dhe z. Ganushi ka dhënë sinjalet e duhura duke u bërë thirrje disa partive sekulare që të marin pjesë në koalicion.

Incidenti që ka fituar goxha vëmendje kohët e fundit si afirmim i frikës nga islamistët por dhe i taktikave politike të bazuar në ngjalljen e frikës, ishte ai që pasoi transmetimin e filmit Persepolis në Tunizi. Pas filmit, disa të rinj të devotshëm shkuan të protesojnë kundra stacionit, pasi konsiderohej fyese përshkrimi në imazh i Zotit. Autori i këtyre rradhëve e konsideron këtë një teprim të panevojshëm, pasi përshkrimi në imazh i Zotit jepet në film si pjesë e fantazisë së një fëmije, e nuk mund të pritet që fëmija të ketë detyrimisht njohuritë e duhura teologjike mbi transhendencën e Zotit. Por duhet patur parasysh, gjithashtu, se edhe policët që u dërguan të shtypin protestën ndanin të njëjtën indinjatë si protestuesit. Filmi duhet parë me vëmendje edhe për faktin se tregon se si një revolucion, si ai iranian, mund të kthehet në shtypës dhe se një diktaturë fetare mer shëmbëlltyrat e gjithë diktaturave të tjera. Në këtë aspekt, deklarimet e z. Ganushi se një diktaturë sekulare nuk duhet zëvendësuar me një diktaturë fetare janë më se të mirëpritura.

Gjithsesi, nuk mund të injorohet fakti se filmi u dha në mes të fushatës elektorale,  ku disa parti sekulare ngritën mesazhin e tyre mbi bazë të mesazheve negative kundra partisë Nahda, z. Ganushi dhe fesë në përgjithësi. Gazeta The New York Times raportonte se elektorati dënoi ato parti që ngritën një fushatë të bazuar mbi negativitet e sulme kundra fesë, por u votuan parti sekulare që në vend të negativitetit për Nahda, u fokusuan në promovimin e vizionit të tyre për të ardhment e Tunizisë.

 

Lexoni gjithashtu

Iraku, Tunizia, Egjipti dhe dominotë e Lindjes

së Mesme.

 

Në Tunizi, një bloger emërohet ministër !

 

Kush e bëri Revolucionin?

 

Comments

  • I habitshem justifikimi juaj per imazhin e Zotit nga ana e atoreve te tij te rritur dhe konsiderimi teprim per ata qe shprehen indinjaten e tyre! Asnjera as tjetra nuk vijne era fetarizem dhe as drejtesi! Liberalizem me doktrinen.

  • Leave a Reply to Adil Cancel reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *