“Normalizimi” i dominimit





Arber Fetiu.

Në periudhën post-koloniale agjentët dominues marrin forma të ndryshme në konstruktin socio-politik. Dominimi dhe pushteti mbi hapësira të ndryshme kështu, përkthehet në dialektiken influencës përmes aktorëve të ndryshëm, më « normal », më të zakonshëm dhe më të pranueshëm, në krahasim me format klasike të dominimit, të cilat ishin të shënjuara me segregim, me prani të pazakontë, dhe me influencë disporporcionale të dominuesit të cilat shpesh ndiqeshin apo mundësoheshin edhe me dhunë. Por procesi i dhimbshëm i dekolonizimit, që i hapi udhë « lirisë » të hapësirave dhe entiteteve të ndryshme, paralelisht e ka transformuar edhe intstrumentalitetin e dominimit. Format e pranueshme me të cilat sot sigurohet dominimi dhe influenca e tepërt e entiteteve apo grupeve mbi entitete apo grupe te tjera marrin forma shumë më të pranueshme të mbështjella me petkun e « të natyrshmes », si domosdoshmëri. Kështu, format e dominimit dhe shtrirjes së influencës mbi një grup të caktuar mund të paraqiten nga ato më të voglat, nga shoqëria civile përmes OJQve, apo nga monopoli i mjeteve te informimit nga aktorë të jashtëm, kah monopoli bankar, e deri tek konfigurimet e mekanizmave të pranueshëm globalisht siç janë prezenca e administratave  të huaja, e misioneve « për zhvillim ndërkombëtar, misioneve paqeruajtëse deri tek ambasadat. Edhe pse mund të shkruhet gjerësisht për influencën apo dominimin përmes shoqërisë civile, ajo që  u bë shkas për këtë shkrim  është kjo e fundit : ambasada; si njëra nga format më “normale” të konfigurimit të relacioneve ndërkombëtare e cila në vende si Kosova, zakonisht merr karakteristika dominimi.

Javën që shkoi, zëvendës kryeministri i Kosovës,  Hajredin Kuçi pyetjes së gazetarit të Zërit  mbi pushtetin e ambasadave në Kosovë iu përgjigj me lajthitje klasike doke thënë se « Edhe në Francë ka ambasada me ndikim » e duke vazhduar se  “raportet tona e interesin tonë nacional (lexo: qeveritar, sh.i.) ne gjithmonë do ta mbrojmë përmes partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe fuqisë sonë.” , duke i ikur kështu, asaj që ishte esenciale, dominimit dhe pushtetit të ambasadave në hapësirën e Kosovës, Kuçi u përpoq që në analogji me Francën ta “normalizoj” apo ta vesh me petkun e “të domosdoshmes”  pushtetin dhe ndikimin eksesiv që ushtrojnë ambasadat në Kosovë, e që është dëshmuar në transaksionet politike me shembullin par exellence të ambasadës Amerikane në Kosovë. Në fakt, ambasadat në Kosovë, të gjitha, structu sensu, i shërbejnë para së gjithash objektivave të ndryshme dhe interesit të vendeve përkatëse të cilat interesa mund të shtrihen që nga sfera e influencës në paradigma morale dhe botëkuptimore deri tek ato ekonomike e financiare, më të rëndësishmet.  Për më tepër, karakterizimi me “ndikim” i influencës së ambasadave në Kosovë, vë në pah edhe perceptimin që z. Kuçi ka për to, kur disa nga këto qarqe dukshëm kanë ushtruar dhe vazhdojnë të ushtrojnë, jo ndikim, por pushtet, mbi Kosovën. Është të paktën mirë, që z. Kuçi nuk tërheq një paralele në mes të rolit dhe qëllimeve të ambasadave të huaja në Kosove dhe të atyre të Kosovës në vendet e huaja, të cilat, të proliferuara pa nevojë gjithandej, kanë dëshmuar se jo vetëm që janë të vobekta në ofrimin e shërbimeve për qytetaret e Kosovës në diasporë, por as që mund të konsiderohen të kenë ndonjë “ndikim” të veçantë në politikat e shtetit ku gjinden apo te rajonit karshi Kosovës.

Përpjekja për “të normalizuar” prezencën e huaj, që në Kosovë ka karakter dominimi dhe fuçi pushteti (e jo fuçi ndikimi siç pretendon Kuçi), nuk është aspak e re.  Ajo, çuditërisht në dialektiken e saj sot ka ngjashmëri të madhe më formatin e saj klasik.  Historiani nga Kuebeku, George Langlois, në librin e tij  “A quoi sert l’histoire”  thotë se në mënyrë që pushteti i dominuesit (kolonizuesit) të jetë sa më komplet, duhet që i dominuari të pranoj portretin e vetvetes si “nevojtar” dhe të ngjiz portretin e dominuesit si portret pozitiv në kontekstin e tij. Për të arritur këtë “normalizim” të dialektikes së dominimit, në lojë hynë interlokutori lokal, ai që Langlois quan “Le roi-negre” (‘mbreti i zi”), i cili është vet i kolonizuar dhe që me apo pa vetëdije shëndrohet në interlokutor me popullin  e vet në mënyrë që të “normalizoj” portretin strktu sensu pozitiv të dominuesit (kolonizatorit). Ngase një mesazh i tillë mbi portretin, sikur të emetohej nga vet dominuesi do të mungonte kredibilitetin, është “mbreti i zi”  i cili ka avantazhin a identitetit të përbashkët me subjektet, ai i cili arrin dhe duhet të kaloj mesazhin “normalizues”. Kështu, “mbreti i zi” i rreket punës për të bindur subjektet e tij se duhet të pranojnë praninë dhe pushtetin (implicit apo eksplicit) të dominuesit në mënyrë që “të mos prishen me botën” , t’i bind se ata janë organikisht anti-demokratik dhe se kjo prani është e domosdoshme dhe e nevojshme (pa kritere formash), se lidhja e ngushtë me vlerat lokale dhe tradicionale karshi vlerave të dominuesit implikon një racizëm dhe arkaizëm…etj.  Me procedimin e kësaj detyre, thotë Langlois, “mbreti i zi”  merr privilegje të ndryshme, gradohet, lavdërohet dhe ngitet nga dominuesit (“mbretërit e bardhë”), dhe kështu e kënaq epshin e vet në ciklin e pafund të përpjekjeve për të dalë nga kushtet e inferioritetit.

Këtë perspektive në fakt e kanë ndjekur hap pas hapi “mbretërit e zinj” të Kosovës, të cilët praktikisht kanë humbur pothuajse tërë fuçinë e tyre vendimmarrëse dhe janë shëndruar në interlokutor të cilët janë të lirë të manipulojnë lirshëm vetëm me retoriken e tyre për sa të përcjellin tek subjektet e tyre, principet e determinuara, nga “mbretërit e bardhë”. Kjo aleancë, në mes të mësuesve të jashtëm dhe të borxhezise politike lokale, sot përkthehet me format moderne të konfigurimit social dhe global, që e bëjnë këtë aleance më të pranueshme për popullim, i cili, sipas Levi-Straussit, kur është i degraduar e zhvillon tendencën për të marrë si të vërtete çdo instruksion që atij i buron nga një gjuhë e huaj apo nga entitete që flasin gjuhë të huaj.

Në studimet e tija mbi malgashet e Madagaskarit, antropologu frëng Mannoni, ka ofruar një perspektivë të veçantë mbi dialektiken e dominuesit dhe të dominuarit (evropianit dhe malgashit) që do të mund të tërhiqet  një paralele interesante edhe me kontekstin tonë të ri. Për Mannonin, janë evropianet ata të cilët vuajnë nga një kompleks inferioriteti dhe pasqyrojnë një “nevojë patologjike për t’u parë si më të lartë, më të vlefshëm”. Ndërkaq malgashët (krahaso: shqiptaret) , në anën tjetër shquhen për një “kompleks të varësisë” që ngritet tek një perceptim, në fjalët e Mannonit, arkaik, të fiksuar qysh nga fëmijëria se “vetëm Perëndimi është kurajoz” , e se vetveten e shohin si fëmijë të cilëve u mungon guximi, dëshira dhe temperamenti që të rriten, dhe kështu mbesin gjithnjë me fiksimin se një “nënë” mbetet e domosdoshme, prej nga edhe kompleksi i “varësisë” si një cikël perpetual.  Në këtë forme dialektika e dominimt, e siguron vazhdimësinë e sajë si një formë “normale” për sigurimin e mbijetesës përmes varësisë apo dominimit maternalist të huaj.

Megjithatë, e tërë kjo dialektike e dominimit, dhe ajo e  “normalizimit” të saj, nuk buron ekskluzivisht vetëm nga “mbretërit e zinj” e as nuk determinohet ekskluzivisht nga “mbretërit e bardhë”. Ajo shtrihet tek një seri procesesh deri tek vet-perceptimi lokal, që mundëson funksionimin e mirëfilltë të projektit të “mbretit te zi” dhe “mbretërve të bardhë”. Për të kuptuar këtë, do t’i qasemi një nocioni shumë të rëndësishëm të mendimtarit algjerian Malek Bennabi. Në librin e tij “Colonisabilite” ,  Bennebi ka formuluar nocionin e “kolonizueshmërisë” (“colonisabilite” ) apo të “te qenit i kolonizueshem” (colonisable) në të cilin, faktori i huaj si dominues shihet më shumë si një pjesëmarrës në procesin a dominimit dhe  konsekuence e një degradimi lokal, edhe pse ai është element real e kurcial në dialektiken e  dominimit, por jo domosdoshmërish faktori themelor, ultim. Është degradimi moral dhe kulturor i një populli, i vet shoqërisë, ai që e bën atë shoqëri  të “kolonizueshme”, dhe sipas Bennabiut “Një popull nuk mund të pushoj së qeni i kolonizuar pa pushuar se qeni i kolonizueshëm” .  Kushtet e dominimit, pra burojnë nga vet konfigurimet e transformuara lokale të cilat i janë nënshtruar faktorëve të ndryshëm alienues, të cilët bëjnë që një seri vlerash, principesh, racionalitetesh të degradohen në nivelin e bërjes së subjektit lokal një subjekt “i kolonizueshëm”.  Populli pra, shoqeria lokale, grupi, nga trajtimi ekskluziv si një viktimë e agjentëve dominues, tek Bennabiu, ndanë edhe përgjegjësinë e dominimit.  Ai, me zbehjen e vlerave te tij kohezive, te përgjegjësisë   dhe me zbehjen e vet-perceptimit,  zbeh edhe rripin i cili e identifikon dhe kështu e provincializon vetveten duke bërë që impakti i agjentëve të tjerë dominues (“mbretërve të bardhë” të huaj dhe “mbretërve të zinj” që burojnë nga vet ai vet) të bie me lehtësisht mbi subjektin e tij. Kjo gjendje psiko-sociale e një grupi, e një populli, bën që ai edhe krahas frekuencave të revoltës dhe të “çlirimit”, të mbetet prapë “i kolonizueshem”  dhe të ketë tendencën e  vazhdueshme që të perceptoj vetveten si periferik e rrjedhimisht të gravitoj nga qendra apo t’i nënshtrohet një   dominimi të kollajshëm. Dominimi pra, nuk e ndal ciklin e tij për aq sa cilësia e “të qenit i dominueshëm” te jete karakteristikë e shoqërisë përkatëse, dhe ky cikël nuk mund të ndalet përderisa te mos krijohet nje rrip i pavarur vlerash kohezive.

Në Kosovë, tendenca tjetërsuese, ajo e  “normalizimit” të këtij degradimi , të “normalizimit” të një vet-perceptimi i cili sikur tek Mannoni e merr formën e vlerësimit të vetvetes në një stad përhershmerisht fëmijëror, “normalizim”  ky i operuar nga “mbretërit e zinj”  tek Langlois, gërshetohen me forma te reja (por jo agjentet e rinjë)  të dominimit të huaj (“mbretërit e bardhë”) të cilët ushtrojnë pushtet direkt apo indirekt mbi të “kolonizueshmit” apo të “dominueshmit”, fale cilësisë se “kolonizueshmerisë” qe këta të fundit kanë. Lidhja e këtyre elementeve dhe faktorëve është pothuajse organike, por ajo qe ndoshta më së shumti e bën të mundshëm dialektiken e dominimit, është vet portretizimi i kësaj gjendjeje si një gjendje “normale” dhe e “natyrshme” e cila implikon ruajtjen e statu quo-së dhe nxit konfirmim me format ekzistente të dominimit.

Ministri Kuci, dhe qeveritë e deritanishme në Kosovë, kanë qenë inkarnimi i mirëfillët i “mbetërve të zinjë” të cilët si interlokutor i popullit të “kolonizueshëm” , kanë siguruar kirurgjikisht “normalizimin” e portretit të dominimit si domosdoshmëri pozitive dhe si “normalitet” global (“edhe Franca ka ambasada”). Madje, kjo domosdoshmeri, përvec pozitivitetit është paraqitur dhe vazhdon të paraqitet si e vetmja mënyre e “mbijetesës” të “popullit foshnje” i cili ka nevojë gjithnjë për një  “nënë”, të cilën Mannoni e shpreh figurativisht  me gjidhenjen si lidhje varësore që ka foshnja më nënën gjatë këtij procesi. Porse në Kosovë, qeveria (e edhe populli) dëshiron sise edhe pas tri vitesh dhe preferon të mbetet perhershmerit foshnje. Megjithatë, përtej “mbreterve të zinje” dhe agjentëve të huaj të dominimit, “mbretërve të bardhë”, është pikërisht fertiliteti  dhe plleshmeria i terenit të cilin e ofron vet populli, që në procesin e tij vet-denigrues, ofron toke të plleshme për rritjen e degradimit dhe për “kolonizabilitet”, politik, ekonomik, moral e kulturor.

 

 

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *