Palestina si politikë e brendshme





E. Zani.

Mediat e vendit këto ditë pasqyruan në detaje vizitën zyrtare tre ditore të kryeministrit Berisha në Izrael. Pavarësisht qëllimit të saj zyrtar, një vizitë disi e çuditshme kjo e kryeministrit në një rajon që po përjeton kohë ndryshimesh të mëdha sociale dhe politike. Reagimet e aktorëve të ndryshëm të opinionit publik mbi këtë vizitë ishin të larmishme. Dikush e vlerësonte si historik afrimin e Shqipërisë me shtetin e Izraelit, dikush revoltohej përse zyrtarët hebrenj na quajnë “vend musliman”, të tjerë e cilësonin vizitën e kryeministrit si një tentativë të sforcuar për të dalë nga izolimi i tij diplomatik. Por për atë që bëri bujë gjatë kësaj vizite, mbështetjen pa rezerva të Izraelit nga kryeministri, qëndrimet pershkronin një segment i cili niste nga një kritikë e lehtë dhe ambigue e motivuar më shumë politikisht, deri tek mbeshtetja pa kokëçarje për këtë moment të diplomacisë shqiptare.

Besimtarët e Berishës

Ndërkaq Ben Andoni në një shkrim editorial në Gazeta Shqiptare shtron çështjen e implikimeve të mundshme në vend pas këtyre zhvillimeve në të ashtuquajturin raporti i privilegjuar i Berishës me besimtarët muslimanë. Por sa i vërtetë është ky pretendim kur një analizë më e thellë mbi këto marrëdhënie mungon, si dhe kur asnjëherë në Shqipëri nuk është pretenduar se preferencat politike shkojnë në të njëjtën valë më ato fetare. Është e vërtetë që një masë e madhe besimtarësh muslimanë historikisht këto vite të postdiktaturës voton djathtas, dhe kjo lidhet me rolin qe ka luajtur PD në transformimin e sistemit komunist, i cili për dekada ndaloi egërsisht besimin fetar. Kjo mund të thuhet lehtësisht edhe për besimtarë të feve të tjera të cilat përsëri për të njëjtën forcë politike kanë gjithashtu perfytyrim të ngjashëm. Asnjë studim nuk na ka ofruar në volume statistikore se si  alternohen dhe luhaten preferencat e besimtarëve të feve të ndryshme ndaj partive politike, me perceptimet e tyre mbi realitetin social, ekonomik dhe kulturor, të cilat janë të ndryshueshme në kohë. Me fjalë të tjera, a janë besimtaret e X feje militantë të palekundur ndaj një force politike, apo ata si dhe pjesa tjeter e popullsisë më pak e ndjeshme ndaj vlerave fetare, ka një pjesëmarrje të natyrshme në jetën politike në vend. Megjithëse siç u theksua më lart, studimet e munguara na e pamundesojnë një tablo të tillë. Nisur nga realiteti i jetuar jemi përgjithsisht të prirur të anojmë nga qëndrimi i dytë.

Pro Palestinës, Hoxha dhe prifti

Është i sforcuar disi aluzioni i Andonit për mbeshtetjen nga besimtaret muslimanë shqiptar të kauzës palestineze mbi baza militante, kur permend një sms misterioze që paska qarkulluar ndërmjet besimtarësh. Jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë prej dekadash kauza palestineze i kapërcen dallimet fetare dhe etnike. Mbështetjen militante, siç me te drejtë Andoni pohon, shqiptarët ja kanë dhënë OÇP-së  kur në Shqiperi ishte e ndaluar feja me ligj, kohë në të cilën solidarizimi me palestinezët, jo vetëm tek ne, kishte më tepër karakter ideologjik revolucionar. Sot, siç jemi dëshmitarë, shumica e shteteve në botë e mbështet kauzën palestineze për ndërtimin e shtetit të saj nisur nga parimi i të drejtave themelore të njeriut, një e drejtë universale e cila u përket të gjitha kombeve. Këto vite, ndër rastet e rralla të shprehjes publike, kolektive të solidaritetit me kauza që tejkalojnë vijat partiake, etnike, shqiptarët janë bërë bashkë për të mbështetur Palestinën. Simbolik do të mbetet në kujtesa manifestimi, me rastin e ngjarjeve tragjike që shoqëruan Indifadën e dytë, gjatë të cilit, ndër të tjerë, e mori fjalën dhe një prift ortodoks, prania e të cilit në manifestim nuk mund të reduktohet në faktin se ndër palestinezë ka mjaft të krishterë. Përveç takimeve informuese dhe simpozumeve, manifestimi i fundit propalestinez, ndonëse modest, ishte ai pranë Kryeministrisë, organizuar, ndër të tjerë, nga aktivistë të majtë, gjatë vizitës lobuese të ministrit të jashtem izraelit Liberman. Mbeshtetja Palestinës së fundmi nuk i ka munguar në terma diplomatikë në qarqe politike, kur kujtojmë se ish-ministri i jashtëm Milo është shprehur në shtypin e shkruar mbi domosdoshmerinë e një qëndrimi pozitiv nga shteti shqiptar. Pra, ndër shqiptarë nuk janë vetëm besimtarët muslimanë të cilët e mbeshtesin kauzen palestineze, ndonëse është e vërtetë se ata janë të prirur për të qenë më të ndjeshëm se të tjerët në këtë rast.

Jeruzalemi ynë

Ndjeshmëria më e lartë tek muslimanët shqiptare ndaj kauzës palestineze vjen padyshim edhe nga  fakti se ajo është pazgjithshmërisht e lidhur me sigurinë e njërit prej vendeve të shenjta të Islamit, Xhamisë Aksa. Nuk duhet të harrojmë se aq e rëndesishme është kjo çështje sa praktikisht i kapërcen përmasat e problemit kombëtar palestinez. Pikërisht në këtë pikë dështuan negociatat e Camp David në vitin 1999, sepse vendimmarrja e Arafatit mund të jepte garanci mbi çeshtje si kthimi ose jo i të shpërngulurve gjatë disa luftrave, apo cilësinë e sovranitetit të shtetit të ardhshem palestinez, por jo në çështje fetare ndërkombëtare si Jeruzalemi lindor, i cili mban në gjirin e vet Xhamine e Shenjtë – një “bashkëpronësi” e të gjithë muslimanëve në botë, amanet të cilin i ka rënë hisja që ta menaxhojnë drejtpërsëdrejt palestinezët. Një vendimarrje palestineze mbi vendin e shenjtë është moralisht përtej kompetencës kombëtare të tyre.

Shenjtëria që përjetojnë muslimanët  ndaj Jeruzalmit, u nëpërkëmb shëmtuar, ndërkaq, nga ekumenizmi i cunguar dhe retorika përjashtuese e kryeministrit tonë.

Pelegrinazhi mangut i Kryeministrit

Përtej  problemit të kauzës së Palestinës, për drejtësinë e të cilës aktorë të ndryshëm fetarë dhe kulturorë në vend bien dakort, muslimanët shqiptarë duhet të reagonin ndaj simbolikës së fortë religjoze të performuar nga kryeministri në tokën e shenjtë. Simbolikë e cila minon në të dyja rastet si kauzën e Palestinës gjithashtu dhe statusin e ardhshëm të një prej vendeve të shenjta të muslimanëve, perfshi dhe ata shqiptarë. Kjo simbolikë e demonstruar me nota spirituale nga kryeministri, në fakt nxorri lakuriq dhe misionin e vërtetë të kësaj vizitë të kamufluar nën retorikën zhvillimore me burime hidrike dhe turizëm elitar. Përzgjedhja preferenciale e kryeministri shqiptar ndaj disa vendeve te shenjta të feve monoteiste dhe anashkalimi qesharak i Xhamise Aksa, vend i shenjte për një pjesë të mirë të popullit të tij, përputhet ekzaktësisht me vizionin sionist për tjetërsimin e Jeruzalemit, shndërrimit të atij vendi në të tillë ku arabët/muslimanë të mos kenë vend. Ky është njëri “mëkat” i zotit Berisha gjatë kësaj vizite, bashkangjitur krijimit të një konfuzioni të pritshëm në sjelljen e ardhshme të vendeve arabe/islame ndaj pavarësisë së Kosovës.

Pavarsisht kësaj që ndodhi në këtë vizitë “mistike” të kryeministrit tonë ne Izrael, mund të marrim frymë lehtë për faktin se kauza palestineze është jashtë mundësive tona të ndikimit. Mirëpo njolla e turpit dhe dëmtimi i marrëdhënieve me vendet islame nuk do të shlyhen lehtë në kohët e ardhshme. Rroli i kesaj vizite ishte vetëm propagandistik në shkëmbim reciprok, paçka se e gjitha kjo vjen me një kosto te rëndë morale për vendin. Ndërsa Izraelit i nevojitet dhe një zë modest në mbështetje nga një vend, lideri i të cilit quhet në mënyrë kuptimplotë Sali, kryeministrit shqiptar i duhet nje imazh pozitiv për konsum të brendshëm, në vazhdën e propagandës politike se punët në zhvillimin ekonomik po ecin në kahun e duhur. Retorika e kryeministrit në Izrael nuk habit më asnjë njeri në Shqipëri; shkolla e mendimit prej te cilës ai është i brumosur i njeh kapercimet, terheqjet si dhe kthesat e forta, të gjitha këto në shërbim të pushtetit personal. Historia përsëri na ka rezervuar ciklin e radhës pasi hodhëm pas flirtin shkatërrimtar me të mëdhenjtë e Lindjes komuniste. Ndërsa tragjeditë kombëtare i ngrehim t’i luajmë periodikisht në truallin ballkanik, i rezervojmë vetes shpërdorimin e mundësive të pakta përtej detit, në komedi madhështore me tis mesianik.

Qëllimi disi i fshehur i disa analistëve pranë të majtës, në përpjekje për te kryer diversion tek votuesit “muslimanë”,”mbështetës” të Berishës, kontraston çuditshëm me heshtjen totale nga ana e lidershipit të opozitës mbi rezultatet e vizitës në fjalë. Kjo heshtje e opozitës ndaj bëmave të kryeministrit ne Izrael, është një miratim në heshtje, një tregues se politika jonë e jashtme dhe në të ardhmen do të ketë të njëjtat prioritete: sakrifikimin e saj për interesa pushteti personal.

Përmasa e shtuar sioniste e axhendës së aktorëve tanë politikë, sigurisht nuk renditet dot si hata  kryesore në listën e tyre të zezë. Ajo është vetëm një emër tjetër i përkohshëm për oportunizmin dhe servilizmin e tyre, një truk pa përmbajtje me anë të të cilit përpiqen të sigurojnë mbështetjen e të fortëve jashtë, për t’u mbrojtur sadopak nga ndëshkimi për prapësitë që bëjnë në vend.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *