Dhjetorët që kalojmë





e-Zani.

Tetë dhjetori është një ditë që duhet kujtuar si një moment i rëndësishëm që startoi çlirimin prej një diktature të egër dhe barbare, që shterri të gjitha vlerat dhe energjitë e kësaj shoqërie. Çdo datë që lidhet me lirinë duhet përkujtuar me nderim, sido të kenë shkuar punët më vonë dhe kushdo të kenë qenë aktorët pjesëmarrës në ngjarjet që lidhen me të. Në këtë datë, 20 vjet më parë, Shqipëria filloi të marrë fyrmë lirisht, duke shpresuar më në fund për një kthesë të madhe nga humbëtira ku ish zhytur për një gjysëm shekulli. Përkujtimi i kësaj date është i domosdoshëm, ndoshta jo shumë për atë çfarë erdhi më pas, por më tepër për atë çfarë shporri nga supet e njerëzve.

Ndoshta sot duket se shpresa e atyre ditëve është venitur shumë dhe se shumë zhgënjime kanë ardhur përgjatë gjithë kësaj periudhe, ndonëse po t’i bëjmë bëjmë llogaritë në mënyrë të ftohtë dhe objektive do të rezultojë se kemi fituar shumë. Nuk mund të mos vërejmë se shumë prej atyre idealeve që mundën të krijohen gjatë atyre ditëve dhjetori, jo vetëm që mbeten të parealizuar, por duken ende të largëta. Gjatë këtyre viteve kemi parë se diktatura, si një gjallesë shumëqelizore, u shpërbë, për t’u shpërndar kudo si një virus në trupin e çdo organizmi të ri që kjo shoqëri është përpjekur të ndërtojë me mund e vështirësi. E shpërndarë kudo, duket edhe më e vështirë për ta luftuar, pasi e gjen kudo dhe askund.

Gjithashtu, gjatë këtyre viteve arritëm të kuptojmë se mund të rrëzosh një regjim, por qenka shumë më e vështirë të rrëzosh mendësinë me të cilën ai është ushqyer. Kjo na bën të mendojmë se liria e fituar, është ende sipërfaqësore, për sa kohë nuk jemi çliruar nga prangat e mendjes, e për më tepër kur shohim se regjimi i rrëzuar ka lënë pas shumë gardianë që mbrojnë ofiqet e pinjojve të tij, pikërisht duke ruajtur dyert e burgjeve të mendjes. Kjo na bën të kuptojmë se, për të ndërtuar një shoqëri të lirë, nuk mjafton një dhjetor, e madje as disa të tillë. Shqiptarët thyen diktaturën, por duket se nuk kanë bërë ende diçka serioze për të thyer diktaturën e mendjes që i mban të robëruar, të ndrydhur në padije e mjegulli ideologjike. E gjithë kjo kërkon njerëz të kthjellët, të ndershëm e të gatshëm të kontribuojnë, në mënyrë që kjo mjegull të griset pak e nga pak. Por nuk është vetëm kaq. Duhet ende shumë për t’u çliruar nga burgu i vesit dhe lakmisë, të cilat prodhojnë të gjithë padrejtësitë shoqërore që i vuajmë të gjithë. Të gjitha këto janë sfida të mëdha që do t’i shoqërojnë shqiptarët ende edhe për shumë kohë.

Megjithatë, gjatë këtyre 20 viteve kemi mësuar të diagnostikojmë nga pak veten dhe shoqërinë tonë, duke u aftësuar çdo ditë e më shumë, për të pikasur format e larmishme ku maskohet e vjetra. Kemi mësuar çdo ditë nga pak të mos zhgënjehemi më, duke mbetur syçelët ndaj çdo sharlatanizmi që na premton të ardhmen teksa na tërheq drejt së shkuarës. Këta njëzet vjetë pra, na kanë mësuar të mos mashtrohemi më dhe ky është një hap i rëndësishëm drejt së vërtetës.

Tetë dhjetori vlen të përkujtohet si dita e zyrtarizimit të kësaj lufte, e cila duket se do të vazhdojë edhe ca. Kjo datë kërkon kujtesë, dhe kujtesa është vaksina e duhur për tu mbrojtur nga virusi me të cilin diktatura helmoi mjedisin ku jetojmë sot. Kjo ditë na shërben për të rifreskuar vetëdijen, për të qartësuar se kthetrat e së shkuarës janë ende përreth duke thithur energjitë tona më të mira. Ndoshta janë ende pak ata që janë të vetëdijshmë dhe të kthjellët për këtë. Por gjithsesi, këmbëngulja e tyre do të bëjë që të mos jetë gjithmonë kështu dhe që të mund të ndërtojmë një vend ku mund të jetojmë çdo ditë e më me shumë liri dhe dinjitet.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *