Mbi “bullgarët” e Shqipërisë





Nga Algert Skënderi.*

“Në Shqipëri ka 300 mijë bullgarë, por në shkallë të ndryshme janë të asimiluar”, kjo është deklarata e historianit Bozhidar Dimitrov, një ish ministër dhe momentalisht drejtor i Muzeut Kombëtar të Historisë në Bullgari. Ai shpjegoi se bëhet fjalë për popullatën e vjetër bullgare që nga koha kur shteti bullgar ishte i shtrirë në gjithë Ballkanin. “Në shekullin e 13-të, vendi ynë humbet kontrollin mbi këto toka, por popullsia mbetet. Ne mund të kontrollojmë me lehtësi se sa bullgarë ka në Shqipëri, nëse nesër  njoftohet se do të jepet shtetësi bullgare brënda 24 orëve për atë që deklaron se ai është një bullgar etnik, atëherë unë jam i sigurt se do të behen më shumë se numri i tyre i vërtetë, nga 300 mijë do të jetë rreth 1,5 milionë “, tha Dimitrov për agjensinë e lajmeve “Fokus” kohë më parë.
Tani që çdo ditë e më shumë në Shqipëri po afrohet regjistrimi i popullsisë, në Bullgari shtohen debatet për komunitetin bullgar këtu dhe jepen shifra nga më të ndryshmet, gjë që e çon komunitetin bullgar gati sa gjysma e popullsisë së Shqipërisë. Të habitur gjithmonë më pyesin për vërtetësinë e këtyre lajmeve miq të mij Goranë të Bullgarisë, por që atje njihen me emrin Pumak.
Pumakët kanë qenë gjithmonë populli më mik i shqiptarëve, sepse në të gjitha etapat i ka bashkuar e njëjta kauzë. Pasi janë një popullsi autoktone ballkanase dhe jetojnë kryesisht në Trakën e vjetër.
Gjatë perandorisë së parë bullgare, e ardhur nga Mongolia nën drejtimin e Asparukh Khanit në vitet 680/681, Trakia dhe shumë mbretëri të asaj kohe pushtohen. Në ato vite vijnë dhe misionarët e parë arabë muslimanë në rrugë detare nëpërmjet Qipros, dhe shumë nga popullsia vendase qoftë e Qipros apo qoftë e Trakisë kthehen në muslimanë. Kështu, nën sundimin e khanëve popullsia vendase ka religjione nga më të larmishmet siç vërtetohet dhe nga letërkëmbimet 2 shekuj më vonë midis Boris Khanit të parë (Khan 852-889) dhe Papës Nikolo i parë (Papë 858-867).  Boris Khan në atë kohë dhe pse ishte prijës nuk quhej Car, por Khan, sepse nuk kishin shumë kohë që bullgarët kishin zbritur nga malet e Mongolisë. Mes letërkëmbimit të këtyre të dyve gjenden letra ku Papa veç të tjerash e qorton Boris Khanin që sapo ishte bërë i krishterë me emrin Mihail (i pari nga khanet i kthyer në të krishterë) të mos lërë më predikues arabë të cilët kanë hapur islamin në popullatën e perandorisë bullgare dhe t`i përzerë të gjithë pasuesit e kësaj feje.
Kështu fillon dhe gjenocidi i parë ndaj kësaj popullate e cila ishte autoktone dhe për të mbijetuar u shpërnda nëpër malet e perandorisë bullgare ku pjesë e së cilës ishin dhe trojet shqiptare. Shumica e tyre ngelet nëpër malet e Rodopeve, që shtrihen në gjithë bullgarinë jugore dhe në një pjesë të greqisë veri-lindore. Në trojet shqiptare kjo popullsi shtrihet kryesisht në  Gollobordë dhe në malin Sharr, që ndahet mes Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Në fshatrat e këtij mali në Maqedoni, janë gjetur dhe shkrime fetare islame që datojnë shekuj para perandorisë osmane. Fakt është se pumakët në të gjitha malet e Ballkanit ku ndodhen kanë të njëjtën traditë dhe të njëjtin dialekt të sllavishtes, dhe që ndryshon nga bullgarishtja.
Përpjekjet e pumakëve për te pasur shtet kur po binte perandoria osmane u realizuan në 1878 me krijimin e republikës Tamrash, por shumë shpejt republika ra me zgjerimin e bullgarëve të cilët ishin të favorizuar nga rusët duke bërë kështu gjenocid mbi popullsinë pumake. Zona ku shtrihej republika Tamrash e pumakëve përbente afro 40% të territorit të Bullgarisë së sotme.
Bullgaria mbasi fitoi pavarësinë, luftonte për të zgjeruar territorin e saj duke dashur të kishte përsëri perandorinë e dikurshme. Por pumakët të ndihmuar dhe nga shqiptarët  mbronin republikën e pumkëve Tamrash. Kjo është dhe arsyeja që nëpër malet e Rodopit janë me mijra persona shqiptarë të cilët kanë mbiemrin Arnaudov. Vetëm në facebook po te kërkosh nuk ja gjen dot fundin listës së mijra  personave që dalin me këtë mbiemër, por shumica me emra bullgare pasi komunizmi ndalonte çdo emër që nuk ishte i krishterë.  Dhe me e keqja është se në regjistrimin e para 4 muajve në Bullgari këta shqiptarë të mbetur atje janë të regjistruar si bullgarË pasi nuk njihej në formular kombësia shqiptare, por kjo është një temë tjetër dhe nuk është ky qëllimi i shkrimit.
Ne 1912-1914 pati një tjetër gjenocid mbi këtë popullsi, duke e konsideruar popullatën si mizore dhe turke (njësoj siç bënte Greqia me çamët. Por bullgarët duke ndjekur e vrarë këtë popullsi, depërtuan edhe  në qytete si Pogradeci, Elbasani dhe Dibra. Shqiptarë e goranë së bashku, luftuan kundra bullgarëve duke mbrojtur vendin tonë.
Gjatë viteve 1948-1952 pumakët u shpronësuan dhe në masë u detyruan të largoheshin nga malet e Rodopeve duke i shpërndarë nëpër Bullgari, duke i lënë pa të drejta për t’u bërë anëtarë të qeverisë apo zyrtarë.
Në 40 vite komunizëm, diktatori Teodor Zhivkov, nxjerr ligje që ndalonin çdo fe e cila nuk është fe bullgare dhe  çdo veshje apo gjuhë e cila nuk është bullgare, gjithashtu dhe emrat të cilët nuk janë bullgar duhet të ndërrohen. Kush nuk ishte dakort me kete vendim ishte i lirë të ikte jashtë vendit ose të burgosej. Keshtu ndodhi që Turqia hapi dyert për mbi 800 mijë pumakë në vitet `70 sipas statistikave zyrtare turke. Pjesës që mbeti në Bullgari, ju ndryshuan emrat e tyre dhe emrat e mbi 2000 fshatrave, madje edhe emrat e varreve që nuk ishin emra bullgarë ortodoks u hoqën.  Kjo ndodhi sepse Zhivkov ndjente rrezikun se me rritjen demografike që kishin pumakët ndaj bullgarëve shumë shpejt ata do rikërkonin republikën e tyre Tamrash ose do ishin shumicë ne Bullgari.
Duhet të binte komunizmi, dhe në 29 dhjetor të vitit 1989  pumakët vërshuan në sheshin e Sofjes duke kërkuar rikthim te emrit të tyre, gje që më vonë u miratua me ligj, por të shpërngulurit në Turqi nuk u kthyen më. Edhe pse ju kthye me ligj emri i vjetër musliman, vetëm pumakëve që mbajnë emrin ortodoks mund t’i ketë vlerë diploma që kanë marrë gjatë komunizmit, ndryshe nuk gjejnë dot punë pasi diploma nuk ka vlerë, e jo më të zënë vend në administratë. Pra vazhdon propaganda që këtë popullsi ta asimilojnë, dhe nuk i është kthyer e drejta e emrit 100%.
Por duket se edhe mbas hyrjes së Bulllgarisë në Bashkimin Europian, keqtrajtimi i kësaj popullate të padëshiruar në Bullgari vazhdon ende duke i konsideruar ata si një fatkeqësi natyrore. Aktivistë të partise Ataka, një parti nacionaliste bullgare në 20 maj 2011 (pra 5 muaj përpara),duke mbajtur edhe parrulla nëpër duar se nuk kanë vend pumakët në Bullgari, të veshur me rroba të zeza dhe të pajisur me shkopinj e hekura nëpër duar, sulmojnë pumakët në qendër të Sofjes brenda në xhami në kohën e faljes pasi ishte ditë e premte, dhe kjo ishte një protestë e lajmëruar më përpara në polici. Si pasojë, pati disa pumakë të plagosur me fraktura dhe me plagë të rënda, ndërkohë  që u dogjën tapetat e xhamisë. Nuk mund të numëroj incidentet që ndodhin ç’do muaj në mbi 1,267 xhamitë e Bullgarisë nga ana e nacionalistave bullgarë të cilët vizatojnë në ç’do xhami kryqa dhe shkruajne muret e xhamive duke i konsideruar pumakët si jo-bullgarë. Edhe pse Sofja ka pasur 44 xhami, momentalisht ndodhet vetëm 1 xhami funksionale dhe të tjerat ose janë prishur ose janë kthyer në kisha.
Duke i pasur para sysh këtë realitet që ata jetojnë, miqtë e mi pumakë shprehen të habitur në atë ç’ka flasin mediat çdo ditë në Bullgari. Shohin se në kanalet televizive bullgare transmetohen pamje të Gollobordës apo të malit Sharr dhe komentohen nëpër studio si popullsi bullgare.
Ku në fakt këta janë njerëz të cilët flasin të njejtën gjuhë sllave si pumakët, kanë të njëjtën traditë, të njëjtën fe, të njëjtat këngë popullore, dhe të njëjtat veshje si qeleshja që bullgarët para 5 muajsh para kamerave gjatë protestës e shqyen me thikë, apo edhe veshjet e grave janë të njëjta, të cilat në Bullgari kanë qenë të ndaluara  pasi nuk janë veshje bullgare.
Habia më e madhe për ta është kur shohin nëpër gazeta emra pumakësh të cilët jetojnë në Shqipëri dhe thonë jemi bullgarë. Kur në të vërtetë kjo popullsi që kryesisht shtrihet në Trakën e vjetër, ka ardhur në trojet shqiptare vetëm e vetëm për të shpëtuar lëkurën e tyre nga bullgarët.
Arsyeja që po e bëj këtë shkrim ka lidhje në veçanti  me goranët  që e deklarojnë veten si bullgarë në Shqipëri. Ndërsa ata pak ortodoksë mund ta quajnë veten bullgarë, grekë apo maqedonas siç po ndodh në Prespë. Unë pyes po muslimanët tanë ç’farë i shtyn që po bullgarizohen? A e dinë ata fatin e muslimanëve në Bullgari, apo ju intereson vetëm pashaporta europiane?
Kanë mbirë si kërpudha mbas shiut disa shoqata bullgare të hapura vitet e fundit në Shqipëri. Me e çuditshmja është një shoqatë e hapur në emër të një rilindasi bullgar “Ivan Vazov” i cili në  novelat dhe poemat e tij nxit luftë kundra pumakëve,  që ai i quan mizorë dhe vrasës të bullgareve. Një ndër poemat e tij titullohet “Kujtimet e Batak” ku autori tregon për rrëfimin e një fëmije që e imagjinon  i cili ka parë me sytë e tij si i është vrarë nëna dhe babai me plumb, ka parë xhaxhanë si i janë prerë gjymtyrët me hanxhar, dhe  gjyshen sesi gjaku i rridhte nga çatia,  sipas autorit këto masakra i bëjnë pumakët kundra bullgarëve, e gjithashtu në poezi vriten edhe 200 vajza që ishin në kishë të cilat digjen te gjalla bashkë me kishën. Në fund fëmijën e vogël e mbajnë të burgosur në fshatrat e pumakëve. Pra, autori jo vetem që imagjinon, por tregon edhe horror në poezitë e tij, duke i bërë bullgarët të mendojnë se të gjitha fatkeqsitë i kanë nga pumakët. Kështu autori bën thirrje për hakmarrje ndaj popullsisë, gjë e cila ndodh në 1912 ku vriten mbi 20 mijë pumakë dhe nuk dihet numri i saktë i të shpërngulurve pasiqë Bullgaria merr përfundimisht Republikën Tamrash.
Duke hulumtuar për këtë shoqatë e cila është hapur në emër të një poeti të çmendur i cili bënte thirrje për masakra, më rezulton se kjo shoqatë bullgare është e themeluar nga Zehrudin Dokle i cili është goran (pumak), dhe nuk ka asnjë lidhje as me bullgaret të cilët identitetin e tyre e kanë krijuar më vonë se  pumakët të vinin në malet e trojeve shqiptare, e as me fenë apo traditen e tyre, ku për këtë shkak janë përzëne nga vendi i tyre dhe kanë ardhur ne Shqipëri.
Me fjalë të tjera është njësoj sikur një çam të hapi shoqatë me emrin e “Napoleon Zervës” që i ka vrarë çamët, dhe të thotë se çamët jane grekë. Ose një boshnjak i Shijakut të krijojë shoqatë me emrin e “Radko Mladiç” dhe të thotë se ne jemi serbë dhe t`i pajisi me pashaportë serbe bosnjakët. Ose edhe ti kthejë në fenë e të parëve, siç vëllai i Zehrudinit, Namik Dokle akuzonte Berishën vite përpara se po islamizonte shqiptarët sepse u futëm ne konferencën islamike.  Mjafton një klikim tek faqja familjadokle.com për të parë se disa nga antarët e kësaj familje janë të martuar me bullgarë, dhe duke uruar njeri tjetrin festat e krishtera. Lind pyetja se ç’farë lidhje ka sot Zehrudini me Bullgarinë përveç se shkel mbi kockat e gjyshërve te tij?
Përgjigjen e gjej në një intervistë të tij në 4 korrik 2010 për agjensinë e lajmeve “Fokus”. Aty Zehrudini i intervistuar si drejtor i shoqatës “Ivan Vazov” tregon për takimet e tij gjatë viteve të nivelit të lartë për çështjen e minoritetit me ish-presidentin Petar Storjanov dhe ish-kryeministrin Simeon Borisov dhe me shumë intelektualë të tjerë. Në intervistë tregon se është i lumtur që tashmë Bullgaria ka një ministri për bullgarët jashtë kufijve. Tregon se për të marrë një pashaportë bullgare duhet të shkosh 4 herë në Bullgari, dhe ankohet pse nuk jepen pashaporta me anë të ambasadës në Shqipëri. Pra në këtë mënyrë Zehrudini shpreh pakënaqësinë e tij për kthimin e ngadaltë të goranëve në bullgarë. Në intervistë ndër të tjera thoshte dhe se goranët e malit Sharr, kanë të njëjta tradita me bullgarët. Gjë të cilën me siguri Zehrudini e ka parë tek pumakët. Pra njësoj sikur një shqiptar të shohë në luginën e Preshevës popullsinë atje, dhe të thotë se shqiptarët kanë të njëjtat tradita me serbët dhe ne jemi serbë. Nëse pumakët janë bullgarë, athere përse Bullgaria nuk kërkon minoritetin e saj në turqi ku dihet se atje janë miliona? Rasti më i fundit ajo e shpërnguljes së popullsisë gjatë kohës së komunizmit. Po në Greqi përse nuk e kërkon minoritetin e vet atje? Janë qindra fshatra të pumakëve në  Greqi të cilët edhe ata janë muslimanë sllavë folës.
Ne biografinë e Zehrudin Dokles që nuk ka lënë faqe interneti pa e hedhur vihen re aktivitete nga më të ndryshmet të jëtës së tij si një intelektual i rrallë i rruzullit tokësor. Ajo që mua më vret sytë është se nga viti `88 deri në vitin `99 biografia  e tij është bosh , duke fshehur kështu faktin që ai ishte punonjës i ambasadës shqiptare në Bullgari. Pyes: vallë pse duhet ta fshehë këtë fakt? Takimet që i ka bërë me presidentë e kryeministra bullgarë kanë qenë si kryetar shoqate siç deklaron, apo si përfaqësues i shtetit shqiptar kur punonte në ambasadë dhe si vëllai i një prej politikanëve më në zë në vend? Ideja që të bëhej bullgar ishte përpara se të punonte në ambasadë, apo kur shkoi atje pranoi të punonte për bullgarët?
Në një intervistë për revisten “Geografija 21” pyetjen nga gazetari Petar Stefanov drejtuar profesorit goran Romeo Eftimi, se a kanë marrë pjesë në jetën publike dhe politike bullgarët në Shqiperi? Profesori me krenari tregon për jetën politike të Namik Dokles. Pra ne kemi pasur një zv/kryeministër dhe kryeparlamentar bullgar dhe nuk e kemi ditur. Nuk e dijmë akoma nëse Namik Dokle ka marrë pasaportë bullgare apo  është akoma me ne muslimanët shqiptarë? Pasi nga ne ka marrë edhe votat disa mandate rrjesht.

Për fat të keq i njejti problem ndodh edhe me Maqedonasit, te cilët edhe pse janë në krizë të identitetit të tyre, nuk ngurrojnë të hapin kurse të gjuhës maqedonase në Shqipëri. Rasti më i fundit është deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë ku thonë se në Shqipëri ka 120 mijë maqedonas. Themelues i një shoqate që quhet “shoqata e minoritetit bullgaro-maqedon në Shqipëri” është dhe Selim Muça, ku momentalisht drejton Komunitetin Musliman Shqiptar. Dihet që maqedonas musliman nuk ka, dhe kjo ishte arsye se përse gjatë luftës së 2001, goranë e shqiptarë bashkë ishin bashkë për të mbrojtur të drejtat e tyre. Dhe shumë xhami të goranëve, veçanërisht në Prilep dhe Manastir, u dogjën, ndërkohë që shumë prej tyre u perzunë nga shtëpitë dhe ju dogjën pronat  në mënyrë që të mos kthehen më. Manastiri një qytet që në vitin 1945 kishte 83% muslimanë, tani ka me pak se 10%. Muajin e fundit kryetari i partisë të goranëve ne maqedoni Fijat Canovski bashkë me 3 deputetë të kësaj partie refuzuan të regjistroheshin si maqedonas muslimanë, ndërsa 2 ditë pas dështimit të regjistrimit të popullsisë në Maqedoni, kryeministri i Maqedonisë N.Gruevski viziton Gollobordën duke shpërndare kapele e flamuj maqedonas.
Z.Muça duhet të deklaroje qartë nëse është me Shqipërine apo me Maqedoninë? Se kjo sjellja e gollobordasve/goranëve tanë si Selim Muça dhe Namik Dokle që për natë kadri hanë bukë sëbashku para kamerave sikur nuk shkon.

Duket se nga të gjitha këto paradokse, shteti shqiptar është paradoksi më i madh kur pranon aplikimin e standarteve të dyfishta. Kur pranon që popullsia e vet t`i kthehet në greke, dhe harron që shqiptarët në Greqi janë vrarë dhe u janë marrë tokat. Harron se ka mijra shqiptarë në Bullgari, dhe lejon që Bullgaria në territorin e Shqipërisë të marrë një popullsi që nuk është e saj. Harron që në maqedoni shqiptarëve u shkelet e drejta në mes të ditës dhe kërkon ti japë të drejta minoritetit maqedon që nuk ekziston.

*Botuar me pare tek gazeta Tema. Derguar nga autori.

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *