e-zani.

Lexojmë në gazetën Shekulli se një revistë franceze “provokon myslimanët” duke deklaruar se pas zgjedhjeve në Tunizi, ku fitoi partia Nahda, do “emërojnë” Profetin Muhamed si kryeredaktor. Besojmë se dimë të njohim një artific interesant dhe me humor edhe kur mund të jetë cimbues për sensitivitetet tona fetare. Por nëse ky është lloji i humorit që bën për të qeshur francezët, ata janë bërë për t’u qarë hallin. Në shoqërim të lajmit, gazeta Shekulli ka zgjedhur të sjellë për ilustrim edhe karikaturat famëkeqe të botuara për herë të parë në gazetën Jyllanda Posten në Danimarkë. Dyshojmë se gazeta Shekulli nuk është e njohur me faktin se myslimanët konsideruan fyes jo vetëm botimin e këtyre karikaturave nga gazeta daneze, por edhe riciklimin e tyre nga ente të tjera mediatike. Ribotimi i këtyre karikaturave u kuptua si mbështetje për fushtën fyese të gazetës daneze.

Sigurisht që gazeta Shekulli ka të drejtën të botojë këto karikatura dhe ne besojmë tek rëndësia e ruajtjes së lirisë së shprehjes, por i kujtojmë Shekullit se disa nga gazetat më të njohura në botë, nga The New York Times tek The Guardian e quajtën ribotimin e këtyre karikaturave si shpërdorim të lirisë së fjalës dhe si një provokim të shëmtuar që fyen ndjeshmëritë e myslimanëve.

Për besimtarët myslimanët duhet parë begatia që na ofron çdo rast për të kujtuar dhe medituar mbi shembullin profetik. Siç dimë, politeistët e Mekës përdridhnin emrin e Profetit, paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, në mënyrë që në përkthim kthente emrin “I Lavdëruari” të profetit tonë në “Mashtruesi,” pjesë e fushatës së politesitëve që pretendonin se mesazhi monotesit i Profetit që sfidonte besimin e tyre në idhuj ishte i rremë. Profeti përgjigjej duke thënë se “Falenderoj Zotin që më ka ruajtur nga gjuhët e tyre. Ata nuk shajnë Muhamedin por një njeri tjetër që nuk ka emrin tim.”

Të gjithë ata që riciklojnë këto karikatura synojnë të provokojnë dhe ofendojnë por nuk po vizatojnë Profetin tonë, atë njeri që u dërgua si manifestim i mëshirës dhe dashurisë së Zotit, ata po sjellin portretin e diçkaje tjetër. Ato karikatura janë autoportrete të përbrendshmërisë së atyre që i promovojnë, i fobive, paragjykimeve, injorancës dhe mangësisë shpirtërore.

Duke komentuar mbi protestat e dhunshme të shumë myslimanëve nëpër botë, sheh Abdullah Adhami kujtonte myslimanët se përpjekja e njerëzve si karikaturisti danez për të ofenduar Profetin është si një zog pule që hyn në ring të boksit për të mundur Muhamed Aliun. Myslimanët u alarmuan a thua se një zog pule do hidhte poshtë boksierin më të famshëm të të gjitha kohërave.

Sipas The Columbia Encyclopedia (2000) emri Muhamed është emri më i përdorur në botë. Emri i Profetit, paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të gjendet në veprat më të bukura të artit botëror dhe mbi një miliard myslimanë në botë, kur dëgjojnë emrin e tij të shenjtë luten: Paqja dhe Bekimi i Zotit qoftë mbi të.

Në emër të tij u ndërtua një nga civilizimet më të mëdha të njerëzimit, mesazhi dhe shembulli i tij vazhdon të frymëzojë e t’i japë kuptim ekgzistencës së miliona e miliona njerëzve. Ata që sulmojnë atë kanë kontribuar vetëm në rritjen e tensioneve dhe në gjuhën e urrejtjes.

Le të përdorim këtë rast për të kujtuar fjalët e Zotit tonë në Kuran:

“Vërtet Zoti dhe engjëjt dërgojnë përshëndetjet e paqes mbi Profetin. O ju që keni besuar, lutuni për të me lutjet më të mira.”

Comments

  • Kjo eshte Franca, vendi qe ka per frymezim nje ngjarje si Revolucioni, ku u vrane kleriket dhe ka ndaluar feja.
    Revolucioni marshon.

    • O Roald, puna eshte qe te kuptohen menyrat se si respektohet fakti qe jetojme ne nje vend njerez me sensitivitete te ndryshme. Me duket e tepruar te leshohen mallkime…

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *