Karl Ritter.

Kopenhagen, Danimarkë (AP) – Kur zbardhi dita më 4 Qershor, besimtarët e gjetën xhaminë e tyre në jug të Danimarkës të përdhosur me vizatime të profetit Muhamet dhe slogane që i nxisnin myslimanët “shkoni në vendet tuaja”.

Në fund të Tetorit, një derr i copëtuar u varros në truallin e planifikuar për ndërtimin e një xhamie në rrethinat e Kopenhagenit.

Të dy aktet ishin vepër e Ligës Mbrojtëse Daneze (Danish Defence League), një grup i të djathtës radikale që pretendon se nuk është kundra të huajve në përgjithësi, por vetëm myslimanëve.

“Ne nuk jemi rracistë. Ne nuk jemi Nazistë,” insiston Bo Vilbrand, zëdhënësi 24-vjeçar i grupit. Dhe si për të vërtetuar argumentin e tij ai thotë se Liga Mbrojtëse Daneze i mirëpret zezakët dhe hebrejtë.

Ky grup dhe paraardhësi i tij më i madh Anglez përfaqëson një varietet të ri të radikalëve të djathtë të cilët nuk i përshtaten shabllonit marshues neo-Nazist hebre-urrejtës. Kjo lëvizjë pretendon se lufta e saj është kundra Islamit, dhe përdor simbole kryqëzatash në vend të kryqit të thyer Nazist (swastika). Ajo e paraqet misjonin e saj si një përpjekje kulturore, megjithëse kundërshtarët thonë se nuk është gjë tjetër veçse ksenofobi e stilit të vjetër që fshihet nën retorikën anti-Islamike.

 

Autoritetet Evropjane sa po fillonin të konsideronin kapacitetin e lëvizjes anti-myslimane të së djathtës radikale për dhunë kur militanti Norvegjez Anders Behring Breivik e çoi atë në një ekstremitet të paimagjinueshëm më 22 korrik, duke masakruar 77 njerëz në emër të një revolucioni anti-Islamik.

 

“Oslo ishtë një hapje sysh,” thotë Hajo Funke, një ekspert i ekstremizmit të së djathës radikale Evropjane në Free University të Berlinit.

 

Shërbimi i sigurisë Norvegjeze PST e nënvizoi rritjen e grupeve anti-Islamike në analizën e tyre vjetore të rrezikut në Mars, megjithëse analisti kryesor Jon Fitje thotë se lëvizja në shumë mënyra mbetet e pastudjuar.

 

“Duket se ka shumë njerëz që i ndajnë opinionet e përgjithshme të Breivikut, megjithëse ata padyshim i dënojnë veprimet e tij,” tha Fitje për Associated Press. “Por ne nuk dimë shumë rreth kësaj. Dhe ne nuk dimë se sa do duhej të dinim reth kësaj,” sepse PST nuk i lejohet ti regjistrojë njerëzit sipas pikëpamjeve të tyre politike.

 

Ndjenjat anti-myslimane në Evropë nuk janë gjë e re. Që prej sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në ShBA, në Evropë janë fuqizuar partitë anti-imigracion nga Skandinavia në Francë. Sidoqoftë, kjo filloi të marrë një formë më radikale vitet e fundit, kryesisht në internet, por edhe me grupe të vogla që organizonin protesta në rrugë kundër një Islamizimi të perceptuar të Evropës.

 

Në Francë, grupi anti-mysliman Bloc Identitaire ka dalë si një nga zërat më të zhurmshëm të ekstremit të djathtë.

 

Një zhvillim kyç erdhi në 2009 me krijimin e Ligës Mbrojtëse Angleze (English Defence League), e cila pretendon se është paqësore por protestat e saj anti-myslimane kanë përfunduar në përplasje me policinë e me demonstrues të majtë. Dy vite pas fillimit me 50 anëtarë, grupi tani mburret se rradhët e tij janë shtuar në 10.000 veta, megjithëse autoritetet thonë se natyra e tij fluide e bën të vështirë ta masësh me saktësi.

 

Ajo që është e qartë është se qindra veta, përfshi dhe huliganët e futbollit, kanë dalë në protestat e EDL, dhe agjencia policore Evropjane Europol tha në 2010 se rritja e shpejtë e EDL e ka ngritur profilin e ekstremizmit të së djathtës radikale në Britani.

 

EDL ka frymëzuar organizata simotra përtej Evropës veriore, me nivele të ndryshme suksesi. Shumica janë vetëm grupe facebook-u. Një grusht njerëzish u mblodhën për një protestë të Ligës Mbrojtëse Norvegjeze në Prill, ndërsa një version Hollandez u shpërbë më herët këtë vit.

 

Liga Mbrojtëse Daneze duket se ka qenë më e suksesshme. Vilbrand thotë se kanë 200-300 anëtarë aktivë dhe më shumë se 1000 mbështetës të cilët paguajnë anëtarësinë por nuk marrin pjesë në aktivitete.

 

Shërbimi i sigurisë Daneze PET refuzoi të komentonte mbi grupin. Ekspertë danezë të ekstremizmit të djathtë radikal thonë se DDL e ekzagjeron madhësinë e saj por ajo po rritet – ndryshe nga shumë grupe tradicionale të së djathtës radikale.

 

Blogerja daneze Margret Hansen, e cila kaloi 3 vjet duke infiltruar grupet e të djathtës ekstreme në internet, thotë se DDL ka rreth 100 anëtarë aktivë – një numër i konsiderueshëm kur kujton se grupi u themelua vetëm një vit më parë – dhe ka potencialin të bëhet grupi më i fortë i të djathtës ekstreme në Danimarkë.

 

Vitin e kaluar ajo spiunoi ne faqet e Facebook-ut të grupeve anti-myslimane Skandinave, përfshi dhe Ligën Mbrojtëse Daneze (DDL), duke krijuar një profil fallco. Duke pozuar si një nacionalist i rreptë, ajo thotë se zbuloi se komuniteti anti-mysliman ka më tepër ngjashmëri me supremacistët e bardhë sesa pranojnë liderët e tij.

 

“Nën fasadë, kur unë isha e fshehur në internet, unë mora pjesë në grupe të mbyllur ku ata flasin si rracistët: ‘Imigrantët po vjedhin paratë tona, gratë tona,’” thotë ajo. “Por mesazhi është më i lehtë për tu shitur nëse thua ‘ne jemi kundra Islamit ekstremist.’”

 

Hansen thotë se ajo jeton në një adresë sekrete pasi mori kërcënime me vdekje prej ekstremistëve anti-myslimanë të cilët e shohin atë si një tradhëtare për përqafimin e multikulturalizmit.

 

Duke përdorur profilin e saj të rremë, ajo u bë mik me Breivik në Facebook, por thotë se retorika e tij nuk ishte veçanërisht ekstreme dhe ai nuk lëshoi ndonjë shenjë rreth planeve të tij për të vendosur një bombë në Oslo apo për të sulmuar me armë të rinjtë në një kamp veror të partisë së majtë.

 

“Kur mora vesh se ishte Breivik, isha totalisht në shok,” thotë ajo. “Nganjëherë mendoj, si nuk e parashikova që kjo do ndodhte?”

 

Hansen thotë se policia Daneze e mori në pyetje me kërkesë të policisë Norvegjeze rreth komunikimeve të Breivikut në internet dhe rreth njohurive të saj mbi komunitetin anti-Islamik.

 

Rrënjët ideologjike të lëvizjes anti-Islamike mund të gjenden në komunitetin a ashtu-quajtuar “anti-xhihadist” të blogerëve Amerikanë e Evropjanë të cilët në faqe si “Portat e Vjenës” dhe “Gazeta e Brukselit” thonë se imigrantët myslimanë po kolonizojnë Evropën me mbështetjen e heshtur të elitave politike të majta.

 

Në manifeston e tij në internet, Breivik citon shumë nga këta blogerë, përfshi dhe një Norvegjez me pseudonimin “Fjordman” – i cili ka shkruar në mënyrë rrënqethëse se nëse qeveritë nuk e ndalojnë imigracionin mysliman, Evropjanët duhet të veprojnë për “të mbrojtur sigurinë tonë e për të garantuar mbijetesën tonë kombëtare.”

 

Breivik, i cili kohët e fundit u shpall si i paaftë mendërisht, gjithashtu lavdëroi Ligën Mbrojtëse Angleze dhe grupe të tjera anti-myslimane, dhe kënaqej me simbolikën e kryqëzatave që ata përdorin. Lëvizja e rezistencës “Kalorësit Templar” që ai pretendon se i përket duket të jetë një figment i imagjinatës së tij, thonë hetuesit.

 

Disa nga blogerët amerikanë të cituar nga Breivik fituan ndjekës të përkushtuar gjatë përpjekjes kontroversiale në 2010 për të bazuar një xhami pranë vendit të kullave binjake të shkatërruara në Nju Jork. Por megjthë profilin e lartë të blogerëve dhe një ngritje në krime anti-myslimane në Amerikë kohët e fundit, nuk ka prova të qarta që grupe ekstremiste të rrezikshme të bazuara në Amerikë të kenë ndjekur agjenda të ashpra anti-myslimane, thonë ekspertët e ekstremizmit të brendshëm.

 

“Fokusi kryesor i ekstremistëve amerikanë si neo-Nazistët apo Ku Kluks Klani akoma u drejtohet  Afrikano-Amerikanëve dhe imigrantëve Latinë,” thotë Hajdi Beirich, drejtoreshë e kërkimeve për Southern Poverty Law Center, qendër e cila ndjek grupet e urrejtjes.

 

Në Evropë, blogjet “anti-xhihadiste” si dhe ligat mbrojtëse e grupe të tjera anti-Islamike e kanë refuzuar Breivik-un si një psikopat i shkarë. Hetuesit besojnë se ai e planifikoi dhe zbatoi masakrën e tij vetëm.

 

Megjithatë, disa analistë besojnë se retorika e përdorur në komunitetin anti-Islamik është aq agresive sa nuk duhet të na vijë si surprizë që, me kohë, dikush do kalonte nga fjalët në vepra.

 

“Ka diçka në vetë ideologjinë që e bën dhunën një rezultat logjik,” thotë Oeyvind Stroemen, një anëtar i Partisë Jeshile Norvegjeze dhe shkrimtar i cili pati paralajmëruar për dhunë nga ekstremistët anti-myslimanë para sulmeve të Korrikut.

 

Studiuesi Britanik Tobi Archer, i cili gjithashtu e ka studiuar lëvizjen anti-myslimane, tha që  nuk ishte suprizuese qe herët a vonë “do kishte njerëz që do e shihnin veten si forcat speciale apo komandot e lëvizjes.”

 

Të tjerët kërkojnë që të mos arrihet në përfundime të nxituara nga ajo çka ndodhi në Norvegji. Dhuna e Breivik ishte e papreçedent në lëvizjen anti-myslimane, dhe është e rrallë edhe në termat e të djathtës radikale në përgjithësi.

 

Sulmi i fundit Evropjan i një shkalle të ngjashme i kryer nga ekstremistët e djathtë radikalë ishte në 1980-ën kur një bombë në një stacion treni në Bolonja, Itali, vrau 85 veta. Terroristët Islamistë akoma konsiderohen si rreziku kryesor i sigurisë Evropjane.

 

 

Por shumë ekspertë thonë se grupet anti-myslimane kanë më tepër potencial për tu rritur sesa grupet tradicionale të ekstremit të djathtë, të cilët po hasin vështirësi në ngritjen e numrave të anëtarësisë së tyre.

 

Ky konluzion ka bërë që disa grupe të vogla politike, si Partia Kombëtare Britanike (British National Party) dhe Vlaams Belang e Belgjikës, të ndryshojnë nga një opozitë e përgjithshme ndaj imigracionit drejt një fokusimi tek Islami.

 

Manifesti e BNP, lideri i së cilës ka një dënim për urrejtje rracore dhe i cili e ka mohuar Holokaustin në të kaluarën, përfshin një kapitull “anti-xhihadist”, që thotë se Evropa po pushtohet nga myslimanët.

 

Edhe supremacistët e bardhë po debatojnë theksimin e mesazhit anti-mysliman si një mjet marketingu.

 

Në Suedi, ku neo-Nazistët kryenë një seri vrasjesh në vitet 1990, lëvizja e fuqisë së bardhë është ndarë më dysh mes atyre që thonë se “mohimi i Holokaustit” nuk ka për ti shtuar ndjekësit e tyre dhe rracistëve të rreptë të cilët vazhdojnë me mënyrat e tyre të vjetra, thotë Johan Olsson, një analist me Shërbimin e Sigurisë Suedeze.

 

Vilbrand, i cili përdor psuedonimim “Bo Rightwing” në internet, pretendon se grupi i tij fokusohet tek Islami radikal, si atëherë kur patrulluan një lagje imigrantësh në Kopenhagen ku një grup i vogël fundamentalistësh myslimanë thanë se donin të vendosnin ligjin Islamik.

 

Por “misjoni blic” i tyre në Qershor shënjestroi një xhami e cila nuk ishte lidhur me myslimanë radikalë. Ajo i përket komunitetit të vogël të myslimanëve Ahmadija, të cilët konsiderohen si heretikë nga myslimanët mainstream dhe të cilët janë persekutuar në shumë vende.

 

Imami i xhamisë, Naimatullah Basharat, thotë se ngjitur me vizatimet e Muhametit ishin parulla ngjitëse me shënimin “Nëse dëshiron paqen, përgatitu për luftë” – motoja e Ligës Mbrojtëse Daneze.

 

Basharat thotë se ai do donte t’ia shpjegonte këtij grupi pikëpamjen e tij të Islamit.

 

“Ne u tregojmë durimin tonë edhe atyre që bëjnë diçka të tillë,” thotë ai. “Motoja jonë është ‘dashuri për të gjithë, urrejtje për askënd.’”

 

Gazetarët e Associated Press Jan M. Olsen në Kopenhagen, dhe Stiven Braun në Uashington D.C., kontribuan për këtë reportazh.

Marrë nga Associated Press

Përktheu A.T.

Comments

  • Edhe e majta radikale po bën të njëjtën gjë. Në landin e Nord-Rajn-Vestfalisë në Gjermani, parlamenti i landit votoi së fundi pro zhvillimit të mësimit të fesë islame në shkollat e landit. Vendimi u votua pro nga kristiandemokratët dhe socialistët, liberalët abstenuan, Partia e Majtë (Linkspartei), që është partia ish-komuniste e ish RDGJ-së dhe simotra e Partisë Socialistë të Shqipërisë, votoi kundër. Për mua, refuzimi i siamezëve të Edi Ramës për të votuar këtë projekt ishtë edhe më ngazëllues sesa vetë miratimi i projektit. 🙂 🙂 🙂

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *