MANIKEIZMI I SHKRONJAVE





Doan Dani.

Ndjeshmëria e lartë e aglomerateve shoqërore ballkanike ndaj kufijve identifikues, që në krahasim me ambientin aktual evropianoperëndimor mund të ngjasojë me një mutacion social ose me fosilet e shekullit të nacionalizmave, pa dyshim është rezultat i përpunimeve ideologjike të shtresëzuara si nga institucionet kulturore, fetare dhe politike, ashtu edhe nga rrethana të veçanta të cilat kanë ndikuar në kultivimin e izolimeve, ndjesive të përkatësisë dhe diferencimeve akoma më të dukshme.

Do të ishte i pambarueshëm një shtjellim i kufijndërtuesve tashmë tradicionalë, si etnia, gjuha, feja dhe kultura në kuptimin e përgjithshëm, po ashtu edhe elementet anësore të lidhura me ato, aq imtësisht të interpretuar nga vëmendja e Nicole Janigro në L’esplosione delle nazioni, për sa i përket realiteteve të ish-Jugosllavisë, ku, sa për ngjërim, vlen të kujtojmë se si një gjellë e thjeshtë i ndante kroatët nga serbët – jo të gjithë – duke e konsideruar tradhti përdorimin e recetës serbe dhe anasjelltas.

Etnicizmi i kuzhinës nuk është dukuri ekskluzivisht ballkanike, por këtu pikturohet me ngjyra tragjike, të afta për të prodhuar tablotë e epilogut të shekullit të kaluar: mund ta shtrijmë vëzhgimin tek muzika, më saktësisht tek refuzimi i arit me pretekstin e tradhtisë, sepse ky është prodhuar nga popuj armiq. Ky artikull fokusohet tek imtësi akoma më të atomizuara, siç janë germat e një emri, kombinimi i tyre, përdorimi i një sinonimi përkundër një tjetri, përcaktimi statik i një gjendjeje dhe përzgjedhja e terminologjisë.

Një shkronjë shqetësuese

Për publikun e sotëm serb dhe pothuajse për të gjithë atë ndërkombëtar heroi legjendar Miloš Obilič, idhull folkloristik i epikës serbe, njihet ose adhurohet me këtë antroponim, si pjesëmarrës-simbol i betejës romantikisht të famshme të Fushë Kosovës (1389). Beteja në fjalë, e zhvarrosur nga dy malazez në fillimet e shekulli të XIX dhe e ringjallur nga malazez të tjerë në vitet ’80 të shekullit të XX, për shumësinë e idhujve që ka transmetuar përbën një rezervuar të vërtetë ideologjik për popullin serb. E nuk është e vërtetë që Beteja është produkt popullor, pasi heroi i atyre viteve, i rrënjosur thellë dhe gjerësisht në folklorin serb, është Kralevič Marko, luftëtar përkrah forcave të sulltanit ku dha edhe jetën: e çuditshme, por populli zgjodhi promovimin e “vasalit”, ndërsa ideologët gjurmuan figura që nuk pranuan kompromisin. Aq i thellë dhe programatik ishte rindërtimi i të kaluarës, sa që njëri nga personazhet ju nënshtrua transformimit edhe të emrit. Miloši u bë Obilič pas katër shekujve të dokumentuar si Kobilič.

Në pamje të parë duket diçka fëmijërore, por metamorfoza fsheh një shqetësim nacionalist, konkretisht sigurimin e origjinës etnike të personazhit-simbol. I ndalur në mënyrë specifike tek antroponimi i heroit në fjalë, Noel Malcolm në historinë e tij të Kosovës, pasi vëren një origjinë të mundshme vllaho-shqiptare dhe pasi zhvlerëson origjinën serbe të Milošit, mbron prejardhjen hungareze. Thelbi i nyjës gordiane qëndron tek mbiemri, që për katër shekuj dokumentohet si Cobilich, Kobyla, Kobilovič, Komneni, Koplaki, Cobilith, Kobyliczh, Khobilovitz – pra me shkronjën fillestare K –, i cili në formën Kobilič ngjason në mënyrë jo të habitshme me rrënjën vllaho-shqiptare kopil, duke rrezikuar kështu që idhulli serb të prezantohet me emër jo sllav. Për të kapërcyer “lumin etnik” zhduket germa K në favor të formës Obilič, që, sipas rilindësit Vuk Karadzič (1818), rrjedh nga fjala serbe obilje (bollëk). Ky makijazh e prezanton idhullin plotësisht, përfundimisht dhe padyshim si serb.

«Për një ‘m’ që ti s’e vë,

fjala mik bëhet ik. Ç’bën kështu more Besnik, a i thuhet mikut ik?» Po sikur Abetarja, në vend të Besnik, të na mësonte me më të rrallin (H)Enrik ose me më të shpeshtin Refik? Preferenca, individuale, klasore ose kolektive, ka arsyet e veta praktike, egocentrike e nganjëherë manipuluese dhe imponuese. Një emër zvarriti polemika të vrullshme në ambientet intelektuale shqiptare, në media e faqe interneti. Është fjala për antroponimin Ivan ose Jovan, që Oliver Schmitt preferoi në Skënderbeun e tij. Reagimet, nganjëherë të dendura dhe profesionale, u përpoqën t’i tregonin historianit zviceran se trajta e një antroponimi është pashmangshmërisht përcaktuese e etnisë, e për rrjedhojë e identiteteve që mund të bazohen në këto detaje, prandaj, trajta Ivan, kur pranohet që Kastriotët ishin shqiptarë, duhet mënjanuar në mënyrë kategorike, sepse në të kundërt babai i Heroit tonë kombëtar merr nuanca sllave. Duke u nisur nga përdorimi i emrit Ivan në vend të sugjerimit Gjon, pothuajse të gjitha reagimet ishin akuza të drejtpërdrejta ndaj qëllimshmërisë dashakeqe e komplotiste të Schmittit, megjithëse autori nuk e pranon origjinën serbe të Gjon Kastriotit dhe diçka të tillë e pohoi në intervistën e botuar në Gazeta Shqiptare (2008). Mjaft ironik ishte fakti se shpesh herë akuzat ndaj autorit merrnin hov nga intervistat e përkthyesit Ardian Klosi. Sidoqoftë, përgjithësisht në reagimet më profesionale polemika valëvitej rreth ekzistencës së emrit ‘Gjon’ në shekullin e XV dhe etnocentrizmit në përzgjedhje. Ç’është e vërteta historianët tanë nuk shkuan përtej renditjes së dokumenteve që familjarizojnë emrin G(j)ion në fundin e Mesjetës, pra nuk u gjet një Gjon Kastrioti i dokumentuar.

Aurel Plasari në Skënderbeu: një histori politike sjell disa të dhëna mjaft interesante rreth emrit të Kastriotit, ku bie në sy larmia dokumentare – Jan, Joan, Janus, Iouan, Yuan, Johannes, Iohannes, Juvan, Ivan – dhe mungesa e emrit Gjon, që, sipas Plasarit, normalizohet me veprën e Fan Nolit, por kishte hyrë në qarkullim me poemën Historia e Skënderbeut (1898) e rilindësit Naim Frashëri dhe me “prodhimin” austro-hungarez T’nnollunat e Scćypniis prei gni Gheghet ći don vênin e vet (1898). Plasari këmbëngul se Frang Bardhi, i cili e njihte përputhjen e Ioannes dhe Gion, emërtonte të atin e Skënderbeut me emrin latin Ioannes, njëkohësisht me dëshminë e ekzistencës të një ‘Gjon Kastrati’ dhe sqarimit të domethënies së tij në latinishten e Bardhit, pra Joan; se Jorga dhe Zef Jubani kanë përdorur emrin Ivan, me plotë bindje që Kastrioti nuk ishte sllav. Nuk besoj se janë të gjithë “puçistë”.

Diferenca është se Schmitti ka preferuar njërin nga emrat dokumentar, ndërsa historiografia shqiptare e shekullit të XX ka preferuar trajtën shqiptare jashtë dokumenteve në lidhje me Kastriotin. Etnocentrizëm apo prakticizëm? Që të mos humbasim në hipoteza, diçka është e sigurt: historianët shqiptar nuk mund ta akuzojnë Schmittin për metodologji të gabuar ose armiqësore, që konsiston në kanale etnike preferenciale, duke u mbrojtur pastaj me të njëjtën metodë etnocentrike.

Çështje sinonimie apo imazhi?

Me 29 maj 1453 Kostandinopoja bie në duart e Mehmetit të II, e nga ai çast do të njihet si ‘Fatih’, i përkthyer si ‘Pushtuesi’, në vëllimin I të Historia e Shqipërisë (1959) – me hartues Selim Islamin dhe Kristo Frashërin. Ky përkthim përdoret gjerësisht nga historiografia jonë në përcaktimin e Mehmetit II, e natyrisht edhe në studime ose artikuj të thjeshtë të botuara jo nga historian. Jo se Franz Babinger ishte përdoruesi i parë, por nofka ‘Pushtuesi’ të kujton biografinë e tij tashmë klasike me titull Mehmed der Eroberer und seine Zeit të botuar në 1953. ‘Eroberer’ është përkthyer në anglisht, frëngjisht dhe italisht në ‘Conqueror’, ‘Conquérant’ dhe ‘Conquistatore’, që nuk transportohen në fjalën ‘Pushtues’. Vetë fjala origjinale osmane fatih nuk mund të përkthehet pushtues për dy arsye të thjeshta. Së pari, fatih vjen nga fjala arabe feth, që lidhet me fatah dhe fatih, dhe përkthimi i saj është fitore në kuptimin e hapjes së diçkaje që është  e mbyllur, nga ku mund të interpretohet me kuptimet ‘lavdi’ dhe ‘triumf’. Një shembull praktik vjen nga Kurani (pra, shek. VII): kaptina a parë titullohet ‘Al-Fâtiha’, ‘Hapësja’ (“Hyrja”), ndërsa kaptina e dyzetetetë është ‘Al-Fath’, ‘Fitorja’, në atë kuptimin që shpjegova më lart; jo rastësisht Jasser Arafati (pra, edhe pas katërmbëdhjetë shekujsh), siç vërejnë John dhe Janet Wallach në Arafat in the eyes of the beholder, përzgjodhi emrin ‘Fatah’ për organizatën e tij sepse i përshtatej kuptimit të lavdisë – por edhe fitores e çlirimit – së një personi, një grupi, një populli dhe një kombi. Pikërisht me këto vlera semantike dhe ngarkesë pozitive osmanët e huazojnë fjalën fatih.

Së dyti, nuk është e logjikshme që osmanet të përcaktojnë sundimtarin, mbase më të shquarin e Perandorisë, në momentin më të famshëm të veprimtarisë së tij, me nofkën e përshtatur në shqip si ‘Pushtuesi’, për vetë ngarkesën negative që ky term bart: tek Fjalori Sinonimik i Gjuhës Shqipe, i autorëve Ali Dhrimo, Edmond Tupja dhe Eshref Ymeri, tek zëri pushtues sinonimet janë zaptues, shkelës, ndërhyrës, gllabërues, skllavërues, armik. Këtë kuptim donin t’i jepnin osmanët Mehmetit II me nofkën ‘Fatih’?

Mund të pranojmë faktorin imponues të diktaturës, i cili mbase ka detyruar K. Frashërin e atëhershëm (vitet ’50) të adoptojë përkthimin pushtuesi dhe, në të kundërt, mungesa e detyrimeve ta çlirojë sot historianin për të reaguar kundër keqpërdorimeve antroponimike të Schmittit – të pretenduara si të qëllimshme –, por nuk është e kuptueshme, ose të paktën e pranueshme, dëshira që A. Plasari përjeton për të titulluar dy kapituj të Skënderbeut të tij me ‘Mehmet Pushtuesin’, kur është vetë autori që pranon pushtues dhe ngadhënjimtar si përkthime të fjalës fatih. Në një linjë me Plasarin, në këtë pikë, vendoset edhe Piro Misha, të paktën sipas sintezës prezantuese që i bën librit ‘Kronikat’ e Tursun Beut: madje autori nënvizon se debatet rreth sundimit osman «në të vërtetë s’kanë asnjë lidhje me interesa të mirëfillta akademike», ndërsa vetëm në këtë prezantim të shkurtër ai është larguar nga objektivizmi, po e quajmë akademik, duke e lexuar veprën e Tursun Beut nga një këndvështrim romantik.

Ngadhënjimtar i përshtatet më së miri fjalës fatih, idesë së Babingerit, përkthimeve në gjuhët e sipërcituara dhe ngarkesës pozitive për të cilën është përdorur termi, e pasqyruar edhe nga sinonimet e gjuhës shqipe në fjalorin e cituar, mes të cilave, për hire të vërtetës, renditet edhe fjala pushtues, por është e vetme përballë sinonimeve triumfues, fitimtar, i shënuar, i pathyeshëm, i pandalshëm dhe krenar. Po atëherë, perse nuk vendoset drejtësia gjuhësore-historike edhe në precedentin e Mehmetit II? Sepse ishte i Keq dhe i përket Atyre, ndërsa Gjoni ishte i Mirë dhe na përket Ne? Kjo nuk është metodë shkencore, e megjithatë birësohet akoma në shekullin e XXI. Kur emrat lexohen sipas emocioneve, imagjinojmë përshkrimet ose kritikat për “mungesë akademizmi”.

Urrejtje romantike

Mënyra si trajtohet, nganjëherë edhe kokëfortësia naive, e rrethojnë përcaktimin e periudhës osmane me pavdekshmërinë gati hyjnore të termit pushtim. Paradoksalisht duket sikur termi në fjalë është përforcuar akoma më tepër në vitet e fundit, veçanërisht në hapësira mediatike që, për të mbushur faqet, i hapin dyert informacioneve në mënyrë të pakontrolluar, në hapësira digjitale pastaj problemi amplifikohet tej mase. Gjatë viteve të enverizmit gjejmë larminë valëzuese të tre termave: pushtim, zgjedhë dhe sundim. Në librin e sipërcituar të historisë së Shqipërisë, sipas Akademisë së Shkencave, eksperienca e gjatë osmane përcaktohet si sundim. E njëjta Akademi, në një botim në anglisht të viteve ’80, preferon termin zgjedhë në kapitullin Albania beneath the Ottoman yoke. Fjala zgjedhë shkëputet nga ekonomia bujqësore, konkretisht nga nënshtrimi i kafshëve të punës. Termi e magnetizoi vëmendjen e historianit Georges Castellan, që në Historie des Balkans: XIVe-XXe siécle i kushtoi, në mënyrë specifike shprehjes ‹‹le joug ottoman›› (zgjedha osmane), një kapitull të shkurtër në formë konkluzionesh: sipas Castellan, historianët ballkanas e morën shprehjen nga romani Pod igoto (1890) i rilindësit bullgar Ivan Azov. Mirëpo, ndërsa edhe brenda versionit anglisht të Akademisë është e pranishme fjala sundim (domination), mjaftoi një ngacmim i politikës së muajve të fundit mbi “rishkrimin e historisë” për të filtruar korin e zërave të ndryshëm që nuk pajtohem as me zgjedhën, pjesë e terminologjisë nacional-romantike, por këmbëngulin tek pushtimi, duke e vetëprojektuar dhe izoluar vizionin në shekullin e XV.

Një situatë në dukje komplekse, në fakt është shumë e thjeshtë: për dallueshmërinë mes pushtimit dhe sundimit mjafton referenca e fjalorit të gjuhës shqipe dhe ajo e “fjalorit historiografik”. Karakteristika e parë dalluese lidhet me kohëzgjatjen, që e konsideron pushtimin si fazë e përkohshme dhe natyrisht më e shkurtër se kohëzgjatja e sundimit. Faktorit kohë i duhet shtuar edhe analiza historiografike e sintetizuar, për shembull, nga Castellan, si domosdoshmëri për t’u shmangur nga termi i papërshtatshëm i ‘pushtimit’, i përdorur nga nacionalizmat e dy shekujve të fundit: sundimi osman, për Castellan, është ‹‹një prani që zgjat pesë shekuj, [që] vendos një rend të ri politik, administrativ dhe social, dhe nuk mund të reduktohet tek një situatë e përkohshme ushtarake, që vendos ballë për ballë dy popullsi të huaja››, siç bën pushtimi, faza fillestare e periudhës osmane, pra maksimumi shekulli i XV. Prandaj duhet përdorur qasja e ‹‹sundimit›› – përfundon historiani –, që përbën një sfidë të vërtetë për mentalitetin e tejngopur me imazhe dhe me doktrinën e  paragjykimeve.

 

Botuar me pare tek PTF. Botuar me leje te autorit.

Comments

  • Shkrimi eshte i nje niveli qe nuk e gjen ne shtypin shqiptar. Por, fatkeqesisht publicistika shqiptare i skarcon te miret, duke pranuar vetem kalemnxhinj medioker qe shkruajne gjera bajate, te konsumuara ketu e 15 vjet me pare. Per kete arsye, shtypi shqiptar, nuk ka vend per njerez si Doani, por ka vend per cdo gje pa vlere.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *