e-Zani.

Instituti i Statistikës ka publikuar të dhënat paraprake nga rezultatet e nxjerra prej regjistrimit të popullsisë. Nga këto të dhëna rezultojnë ndryshime demografike interesante, për të kuptuar deri diku transformimet që po ndodhin në shoqërinë shqiptare, por, mbeten ende të pazbardhura rezultatet mbi fenë dhe etninë, të cilët kanë qenë në qendër të debateve të zhvilluara gjatë të gjithë periudhës nga vendimi për kryerjen e këtij censusi. Në një konferencë për shtyp, Drejtoresha e INSTAT-it Ines Nurja, pasi bëri publike shifrat e të dhënave të mbledhura, u shpreh se këto janë vetëm një pjesë prej rezultateve dhe se po punohet për përfundimin e plotë të tyre. E-zani kontaktoi me zyrën e shtypit të INSTAT, dhe mori përgjigjen se të dhënat mbi etninë dhe fenë do të dalin vetëm pasi të skanohen të gjithë formularët e regjistrimit, gjë që do të kërkojë, të paktën edhe tre-katër muaj kohë. Nga kontaktet me përgjegjësen e kësaj zyre, përgjigja ishte se kjo vonesë vjen vetëm për arsye teknike, të cilat kanë të bëjnë me mënyrën e mbledhjes së rezultateve, por nuk morëm sqarim të plotë se ku qëndron shkaku teknik që diferencon mbledhjen e informacionit për banesat, përbërjen gjinore, etj, me ato mbi përkatësinë etnike dhe fetare. Gjithsesi, do të duhet të presim edhe disa muaj për t’u njohur me rezultatet e pjesës më të debatuar të Censusit.

Nga të dhënat e mbledhura deri tani, rezulton një zvogëlim i popullsisë që banon aktualisht në Shqipëri, gjë që, për INSTAT-in vjen për shkak të shtimit të emigracionit dhe rënies së lindshmërisë.  Aktualisht në Shqipëri jetojnë 2.83 milion banorë, me një rënie prej 7.7 përqind, në krahasim me 10 vjet më parë, prej të cilëve, numri i meshkujve është rreth 4 përqind më i madh sesa ai i femrave. Një shifër interesante është se tashmë shumica e popullsisë shqiptare jeton në qytet, në nivelin 53.7 përqind. Kjo tregon një fluks të jashtëzakonshëm emigracioni rural, i cili bën që gati 30 përqind e popullsisë të jetë në kushtet e tranzicionit kulturor të kalimit nga kultura rurale në atë urbane. Në fakt, kjo shifrë duhet të jetë edhe më e madhe, po të llogarisësh një numër të konsiderueshëm banorësh të cilët jetojnë në periferi të qyteteve, të cilat nuk i kap zona administrative urbane, por që gjithsesi nuk mund të konsiderohen si banorë të fshatrave.

Një tjetër e dhënë interesante është fakti që kemi një zvogëlim të familjes, duke shkuar gjithnjë e më shumë drejt familjes bërthamë, një dukuri që rrjedh drejtpërsëdrejti nga modernizimi i mënyrës së jetesës. Të dhënat bëjnë të ditur se brenda 10 vjetësh kemi një rënie nga 4.2 persona për njësi familjare në 3.8 të tillë. Në total kemi një rritje prej 2 përqind të numrit të familjeve, megjithë rënien e numrit të popullsisë brenda vendit, gjë që tregon për rritjen e thërmimit të njësisë familjare. Një rritje gjigande, në krahasim me vitin 2001 vërehet në sektorin e ndërtimit të banesave, e cila shkon në rreth 37 përqind. Aktualisht kemi rreth 1.075 milion banesa nga rreth 785 mijë që kanë qenë dhjetë vjet më parë.

Të gjitha këto, flasin për një shtrirje të ndjeshme të modernitetit, gjë që shoqërohet doemos edhe me shtimin e problematikës që ai sjell, e cila është edhe më e fortë në shoqëri të tilla kulturalisht rurale dhe me shumë probleme ekonomike, shoqërore e morale siç është shoqëria shqiptare.

Comments

  • parashikimi im:
    Minoriteti grek: 15% e popullise !
    Minoritetet e tjera; 5% e popullsise !

    Myslimanet: 55% e popullsise !
    Katoliket: 10% e popullsise !
    Ortodokset: 20% e popullsise !
    Te pafete: 15% e popullsise !

    Nga ketu kuptohet se ose shqiptaret ortodokse jane pakesuar shume ose kane dale shume greke minoritare myslimane…

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *