Slavoj Zhizhek.
Si Pim Fortuyn para tij, Anders Breivik mishëron kryqëzimin mes populizmit të djathtë dhe korrektshmërisë politike liberale.

Në vetë-justifikimin ideologjik të Anders Behring Breivik si dhe në reagimet ndaj aktit të tij vrastar, ka gjëra që duhet të na bëjnë të mendojmë. Manifestoja e këtij “gjuetari Marksistësh” të Krishterë, i cili vrau më tepër se 70 veta në Norvegji, është saktësisht e kundërta e rastit të një broçkullitje prej njeriu të dalë mendsh; është thjesht një ekspozim konsekuent i “krizës së Europës” e cila shërben (pak a shumë) si themeli i nënkuptuar i populizmit anti-imigrant në rritje – dhe pikërisht papajtueshmëritë e tij janë simptomatike të kontraditave të brendshme të kësaj pikëpamje.

Gjëja e parë që dallohet është se si Breivik e ndërton armikun e tij: kombinimi i tre elementëve (Marksizmi, multikulturalizmi, dhe Islamizmi), çdo njëri nga të cilët i përket një hapësire të ndryshme politike: e majta radikale Marksiste, liberalizmi multikulturalist, fundamentalizmi fetar Islamik. Zakoni i vjetër fashist i atribuimit të tipareve vetë-përjashtuese ndaj armikut (“komploti Hebre Bolsheviko-plutokratik” – e majta radikale Bolshevike, kapitalizmi plutokratik, identiteti etniko-fetar) rikthehet këtu nën një petk të ri.

Edhe më treguese është mënyra sesi vetë-përcaktimi i Breivik i shkartis letrat e ideologjisë radikale të djathtë. Breivik përkrah Krishtërimin, por mbetet një agnostik shekullar: Krishtërimi është për të thjesht një konstrukt kulturor për të kundërshtuar Islamin. Ai është anti-feminist dhe mendon se gratë duhen shkurajuar nga ndjekja e edukimit të lartë; por ai favorizon një shoqëri “shekullare”, mbështet abortin dhe e deklaron veten pro-gay.

Parardhësi i tij në këtë aspekt është Pim Fortuyn, politikani i djathtë populist Hollandez i cili u vra në fillim të Majit të vitit 2002, dy javë para zgjedhjeve në të cilat ai pritej të fitonte një të pestën e votës. Fortuyn ishte një figurë paradoksale: një populist i djathtë, tiparet personale, madje dhe opinionet (shumica e tyre), e të cilit ishin gati gjithmonë “politikisht korrekt”. Ai ishte gay, kishte marrëdhënie të mira personale me shumë imigrantë, shfaqte një sens të lindur ironie – shkurtimisht ishte një liberal i mirë tolerant përsa i përket çdo gjëje përveç qëndrimit të tij ndaj imigrantëve myslimanë.

Ajo që Fortuyn mishëroi ishte kryqëzimi mes populizmit të djathtë dhe korrektshmërisë politike liberale. Me të vërtetë ai ishte prova e gjallë se kundërshtia mes populizmit të djathtë dhe tolerancës liberale është e rreme, se ne kemi të bëjmë me dy fytyrat e të njëjtës monedhë: dmth ne mund të kemi një rracizëm që e refuzon tjetrin me argumentin se tjetri është rracist.

Për më tepër, Breivik kombinon tipare Naziste (edhe në detaje – si psh. simpatia e tij për Saga, këngëtarja tradicionale Suedeze pro-Naziste) me një urrejtje për Hitlerin: një nga heronjtë e tij është Max Manus, lideri i rezistencës Norvegjeze anti-Naziste. Breivik nuk është rracist aq sa është anti-musliman: e gjithë urrejtja e tij është e fokusuar tek rreziku mysliman.

Më në fund, por jë më se pakti, Breivik është anti-semit por pro-Izrael, sepse shteti i Izraelit është linja e parë e mbrojtjes ndaj ekspansionit mysliman – ai madje do ta shohe tempullin e Jeruzalemit të rindërtuar. Këndvështrimi i tij është që hebrejtë janë OK përsa kohë nuk ka shumë prej tyre – ose, siç ai shkruan në manifeston e tij: “Nuk ka problem Hebre në Evropën Perëndimore (me përjashtim të Britanisë dhe Francës) sepse ne kemi vetëm 1 miljon në Evropën Perëndimore, ndërsa 800,000 prej këtyre jetojnë në Francë dhe në Britani. Amerika, në anën tjetër, me mbi 6 miljonë hebrej (600% më shumë se Evropa) faktikisht ka një problem të konsiderueshëm Hebre.” Ai arrin në paradoksin final të një Nazisti Zionist – si është e mundur kjo gjë?

Një çelës na jepet nga reagimet e të djathtës Evropjane ndaj sulmit të Breivik: mantra e saj ishte se në dënimin e aktit të tij vrastar, ne nuk duhet të harrojmë se ai po adresonte “shqetësime legjitime mbi probleme reale” – politika mainstream po dështon në adresimin e gërryerjes së Evropës nga Islamizimi dhe multikulturalizmi, ose, nëse kuotojmë Jerusalem Post, ne duhet ta përdorim tragjedinë e Oslos “si një mundësi për të rivlerësuar seriozisht politikat e integrimit të imigrantëve në Norvegji dhe tjetërkund”. Gazeta ka kërkuar falje për këtë editorial. (Rastësisht, ne akoma nuk kemi dëgjuar një interpretim të ngjashëm të akteve Palestineze të terrorit, diçka si “këto akte terrori duhet të shërbejnë si një mundësi për të rivlerësuar politikat e Izraelit”.)

Referenca ndaj Izraelit është padyshim e nënkuptuar në kët vlerësim: një Izrael “multikulturor” nuk ka shans mbijetese; aparteidi është e vetmja zgjidhje realiste. Çmimi për këtë pakt pervers Zionist-djathtist është se, për të justifikuar pretendimin mbi Palestinën, ne na duhet të miratojmë në mënyrë retroaktive linjën e argumentimit që është përdorur më parë, në historinë e hershme Evropjane, kundër Hebrejve: marrëveshja e nënkuptuar është “ne jemi gati të miratojmë intolerancën tuaj ndaj kulturave të tjera mes jush nëse ju miratoni të drejtën tonë për të mos toleruar Palestinezët në mesin tonë”.
Ironia tragjke e këtij pakti të heshtur është se, në historinë Evropjane të shekujve të kaluar, vetë Hebrejtë ishin “multikulturalistët” e parë: problemi i tyre ishte si të mbijetonin me kulturën e tyre të pacënuar në vende ku një kulturë tjetër ishte dominante.
Po sikur ne të jemi duke hyrë në një epokë ku ky arsyetim i ri të arrijë të imponohet? Po nëse Evropa do e pranonte paradoksin se demokracia e saj e hapur është e bazuar në përjashtim – se “nuk ka liri për armiqtë e lirisë”, siç e tha Robespieri shumë kohë më parë? Në parim, kjo është, pa dyshim, e vërtetë, por pikërisht këtu dikush duhet të jetë shumë specifik. Në një mënyrë, kishte një logjikë të poshtër në zgjedhjen e shënjestrave nga Breivik: ai nuk sulmoi të huajt, por ata brenda komunitetit të tij që ishin tepër tolerantë ndaj të huajve imponues. Problemi nuk janë të huajtë, është identiteti ynë (Evropjan).

Edhe pse kriza e vazhdueshme e Bashkimit Evropjan duket si një krizë ekonomike dhe financiare, ajo është në dimensionin e saj themelor në krizë ideologjiko-politike: dështimi i referendumeve rreth kushtetutës së BEsë disa vite më parë dha një sinjal të qartë se votuesit e perceptonin BEnë si një bashkim ekonomik “teknokratik”, të cilit i mungon vizioni që mund të mobilizonte njerëzit – deri në protestat e fundit, e vetmja ideologji e cila mund të mobilizonte njerëz ishte mbrojtja anti-imigrante e Evropës.
Shpërthime homofobie të kohëve të fundit në shtetet pas-Komuniste të Evropës Lindore duhet të na japin gjithashtu pak pauzë për tu menduar. Në fillim të 2011, në Stamboll u zhvillua një paradë gay ku mijëra veta ecën të qetë, pa dhunë apo çrregullime të tjera; gjatë paradave gay që u zhvilluan në të njëjtën kohë në Serbi dhe Kroaci (Beograd, Split), policia ishte a pafuqishme për të mbrojtur pjesëmarrësit të cilët u sulmuan brutalisht nga mijëra fundamentalistë të dhunshëm të krishterë. Këta fundamentalistë, jo ata të Turqisë, janë kërcënimi i vërtetë ndaj trashëgimisë Evropjane, kështu që kur BEja praktikisht e bllokoi hyrjen e Turqisë, ne duhet të bëjmë pyetjen e dukshme: po sikur të aplikonim të njëjtat rregulla ndaj Evropës Lindore?

Antisemitizmi i përket kësaj serie, bashkë me forma të tjerra të rracizmit, seksizmit, homofobisë, etj. Shteti i Izraelit po bën këtu një gabim katastrofik: ai ka vendosur të nënvlerësojë, ose gati injorojë komplet, antisemitizmin e “vjetër” (tradicional Evropjan), duke u fokusuar tek antisemitizmi i “ri” dhe gjoja “progresiv” i maskuar si kritikë ndaj politikave Zioniste të shtetit të Izraelit. Përgjatë këtyre vijave, Bernard Henri-Levy (në Left in Dark Times) kohët e fundit pretendoi se antisemitizmi i shekullit të 21të do jetë “progresiv” ose nuk do ekzistojë fare. Kjo tezë na detyron ne ta kthejmë përmbys tezën e vjetër Marksiste të interpretimit të antisemitizmit si një anti-kapitalizëm mistik (në vend që të fajësohet sistemi kapitalist, zemërimi fokusohet tek një grup etnik specifik i akuzuar se e ka korruptuar sistemin): për Henri-Levy dhe partizanët e tij, anti-kapitalizmi i sotëm është një formë e fshehur e anti-semitizmit.
Ky shkarkim i heshtur po jo më pak efiçent i atyre që sulmojnë antisemitizmin e “vjetër” po ndodh pikërisht në momentin kur antisemitizmi i “vjetër” po rikthehet në të gjithë Evropën, veçanërisht në vendet post-Komuniste të Evropës Lindore, nga Hungaria tek Letonia. Diçka që duhet të na shqetësojë edhe më shumë është një akomodim i çuditshëm mes Zionistëve dhe fundamentalistëve të Krishterë në Amerikë.

Ka vetëm një zgjidhje për këtë enigmë: nuk është se funamentalistët Amerikanë kanë ndryshuar, por është Zionizmi vetë që ka arritur paradoksikalisht të përvetësojë një sasi logjike antisemite në urrejtjen e tij ndaj atyre hebrejve që nuk e identifikojnë veten tërësisht me politikat e shtetit të Izraelit. Shënjestra e tyre, figura e Hebreut i cili dyshon tek projekti Zionist, është ndërtuar në të njëjtën mënyrë në të cilën antisemitët Evropjanë e ndërtuan imazhin e Çifutit – ai është i rrezikshëm sepse ai jeton mes nesh, por nuk është tamam i yni. Izraeli po luan një lojë të rrezikshme këtu: Fox News-it, zëri kryesor i të djathtës radikale në Amerikë dhe një mbështetës i bindur i ekspansionizmit Izraelit, kohët e fundit iu desh të qortonte Glenn Beck, drejtuesi i tyre televiziv më popullor (dhe tepër pro-Izrael), komentet e të cilit po bëheshin haptazi antisemite.
Argumenti standart Zionist ndaj kritikëve të politikave të Izraelit është se, sigurisht, si çdo shtet tjetër, Izraeli mund dhe duhet të gjykohet dhe ndonjëherë edhe kritikohet, por kritikët e Izraelit e keqpërdorin kritikën e justifikueshme ndaj politikave Izraelite për qëllime antisemite. Kur fundamentalistët e Krishterë të cilët janë mbështetës të politikave të Izraelit, refuzojnë kritikat e majta ndaj këtyre politikave, linja e tyre e nënkuptuar e argumentit ilustrohet nga një karikaturë e mrekullueshme e publikuar në Korrik 2008 në të përditshmen Vieneze Die Presse: ajo tregon dy Austriakë të mëdhenj në trup që duken si Nazistë, njëri prej të cilëve mban në duar një gazetë dhe i komenton shokut të tij: “Ja këtu mund të shohësh përsëri sesi një antisemitizëm totalisht i justifikueshëm po keqpërdoret për kritika të dobëta ndaj Izraelit!” Këta jan aleatët e sotëm të shtetit të Izraelit.

Artikulli është botuar në gazetën britanike The Guardian.
Përktheu A.T.

Comments

  • thelbi! asnje nuk duket se ndjek ne menyre konseguente parimet, te gjithe punojne me konjuktura…edhe ezani… qe per leverdi momenti boton shkrimet e nje marksist-leninisti!!!

    • Cilat parime? Vetem marksiste-leninistet e variantit shqiptar kishin probleme me biografite e personave. Shyqyr Zotit e-zani nuk ndjek metodologji marksiste-leniniste, por islamike.

      Muhamedi, alejhi selam, ka thene: “Urtesia eshte deveja e humbur e besimtarit; aty ku e gjen, le ta marre”. Hadithi eshte komentuar gjeresisht si motivim per te pronesuar ne emer te besimit ne Zot gjithcka qe ka vlere, nga cdo burim i mundshem. Nese Zizeku shkruan bukur, kjo ndodh sepse bukuria eshte prej Zotit dhe Zoti eshte i bukur. Nese Zizeku shkruan mire, kete e ben sepse le natyrshmerine e vet te flase; nese shkruan keq, po i ben dhune asaj. Nese ketu klikojne kalamaj qe rrezikojne behen te komunista pse shohin mjekren e Zizekut, ky eshte problem tjeter. Ndoshta duhet sugjeruar qe e-zani te vendose ndonje tabele qe hyrja ne blog u miratohet vetem atyre qe kane moshe per te votuar Lulzim Bashen

  • e kam vene re qe jeni mjeshtra per akrobaci logjike madje e keni aq kohezive akrobacine sa gati te hipnotizoni po ketu Zhizheku i ben kritike fashizmit te djathte nga pikepamja antifashiste, proletare dhe revolucionare marksiste-leniniste-maoiste. Per te, ashtu si per te gjithe mentoret e tij te meparshem, feja eshte opium per miletin por duke qene se jane minorance kerkojne mish per top per permbysjen e rendit borgjezo-kapitalist dhe vendosjen e diktatures se proletariatit( taktike e Maos kjo e fundit) dhe keshtu per leverdi ledhatojne nga içik çdo te margjinalizuar te sistemit( muslimanet, emigrantet, proletaret) per ti ndersyer me pas si qen sulmi ne rradhet e para te revolucionit. Para ca ditesh sapo perfundova se lexuari nje liber me ese nga Zhizheku me kompani dhe strategjia ishte e qarte kur te kem kohe dhe nge do tjua perkthej ndoje pasazh per tju kthjelluar idete.

  • Pikerisht Ergys ketu jemi per te botuar veten dhe per te debatuar me veten me qellim qe te gjejme me te miren per muslimanet. Me Zan te Nalte une kuptoj zerin e nje alternative islame mes amullise qe na rrethon por keto bypass-et e here pas hershme me krijojne pershtypjen qe ne nuk jemi ne nivelin e duhur qe te kemi nje ze te larte dhe keshtu jemi stonatura!

  • Nuk e kuptoj, ku i shikon ti iluzionet tona per Zhizhekun? Ne vetem kemi botuar nje shkrim, ku mendojme se ka ofruar ide me vlere per de bate qe na interesojne, kjo nuk do te thote se ne kemi ndonjefare iluzioni per idete e tij ne pergjigjesi. Sigurisht, dihet qe Zhizhek, eshte marksist dhe nuk po na thua ndonje gje te re. Fakti qe po botojme nje shkrim te Zhizhekut, nuk do te thote as qe ne jemi dakort me idete e tij dhe as do te thote se ne nuk kemi idete tona, prandaj botojme ate. Ne botojme ate qe na duket me interesante, ciladoqofte prapavija teorike nga niset autori. Nese shkrimi qendron ne vetvete, nuk ka perse te mos botohet.
    Je krejtesisht i mirepritur te na sjellesh permbledhjet e leximeve te tua ndaj Zhizhekut dhe mendoj se do te jene me interes. Nese i permbledh ne formen e nje shkrimi, them qe edhe mund ta botojme. Gjithsesi, kjo nuk ka lidhje me temen.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *