Kosova dhe Enver Hoxha





Çelo Hoxha

Qytetarët e Kosovës, në një pjesë të madhe, kanë një strukturë emocionale të deformuar. Ata përjetojnë ndenja të kundërta, njëkohësisht, për pjesë identitike të të njëjtit objekt. Në Kosovë adhurohet Enver Hoxha dhe urrehet Tito (ose Millosheviçi e të tjerë), kur të dy janë e njëjta gjë. Ky deformim vjen se ata njohin vetëm variantin komunist të historisë së Shqipërisë (londineze). Kur shikon se dhe Arbën Xhaferri, një ndër shqiptarët më të ditur e ndër të paktët mendimtarë të gjallë të kësaj race, mendon se “Enver Hoxha ka më shumë merita për Kosovën sesa për Shqipërinë”, sipas një interviste të tij me Enver Robellin, niveli i enverizmit te shqiptarët e ish-Jugosllavisë është i lartë. Arbër Xhaferri, dhe gjithë ata që mendojnë si ai, duhet të lënë urgjentisht çdo punë që kanë në duar dhe të lexojnë ca histori Shqipërie, por jo variantin e shkruar nga shërbëtorët e diktaturës.

Partia Komuniste Shqiptare, 1941, ishte instrumenti politik me të cilën jugosllavët e përdorën për shkatërrimin e kombit shqiptar. (Në lidhje me Shqipërinë Jugosllavia zbatonte platformën serbe). PKSH u themelua nga dy jugosllavë, Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha. Deri në 1948, PKSH punoi për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë. Kjo është e vërtetuar.

PKSH nuk ishte parti politike, por bandë. Ajo s’kishte ideologji. Lidhja e brendshme e anëtarëve të saj ishte kompromentimi me pjesëmarrje në krime. Këtë e kanë deklaruar vetë komunistët në Plenumin II të PKSH, 23-28 nëntor 1944, në Berat. Anëtarët e saj, të zgjedhur nga Popoviçi dhe Mugosha, ishin gangsterë, analfabetë dhe pjesëtarë të pakicave jo shqiptare. Kjo formulë ishte kopjuar nga Rusia. “Shumica e udhëheqsve kryesorë të komunizmit nuk ishin rusë, por anëtarë të minoriteteve,” vëren Emil Lengyel, në librin “Nationalism, the last stage of communism”, 1969.

Gjatë luftës gjithë vizioni i PKSH ishte ndërtuar nga Tito, i cili e përcillte me anë të letrave. Për të futur Shqipërinë në gjirin e Jugosllavisë, Tito e dinte që do të haste pengesa. Ai u tregua i vëmendshëm që në nisje, në rezolucionin e themelimit të PKSH nacionalistët u cilësuan rrezik. Pas luftës rezolucioni u falsifikua, rreziku nacionalist u zëvendësua me rrezikun nazist, por në 1949 historiani jugosllav Vladimir Dedijer, botoi pjesë nga rezolucioni origjinal.

Qemal Stafa e gëlltiti karremin i pari. Në 1942, ai filloi të përhapte urrejtjen për nacionalistët. “Nesër do të jenë armiqtë tanë”, i kishte thënë Koço Tashko, e ky ia përcolli informacionin Kominsternin. Stafa u vra shpejt, por u kthye në hero, kur, në fakt, ishte veç një terrorist i mbetur në tentativë. Antinacionalizmi i PKSH vazhdoi dhe pas vdekjes së tij, por brenda rrethit të saj të ngushtë. Në fillimet e saj, PKSH ndihej e dobët dhe u përpoq që të krijonte një farë fronti të përbashkët me Ballin Kombëtar. Nacioanlaistët i shikonin me dyshim komunistët, sepse ata, sipas Mid’hat Frashërit, kryetarit të BK, bashkëpunonin me “elemntë kriminalë, jugosllavë dhe grekë”. Dyshimi i nacionalistëve rezultoi i bazuar. Megjithatë, me nxitjen e aleatëve, BK pranoi dhe kështu u mbaj mbledhja e Mukjes, gusht 1943. Në Mukje u ra dakord që nacionalistët dhe komunistët të bashkoheshin në “luftë për një Shqipëri të pamvarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botnisht e të garantuem nga Karta e Atlantikut të vetëvendosjes së popujve për një Shqipni etnike”. Sipas dëshmitarëve okularë, Miladin Popoviçi ia grisi në sy Enver Hoxhës proklamatën e marrëveshjes dhe ia flaku copat në fytyrë. Jugosllavët nuk mund të pranonin që PKSH të luftonte për Shqipërinë etnike. Ata donin që PKSH të merrte pushtetin dhe Shqipëria t’i bashkohej Jugosllavisë. Për këto arsye nisi lufta civile. Lufta civile synoi, dhe ia arriti, mposhtjen e nacionalistëve.

Nuk ka asnjë dyshim që deri në 1948 PKSH punonte për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë. Data e “çlirimit” të vendit u shpall 29 nëntori, kur dihet që qeveria komuniste hyri në Tiranë në 28 nëntor 1949. Data 29 ishte simbolike për Jugosllavinë dhe, kur të futej në federatë, Shqipëria ishte e integruar dhe me simbolet. Jo vetëm kaq, duke ngulmuar për 29 nëntorin si çlirim i Shkodrës, jugosllavët tentuan që të fiksonin në kujtesën e shqiptarëve, si kufi verior të tyre, Shkodrën. Nga ana tjetër, në 1946, Tito i sugjeroi Enver Hoxhës që Shqipëria të mbante 28 mijë ushtarë, një për çdo kilometër katror të Shqipërisë. Numri i dëshmorëve shqiptarë të luftës u caktua gjithashtu të ishte 28 mijë, një shifër që duket e dalë nga goja e Titos. Pra, Shqipëria do të futej në federatë me 28 mijë km katrorë dhe, nëse dilte më vonë, do të dilte po me këtë sipërfaqe. Me krijimin e incidentit të Kanalit të Korfuzit, ku u dëmtuan disa anije angleze, të cilat ndeshën në minat e vendosura në ujërat shqiptare nga jugosllavët, Tito i shpalli botës kufirin jug-perëndimor të Jugosllavisë. Më herët, në kushtetutën jugosllave, neni 44, ishte parashikuar pranimi i republikave të reja në federatë dhe në ndërtesën e re të Federatës, në Beogradin e ri, ishte parashikuar ndërtimi i shtatë kabineteve: një për çdo republikë, përfshi dhe Shqipërinë.

Në krye të politikës shqiptare gjatë gjithë kësa kohe ishte një person: Enver Hoxha. Ai është përgjegjësi kryesor për tradhëtinë kombëtare.

Me orinetimin e jugosllavëve, vitin e parë në pushtet, komunistët shkatërruan ekonominë dhe në verën e vitit 1946 në Shqipëri u shfaq kriza e bukës. Në kulmin e krizës, nëntor 1946, Jugosllavia i ofroi Shqipërisë një marrëveshje ekonomike, sipas të cilës bashkoheshin doganat, barazohej monedha dhe çmimet. Enver Hoxha ishte në ballë të punës për bashkimin e dy vendeve. Shtypi i huaj shkroi që në korrik për bashkimin, pas nënshkrimit të traktatit shqiptaro-jugosllav të miqësisë. Në 5 janar 1948, ai deklaroi në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të PKSH: “Sekretar i Përgjithshëm nuk jam unë, por Mareshali. Ne jemi parti, si partitë e republikave të tjera me sekretarët e saj, me vijën e njëjtë me të tjerat. Këtu është çështja që ne ta kuptojmë partinë në këtë kuadër.” Koçi Xoxe e këshilloi të matej disi, por Hoxha sqaroi: “Unë kam thënë se edhe Partia duhet të shkojë në baza federale, pse e gjithë kjo vijë politike që shtrojmë aty të çon.”. Dhe më tej: “Atë që thashë e them prapë se të gjithë sektorët të shkojnë në atë rrugë, me baza federale, duke qenë kështu Sekretar i Përgjithshëm Titoja. Kështu vendi do të shkojë në një federatë.”

Shqiptarët duhet të jenë të qartë: Enver Hoxha ka qenë deri në fund armik i Kosovës, njëlloj me Titon dhe udhëheqësit e tjerë serbë. Në plenumin e jashtëzakonshëm të KQ të PKSH, 18-20 dhjetor 1946, Enver Hoxha deklaroi: “A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën? Kjo nuk është progresiste. Pra, në këtë situatë, përkundrazi, duhet të bëjmë ç’është e mundur që kosovarët të vëllazërohen me jugosllavët… Ata që nuk e kuptojnë këtë, ne e kemi për detyrë t’i luftojmë”. Dhe i luftoi të gjithë.

Kulti i Enver Hoxhës në Kosovë besoj se ka nisur pas vitit 1948, kur Shqipëria u prish me Jugosllavinë, por ai u masivizua në kohën e demostratave të vitit 1981 në Kosovë. Në këtë kohë në trojet shqiptare kishte mbërritur televizori, i cili e lehtësoi punën e propagandës dhe një vit më vonë Enver Hoxha botoi vepërn e tij Titistët. Kjo vepër është një gënjeshtër e gjatë 592 faqe (sipas botimit të Tiranës), por kosovarët nuk kishin si ta njihnin anën tjetër të historisë, realen. Pas 1948, Enver Hoxha nisi demaskimin e qeverisë së Beogradit, por e bënte këtë kryesisht për propagandë të brendshme dhe për t’i dëshmuar besnikëri Bashkimit Sovjetik. Prishja me Jugosllavinë nuk u bë nga shqiptarët. Bashkimi Sovjetik u dha u urdhër satelitëve të tij të distancoheshin nga Tito, dhe Enver Hoxha, në vend të Titos, zgjodhi këtej e tutje të kishte padron Stalinin.

Pas vitit 1948, Tirana i kushtoi vëmendje Kosovës, veçse jo për interes të kosovarëve. Me të ajo kërcënonte Jugosllavinë, mendonte vetëm si t’i prishte rehatinë Titos, thjesht kërkonte sa më shumë mundësi për tu dukur e vlefshme në sytë e Stalinit. Luftën kundër nacionalizmit, brenda Shqipërisë, Enver Hoxha e vazhdonte në mënyrë koseguente, duke i dhunuar ata brez pas brezi. Kjo ishte në interes të Titos. Në luftën kundër Shqipërisë, Titos i duhej dikush që t’i luftonte shqiptarët nga brenda, se nga jashtë ai i luftonte vetë. Ky njeri ishte Enver Hoxha. Mbajtja e një Shqipërie të dobët ishte suksesi më i madh i Titos.

Në 21 mars 1921, Mid’hat Frashëri e këshillonte Bedri Pejanin se “ne dimë me shpëtue Kosovën, por duhet ma parë me forcue Shqipninë, se anija do nji hu që të lidhet”. Në kohën e mbretërisë, Shqipëria po shkonte drejt këtij qëllimi, por gjithçka u hodh në erë nga lufta, jugosllavët dhe komunistët. Kur erdhi në pushtet, Enver Hoxha bëri pikërisht të kundërtën, atë që ishte në interes të Serbisë: e mbajti Shqipërinë të dobët, gati në gjendje urie. Sikur Shqipëria të mos kishte dalë aq e dobët nga komunizmi, rruga e Kosovës drejt pavarësisë do të kishte qenë më e lehtë, e ndoshta dhe më e shpejtë.

 

* Argumentat e këtij artikulli janë të gjitha të mbështetura në burime historike serioze, por këtu nuk janë vendosur referencat burimore për shkak të natyrës së shkrimit.

Comments

  • E tepruar – dhe po jam me shume i bute se sa c’duhet – po shume e tepruar ajo qe eshte thene ne kete artikull per Qemal Stafen. Qemal Stafa luftoi pushtuesin e vendit, djal i ri, idealist qe dha jeten per idealet qe besonte dhe kunder pushtuesit te vendit.

  • Nuk jam aspak dakord me interpretimet e fakteve historike dhe perfundimet e autorit.Po te kemi parasysh se ‘komandanti’ Enver Hoxha kishte graden- reshter-dhe zbatonte me perulesi urdherat e eproreve te huaj, i gjithe shkrimi bie poshte.

  • Nese Enver Hoxha zbatonte me perulesi urdherat e eproreve te huaj, nuk e kuptoj perse bie poshte shkrim. Shkrimi thote pikerisht kete, qe Enver Hoxha, ishte nje vazal i Titos dhe kishte per qellim realizimin e projekteve jugosllave, te cilat kishin ambicie territoriale ndaj Shqiperise. Shkrimi synon te hedhe poshte mitin e perhapur tek shume shqiptare te Kosoves, te cilet kane pare tek Enver Hoxha perkrahesin e tyre ndaj serbise. Nderkohe qe e verteta eshte krejt e kundert. Ai ishte xhelati i vertete i ceshtjes kombetare.

  • Falenderime autorit per kete shkrim kaq te nevojshem per lexuesin e e-zanit. Nuk mund te mos veme ne dukje ama nja dy cilesime, qe ndonese nuk i ulin peshe argumentit, do kish qene e mira te rishiheshin.

    Askush nuk mund te thote me siguri nese nje shumice kosovaresh duan Enverin dhe urrejne Titon njekohesisht. Nuk ka prova per kete, bile as per te kunderten e kesaj, apo edhe per gjjithe kombinimet e tjera te te dashurit dhe urryerit te Titos e Enverit. Po sido qe te jete, nuk ka arsye te mberrihet ne konsiderata si kjo:”Qytetarët e Kosovës, në një pjesë të madhe, kanë një strukturë emocionale të deformuar.” Kjo eshte pak e rende dhe i afrohet nje gjuhe te palejueshme

    Pervec Qemalit te shkrete, edhe nje figure tjeter eshte trajtuar ne menyre joobjektive ketu: Arber Xhaferri. Miresjellja dhe mirekuptimi per personat me aftesi te kufizuara, nuk mund te na sherbejne si “affirmative action” deri ne piken qe ta quajme Xhaferrin “një ndër shqiptarët më të ditur e ndër të paktët mendimtarë të gjallë të kësaj race”. Nese raca jone ka pushuar se menduari, kjo eshte pune tjeter, po te pakten te mos fyhet mendimi duke ia atribuuar nje ricikluesi si Xhaferri. Nje nga ushtrimet me te preferuara te Xhaferrit eshte te poshteroje kulturen e serbeve nen ate te shqiptareve, dhe kjo jo duke krahasuar kontributet ne arkitekture, letersi, arte, shkenca te dy popujve, por duke matur kush eshte me properendimori, me proatllantiku. Te pakten ta maste qyteterimin ne parametra te tjere si toleranca fetare, vlerat e familjes, po kete Xhaferri nuk mund ta beje pa lavderuar traditen otomane te shqiptarve. Kete te fundit, mendimtari yne e quan nazizem

  • Me gjithe vlersimin pozitiv te fakteve te sjellura ne elaborimin historik, te cilat mund te them jane shume te njohura prej shume kosovareve, ajo qe duket epistemologjikisht e paqendrueshme eshte qe ky shkrim te kete per bosht qendror idene se “ne Kosove adhurohet Enveri dhe urrehet Tito” nga kosovare te cilet qenkan ne nje pjese te madhe me “nje strukture emocionale te deformuar” (!?). E mbi te gjitha kur per kete ofrohet si argument botkuptimi i nje mesoburri, si te tjeret’ qe eshte prononcuar se “Enveri ka me shume merita per Kosoven sesa per Shqiperine”. Te gjitha keto me duken jashtzakonisht te pamatura per nje autor qe merr kalemin per te ofruar nje analize historike apo te cfaredoshme.

    Kosova dhe kosovaret, pervec nje shkalle margjinale aktivistesh politike te cilet me Enverin i lidhte ideologjia marksiste_leniniste, kishte eshte turma njerezish te zakonshem te cilet vajtuan per vdekjen e Enverit e e admironin aty, kryesisht ngase burimet e informimit mbi enverizmin nuk ishin asnjehere primare dhe kamuflloheshin nga diskursi pseudo_patriotik i vet Enverit. Nderkaq, edhe keto turma kane qene vazhdimisht te margjinalizuara, porse pas renjes se komunizmit ne shqiperi dhe vershimit te informacionit, edhe tek ay grusht njerezish idea e babes Enver pothuajse u shemb, ne perjashtim te disa pleqeve te cilet festojne pervjetorin e Enverit ne rruget e Ferizajt, te ndonje Hidajet Hyseni apo Jakup Krasniqi qe ende ne vitrinat e tyre mbajne portrete te Enverit.

    Nderkaq ajo qe ne fakt mund te degjohet perdite e me shpesh neper kafenete e Kosoves, eshte pikrisht e kunderta, njolloj nostalgjie relative qe eshte nje forme e shprehjes se frustrimit karshi deshtimit te sistemit te ri e qe me se bukuri do te shprehej me dilemen e Camuse “A me mire te jesh i lire e me barkun e zbrazet, apo te privohesh nga disa liri ne shkembim te konfortit dhe nje jetese materiale permbushese ?” E ne fakt, ky fenomen nuk eshte i ri ne Kosove porse eshte i pranishem gjithandej: ne Portugali me Salazarin, ne Irak me Sadamin,…e me siguri edhe ndonje dite ne Libi me Gadafin !

    Gjithesesi, uroj qe ju te vazhdoni te shkruani por lutem qe te keni kujdes nga paraqitje shabllone te perceptimeve spekulative te cilat ngase jane archi-subjektive, ska mundesi te verifikohen e edhe do t’ishte e pandershme t’u mveshen “nje pjese te madhe” te nje popullate 2 milionshe.

  • Une mendoj se pikerisht, per faktin se keto perceptime jane subjektive, nuk perbejne thelbin e shkrimit. Nuk mendoj se autori ka pasurper qellim te tregoje nivelin e perhapjes se nje dukurie ne shoqerine Kosovare, per me teper kur autori nuk jeton ne Kosove dhe perceptimin qe ka mbi atashimin popullor te kesaj shoqerie me Enver Hoxhen, e ka prej se largu, nga ajo cfare ofrojne mediat. Por, gjithsesi, qofte edhe mediatikisht, ekziston nje atashim i tille (nuk ka rendesi niveli) dhe pikerisht per kete, ia vlen qe te argumentohet mbrapshtia e kesaj teze.
    Ne fakt, me shume sesa vete Kosovaret, jane nje pjese e mire e historianeve dhe intelektualeve brenda Shqiperie po perpiqen te na japin nje portret nacionalist te Enver Hoxhes dhe kete portret t’ua shesin kosovareve si nje profil bamiresie per ta. Pikerisht kjo duhet denoncuar fort, jo thjesht per hir te se vertetes, por me shume per hir te vijimsise se pushtetit kulturor e intelektual ne Shqiperi e Kosove, i cili, sic nuk mund te mos verehet, po trashegohet sot prej pinjolleve te kupoles kriminale te regjimit te Enver Hoxhes. Per kete arsye, keta pinjolle, po perpiqen ta zbusin sa me shume portretin e Enver Hoxhes, patjeter, pa mundur dot ta ndricojne krejtesisht, ne menyre qe te zbusin sa te munden, legjitimitetin e tyre ne pozicionet publike qe zoterojne. Per kete arsye e gjykoj mjaft te vlefshem kete shkrim.

  • Me orinetimin e jugosllavëve, vitin e parë në pushtet, komunistët shkatërruan ekonominë dhe në verën e vitit 1946 në Shqipëri u shfaq kriza e bukës. Në kulmin e krizës, nëntor 1946, Jugosllavia i ofroi Shqipërisë një marrëveshje ekonomike,

    Duke u nisur nga ky paragraf i shkruajtur nga zotrija ,dua te shtoj qe te njten gje ka bere dhe pas ardhsit e enver hoxhes qe ne 91 berei te njten prpagand dhe gabim qe prishi fabrika dhe ekonomi per deshirat dhe qefet e dikujt tjeter . Dhe kishte mare fjalen qe do ja benin me te mira se ato te komunistve por fatkeqisht ishin fjal qe i mori era dhe shqiptart prap nisen kalvarin e vuajteve te emigrimit .

    • si tha Ylli Bufi” 6 dite buke kemi vetem”…
      po ceku i bardhe qe tundte berisha dhe pashko….
      nga nje vend industrial , perfunduam ne inagurimin e fabrikave te coca-coles apo qeseve..
      ne ndertimin e rrugeve kryq e terthore , ane e mbane shqiperise qe ti lehtesojme serbise dhe maqedonise transportin e mallrave te tyre.. ata ruajne mjedisin , kurse ne e rrafshojme me tunele ane e mbane shqiperise…

  • […]

    O CELO VETEM AKTI I LARGIMIT TE FLOTES TE BASHKIMIT SOVJETIK NGA VLORA NE RADHE TE PARE I KA SHERBYER KOSOVES. NESE VLORA DO TE ISHTE BAZE E RUSIT, TI MENDON SE NATO DO SULMONTE JUGOSLLAVINE?? ARBER XHAFERI KA TE DREJT KUR THOT ENVER HOXHA ISHTE ME SHUME NACIONALIS SE SA KOMUNIST OSE SIPAS MEJE AI ISHTE NJE NCIONAL KOMUNIST…DHE KOSOVA ISHTE PRIORITET I POLITIKES SE TIJ.

    [Fjaline e pare e censuruam per shkak se permbante fyerje banale e inatçore, qe nuk jane ne perputhje me etiken, e aq me pak te ketij mediumi. Ju lutem, behuni serioze dhe lerini menjane fyerjet e prepotencen. Ky lloj kapadeizmi ku cdo shqiptar behet kompetent duke e shfaqur idene e vet nepermjet “masakrimit” te autorit qe kritikon, eshte krejtesisht qesharak. Mund t’i shpalosni idete tuaja edhe pa fyer te tjeret, nese keni te tilla!

    Ju falemnderit! Admin]

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *