Disident në emër të popullit





Xhodi Hysa.

Thuajse në çdo film me partizanë, do të dëgjojmë formulën e ekzekutimeve në emër të popullit, përmes të cilës kuptohej se akti, edhe pse diçka e rëndë, ishte i legjitimuar sepse i gjithë populli e dëshironte. Për këtë arsye komunisti shihej si zbatuesi i vullnetit të popullit duke u vetëmandatuar për të kryer aktin e eleminimit të armikut të partisë. Mirëpo tani që komunizmi është larguar, të paktën në sistemin qeverisës, duket se kjo batutë po ridimensionohet, duke marrë një frymë krejt tjetër, por pa u çliruar nga ironia dhe cinizmi që e kanë shoqëruar që në krye. Natyrisht që ngjyrimi i kësaj batute ka marrë një tjetër përmasë. Ajo nuk është më e ftohtë, e egër dhe hakmarrëse si në filmat e kinostudios, por e ëmbël, miqësore, bujare, pastruese. Në emër të popullit sot ti mund të quhesh një disident.

Kohët e fundit ka filluar të shtohet numri i atyre intelektualëve të periudhës komuniste të cilët nga ekrani magjik pohojnë se kanë qenë disidentë në kohë të regjimit, se në një formë apo një tjetër kanë kërkuar apo edhe kanë ndihmuar në rënien e tij. Kështu, në lëmin e atyre që tashmë janë vetëdeklaruar apo janë deklaruar prej të tjerëve si disidentë kanë filluar të hyjnë shumë figura të reja, të cilët, të veshur nga manteli i videokracisë dhe universitokracisë, mbajnë fjalime sa groteske aq edhe qesharake, kur kujton përvëlimin e tyre për të çuar gjithnjë e më lart vijën e partisë. E gjitha kjo duket një farsë në sytë tanë, por nuk është e thënë të jetë kështu në sytë e një adoleshenti, që nuk ka përjetuar thuajse asgjë nga ajo kohë. Dikush mund të tregohet mosbesues, por mjaft të themi se ideja e rinisë shqiptare gjatë periudhës komuniste është formuar në bazë të asaj çfarë ka paraqitur kinematografia e realizmit socialist, dhe nuk është vështirë të pohojmë të njëjtën gjë edhe për rininë e sotme, në raport me periudhën komuniste. Pra këto impostime nga pozicione të shtirura antiregjim deformojnë idenë e të rinjve mbi diktaturën.

Thënë më shkoqur, e gjithë kjo dëshirë për t’u shfaqur disident vjen nga nevoja për të pastruar veten nga përgjegjësia, apo, shpesh edhe nga ligësia që, shumë prej protagonistëve të tillë, i ka rrethuar a shoqëruar në atë regjim. Me apo pa dëshirë, shkrimtarët dhe, në përgjithësi inteklektulët e socio-realizmit, i kanë shërbyer regjimit, duke e ndihmuar atë në një prej krimeve më të rënda, atë të përpjekjes për të shkatërruar shpirtin edhe natyrën njerëzore, duke tentuar të imponojnë idetë marksiste-leniniste. Askush tjetër përpos artistëve dhe shkrimtarëve nuk mund ta bënte këtë.  Prandaj duket e çuditshme kur sheh shkrimtarë të mëdhenj të periudhës komuniste të shfaqen befas si disidentë, ndërkohë, kanë qenë pikërisht këta që i kanë thurnur himne partisë edhe udhëheqësit e saj. Ismail Kadare është rasti më i dukshëm nga të gjithë:

Enver Hoxha, syri i tij, i mprehtë,
Ishte i pari që dyshoi për ta.
Dhe atëherë, në themele të shtetit,
Zbriti si në baladat e mëdha!
(Pashallarët e kuq)

Poezia ime për Enverin është kjo
S’kam për të parë as perëndimin ar e zjarr
As lundrat me pëlhura tutje ne luginë
Por do të vij në gjunjë, të të vë mbi varr
Një tufë lule, borzilok e Trëndelinë
. (Vdekja e Enverit)

Por ka dhe shumë të tjerë. Kohët e fundit, ka pasur një përpjekje masive mediatike për të pastruar një figurë aq shumë të përfshirë në korin e himneve për partinë sa ajo e Dritëro Agollit, i cili për ironinë më të madhe u nderua me një titull si “Honoris Causa” nga një universitet që është themeluar nga një lëvizje liberale. Shumë media, u angazhuan të glorifikojnë Agollin dhe veprën e tij, saqë edhe veprën më emblematike “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” e paraqitën si vepër disidente duke na sjellë në vëmendje disa nga kritikat që i paskëshin qenë bërë asaj në kohën e diktaturës. Kjo përpjekje për të paraqitur me ngyra disidence bardin më të madh të diktaturës, është vërtetë qesharake. Pa harruar këtu se ishte pikërisht romani i sipër përmendur i cili qe pararendësi i një furtune që do të përndiqte sa e sa drejtorë të ndryshëm që paaftësia i kishte ngritur në detyrë, për kujtesë po sjellim në vëmendje disa vargje nga “disidenti” Agolli:

Për Enver Hoxhën, këngë thur tërë jetën
Se nëna ime bukë i dha me dhallë;
Me të në dhomën pa tavan ne fjetëm,
Na puthi ne fëmijëve mu në ballë!
(Komunistët)

 

Të qenurit disident do të thotë, të paktën, të mos jesh konformist në një regjim totalitar gjë që nuk ka ndodhur aspak me shumicën e atyre shkrimtarëve apo intelektualëve që sot, për hir të të qenit në qendër të vëmendjes së publikut, duhet patjetër ti gjejnë vetes një rreze disidence të periudhës moniste. Në një nga romanet e tij më të bukura, “Lehtësia e papërballueshme e qenies”, shkrimtari Milan Kundera na tregon një parabolë të bukur mbi ata intelektualë që kanë qenë lëvdues të diktaturës së proletariatit dhe dëshirës së tyre për t’u pastruar nga e shkuara. Ai bën një analogji me tragjedinë e famshme të Edipit. Në pak fjalë, autori tregon se arsyeja përse Edipi verboi vetveten duke nxjerrë sytë me duart e tij, ishte sepse ai e kuptoi mëkatin që kishte kryer. Mënyra e duhur që ai zgjdh për ta shlyer këtë mëkat ishte pikërisht verbimi. Kundera na tregon se verbimi duhet të jetë vetdënimi që këta intelektualë, duhet t’i japin vetes së tyre, për shërbimet e kryera ndaj regjimeve të tilla kriminale. Kjo nënkupton vetëdistancimin e tyre nga ekspozimi në publik në emër të vlerave që, me vetëdije, i kane shpërdoruar, për ti vënë në shërbim të skllavërimit dhe persekutimit të popullit të tyre.

Comments

  • Ja si kendojne zogjte e qiellit ,disidentet e vertete:

    Me zjarr ju flas… me zjarr.
    Ne gjirin tim kam hapur varr…
    Qe t’i jap shprese-edhe t’ja marr…

    Un’ ik liqerit zemerak
    Fatlum dh’i paster si zembak,
    Po zemra ime kullon gjak:

    Se vijne-urtuar zogjte-e mi,
    Dh’u jap ushqim me dashuri –
    Nje dashuri per Ilaftari:

    Pa nis ah! gjirin ta godas…
    Dh’e hap ah! gjirin me nje cas…,
    Dh’i nginj ah! zogjte-e vdes me gas !…

    Ahere-helmohet e bucet
    Pas mallit tim liqeri-i shkret,
    E rrit tallazin posi det.

    Ay e tund,ay e shkund,
    Ay e hap sa me te mund,
    Gjer mun ne gjit,gjer mun ne fund.

    E shpirtin dyke ma percjelle,
    Me thote ah! shih sesa ‘sht’i felle
    Ky gjir’i em qe te pat pjelle…

    …Me zjarr ju flas,

  • Ja si kendojne zogjte e qiellit ,disidentet e vertete:

    Porsi kanga e zogut t’verës,
    qi vallzon n’blerim të prillit;
    porsi i ambli flladi i erës,
    qi lmon gjit e drandofillit;
    porsi vala e bregut t’detit,
    porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
    porsi ushtima e nji tërmetit,
    ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare.
    Ah! po; â’ e ambël fjala e sajë,
    porsi gjumi m’nji kërthi,
    porsi drita plot uzdajë,
    porsi gazi i pamashtri;
    edhè ndihet tue kumbue;
    porsi fleta e Kerubinit,
    ka’i bien qiellvet tue flutrue
    n’t’zjarrtat valle t’amëshimit.
    Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
    qi këtë gjuhë të Perëndis’,
    trashigim, që na la i Pari,
    trashigim s’ia len ai fmis;
    edhe atij iu thaftë, po, goja,
    që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
    qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
    flet e t’veten e lèn mbas dore.
    Në gjuhë shqype nanat tona
    qi prej djepit na kanë thânun,
    se asht një Zot, qi do ta dona;
    njatë, qi jetën na ka dhânun;
    edhe shqyp na thanë se Zoti
    për shqyptarë Shqypninë e fali,
    se sa t’enden stina e moti,
    do ta gzojn kta djalë mbas djali.
    Shqyp na vete, po pik’ mâ para,
    n’agim t’jetës kur kemi shkue,
    tue ndjekë flutra nëpër ara,
    shqyp mâ s’pari kemi kndue:
    kemi kndue, po armët besnike,
    qi flakue kanë n’dorë t’shqyptarëvet,
    kah kanë dekë kta për dhè të’t’Parvet.
    Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
    qi’i rruzllim mbretnin s’i a, xûni,
    në këtë gjuhë edhe Kastriota
    u pat folë njatyne ushtrive,
    qi sa t’drisë e diellit rrota,
    kanë me kênë ndera e trimnive.
    Pra, shqyptarë çdo fès qi t’jini,
    gegë e toskë, malci e qyteta,
    gjuhën t’uej kurr mos ta lini,
    mos ta lini sa t’jetë jeta,
    por për tê gjithmonë punoni;
    pse, sa t’mbani gjuhën t’uej,
    fisi juej, vendi e zakoni
    kanë me u mbajtë larg kambës s’huej,
    Nper gjuhë shqype bota mbarë
    ka me ju njohtë se ç’fis ju kini,
    ka me ju njohtë për shqyptarë;
    trimi n’za, sikurse jini.
    Prandaj, pra, n’e doni fisin,
    mali, bregu edhe Malcija
    prej njaj goje sod t’brohrisim:
    Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia!

    • Kjo eshte poezi e Gjergj Fishtes. Ku eshte dhe ku ka qene disidenca e Gjergj Fishtes? Hidhi nje sy boitmeve te koheve te fundit te nje historiani katolik si de la Rocca per bashkepunimin e Fishtes me fashizmin. Ku eshte disidenca e Fishtes nuk e mar vesh?

  • Ja si kendon-vajton dhe nje tjeter zog-qielli, disident:

    Dhe mbeta këtu,
    i huaj,
    si qen,
    në vendin tim,
    të babës tim…
    Mbeta rajá,
    e ndër rajá,
    si për hatá;

    në uri,
    në qesëndi,
    në skllavëri
    të shqaut të zi.

    Më thanë të ik në Allbani,
    vatan i ri
    i kombit tim,
    si shkoi Selmani,
    Hasani
    e Dani.

    Po dot nga toka s’u ndava
    dhe mbeta të jem
    ku jam
    e ku do të jem.

    Më thanë të shkoj në sheher
    të shqahut të madh,
    me sharrën në krah,
    me kryet përdhé,
    jaban
    e beter;
    portë më portë,
    derë më derë,
    i mjerë
    e zemër sterrë,
    për një kotherrë
    bukë.
    Po malli i vendit s’më la.
    Ah, malli i gjakut s’më la
    e mbeta këtu,
    rajá.

    Ta shemba shqa kufirin
    që ngrite ti
    në vendin tim e përmbi varr
    të babës tim.

    Ta shemba,
    ta dogja,
    me zjarrin e shpirtit,
    të vuajtjes
    dhe të urrejtjes.

    Me zemërim,
    me vrull të madh,
    e bubullimë
    që s’ka mbarim

    Se vjete ti më cave,
    më ndave,
    më vrave,

    armik – lugat,
    armik -xhelat!

  • Che OWStreet,ku eshte disidenca e Fishtes edhe une nuk po e marr vesh, por vetem po shoh se te dy poetet puthadore te diktatorit tradicionalisht jane te fese myslimane dhe tre poetet e pavdekshem shqiptare( Lasgushi,Fishta, Kuteli) jane tradicionalisht te fese te krishtere.

  • Ismail Kadare eshte mysliman??? Sma merr mendja…mos valle eshte konvertuar ne katolik kohe me pare? Sepse e di qe ka fobi ndaj atyre pasuesve te Muhamedit

  • Rrofsh per shkrimin ,o Xhodi Hysa!(Me respekt te thelle -Hafsa)

    Rent, or rent,rent e u thuaj
    Se genjeshtra eshte e huaj,
    Se betejën s’e fituan
    Dhe veten e turperuan!
    Rent, or rent,
    Rent , or Xhodi Hysa
    Kap një degë prej dafine
    Dhe vërtitesh ndaj Tirane,
    Neper fush’ e brek me brek
    Këmba tokën as t’a prek,
    Hip ‘e zbrit,
    Petrit , Xhodi Hysa
    Ke një plagë , po s’e the,
    Djers ‘ e gjak pikon përdhe;
    Do qe ti te jesh i pari,
    Për te verteten lajmëtari
    Sy jeshil e shtat selvi
    Hallall, Xhodi Hysa!

    T’ u-tha gryka po s`te pihet,
    T’ u-mpi këmba , po s’të rrihet,
    Se mileti po të pret,
    Ankthi zemrat ua vret,
    Vrer e tmerr,
    Shpejt , or Xhodi Hysa!
    Kurrë kaq s’ dogji dielli
    Dhe si plumb s’ rëndoi qielli,
    Kurr’ aq’ ëmbl’ e bukur s’ftoj
    Hij’ e lisit edhe kroj;
    Tur-u tej ,
    Tutje , or Xhodi Hysa!
    Vapa mbyt e pluhuri nxin
    Ferra çjerr e guri grin
    Afsha gjoksin përvëlon
    Syrin avulli verbon;
    Ur’ e prush,
    Furr’ or Xhodi Hysa!
    Gryka si gjyrk të cfryn
    Prej Vullkani flag’ e tym
    Seç’ vëngon e sec ‘ gulcon,
    Zemra brinjët t’i ç`kallmon
    Me tokmak,
    Mbahu, or Xhodi Hysa!
    Nëna, motra, nusja dalin,
    Ngrehin krahët të të ndalin,
    Mos, se s’ janë veç Najada
    Magjistrica dhe Driada;
    Lark, or lark,
    Lark, or Xhodi Hysa!
    Hajde , ja Kryeministria,
    Ja qyteti e njerëzia,
    Që të pan’ e qe të çquan
    Dhe fuqinë t’ a rishtuan
    He dhe pak,
    Hajde, or Xhodi Hysa!
    Ja , arrive, ua the:
    Ç’ gas e ç’helm qe kjo myzhde!
    “E vertete !” brohorite
    Dhe për tokë u-ripertrite;
    Rrofsh , or rrofsh!
    rrofsh or Xhodi Hysa.
    Rent kudo , dyke bërtitur,
    Nëpër shekuj faqe- ndritur
    Se i vogli shtrin viganin
    Dhe i shtypuri tiranin,
    Veç e tok,
    Tok, or Xhodi Hysa!

  • Nuk eshte puna vetem tek shkrimtaret por tek nje taborr i tere mediatik qe i vjen prapa dhe nje makineri e tere qe eshte ngritur ne funksion te tyre. Por me teper shkrimi do t’i shkonte per shtat Ismail Kadarese qe nuk la gur pa luajtur, njeri pa share e denigruar per te na hedhur hi syve se paskesh qene disident. Edhe libri me i fundit kadarean (ai i te shoqes Elenes) eshte deshmia me e forte per kete. Qe ne krye te heres IS (sic po i pelqen te quhet tash) zgjodhi rrugen e gabuar per te bere disidentin dhe u perpoq t’i hidhte hi syve njerezve me (s)provat e tij. Ne fakt eshte edhe ceshtje dinjiteti te lindur. Po te kemi parasysh shkrimtare te tjere me goxha stature, fjala vjen, Gunther Grass-in, i cili rrefeu se ne moshen 14-15 vjecare kishte bere pjese ne trupat e rinise naziste, me te cilen provokoi nje stuhi te vertete mediatike, sociale, intelektuale, na del teper IS ne vleresimin qe kerkon t’i beje vetes. Po ashtu edhe rasti i Kongolit mund te sherbeje per krahasim. Mirepo puna eshte se atyre u rendonte ndergjegja, gje per te cilen bene edhe rrefimin publik. Po duhet ta kesh ndergjegjen, per ta perdorur.
    Ndersa sa per Dritero Agollin, mendoj se te pakten nuk eshte shitur kaq disident, madje do vleresoja pohimin qe ka bere gjate nje interviste dhene nje te perditshmeje se “ne kujtime duhet te thuash te verteten, jo gjepura”.
    Une besoj se eshte e larget dita kur figura te ndryshme e te spikatura te jetes kulturore, politike apo intelektuale te cdo lloj kohe do te vleresohen me objektivitet e paanshmeri, d.m.th pasi te kene kaluar procesin e sharjes pafund, pastaj glorifikimi e purifikimi pa fund dhe me pas ne proces objektiv.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *