Sëmundjet amerikane.





Besnik Sinani.

Fundi i Luftës së Ftohtë konfirmonte për shumë amerikanë një nga mitet më të rëndësishme kombëtare, atë të veçantisë amerikane (American exceptionalism). Rënia e Bashkimit Sovjetik dukej të bënte të dukshme për këdo atë që do thoshte ish Sekretari i Shtetit, Warren Christopher: “S’ka kush ta udhëheqë botën përveç nesh.” Dy luftra që Amerika nuk po i mbyll dot në mënyrë të pranueshme, kriza financiare e shoqëruar me papunësi dhe rritja e statusit të Kinës kanë sjellë dyshime për këtë imazh të veçantisë amerikane.

Edhe intelektualë publikë amerikanë si Thomas Friedman, që promovojnë idenë e veçantisë amerikane si një vend apo komb si asnjë tjetër, në librin e tij të fundit shkruar me ekonomistin Michael Mandelbaum, shkruan se Amerika vërtet ishte madhështore, por kjo nuk do të thotë se vazhdon të jetë. Fakti që kjo pyetje duket të jetë një nga çështjet më të debatuara të vendit që dy dekada më parë ishte superfuqia e pakontestueshme e botës është tregues për shumë amerikanë dhe vëzhgues nga vende të tjera se në këto dy dekada diçka nuk ka shkuar mbarë, se Amerika ka humbur drejtimin e saj dhe se ajo sot është një superfuqi kokëulur. Cilat janë sëmundjet e Amerikës?

Revista Foreign Policy ia ngriti këtë pyetje gjashtë ekspertëve dhe intelektualëve të njohur nga vende të ndryshme të botës, të cilët trajtuan secili një nga aspektet e asaj çfarë vlerësojnë si arsyet e rënies së Amerikës. Për intelektualin hollandez Ian Buruma, sëmundja kryesore ka të bëjë pikërisht me këtë bindje veçantie, me iluzionin imperialist të të gjithëpushtetshmit, bindje që shpërtheu pa rezerva pas 11 Shtatorit e veçanërisht pas pushtimit të Irakut më 2003. Ky lloj iluzioni, sipas Buruma, ka në themel ashtu si në perandori të mëpërparshme një sens misionar me origjinë fetare, artikuluar si “misioni civilizues” i francezve apo “barra e njeriut të bardhë” të britanikëve, paralel sipas Buruma, me bindjen amerikane se vlerat e veta janë universale dhe se duhet t’i përhapë në mbarë botën, qotë nën tytën e armëve. Kjo bindje nuk ka qenë e dëmshme vetëm për popujt ku është ushtruar, por edhe për vetë Amerikën, pasi ka tharë buxhetin e vendit dhe ka marë kaq jetë njerëzish. Njëkohësisht, ka sjellë një militarizim të jetës së vendit me glorifikim të ushtarakëve, që e bën Amerikën, sipas Buruma, të ngjashëm me diktatura ku rrugët e vendit janë gjithë gropa, ku muret e shkollave janë duke rënë, ndërkohë që ka një ushtri të fryrë e me pajisjet më të fundit.

Gjendja e shkollave, pjesë e një debati të përditshëm këto ditë në ShBA, adresohet dhe nga komentatori nga Emiratet, Mishaal Al Gergawi. Në themel të problemit amerikan, sipas tij, është një problem që Amerika e prodhoi vetë: ekonomia e dijes (knoëledge economy). Kjo lloj ekonomie solli avancim teknologjik dhe lindjen e firmave si Apple, por njëkohësisht solli humbjen e punëve për shumë amerikanë, punë që vajtën, për shembull, në Indi. Ndërkohë që punët që krijohen nga kompani si Apple, Facebook apo Google, nuk mund të zëvendësojnë numrin e punëve që u humbën nga prodhuesit e makinave si Ford apo GM. Pjesë e problemit është se sistemi shkollor amerikan nuk po përgatit njerëz për këtë lloj të ri ekonomie se teksa universitetet e saj janë ende më të mirat në botë, në shkollat e mesme 30% e nxënësve nuk diplomohen. Amerika doli në vend të 31të në një grup prej 65 vendesh në nivelin e dijes së matematikës nga nxënësit e shkollave të mesme. Si do jetojnë këta nxënës në këtë ekonomi të dijes? Gjithnjë e më tepër, studentët e doktoraturave në shkenca dhe inxhinjeri në ShBA janë nga vende të tjera.

Për Sunil Khilnani, profesor në King’s College në Londër, sistemi aktual presidencial amerikan është kthyer në barrë për vendin, pasi çdo president shpenzon gjithë periudhën e parë të zgjedhjes si fushatë elektorale që të rizgjidhet për herë të dytë dhe fokusohet në përpjekjet që të pëlqehet nga elektorati në vend të zgjidhë problemet që nganjëherë kërkojnë zgjidhje që nuk pëlqehen nga publiku. Ashtu siç i duhet të rikrijojë veten ekonomikisht, Khilnani sygjeron se Amerika duhet të rikrijojë veten politikisht, gjë për të cilën ai propozon që në vend të mundësisë për t’u zgjedhur dy herë nga katër vjet, Amerika të adaptojë sistemin e një zgjedhjeje të vetme për gjashtë vjet, sistem që praktikohet në vende si Meksika.

Për ekonomisten holandeze Heleen Mees, faji kryesor për këtë gjendje të Amerikës gjendet tek qeveria federale, e cila mbështeti ato sektorë ekonomikë që financohen nga borxhet si sektori financiar që krijoi flluckën e tregut të banesave, në dëm të sektorit prodhues. Një nga ekonomistët më të njohur në botë, kinezi Fan Gang i shton kësaj rolin që ka luajtur fakti që dollari ka qenë monedha globale, çfarë krijoi iluzionin se Amerika mund të shpenzonte dhe huazonte pa fund pa patur ndonjëherë ndonjë dëm prej saj. Fakti që zotëronte monedhën ndërkombëtare, nuk lejonte të shiheshin shenjat e alarmit qysh më parë.

Për kanadezin Vaclav Smil, problemi i Amerikës është grykësia, veçanërisht në shpërdorimin e energjisë. ShBA përdor gati dyfishin e energjisë për individ në krahasim me vendet e pasura të Evropës perëndimore por kjo nuk i ka bërë këta banorë të Amerikës dyfish më të pasur, më të lumtur, më të sigurtë, më të arsimuar se banorët e Gjermanisë, Hollandëz apo Danimarkës. ShBA prodhon më shumë energji për frymë se sa çdo ekonomi tjetër e pasur dhe nëse do konsumonte në shkallën e Gjermanisë apo Francës do ishte një eksportues madhor energjie. Por në fakt Amerika importon 25% të energjisë që përdor. Kjo është e ngjashme, thotë Smil, me problemin akut të shëndetsisë ku Amerika edhe pse shpërdoron duke hedhur gati 40% të furnizimeve ushqimore, ka gjithsesi popullatën më të madhe në mbipeshë në botën e industralizuar.

Për mbështetësit e idesë së veçantisë amerikane, të këtij statusi special, fuqia dhe prosperiteti amerikan janë të një rëndësie të dorës së parë për stabilitetin dhe progresin e botës dhe sipas tyre, udhëheqja globale që ka ofruar gjer më sot Amerika është më pozitive se çdo alternativë tjetër e mundshme sot. Që ky status të ruhet, shkruajnë Friedman dhe Mandelbaum, nevojitet që Amerika të ruajë statusin e veçantisë si vendi më atraktiv për ata që duan t’u japin jetë ideve e shpikjeve të reja, vendi me politikat më të hapura të emigracionit, vendi me sponsorizimet më të mëdha qeveritare për punë kërkimore, me universitetet më të mira dhe me stabilitet të tregut. Vetëm duke ruajtur dhe duke punuar në forcimin e këtyre karakteristikave, Amerika do mund të ruajë statusin e një vendi special.

Problemi është se me gjithë patosin e krenarisë që promovon ky vizion, shancet elektorale janë që presidenti Obama të zëvendësohet me një nga kandidatët republikanë, shumë prej të cilëve duan të presin fondet shtetrore që mbajnë në këmbë institutet e qendra kërkimore, janë kundra politikave rregullatore të tregut dhe kanë një vizion të mbyllur e agresiv rreth emigracionit. Ka ndër kandidatët republikanë që duan eleminimin e ekuivalentit tonë të Ministrisë së Arsimit. Ka kandidatë që duan të marin kryesinë e shtetit më të fuqishëm të botës, teksa janë pasues të një ideologjie anti-shtetrore, që beson në zvoglimin e rolit të shtetit, e programeve dhe sponsorizimeve të tij.

Amerikanët kanë të drejtë që janë të shqetësuar për rolin e vendit të tyre në botë, ndërkohë që analistë në shumë vende të botës, siç bënte para pak javësh në një shkrim për rastin e Kosovës edhe Besnik Pula, po shqyrtojnë rikonfigurimet e reja të forcave pas tërheqjes së mundshme amerikane nga rajonet e tyre. Një riformulim i rolit të Amerikës në botë do të thotë një rikonfigurim i forcave në të gjitha rajonet e globit.

Comments

  • Une them se e meta me e madhe e Amerikes eshte imperializmi i saj dhe militarizmi i skajshem shoqeruar me politika te jashtme te gabuara. Psh konsidero vedimin e fundit te administrates se Obames per te prere fondet per UNESCOn pse kjo organizate pranoi Palestinen si shtet. Vendime te tilla qe shkojne kundra asaj cka eshte e drejte dhe e moralshme jane shembuj te problemeve te thella politike qe ka Amerika

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *