Sara Sahatci.

Po aq sa jam dakord me vërejtjen se izolimi e përjashtimi i motrave myslimane fillon që në xhemate aq jam edhe e vetëdijshme se ne vetë mbajmë një pjesë të përgjegjësisë për këtë izolim. Para pak ditesh u soll ne E-zani eksperienca e motrave myslimane në Turqi dhe e përpjekjeve të tyre për të identifikuar dhe zgjidhur disa prej cështjeve të izolimit/përjashtimit  të grave në jetën e komunitetit përmes vlerësimit të kushteve për gratë në xhamia. A kemi patur ne ndonjëherë një nisme te tillë nga motrat myslimane ne vendin tonë? Unë, si besimtare e thjeshte, nuk jam në dijeni. Edhe nëse ka patur, nisma nuk ka arritur tek niveli im. Është e rëndësishme atëhere të analizohen me kujdes arësyet per mungesën e një lëvizje te tillë. Ka shumë gjasa që të jetë një kombinim i problemeve shumë me të thella, dy prej te cileve po i rendis me poshtë. Nëse secila prej nesh do të ulej te reflektonte mbi eksperiencat e saj në komunitetin e besimtarëve, jam e sigurtë se lista do të konsolidohej.

Për një pjesë të mirë të motrave myslimane, pozicioni qe atyre ju është caktuar në xhami, është një tejzgjatje e pozicionit ne jetën familjare. Mbaj mend në vitet e mia te para në xhami një bashkëbisedim mes motrash myslimane pas faljes se xhumasë në një nga xhamitë e qendrës. Ka qënë hera e vetme kur degjova një diskutim për dhunën në familje e kur nje motër myslimane po kërkonte ndihmë cfarë të bënte me bashkeshortin e saj që e dhunonte fizikisht e verbalisht atë dhe fëmijët, digjte Kuranin e shumë situata te tjera dhune. Opinioni mbizotërues në diskutim ishte që në një lloj mënyre  motra myslimane  ishte ajo që provokonte dhunen dhe se ishte ajo që duhej të bënte perpjekje për të mos e përkeqësuar situaten. Ndersa ky mund të jetë një rast i shkëputur, fakti që nuk pati asnjë kundërshtim ndaj këtij interpretimi të dhunës në familje mund te jetë një tregues i mentalitetit për pozicionin e gruas në familje. Prej ketu, vërejtja per xhematin ndoshta duhet zgjeruar për familjen myslimane dhe interpretimin e rolit të gruas në përgjithësi.

Për një pjesë tjetër ndoshta një pjesëmarrje më domethënëse në xhemat nuk paraqet ndonjë rëndësi të vecantë. Kjo mund të lidhet me ndërveprimin shumë modest që kanë xhamitë tona me cështje jetike me të cilat perballen myslimanët në jetën e përditshme. Le të themi, nëse xhemati do ishte i përfshirë në debate e cështje të rëndësishme per shoqërine si dhuna në familje, uji i pijshëm, ambienti, edukimi dhe krijimi i hapësirave për fëmijë, luftën kundra korrupsionit në bashkëpunim me organizata te tjera, shumë anëtarë të xhematit do të donin të kishin zërin e tyre ne diskutimin e këtyre cështjeve. Nga eksperienca personale, tema e hutbes së te premtes vendoset pa ndonje konsultim me gratë; leksioni është përgjithësisht tradicional – në sensin që nuk kam asisituar asnjëherë në një hutbe ku besimtaret të kënë mundësi të bëjnë pyetje apo të debatojne. Më duhet të sqaroj që me leksion tradicional nënkuptoj mënyrën e njëanshme të mësimdhënies, pa dialog, dhe jo traditën profetike e cila qëndron shumë më lart praktikave të sotme në xhamite tona. Që të jem e tërësisht e drejte, ndoshta edhe bëhen pyetje nga vëllezërit myslimanë, por për ne grate (duke patur parasysh largësinë dhe barrierat) është e pamundur të kuptojmë nëse ka ndonjë fragment komunikimi midis imamit dhe xhematit te burrave. Prej ketu, motivimi për të luftuar për hapësire në diskutim është shumë minimal.

Padyshim që KMSH si institucion ka përgjegjësi të padiskutueshme në këtë situate. Nëse do të perifrazoja një argument nga literatura feministe aty ku nje organizatë nuk është pjesë e zgjidhjes për përfshirjen e grave, ka shumë gjasa të jetë pjesë e problemit. Megjithatë, nuk është se jam e shokuar, pasi cështja e pozicionit të grave ne komunitet është në radhë të parë cështje e demokracisë së brendshme. E gjendja e demokracisë ne KMSH-në tonë eshte sekret publik tashmë. Në këtë situatë, strukturat për gratë janë vetëm se fasada (ashtu si edhe në shumë parti e organizata të tjera në Shqipëri) sa për të siguruar një lloj përfaqësimi formal të grave. Cështja e strukturave të vecanta për gratë mbetet objekt diskutimi në literaturë, pasi shpesh ekzistenca e këtyre strukturave në organizata me deficit demokratik shërben si maskë për te mos u marrë asnjëherë seriozisht me problemin. Gjithsesi ky është tjetër debat.

Duke qenë se ne jemi gjithmonë shumë të mirë në nivelin e kritikës, por kemi problemë të theksuara në diskutimin “cfarë duhet bërë?”, mendoj se të paktën vazhdimi i debatit mbi këtë cështje është shumë i rëndësishëm.  Do të ishte me interes krijimi i një grupi (me motra e vëllezër myslimane) që do të vazhdonte debatin jo vetëm në nivel analize kritike, por edhe të hapave që gradualisht do të mund te krijonin hapësira më të mëdha për gratë në xhemate e në shoqëri.

 

*Ky shkrim u postua fillimisht ne faqen tone ne FB si koment ndaj shkrimit te sjelle me pare me titull “Dy here e perjashtuar.” Falenderojme autoren per mbeshtetjen dhe kontributin ne kete faqe.

Comments

  • Jane plotesisht te drejta shqetesimet qe ngre Sara, jo vetem ne Shqiperi, por ne gjithe botem islame.Mendoj se duhet bere nje korrigjim i vogel persa i perket problemit te komunikimit gjate hytbes.Hytbja eshte moment solemn ibadeti si per grate ashtu edhe per burrat dhe nuk lejohet e folura, por ne tubime apo raste te tjera eshte jo thjeshte e drejte e grave, por detyre e tyre qe te angazhohen me force dhe te fitojne vendin qe u takon.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *