E. Zani.

Ditët e fundit janë publikuar dhe komentuar rezultatet e sondazhit me temë “Interesi publik dhe religjioni”, realizuar në Kosovë nga Qendra për Studime Humanistike “Gani Bobi” dhe  porositur nga organizata e shoqërisë civile “Forumi 2015”.

Shkëlzen Maliqi, bashkautor i sondazhit, pohon për shtypin se ky hulumtim i opinionit nuk ka qenë i gjerë, por akut dhe i koncentruar në disa çështje, të cilat kohët e fundit janë ngritur nga disa “grupe islamike”, konkretisht, kërkesa që në shkollat publike të lejohet mbulimi i kokës së nxënëseve, të futet lënda e fesë në kurrikulat, si dhe të ndërtohet një xhami e madhe në qendër të Prishtinës. Veç këtyre tri çështjeve, të njohura tashmë botërisht edhe prej protestave të përsëritura të lëvizjes “Bashkohu”, në sondazh janë shtruar edhe disa pyetje tjera që e kanë pas për qëllim që të sqarojnë edhe botëkuptimin dhe orientimin e qytetarëve kosovarë.

Në tryezën e rrumbullakët, organizuar për të diskutuar rezultatet e sondazhit, por edhe në prononcimet për shtypin të bashkautorit në sondazh, filozofit Shkëlzen Maliqi, arrihet në përfundimin lehtësues për të gjithë se “Kosovarët janë pro islamit të moderuar”.

Sipas parathënies së pyetësorit të sondazhit, hartuesit i gjykojnë ngjarjet e kohëve të fundit në Kosovë si shprehje e prirjes globale të kalimit nga shoqëria sekulare, në  atë post-sekulare, kalim i cili shpjegohet se vjen si fryt i premtimeve të pambajtura të modernitetit. Prej këndej, globalizimi është ai që po e sjell vëmendjen ndaj fesë edhe në Kosovë, si një pasojë të ndryshimit epokal. Hartuesit besojnë se aktorët që përshpejtojnë këtë prirje globale në Kosovë, janë po ashtu nënprodukte të globalizmit – të rinj shqiptarë që kanë studiuar teologji në ”botën arabe”.  Faktorë të brendshëm si rënia e komunizmit, luftërat “ndërqytetërimore” jugosllave, dekolonizimi, nacionalizmi dhe kujtimet e traditës vendore nuk përmenden fare hamendjet pro kthimit të fesë në interesin dhe sferën publike. Simptomë të “rikthmit të fesë” hartuesit e sondazhit shohin tek “bumi i lindjes së organizatave e lëvizjeve me inspirim fetar gjithandej botës”, pra kështu edhe debati fetar në Kosovë është “ndikim i këtij bumi në shoqërinë tonë” prej organizatave vendase që manifestojnë “prirjen fundamentaliste”, pra të huaj, duke sfiduar modelin tradicional të Islamit, “islamin minimalist”, apo “soft Islamin” shqiptar (fq. 3).  Për të argumentuar se rritja e interesit fetar është import i huaj, hulumtuesit rendisin një narrativë tradite sekulariste, të shtresëzuar mbi Kanunin, Kombëtarizmin dhe Komunizmin vendas.

Sapo përfundojmë së lexuari parashtrimin teorik e metodologjik dhe kalojmë në leximin e pyetësorit të sondazhit, nisim kuptojmë se autorët tipologjinë e të anketuarve e kanë ndërtuar mbi një nivel zero: mbi karikaturën e fundamentalistit të ri kosovar, ashtu si e përfytyrojnë atë së largmi. Vini re për shembull pyetjen “A jeni për kursin properëndimor të Kosovës?” (fq. 31), ku “përgjigja e  saktë” vjen me zgjedhjen “Po, mendoj se Kosova definitivisht është perëndimore”; ndërsa përgjigja-karikaturë, habitshëm, vjen “Jo, feja dhe kultura islame janë e vërteta e vetme”! Përgjigja gatuan një vetje irracionale fundamentalisti, që nuk denjon apo nuk mundet të kuptojë as pyetjen që i bëhet, po direkt ngujohet në fe. Kundërshtuesi potencial i kursit perëndimor të Kosovës, qoftë edhe në fantazi negative sondazhesh, paraqitet vetëm si dogmatik që propozon qiellin abstrakt fetar, dhe jo, siç e kërkon nomenklatura e pyetjes, si partizan i një kahjeje joperëndimore aleancash apo integrimesh gjeopolitike (në hapësirën e ish-Jugosllavisë, në Revolucionin Proletar, në Lëvizjen e Paangazhuar, në çadrën e Rusisë, Kinës apo të projektit të “neootomanizmit” etj.). Skema e pasaktë binare vjen nga termat e keqkuptuara të teorisë së luftës së qytetërimeve “Islami kunder Perëndimit”, duke harruar se edhe në këtë skemë, Islami nuk përfaqëson “fe dhe kulturë”, por bllok shtetesh, analog me atë nën etiketën “Perëndim”.

 

Megjithatë, edhe pse nën mbikëqyrjen ideologjizuese të dordolecit fondamentalist, sondazhi i organizuar nga njëra prej organizatave më serioze në hapësirën shqiptare, ka vlera të pamohueshme.

Le ta vijojmë shpalosjen e të dhënave të sondazhit, sipas leximit që i bën njëri nga bashkëhartuesit, Shkëlzen Maliqi, në artikullin që nisëm të citojmë më lart:

 “Rreth 2/3 e të anketuarve, ose 66,2 %, kanë deklaruar përkatësinë e fesë islame, sipas traditës familjare; ndërkaq 29% se janë fetarë aktivë”.

Sondazhi nuk u ka hyrë nënndarjeve të mëtejshme për të zbuluar nivelet në grupin që vetëpërkufizohet si aktiv fetarisht (lloji dhe frekuenca e përkushtimeve fetare etj.) e po ashtu të njëjtat nuancime mungojnë edhe për të profilizuar shtresat në grupin mazhoritar që identifikohet me fenë si trashëgimi. Gjithsesi, e dhëna e përgjithshme mbi raportin e ushtrimit të fesë, krahasuar me identifikimin tradicional me të, mjafton,  ndonëse nuk vjen si risi për njohësit sado të pjesshëm të realitetit kosovar.

 

“Sondazhi – vijon Maliqi – nuk i ka vërtetuar pohimet e grupeve radikale mbi diskriminimin e muslimanëve në Kosovë. Vetëm 8% e të anketuarve kanë pohuar këtë. Megjithatë, kur janë pyetur në mënyrë direkte për çështjet që janë ngritur në protesta, në sondazh nuk janë gjykuar ashpër as çështja e ndërtimit të xhamisë, as mbajtja e shamisë, e as futja e lëndës së fesë në shkollat publike. Kundër mbajtjes së shamisë janë deklaruar 34.5%, pro 12.1 % dhe pro duke aprovuar ligjin 42.4%. Pak më befasues ka qenë qëndrimi ndaj futjes së lëndës së fesë në kurrikula; kjo mundësi është refuzuar nga 34.5% të të anketuarve, pro kanë qenë 59%. Edhe për ndërtimin e xhamisë shumica dërmuese është deklaruar pro, vetëm 4.3% kanë thënë se nuk ka nevojë, sepse Prishtina ka mjaft xhami”.

 

Kështu ndonëse vetëm një pakicë e të anketuarve e kanë pranuar se muslimanët diskriminohen, ky perceptim nuk ka penguar që që pro shamisë së ndaluar në shkolla të jetë një përqindje prej 12.1 + 42.4 të anketuarish, pro futjes së penguar të mësimit fetar në shkolla të jenë më shumë se gjysma e tyre, dhe shumica dërrmuese po ashtu pro ndërtimit të xhamisë se re në Prishtinë. Propozuesit e referendumit për futjen në mësimbesimit në shkolla, duket se e kanë ditur mirë çfarë kërkojnë, por edhe elita politike kosovare që reagoi energjikisht kundër kërkesës për refendum, duket se po ashtu e njeh mirë popullin e vet…

“Mirëpo – shton duke nënvizuar Maliqi – sa i përket orientimit gjeneral të shoqërisë kosovare, shumica e të anketuarve kanë shfaqur preferencën pro-perëndimore të Kosovës”.

Filozofi gjen arsye të shohë pra një kundërshti konfortuese midis përqindjes së lartë të mbështetjes “dërrmuese” për ndërtimin e xhamisë në Prishtinë, dhe mbështetjes po aq të lartë për Perëndimin në Kosovë…

“60% kanë pohuar se Kosova definitivisht është Perëndim, kurse 30% po kështu konfirmuan drejtimin perëndimor, por njëkohësisht mendojnë se duhet të ruhen disa vlera tradicionale të vendit. Vetëm 4.5% kanë përkrahur opsionet se feja dhe kultura islame janë e vërteta e vetme…”

Në fillim kishim vetëm 8% të të anketuarve që pohojnë diskriminim fetar për muslimanët, (ky diskriminim është argumentuar me ndalimin e shamisë dhe mësimbesimit në shkollë, mosngritjes së xhamisë), po pastaj duket se kemi një kundërthënie brenda opinionit, teksa shumica e tij ai shprehet pro shamisë, mësimbesimit në shkolla, pro ngritjes së xhamisë. Më pas, kundërthënia tjetër duhet të jetë ajo e të dashurit masivisht edhe të xhamisë, edhe të Perëndimit njëkohësisht…

Por kosovarët e pyetur duket se kuptojnë lirisht, pa “mirëpo” , se nuk ka ndonjë pengesë midis të qenit Perëndim apo në Perëndim, dhe përkrahjes së ndërtimit të xhamive, apo, në një përqindje më vogël, po ende serioze, edhe të mbështetjes së mbajtjes së shamisë në shkolla publike.

Përveç 1/3 së të anketuarve që pohojnë jetë aktive fetare, edhe një pjesë e mirë e muslimanëve nominalë mbështet kërkesat për më shumë pranim të fesë në sferën publike. Po ashtu, duket se shumica e të pyeturve, ndonëse përkrah pikërisht atë çka pengohet me ligj dhe çka ka hedhur në protesta “grupet radikale” që etiketon Maliqi, gjithsesi e gjen të tepruar apo absurd termin “diskriminim i muslimanëve”. Mënyra sesi shumica e kosovarëve pajtojnë identitetin fetar tradicional me mungesën e ndjekjes së ritualeve të tilla si mbulimi i flokëve tek femrat e reja, bën që natyrshëm ata të mos ndihen të diskriminuar në llojin e vet të të qenit muslimanë. Po kjo nuk i pengon të shprehin mbështetje që të njëjtën shami të kenë të drejtë ta bartin në shkollat publike bashkëqytetaret e tyre më të përkushtuara. Njësoj mund të gjykonim edhe për faktin se e njëjta shumicë që pohon se nuk ka jetë aktive fetare, mbështet ngritjen e xhamive, të cilat janë kryevende të aktivitetit ritual fetar. Në këtë vështrim xhamitë sigurisht se nuk janë vetëm mjedise të ritualit, por edhe simbole të përkatësisë e trashëgimisë kolektive, e për më tepër, pamja trishtuese, që vihet re çdo të premte, dimër-verë, në Prishtinë, me njerëz që falen në oborre e trotuare rreth xhamive të mbushura, bën që ndërtimi i të rejave të jetë kërkesë humanitare, para se të jetë fetare.

Kërkesa fetare të mbështetura në legjislacionin kosovar e ndërkombëtar, në traditën vendase dhe të rajonit, e së fundi të përkrahura edhe nga shumica e opinionit të anketuar, e bëjnë të tepër cilësimin e artikuluesve të tyre si “grupe radikale” prej Maliqit e të tjerëve më parë. A mund të jenë radikalë ata që vetëm formulojnë kërkesa të një pjese të mirë të shoqërisë, kur vetë kjo shoqëri nuk rezulton si radikale? Në mënyrë akoma më tendencioze, Maliqi cilëson si “islamiste” edhe Partinë e Drejtësisë, të përfaqësuar në parlament e koalicion qevrisës, parti që ka mbështetur po ato nisma që në shumicë përkrahen prej opinionit të anketuar. Në faqen zyrtare të kësaj partie mësojmë në fakt se kemi të bëjmë me një formacion të  “qendrës me bazë ideologjike të demokracisë konservatore”, që, natyrisht, i mbështetet parimet dhe vlerat e saj tek “sovraniteti i popullit si burim i legjitimitetit politik dhe legalitetit shoqëror”, kundërshton “ideologjizimin e shtetit” dhe njeh “vlerat e identitetit dhe traditës, kombëtare dhe kulturore përfshirë ato fetare”. Asgjë posaçërisht islamike, e jo më islamiste nuk ka këtu, edhe po të përdornim kriteret më të skajshme të formulimit.

Maliqi mund të kishte gjetur përcaktorë të tjerë më të ndershëm, për të emërtuar një grupim të zakonshëm politik që dallon nga simotra kosovare, vetëm se inkurajon në rrugë ligjore traditën dhe identitetin fetar të shumicës së popullit kosovar, pa ndjekur ndonjë strategji faktesh të kryera, si ajo që është bërë zakon në Kosovë nga liderë e forca të mëdha në trafikimin e simbolikave të tjera fetare në mjediset publike, partiake a shtetërore.

Një pyetje e formuluar në frymën e cilësimeve të mësipërme të Maliqit, është edhe kjo që del në pasazhin vijues:

Të pyetur nëse preferojnë format tradicionale të praktikimit të islamit në Kosovë dhe rajon, apo risitë që i sjellin grupet radikale nga vendet arabe, shumica dërmuese është deklaruar se preferon islamin tradicional (61%)”.

Në fakt pyetja vjen e shoqëruar ”me polic përdore”, dhe si e këtillë, e ka përgjigjen brenda. Habia e vetme është sesi edhe pas kësaj, përgjigja nuk ka qenë 100% pro Islamit të duhur…

Sondazhi i fundit i “Gani Bobit” është një dritare e rëndësishme për të hedhur dritë mbi zhvillimet fetare në Kosovë. Rezultatet e tij janë një mësim i mirë për triumfalizmat e çdo krahu, si të atyre që investohen prej vitesh në projekte absurde të çislamizimit piramidal të Kosovës, ashtu edhe të atyre që rrumbullakosin brenda oborrit të xhamisë gjithë paradigmën kosovare. Po më shumë se kaq, në distancën e madhe që ka midis preferencave të shumicës së opinionit në një krah, dhe në krahun tjetër, vendimeve të elitës politike, sondazhi na zbulon haptas se cilat janë vërtet “grupet radikale” të Kosovës.

Comments

  • o Zot i madh ,t’lutem kethjellohu mendjen intelektualeve shqiptare aq sa te arrijne te kuptojne se bota nuk ka ne themel te saj ndarjen dhe konfliktin Lindje-Perendim por ndarjen dhe konfliktin Besimtare dhe Pabesimtare.Ironia eshte se pabesimtari Sh. Maliqi ‘filozofon’ mbi besimtaret dhe kahjet e tyre.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *