Në konferencën “Besimtarë dhe jobesimtarë përballë sfidave të shoqërisë post-moderne”, të mbajtur dje në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës, në bashkëpunim me Këshillin Papnor të Kulturës dhe me Universitetin Urbaniana morën pjesë përfaqësues të klerit katolik si dhe akademikë. Referues special ishte Presidenti i Këshillit Papnor të Vatikanit, kardinali Gianfranco Ravasi. Vatikani, duke u mbështetur në një fjalim të Papa Benediktit XVI në vitin 2009, në lidhje me çështjet e ateizmit dhe indiferencës fetare, ka vendosur të organizojë 10 konferenca të tilla gjatë viteve 2011-2013, në 10 vende të ndryshme të botës, të cilat kanë një domethënie simbolike. Deri tani janë organizuar takime në Spanjë dhe Itali. Më pas është parashikuar Shqipëria, Suedia, Çekia, Italia, Zvicra, Franca, Rusia dhe SHBA.

Cardinal Ravasi, sipas gazetës “Shqip”, tha se me përzierjen e kulturave janë krijuar fenomene si fundamentalizmi apo multikulturalizmi, por duhet gjetur zgjidhja për shmangien e tyre dhe për gjetjen e një bashkëjetese të paqtë.

“Është rruga e ndërveprimit të kulturave. Shumë e lodhshme është rruga e dialogut. Dialog është të shihesh në sy, të shikosh mendimet në mënyrë reciproke”, – tha Kardinali.

 

Për të evidentuar rëndësinë e dialogut, Cardinal Ravasi e mbylli fjalimin e tij me një parabolë orientale: “Një njeri në shkretëtirë, pa nga larg një bishe. I trembur dhe në pamundësi për t’u fshehur, vazhdoi rrugën. Duke u afruar, pa se në fakt nuk ishte bishë, por njeri. U tremb sërish, pasi mund të ishte kusar. Por kur u afrua, rezultoi të ishte i vëllai që nuk e shihte prej 20 vitesh

Konferenca me praninë  e kardinalit Ravasi, vjen fill pas takimit me temë “Në çfarë beson ai që nuk beson?”, të  mbajtur në kuadrin e nismës  “Oborri i jobesimtarëve”, një strukturë e dialogut mes besimtarëve dhe jobesimtarëve, ngritur nga Këshilli Papnor i Kulturës. Titulli i takimit është marrë nga një një libër që përmbledh letërkëmbimin mes Kardinalit Carlo Maria Martini dhe shkrimtarit Umberto Eco, “bashkëbisedim” i realizuar në faqet e gazetës Liberal në vitin 1995; kurse vetë titulli I platformës e merr emrin nga oborri me të njëjtin emër që në Tempullin e lashtë të Jerusalemit, mirëpriste johebrenjtë, besimtarë të feve të tjera, agnostikët. Në takimin e Tiranës kanë marrë pjesë teologë, veprimtarë e përfaqësues të komuniteteve të ndryshme, fetare e jofetare në vend.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *