Nga Akiva Eldar.

Jo, Netanjahu nuk është një kriminel lufte. Por ngjashmëria e madhe mes botëkuptimit të tij e atij të Millosheviçit përsa i përket çdo gjëje që ka të bëjë me konfliktin në territoret na fton të nxjerrim konkluzione prej konfliktit të Kosovës.

Kritika e javës së kaluar ndaj Evropës, dhe sugjerimi i Ministrisë së Jashtme se Gjermania, Franca, Britania dhe Portugalia bëjnë mirë të mos i fusin hundët në “punët e brendshme” të Izraelit dhe duhet ta lejojnë atë ta menaxhojë pushtimin (e territoreve Palestineze) ashtu siç i pëlqen Izraelit, tingëllojnë frikshmërisht familjare. Progresioni i këtyre “punëve të brendshme” gjithashtu nxjerr në pah një memorie rrënqethëse: Gjatë viteve 1990, Presidenti serb Slobodan Millosheviç i hodhi poshtë kërkesat evropjane për të ndalur shtypjen e shumicës shqiptare të Kosovës. Pas kësaj, ai i shpërfilli kërkesat e NATO’s për të tërhequr trupat e tij nga Kosova dhe për të ndalur përzënien e dhjetra mijëra shqiptarëve, kryesisht myslimanë, nga shtëpitë e tyre. Forcat e NATOs u përgjigjën me sulme ajrore mbi objektiva ushtarake e civile në Serbi. Serbia vazhdoi të rezistonte ndaj dhënies së pavarësisë Kosovës, madje kërcënoi se do vendoste sanksione ndaj saj dhe vendet që do e mbështesnin. Evropa nuk u impresionua.

Në Shkurt 2008, Britania, Franca, Italia dhe Gjermania e njohën Kosovën. Shtetet e Bashkuara gjithashtu u bashkuan me vendet kryesore të Bashkimit Evropjan duke bërë të njëjtën gjë, dhe gati 70 vende të tjera ndoqën pas. Vetëm vetoja e Rusisë në Këshillin e Sigurimit qëndron midis Kosovës dhe anëtarësisë së plotë në OKB (Izraeli gjithashtu nuk e njeh Kosovën), por Gjykata Nërkombëtare e Drejtësisë në Hagë gjykoi se deklarata e saj e pavarësisë nuk e shkel ligjin ndërkombëtar. Misjoni i Ligjit dhe Drejtësisë të BEsë (EULEX) po ndihmon në mbajtjen e ligjit e rregullit në Kosovë.

Në Izrael, ashtu si në Serbi, regjimi mundohet të bëjë për vete opinionin publik duke përdorur një pikëpamje nacionaliste dhe një mentalitet viktime prej getoje. Një studim i bërë nga një studente e Hebrew University në Jeruzalem (mentori i së cilës i kërkoi të mbetej anonime për shkak të frikës se ai mund të ndëshkohej) si pjesë e një klase në zgjidhjen e konflikteve tregoi disa paralele surprizuese mes fjalimit të dhënë nga Benjamin Netanjahu në Asamblenë e Përgjithshme të OKBsë në Shtator dhe fjalimit të famshëm që Millosheviçi dha në 1989 me rastin e 600 vjetorit të Betejës së Kosovës midis Mbretit Serb Lazarit dhe Perandorisë Osmane. Edhe pse Serbët u mundën në atë betejë, ata e shohin atë si një ndodhi themelore në historinë kombëtare serbe. Dy liderët përdorën mite familjare për të prezantuar një vazhdimësi historike mes “atdheut historik” dhe realiteteve gjeopolitike në zonat e diskutuara. Të dy theksuan vuajtjet e kaluara të popujve të tyre dhe mbollën frikë rreth reziqeve që mban e ardhmja; të dy i bazuan qëndrimet e tyre në “të drejtat historike” të popujve të tyre dhe i injoruan aspiratat kombëtare e territoriale të popujve fqinjë. Netanjahu tregoi Islamin ekstremist fundamentalist si armikun e hebrejve, amerikanëve, dhe Perëndimit; Millosheviçi përkujtoi vlerat e krishtera evropjane që u konfrontuan me Turqit Osmanë si sfondi i konfrontimeve në Kosovë midis serbëve dhe shqiptarëve, të cilët janë me shumicë myslimane.

Jo, Netanjahu nuk është një kriminel lufte. Por ngjashmëria e madhe mes botëkuptimit të tij e atij të Millosheviçit përsa i përket çdo gjëje që ka të bëjë me konfliktin në territoret na fton të nxjerrim konkluzione prej konfliktit të Kosovës. Për të bërë këtë, nuk ka nevojë të jesh një izraelit disfatist. 12 vjet më parë, kryetari i Këshillit Kombëtar të Sigurisë Jakov Amidror (atëherë komandant i Kolegjit Kombëtar të Sigurisë), shkruajti në periodikun e ushtrisë, Maarakhot, se vënde të vogla si Izraeli duhet të nxjerrin mësime nga ajo luftë.

“Kjo luftë shënon një rrugë të qartë nëpërmjet së cilës qasje të reja po themelohen rreth marrëdhënieve mes ‘botës’ dhe atyre vendeve që perceptohen si ofendues të moraleve ndërkombëtare,” Amidror shkruajti. Gjenerali, një anëtar i kampit nacionalist-fetar, më tej shtoi: “Domethënia e ndodhive në Kosovë është e qartë: Kushdo që shkel konsensusin ndërkombëtar, edhe brenda territoreve të tij sovrane, duhet të llogarisë ndërhyrjen ndërkombëtare, veçanërishtë nëse dikush shkel mbi gishtat e ndjeshëm të administratës Amerikane.”

Dikush mund të shtonte se ky pohim është akoma më i vërtetë jashtë territoreve sovrane të dikujt. Pra, edhe pse ai e paratha këtë krahasim me “pavarësisht gjithë ndryshimeve”, njeriu të cilin Netanjahu ka caktuar si lider të stafit të tij të sigurisë kombëtare sugjeroi që Izraeli të marrë parasysh opinionin publik ndërkombëtar: “Megjithëse ajo që Izraeli bën është e rëndësishme, dikush nuk mund të injorojë atë çka thonë e bëjnë kombet e botës,” ai shkruajti.

Para debatit mbi aprovimin e kolonive të skajshme dhe para sulmit tjetër verbal mbi Evropën, mund të jetë me vlerë për këtë këshilltar të lartë të vendosë disa kopje të artikullit të tij mbi tavolinën e kabinetit.

 

Marrë nga gazeta izraelite Haaretz.

Përktheu A.T.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *