E. Mërtiri.

Historia ka rrjedhën e vet të natyrshme, në pavarësi nga mendimi që ne kemi për të. Ajo i shfaq njeriut dy anë të natyrës së saj: atë të ligjeve njerëzore, ku gjërat rrjedhin ngadalë duke shkuar në shtratin e vet, por shpesh ajo shfaq edhe natyrën e vet tekanjoze, duke na rezervuar të parpritura të befta, shpërthime dhe tronditje që sjellin ndryshime të vrullshme. Kjo pjesë e dytë e natyrës së historisë njerëzore, mund të thuhet se u shfaq në Shqipëri gjatë vitit 1990, në fillimin e proceseve që çuan në rrëzimin e regjimit të kalbur komunist. Ajo që do të duhej të vinte më pas, është një proces analize dhe reflektimi mbi ngjarjet që synon të qartësojë gjithçka që çoi në ndryshimin e sistemit. Megjithatë, ajo çfarë thotë historia, ka gjithmonë shumë subjektivitet dhe shumë gjëra janë ndryshe në realitet. Kujtesa, kapet gjithmonë pas disa datave apo ngjarjeve të cilat zhurmojnë shumë në rrëfimin e së shkuarës, por në të vërtetë, shpesh, ngjarje apo data të tjera, të mbetura jashtë vëmendjes, kanë qenë shumë më me peshë për gjithçka që ka rrjedhur më pas.

16 nëntori, është një datë historike nga ato që pakkush i ruan në kujtesë, por që në të vërtetë kanë patur rëndësi të jashtëzakonshme në historinë e ndërrimit të regjimit, si dhe në tërësi në historinë e vonë të vendit. Ky është momenti kur, në mënyrë krejtësisht demonstrative, por edhe në kushte të një kërcënimi të ashpër, u krye për herë të parë falja e xhumasë pas ndalimit të dhunshëm të fesë më 1967. Ky ishte çasti i dytë i rëndësishëm pas atij të kremtimit të meshës së parë, ngjarje këto që shënuan rihapjen përfundimtare të fesë në Shqipëri dhe shfuqizimin demonstrativ të ‘67-s.

Është momenti kur, lëvizjet e para për rrëzimin e diktaturës në qytetin e Shkodrës i kthyen sytë nga feja dhe gjetën fuqinë shpirtërore për të energjizuar një revoltë që do të mund t’i jepte fund robërisë dhe mjerimit 50 vjeçar të instaluar nëpërmjet terrorit. Historia nuk i kujton shumë ngjarje të tilla. Shkëlqimi mediatik i “Qytetit Studenti” ka eklipsuar shumë prej zhvillimeve të mëparshme që i dhanë shtytjen e parë rrokullisjes së diktaturës në tatëpjetë. Memuaristika e kësaj periudhe është kyçur kryesisht në rrethet e disa protagonistëve të mediatizuar, shumica e të cilëve nuk kanë ende neutralitetin e duhur ndaj interesave që lidhen me kujtimet, për të ofruar një panoramë objektive. Për këtë arsye, heroizmi i heshtur i njerëzve që vërtetë dhanë shumë, pa përfituar asgjë dhe pa u dukur askund, mbetet ende i pazbardhur sa ç’duhet në skutën e errët të së vërtetës së historisë.

Si u mundësua hapja e xhamisë?

Hapja e Xhamisë së Plumbit në Shkodër, 21 vjet më parë, ashtu si edhe hapja e kishës katolike, ka qenë një ngjarje me mjaft rëndësi në ndryshimin e sistemit komunist. Ato ishin pjesë e lëvizjeve antikomuniste që tashmë kishin filluar të merrnin kurajë për të ngritur krye aty-këtu. Shkodra tregoi se ishte e gatshme të sakrifikonte për lirinë e saj dhe kjo, jo vetëm që ngjalli optimizëm në rradhët e qytetarëve, por edhe frikë në elitat e larta të pushtetit. Mijëra qytetarë morën pjesë në ceremonitë e hapjesë së kishës dhe xhamisë, pa pyetur për presionet e diktaturës, gjë që po tregonte se tashmë njerëzit kishin filluar të vrisnin frikën dhe se vendi po hynte në një proces pa kthim pas.

Aparaturat e regjimit, u vunë në veprim për të shfryrë vlerën e këtyre ngjarjeve. Propaganda shtetërore u përpoq t’i mbushte mendjen popullit se ajo që kish ndodhur ishte thjesht një veprim i njerëzve fanaticë, të mbetur ende nostalgjikë ndaj zakoneve dhe bestytnive të vjetra. Ata u përpoqën ti trajtojnë mediatikisht ngjarje të tilla, si mbeturina të injorancës së të kaluarës, e cila nuk kish prekur dhe nuk do të prekte rininë shqiptare, të edukuar me materializëm dialektik e frymë revolucionare. Kjo propagandë u lançua në çdo qelizë të shoqërisë, në çdo shkollë, ndërmarrje, bllok lagjjeje. Regjimi predikonte se kish vendosur t’i lejonte njerëz të ushtronin besimet e tyre “prapanike”, pavarësisht se ato nuk i shërbenin zhvillimit të shoqërisë. Por në të vërtetë, kjo ishte vetëm një përpjekje e dëshpëruar për ta paraqitur katastrofën si një fakt periferik pa rëndësi në mëmyrë që të mund të zbusin peshën e ndikimit të saj. Propaganda shtetërore synonte të mbante larg rininë nga ky kazan që po zjente, ndërkohë që në të vërtetë ishin pikërisht të rinjtë që organizonin veprime të tilla.

Një pjesëmarrës dhe organizator i këtyre ngajrjeve,  Ahmet Osja, asokohe pedagog në Universitetin e Shkodrës, sqaroi për E-zanin e Naltë të gjithë peripecitë, në të cilat ish bërë e mundur hapja e kishës dhe xhamisë. Ai na tregoi se hapja e objekteve të kultit u pa prej grupit organizator ku ai bënte pjesë, që synonte të provokonte një lëvizje kundër regjimit, si një fazë e rëndësishme për të nxitur një përfshirje masive në protesta. Kjo erdhi pas tentativave të para që ata kishin ndërmarrë për të rrëzuar bustin e Stalinit, në të cilat pati edhe përleshje me policinë. Të gjithë kishin kuptuar se duhej një përfshirje masive në revolta, por duhej edhe një motivim shpirtëror, ndaj sytë u kthyen nga feja.

Pas hapjes së kishës, të organizuar nga muslimanë e të krishterë, u mendua të bëhej e njëjta gjë edhe me xhaminë. Osja rrëfen se kjo kish krijuar një situatë shumë të vështirë. Të gjitha strukturat e partisë-shtet ishin vënë në veprim për të penguar me çdo mjet një lëvizje popullore kundër regjimit në Shkodër, ndaj ishte e vështirë dhe e rrezikshme përfshirja në një përpjekje të tillë. Ai na tregon sesi e kishin strehuar për javë të tëra në lagjen e muslimanëve, priftin që mbajti meshën në ceremoninë e hapjes së kishës, gjë që nuk do ti shkonte ndër mend punonjësve të sigurimit, të cilët e kërkonin me javë të tëra. Ndër të tjera, vështirësia kryesore mbetej tek gjetja e një hoxhe të mirënjohur dhe sjellja e tij në në Shkodër për të kryer ritualet fetare.

Me shumë vështirësi, u arrit të diskutohej me Hafiz Sabri Koçin, i cili pas disa hezitimesh, pranon të marrë përsipër gjithçka. Duhej hartuar tashmë plani për të sjellë Hafizin në Shkodër pa rënë në sy, gjë që ishte thuajse e pamundur. Në një konspiracion të plotë, u arrit të sigurohej një makinë e Ministrisë së Arsimit, nëpërmjet të cilës Hafizi do të mund të mbërrinte në shkodër, pa u diktuar nga strukturat policore apo struktura të tjera paralele që vepronin nga të katër anët. Një makinë e ministrisë, nuk krijonte dyshime ndaj, ishte rasti i duhur për t’ia hedhur kësaj barriere.

Gjithçka shkoi për mrekulli. Rreth 10 mijë njerëz, ishin mbledhur në Xhaminë e Plumbit, për të marrë pjesë në këtë xhuma historike, të mallëngjyer, të etur për të kapur çdo fjalë, çdo element të ritualit. Natyrisht, shiprtërat e këtyre njerëzve, të vyshkur prej vitesh të tëra nga mungesa e pranisë publike të fjalës së Zotit, ishin tashmë një sfungjer që përpinte gjithçka pa pyetur aspak për frikën.

Gjuhët e shkurtuara të mohimit

Siç mësojmë nga libri i Faik Lulit dhe Islam Dizdarit “Një jetë në shërbim të fesë”, fjalimi i Hafizit në këtë moment ka qenë një manifestim i hapur kundra diktaturës. Ai shprehet aty se, “për dyzet vjet me rradhë vendi ynë ka qenë shkretuar dhe shëmtuar” dhe se “vaji i kësaj Shqipërie nuk ka pushuar për 40 vjet” duke bërë që të jetonë vetëm trupat, ndërsa gjallëria e vërtetë kishte mbaruar. Për këtë arsye, Hafizi shprehu lumturinë e tij, për faktin se konstatonte që “i Madhi Zot, e paska ruajtur ngrohtësinë, dashurinë e fesë së Vet, në zemrat e kësaj rinie”. Duke falenderuar ata që e ndërmorën iniciativën për të hapur xhaminë, ai shtoi se: “s’ka më krim se sa t’i mbyllësh tjetrit  derën e shpirtit, derën e ndërgjegjes e të kujtesës së të madhit Zot …”. E pas kësaj ai drejton një lutje: “ O Zot, bëj që të falimentojnë zullumqarët me zullumqarët, njëri me tjetrin, të paguajnë hakun ndërmjet tyre.”

Më tej, thuhet që hafizi të ketë cituar një pjesë nga Kurani: “Ata dëshirojnë ta shuajnë dritën e Allahut me gojët e tyre, por Allahu ka vendosur ta përsosë dritën e Tij, megjithëse mohuesit e urrejnë këtë” (kapitulli i “pendesës”, ajeti 32).

Duke përfytyruar një skenë të tillë, të duket se ky ajet ka zbritur posaçërisht për këtë ditë. Ai u bë emblema e këtij momenti historik dhe shembull i fuqisë së fjalës mbi realitetin njerëzor. Ai ishte një grusht i rëndë i dhënë ndaj diktaturës, me fuqinë e një durimi dhëmbështrënguar pesëdhjetëvjeçar. Kurajoja e Hafizit është rrënqethëse. Ajo vjen në momentet më kritike, tashmë kur bisha ka filluar të ndjejë se dheu po i rrëshqet nën këmbë dhe, e tmerruar, egërsohet deri në tërbim. Gjithçka më pas ishte vijueshmëri e një skenari të përsëritur prej çdo diktature. Ajo vjell zjarr ku të mundë, por, në heshtje, edhe përgatit metamorfozën e saj, për të shpëtuar ç’të mundë prej vetes.

Profesor Osja, na tregon se pak kohë më pas, ka qenë i ndjekur prej strukturave të shtetit dhe, duke u informuar prej miqsh, ka arritur të shpëtojë e të strehohet tek të afërm të tij. Siç dihet, demonstratat e prillit që vijuan më pas, ndryshe nga ato Tiranës, nuk kaluan pa gjak dhe kjo tregon shumë për frikën që Shkodra i krijonte regjimit. Kjo ndoshta vjen edhe për faktin se lëvizja shkodrane e gjeti motivimin tek feja, tradita, trashëgimia e mbijetuar gjatë 50 viteve pluhur harrese, ndërsa ajo e Tiranës, motivohej më shumë së jashtmi, nga rrokstarët dhe idhujt vezullues të botës së konsumit, sesa së brendshmi, në historinë, trashëgiminë dhe shpirtin e këtij populli.

Kumte nga thellësitë e kohës

Këtë ditë, Shkodra jetonte të përditshmen e vet normale. Asnjë shenjë memorieje nuk dukej përveç dy-tre aktiviteteve të planifikuara nga Myftinia, në kujtim të ngjarjes. Në takimet me miq të ndryshëm, kur u shpjegonim motivin e mbërritjes tonë në Shkodër, të gjithë habiteshin fillimisht, ndërsa rrallëkush arrinte t’i thërriste kujtesës: “Ah po. Se ç’ka dhe një aktivitet Myftinia për këtë!” Përtej pompozititetit, ndonjëherë të dobishëm, të takimeve ku zakonisht kujtesa kalon nëpër rrubineta burokratikë që i vrasin inspirimin, një aktivitet me vlerë, ndonëse me nivel të ulët pjesëmarrjeje, ishte kryerja e faljes së pasdites në Xhaminë e Plumbit, në shenjë përkujtimi ndaj ngjarjes.

Xhamia njëqindgjashtëdhjetëvjeçare, priste aty në buzë të Drinit, e rrethuar nga një valë kaotike ndërtimesh pa sistem, në fund të një rruge, të ngushtë vetëm për një korsi e pa asnjë gram asfalt, e vetmuar dhe stoike. Vetë lashtësia, por edhe vështirësia për të mberritur deri aty, megjithë faktin që ajo vezullon madhështore nëpër faqet ilustrative të guidave turistike, duket sikur i selekton vizitorët, duke përzgjedhur vetëm ata që kërkojnë kujtesë. Kësisoj, bashkë me madhështinë arkitekturore, ajo përcjell tek vizitorët tërë madhështinë e kohës, duke rrezatuar kumtin e triumfit të së vjetrës ndaj të resë, të besimit në Zot dhe në vlerat universale të trashëguara përballë kultit të njeriut dhe utopisë së variantit totalitar të modernitetit. Aty duket triumfi i traditës përballë “njeriut të ri”. E teksa hyn në oborrin e këndshëm, të duket se nga gurtësia e kësaj ndërtese rrjedh durimi, virtyti themelor që skalit e vjetra me fuqinë e saj më të pasfidueshme: Kohën. Ndaj gjithçkaje triumfoi asokohe komunizmi dhe diktatura vrastare, por vetëm ndaj një gjëje u desh të nënshtrohej përultësisht, përfundimisht: ndaj kohës.

***

Të pranishmit në xhami, pas faljes mbajtën nga një kumtesë të shkurtër, në shenjë nderimi për ata njerëz që u përkushtuan në hapjen e saj 21 vjet më parë. Përtej burokracive oratorike, kish një hije solemniteti në atë procesion, të imponuar nga pesha e hijeshisë dhe vjetërsisë së asaj xhamie, por edhe nga madhështia e ngjarjes së përkujtuar si dhe personazheve që i dhanë jetë. Gjatë ceremoniesë u shfaq një burrë i vjetër, me një pamje fisnike dhe me një eskpresivitet të jashtëzakonshëm gjestikulativ e emocional të simuluar nga mosha, i cili kish sjellë me vete një kasetofon të vogël, nga ata që punojnë me kasetë me shirit, të dalë nga qarkullimi prej dekadash. Aty kish regjistruar, fjalimin e të ndjerit Hafiz Sabri Koçi, në dhjetvjetorin e përkujtimit të rihapjes së xhamisë, të mbajtur në vitin 2000. Zëri i tij, shpoi hapësirën dhe heshtjen e gurtë të xhamisë duke depërtuar thellë brenda gjithkujt. Fjala e tij, ishte në fakt një lutje, ku i ndjeri shprehte mirënjohjen ndaj Zotit për bujarinë e Tij në çlirimin prej makthit të gjatë 50 vjeçar, por dhe përgjërimin për përkujdesjen dhe mëshirën hyjnore. Ai zë, dukej madhështor në përuljen që tregonte. Ai që kish bërë më shumë se të gjithë aty për këtë besim, dukej edhe më i përuluri e më i përgjëruari ndaj Zotit të tij. Fytyra e Hafizit vinte aty e shumfishuar dhe e lartësuar në tre dimensione: në atë të aktit të tij, duke thyer frikën për hir të fesë, në atë të qenit i përulur ndaj Krijuesit, të cilit i dedikohen veprat tona dhe në atë të të qenit i përmendur prej të tjerëve pas largimit nga kjo jetë, qoftë edhe me një shirit magnetofoni, të vjetër sa dhe vet zëri që mbushte tashmë heshtjen e kësaj xhamie. Pikërisht, asnjë prej këtyre nuk kishte ai regjim: as madhështi, as përulje ndaj ndonjë ideali dhe as la midis nesh ndonjë kujtim të mirë.

Comments

  • Xhamia e Iljaz Mirahorit ne qytetin e Korces

    Kjo xhami është monumenti më i vjetër i qytetit i vitit 1484, ka vlera historike, kulturore e fetare, por edhe arkitektonike. Gjendet në jugperëndim të bulevardit “Fan Noli” dhe atij “Kiço Greço”. Xhamia e Mirahorit është xhamia e parë me kube e ndërtuar në Shqipëri.

    Në brendësi është e lyer me të bardhë dhe i përket shekullit të XIX, me disa piktura të Mekës dhe Medinës në mur. Minarja është dëmtuar rëndë nga një tërmet i shekullit të XVIII dhe tani xhamia e ka humbur minaren e saj. Kjo xhami është ndërtuar në vend të një kishe bizantine. Është monumenti më i vjetër në Korçë dhe xhamia më e vjetër në Shqipëri. Para se ta vizitoni në brendësi, mos harroni t’i hidhni një sy me vëmendje pamjes së jashtme.

  • Xhamia e fshatit Mlikë e vjetër që nga viti 1289

    Në këtë zonë malore thirrja e xhematit për faljen e namazit është bërë nga xhamia që besohet të jetë ndër faltoret e para të besimit islam në Ballkan.
    “All-llahu ekber, All-llahu ekber, …, Esh-hedu en la ilahe il-lall-llah, Esh-hedu en la ilahe il-lall-llah …” Kjo thirrje po përhapej në fshatin Mlikë të Gorës në Dragash ende pa zbarkuar pjesëtarët e ushtrisë osmane këtë javë. Mirëpo, historianët pohojnë se kjo thirrje është dëgjuar në të njëjtin fshat qysh nga kohët e hershme, bile edhe para ardhjes së osmanëve në Ballkan.
    Në këtë zonë malore thirrja e xhematit për faljen e namazit është bërë nga xhamia që besohet të jetë ndër faltoret e para të besimit islam në Ballkan. Si e tillë në bazë të fakteve historike të gjetura deri tani supozohet se themelet e saj janë vendosur në bazë të iniciativës së familjeve të ardhura nga Halepi i Sirisë, të cilët me vete kanë bartur edhe traditën shpirtërore, duke e ngujuar atë në këto bjeshkë, me ç’rast edhe kanë influencuar banorët lokalë.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *