Panairi nga jashtë ekranit





E. Mërtiri

Java që u mbyll shënoi një nga eventet më të rëndësishme vjetorë për kulturën shqiptare: panairin e librit. Një panair kombëtar për librin është një ngjarje që duhet të kërkojë patjetër analize dhe diskutime, pasi aty ekspozohet çdo vit kultura e shkruar e një shoqërie. Mirpo, ashtu siç tashmë jemi mësuar të mos çuditemi, ky panair kaloi përmes paradoksit të bujës së madhe dhe reflektimit të pakët.

Duhet thënë që mediat i kushtuan mjaft vëmendje dhe hapsirë këtij eventi. Çdo ditë ekranet ofronin hapësira në lajme, biseda në studio, lidhje direkte, e po kështu edhe media e shkruar ka ndjekur të njëjtën linjë. Por, përveç ankesave të Ardian Klosit për pushtimin prej shtëpive botuese kryesore, të hapësirave të mëdha të qendrës së sallës së hollit të Pallatit të Kongreseve, gjë që kish detyruar shtëpinë botuese që ai përfaqëson të spostohej më në periferi të vëmendjes, nuk pamë tjetërkund ndonjë kritkë apo vlerësim profesional mbi atë çfarë po ndodh me librin në Shqipëri. Përkundrazi, çdo ditë kemi ndjerë në ekranet tona rrezatimin e suksesit të jashtëzakonshëm që ky event kish korrur, si dhe për vlerat e mëdha që libri shqip po i ofronte shoqërisë shqiptare.

Në fakt, reklama ka ardhur për shkak të fuqisë financiare të pjesëmarrësve, si dhe për shkak të lidhjeve që botuesit kanë me televizionet dhe gazetat, por edhe për shkak të disa protagonistëve shumë të lidhur me mediat, të cilët tashmë janë bërë autorë librash. Dhe në fakt, kjo oligarki e letrave, duket se përbën edhe fytyrën e vërtetë të këtij panairi, i zhvilluar në një stinë çuditërisht jashtëzakonisht prodhimtare (në kuptimin sasior të fjalës) për një mori figurash të ekraneve. Megjithatë, mendojmë të ndalemi pikërisht tek vlerat, pasi ato janë edhe më të rëndësishme.

Panairi, edhe nëse ka patur vlera, ato nuk u evidentuan dhe ky, në fakt është një problem më i madh se edhe vetë mungesa e vlerave. Bie fjala, gjatë këtij viti janë botuar libra të tillë si “Selaniku, qyteti i fantazmave” i historianit Mark Mazower, apo “Europa e egër” nga Bozidar Jezernik, pa folur këtu për një sërë botimesh nga fusha e letërsisë, filozofisë, sociologjisë etj, por nuk u pa asnjë hapësirë informimi për ta. Ajo që mësonim çdo ditë nga shtypi ishte gara në baterinë e atletëve amatorë të letrave si, Fevziu, Blushi, Rama, Ngjela apo edhe znj, Kadare.

Rekordin nga të gjithë këta e mbajti gazetari Blendi Fevziu i cili theu çdo parashikim duke shitur, vetëm në dy ditët e para mbi 1500 kopje, megjithëse mbi 5 mijë të tjera i kish shitur që prej daljes së librit në botim. Po kështu, Blushi e Rama, e kandë ndjekur nga pas suksesin e Fevziut, duke u ngujuar përgjatë gjithë ditëve të panairit prapa banakëve të shtëpive botuese, ku kanë nënshkruar autografë pa fund. Mund të thuhet se panairi kësaj rradhe të ngjante si në një kopsht zoologjik, ku njerëzit shëtisnin nga kafazi në kafaz, për të parë ekzemplarë të tillë krijsave të çuditshme të ekraneve që nuk të bie rasti ti shohësh live. Kështu, teksa Blushi e Fevziu kanë shitur më shumë libra, kafazi i Ramës, tërhiqte gjithmonë numrin më të madh të kureshtarëve. Mesa duket, Rama, qoftë edhe për përmasat e tij trupore, ofron më shumë kërshëri vizive në krahasim me ato verbale për masat e “lexuesve”.

Megjithatë, ajo që mund të thuhet nga pak për bujën e këtyre veprave, është se ajo përbën lajmin më të keq për botimet shqiptare. Një libër për Enver Hoxhën, si ai i Fevziut, i pavendosur në një konteskt të gjerë studimor e interpretativ përtej fakteve, përbën një problem të vërtetë kur shndërrohet në një ngjarje kaq masive. Gjithashtu e njëjta gjë ndodh kur sheh turma të tilla të përpijnë “Shqipërinë” e Blushit, me anekdoda të stërkonsumuara teologjiko-ateiste, me kanun, seks dhe rock’n’roll, të ai cilat i quan filozofi e histori të letrarizuar; “Kurbanin” e Ramës, i cili që në faqet e para na fton të vajtojmë për vështirësitë e bizneseve të Koço Kokëdhimës të ardhur për shkak të antikonformizmit të gazetës Shekulli; apo “Kohën e pamjaftueshme” të znj. Kadare, ku më shumë se me emrin e të shoqit, kuotohet në treg me premtimin për të zbardhur të gjitha sekretet e parrëfyera dhe të parrëfyeshme të tij, të dyshuara apo të vërteta qofshin. Sa për librin e Ngjelës, nuk ia vlen të ndalemi, qoftë edhe për faktin se është para kohe, pasi natyrisht, është herët për të shkruar kujtime, për sa kohë që nuk ke hequr dorë ende nga të qenit aktiv në ngjarjet që kujton.

Kjo ishte, me pak fjalë shkretëtira e përfytyruar nga jashtë ekrani, e ngjarjes më rrezëllitëse të kulturës shqiptare të vitit. Siç e thamë, nuk është se nuk pati vlera, por ato u errësuan nga shkëlqimi i rremë i protagonistëve të mediave shqitpare, disa prej të cilëve kanë vite që errësojnë rregullisht çdo vlerë në këtë vend.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *