Integrimi i Shqipërisë në McEurope





E. Mërtiri

Zhvillimet kulturore në Shqipëri që prej viteve 90 po kalojnë në një proces transformimesh, të cilat, kanë ndryshuar rrënjësisht stilin e jetesës së shoqërisë, gjë ka çuar në prioritete të reja në planin kombëtar, politik, ekonomik, kulturor e moral. Aspirata e përgjithshme e një Shqipërie evropiane evidenton shumë nga projeksionet intelektuale, por edhe komplekset psiko-sociale që veprojnë në vetëdije të shoqërisë sonë. Europa, përbën një prioritet që ka arritur të gjejë tashmë konsensus të gjerë tek shqiptarët, për aq sa kjo shoqëri shfaqet e tërhequr prej stili perëndimor të jetesës. Hedonizmi dhe luksi i botës së konsumit, natyrisht që bëhet joshës për një popull të mbetur pa ideale, të mbrujtur me ideologji materialiste, për më tepër, të formësuar në kushte të një privimi deri në asketizëm prej nevojave më elementare të jetesës.

Parrulla kryesore e lëvizjeve që sollën rrëzimin e diktaturës, “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”, përmbledh, jo etjen e shqiptarëve për vlerat politike, ideologjike, kulturore e morale europiane, por për konfortin dhe mirëqenien ekonomike të këtyre vendeve, të cilat për një kohë të gjatë, kanë qene tundimi lunatik i përditshëm i shqiptarëve, duke intensifikuar tensionet në nënvetëdijen e një shoqërie të hermetizuar e pa valvola shkarkimi. Në këtë mënyrë, lëvizjet që sollën thërmimin nga brenda të kështjellës së pamposhtur të komunizmit shqiptar, erdhën më tepër si pasojë e një shfrimi popullor prej një ngarkese të tillë, sesa prej një vetëdijeje të qartë kolektive antitotalitare. Kjo shpjegon edhe dështimin e mëpasshëm për të ndërtuar aspiratën e ëndërruar gjatë ditëve të ndërrimit të sistemit, dështim i kurorëzuar në spektaklin e shpërthimit neurotik të demonstruar në ‘97-n.

Endërra evropiane, vazhdon të mbetet në sytë e shoqërisë shqiptare, si busull e lakmisë për të jetuar në bollëkun e dëshiruar që herët. Padurimi për të realizuar standardet e dëshiruara të jetesës, është shkaku kryesor i tensioneve të shumta sociale, kulturore e sidomos politike. Agresiviteti shoqëror është pasojë e një mjedisi neurotik që buron nga etja për të mirat materiale të munguara. Ky mjedis kultivon armiqësinë ndërmjet grupeve sociale, të cilët i zbrazin njëri-tjetrit të gjithë zemëratën e tyre, për dështimet e përbashkëta. Kjo situatë dëshmohet në të gjitha aspektet e marrëdhinieve shoqërore, në planin politik (e majtë/e djathtë), kulturor (lindor/perëndimor), fetar (mysliman/i krishter), gjeografik (veri/jug) etj. Kjo bën që , tjetri,  të shihet jo si një alternativë për shoqërinë, por si një objekt ku mund të adresohet gjithmonë faji. Gjuha e vrerit dhe mallkimit që haset masivisht në shtypin e përditshëm po dëmton ekuilibrat shoqërorë dhe po sjell një frakturë të rëndë që vështirë se mund të menaxhohet, për më tepër në një klimë të tillë vesi dhe inkoherence që karakterizon elitat shqiptare.

Miti i modernizimit

Në fakt, është e vështirë të përcaktosh se çfarë kuptojnë saktësisht shqiptarët me “integrim në Evropë”. Pa dashur të ndalemi në këtë diskutim, në një ide të përgjithshme ky proces konceptohet si një përpjekje kolektive për të adaptuar modelet shoqërore, kulturore e politike perëndimore. Në Shqipëri, Europa, si edhe perëndimi, konceptohen si entitete të përfunduar dhe unikë, ndryshe nga ç’janë në të vërtetë. Qasja ndaj tyre është mitike, larg një konceptimi racional objektiv. Perëndimi shihet si barazvlerës i modernitetit dhe ky i fundit është bërë tashmë sensi dominues i orientimit shoqëror, kulturor e politik. Modernizimi konceptohet si projekt patriotik, i barazvlefshëm me atë të integrimit të Europë, që tashmë ka fituar prioritet ndaj çdo aspirate kombëtare. Rrjedhimisht, edhe çdo element jomodernist, tradicional apo konservator shihet si një sëmundje shoqërore që mban peng zhvillimin dhe kërcënon integrimin, duke i parë në shumë raste me sy armiqësor.

Moderniteti përbën sot burimin kryesor të narrativës mitologjike për shqiptarët. Duke dashur të jenë të zhvilluar, të jenë të pasur, të qytetëruar në terma perëndimorë, ata përpiqen të brendësojnë dhe implementojnë me përpikmëri modelet  kulturore që vijnë nga vendet e zhvilluara perëndimore. Në një dialektikë redukcioniste, ky proces është konceptuar si një transformim rrënjësor, që duhet realizuar duke flakur tej gjithçka që vjen nga tradita dhe e kaluara jonë. Kjo dialektikë shoqëron mentalitetin shqiptar, në të gjitha sferat e komunikimit, që prej elitave deri në nivelet më të thjeshta. Gjithçka që çon përpara është moderne, e përparuar, perëndimore, ndërsa gjithçka që na pengon prej zhvillimit është tradicionale, e prapambetur, orientale. Në këtë mënyrë, projekti i ri kombëtar për shqiptarët, – projekt i cili ka lënë në hije problemet e vërteta kombëtare, – është ai i tjetërsimit të kësaj shoqërie në përputhje me një vizion modernist, liberal, në armiqësi me çdo element kulturor tradicional e konservator.

Kërcënimet e akulturimit global

Miti i modernitetit ka sunduar gjatë ideologjinë perëndimore dhe ende ushtron ndikim, megjithë kritikat e shumta që bota akademike ka prodhuar  në këtë fushë. Samuel Huntington, është një prej atyre që, në emër të modernitetit, ka kontribuar për polarizimin e botës në fund të viteve ’90. Ai flet për për superioritetin perëndimor, që vjen prej faktit se, sipas tij, perëndimi është qytetërimi i vetëm që promovon vlerat e lirisë dhe demokracisë, gjë që, i jep përparësi dhe të drejtën për të dominuar kulturat e tjera. Kjo teori ka provokuar reagime të shumta, gjë që ka stimuluar një mori veprash, që synojnë të ofrojnë reflektim mbi problemet e botës moderne dhe vendeve të industrializuara.

Benjamin Baber, duke kundërshtuar Huntingtonin, shpreh nevojën që perëndimi t’i kthehet vetvetes, dhe të njohë më mirë problemet e veta. Sipas tij, shoqëritë perëndimore duhet të lenë mënj’anë materializmin radikal, të përhapur në kulturën e konsumit. Ai shprehet se fuqitë e mëdha tregtare janë bërë gjithnjë e më të pakontrollueshme duke penguar demokracinë dhe zhvillimin e ekonomive të vendeve të ndryshme. Ai e quan këtë realitet, McWorld, bota që dominohet nga një kulturë popullore materialiste agresive, e krijuar ekskluzivisht nga tregu. Kjo kulturë synon ka prirjen të përhapet kudo, nëpërmjet marketizimit të shoqërizimit dhe shndërrimit të gjithçkaje në objekt të tregut. Shumë vend, bëhen për pasojë, prehë e spekulimeve të fuqive të mëdha tregtare e industriale, të cilat jo vetëm që imponojnë diktatin e tyre mbi ekonomitë lokale, por edhe imponojnë nje transformim te tërësishëm të kulturës në kundërshtim me kushtet lokale ku këto ato veprojnë.

Globalizimi po sjell transformime të mëdha kudo në botë, duke njëtrajtësuar kulturat dhe sistemet sociale. Kjo gjë ka vendosur në alarm studiues të shumtë, për vetë faktin që shoqëri të ndryshme vuajnë nga një paaftësi e frikshme e ruajtjes së kohezionit social. Megjithatë, ajo që vihet re kudo, është fakti që ky fenomen ka provokuar një reaksion të madh. Në shumë vende këto procese kanë provokuar reagime të forta, të cilat janë vënë në përballje ndaj asimilimit në mbrojtje të veçantisë së tyre kulturore. Një zinxhir barrierash jo vetëm kulturore, por edhe ekonomike e politike, po synojnë të ndalin ekspansionin e globalizimit në shumë prej vendeve të kërcënuara prej tij, dhe kjo i ka bërë studiues të ndryshëm të promovojnë skicojnë një panoramë të re të botës së nesërme, larg pretendimeve globaliste.

McWorld, magjepsja e shqiptarëve

Këto dukuri, përbëjnë realisht kërcënimin më të madh për shoqërinë shqitpare, si në planin kulturor, ashtu edhe në atë ekonomik e politik. Duke qenë një vend i vogël, ne jemi krejtësisht të pambrojtur përballë kapitalit, mallrave dhe modeleve kulturore të huaja, të afta të gëlltisin çdo prodhim vendas. Mundësitë konkurruese përballë një mekanizmi të tillë janë inferiore dhe për më tepër, shoqëria duket e paaftë për të kuptuar problematikën që ka trokitur. Shoqëria shqiptare është sot një sfungjer i tharë, i gatshëm të përthithë çfarëdo modeli që i vjen nga wonderland-i global. Shqiptarët duken ende të magjepsur nga “mrekullia ekonomike” globale, të etur për konsum, përkundrejt çdo çmimi kulturor. Mund të thuhet se ata janë sot populli më i gatshëm për tu t’u përfshirë në këtë proces akulturimi, pa patur thuajse asnjë merak për identitetin apo autenticitetin kulturor vendas.

Ndryshe nga ç’ndodh në perëndim, shqiptarët nuk kanë asnjë qasje kritike ndaj modernitetit, pavarësisht se ky proces ka filluar tashmë të shfaqë krizën e vet sociale. Asnjë diskurs serioz që të adresojë këtë problematikë nuk ofrohet në opinionin publik apo në qarqet akademike. Kjo ka bërë që, në të shumtën e rasteve, problemet sociale të mos trajtohen siç duhet duke mbetur thjesht në rang konstatimesh, të cilat me të padrejtë, në shumicën e rasteve i faturohen traditës. Moderniteti vijon të jetë i kërkuar dhe i dëshiruar me forcë duke u shtrirë në çdo hapësirë e duke përhapur njëkohësisht edhe të gjitha sëmundjet e veta, – në fakt, paradoksalisht ai po hyn në këtë vend kryesisht me sëmundjet.

Shoqëria shqiptare po rend drejt intensifikimit të dëshiës për tu identifikuar, qoftë edhe sipërfaqësisht me vlera të cilat, kudo në botën perëndimore, janë objekt i kritkës dhe skepticizmit intelektual. Kjo v jen nga një prirje kompleksive për t’u shfaqur sa më perëndimorë, gjë që fortifikon një logjikë antagoniste mbi qytetërimet, duke riprodhuar me besnikëri skemat radikale të përjashtimit kulturor. Halli i elitave shqitpare sot nuk janë problemet e shumta shoqërore, por arratisja nga pala inferiore e frontit të ndeshjes së qytetërimeve. Kjo përbën një kompleks superioriteti kulturor (që në fakt buron nga kompleksi i inferioritetit), të veshur me një krenari absurde për një qytetërim, të cilit një një masë të konsiderueshme, nuk i përkasim, – të paktën në kuptimin që e përkufizojnë perëndimin, antagonistët më të mëdhenj të traditës.

Elitat shqiptare, janë elitat më hantingtoniane në konceptimin e raporteve ndërmejt qytetërimeve, përkundër faktit që tezat e Huntington-it janë tezat më problematike për aspiratën evropiane të shqiptarëve. Ajo që nuk kuptojnë shumë njerëz, është fakti që teza të tilla përjashtuese rëndojnë pikë së pari mbi vende të tilla si ato ballkanike, ku bëjmë pjesë edhe ne. Nëse ka vërtetë ndonjë mundësi për integrim, kjo nuk mund të vijë pikërisht pa çlirimin prej mentaliteteve të tilla të përjashtimit kulturor. Vetëm një qasjeje pluraliste, e aftë për të konceptuar një shoqëri evropiane kulturalisht të larmishme, krijojnë shance që vende të tilla si Shqipëria, të mund të gjejnë hapësirën e tyre në Evropën së nesërmes.

————————–

Botuar në revistën “Shenja”.

Comments

  • Nje nga analizat me thelbesore te nje realiteti qe po i shtyp shqiptaret dhe ato po sillen si puna e atij gomarit qe po e shqyente ujku dhe thoshte, O Zot, beje enderr…

  • Falemnderit Gys

    Neuropa jone duket si e pasherueshme, po sa me shume te flasim per semundjen, aq me shume ka shanse per ndergjegjesim, te pakten, e ky eshte hapi i pare drejt shendoshjes

    Duhet te vije nje dite e kuptohet se luga bosh e Europes propagandistike me te cilen ushqejne popullin politikanet e intelektualet tane cinike, po zmadhohet e behet si gremine. Ngushellimi i vetem eshte se kur te biem perfundimisht aty brenda, do ta gjejme veten me Greqine dhe Kalabrine dhe Serbine e Rumanine: dmth ne te njejten kategori C ku kemi bere pjese perhere: kategoria Mc e endrres po shkermoqet minute pas minute.

  • Ju falenderoj!

    Politika e integrimit eshte mbushur me paradokse. Sa me shume sanksionohet verdikti mitologjik i integrimit aq me joperendimore jemi, gje qe domethene, aq me te paintegrueshem mbetemi. Paradoksi tjeter qe e kam ndeshur tek Prof. Feraj:
    – Per cfare na duhet Europa?
    – Ne menyre qe te mund te zhvillohemi dhe qyteterohemi.
    – Si mund te hyjme ne Europe?
    – Duke u bere te zhvilluar dhe te qyteteruar. Domethene, duke plotesuar standardet.
    – Ok. Por nese ne zhvillohemi dhe qyteterohemi, nese ne i arrijme keto standarde, per cfare na duhet te hyjme ne Europe?! Dhe, tek e fundit, a eshte Evropa nje rruge e domosdoshme qe premton patjeter zhvillim?!

    Problemi nuk eshte tek pyetja a duhet apo jo te integrohemi, por tek menyra sesi sillemi ndaj ketij procesi, si nxenes qe mesojne permendesh dhe qe kundershtojne cdo shok klase qe i riprodhon gjerat ne menyre te perifrazuar.

    Ne fund gjithcka reduktohet ne mitologji dhe endrra e integrimit eshte nje konstruksion, si ato te agjencive turistike. Ka intelektuale te shumte ne kete vend (te cileve nuk u degjohet zeri shume) qe e konsiderojne te gjithe kete, nje politike te paster kolonialiste, ose me mire, nje politike autokolonializimi.
    Ne fakt, praktikisht ne Shqiperi po behet gjithcka qe kerkon Eurpa dhe perseri gjerat ecin mbrapsht. Ne fakt, vete Europa na i dikton gjerat shpesh, sepse jemi ne qe ia kerkojme. Me teper me duket se jemi ne qe nuk duam te ecim me kembet tona.

    Problemi eshte se mitologjia e integrimit ne Europe ndertohet mbi nje mendesi orientaliste dialektike, qe e ndan boten ne kategorite lindje/perendim. Kjo mendesi ushqen te gjithe narrativen mitologjike te integrimit. Per kete arsye nuk kemi asnje qasje serioze racionale ndaj ketij procesi. Arsyeja kryesore qe ofrohet ne menyre implicite dhe eksplicite per integrimin ne Europe mbetet vetem, per t’u arratisur nga lindja. Pra, nese do te shtronim pyetjen “perse duhet te integrohemi?”, e vetmja pergjigje qe do te gjenim ne ligjerimin e inteligjences shqiptare do te ishte: “Sepse nese nuk integrohemi ne Europe, i bie te mbesim ne lindje”. E prej ketej pastaj riciklohen te gjitha klishete orientaliste per barbarine, prapambetjen apo despotizmin oriental, qe na kercenon ne rast se i humbim shancet europiane. Te njejten gje riciklon sistematikisht Kadareja. Armiqte me te medhenj te shqiptareve per Kadarene jane Turqit (shume me teper se serbet e greket), sepse turqit, sipas stereotipizimeve te tij, jane pengesa jone per ne Europe. Ne fakt, te gjitha keto jane shume mesjetare (sipas perceptimit te kesaj mendesie per mesjeten), per te qene integruese.

    Jam i bindur qe shume njerez, shkrimin tim do ta lexojne si nje agjitacion orientalist kunder aspirates europiane te shqiptareve, e rrjedhimisht edhe si, nje perpjekje haxhiqamiliste per te penguar integrimin.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *