Nacionalizëm gazetaresk





E. Mërtiri.

Në emisionin “Opinion” të ditës së enjte u diskutua mbi patriotizmin, dhe sesa i përhapur është ai tek shqiptarët. Duhet thënë se është një gjë e mirë që tema të tilla të diskutohen sa më shpesh, për shkak se shoqëria shqiptare është ende shumë e paqartë dhe e pavëmendshme ndaj projekteve për të ardhmen e saj, por problemi qendron tek mënyra sesi shtrohen argumentet dhe niveli i diskutimit, i cili më tepër rrit konfuzionin sesa ofron sqarime. Kjo erdhi kryesisht për shkak të palës antinacionaliste të panelit (Fatos Lubonja, Andi Bushati, Ermal Hasimja), të cilët u munduan të shpërqendrojnë thelbin e bisedës, dhe, nëpërmjet sofizmash që vetëm hedhin dyshime mbi arsyetimet e përgjithshme, tentuan ta kanalizojnë bisedën në linja të tjera. Ajo për të cilën lenë për të dëshiruar gjithmonë debate të tilla, ka të bëjë me nivelin profesional me të cilin trajtohet objekti i diskutimit.

Me pak fjalë mund të themi se qendrimi i palës antinacionaliste në debat argumentohej me faktin se nacionalizmi (po përpiqemi ti shmangemi diskutimit mbi dallimet midis naiconalizmit dhe patriotizmit) është diçka e kotë parimisht dhe e dëmshme në planin konkret. Sipas tyre, nacionalizmi bëhet mjeti me të cilin politikanët mbajnë veten në pushtet, të cilin e përdorin më pas për interesa të ngushta personale koruptive,  e jo për t’ i shërbyer me ndershmëri vendit. Gjithashtu, sipas tyre, shqiptarët nuk mund të jenë patriotë pasi ata nuk respektojnë ligjet dhe dëmtojnë njëri-tjetrin si dhe gjithçka që është publike. Nga ana tjetër, sipas tyre shqiptarët duhet të heqin dorë nga projektet kombëtare dhe nacionalizmi, por t’i shtrohen punës e të bëhen qytetarë të mirë dhe të ndershëm. Gjithashtu intelektualët duhet t’i lenë mënjëanë diskutimet mbi veprimet antishqiptare greke, serbe apo edhe projektet kombëtare për vendin, por të ngrenë më shumë zërin kundër korupsionit dhe mosrespektimit të ligjit. Sipas tyre, nacionalizmi po vështirëson dhe pamundëson ndërgjegjësimin për luftën kundër korupsionit, duke angazhuar shoqërinë me projekte të dëmshme dhe fanatike mbi kombin.  Lubonja shtroi si problem edhe faktin që nacionalizmi nuk pranon diversitetin dhe që bëhet pengesë për komunikimin ndërmjet kombeve dhe kulturave, duke pamundësuar zhvillimin e kozmopolitizmit. I pyetur nëse është pro bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, ai u përgjigj se është pro çdo bashkimi, por me kushtin që të mos jetë i kufizuar, por të përfshijë këdo. Në rastin konkret, Lubonja është pro bashkimit të shqiptarëve, vetëm nëse ky bashkim përfshin edhe serbët, grekët, si dhe të gjithë Europën. Në të kundërt, ai është kundra çdo lloj bashkimi të kufizuar në përkatësi etnike konkrete. Kjo vjen pasi për Lubonjën kombi nuk përbën një entitet i cili duhet të ketë ndonjë fuqi mbi jetën e një shoqërie. Përkundrazi, sipas tij, njeriu motivohet nga shumë ndikime në veprimet e tij, dhe nuk ka përse të jetë kombi ai, në emër të të cilit organizohet jeta shoqërore, angazhimi publik, politika etj. Kombi për Lubonjën nuk është asgjë qenësore dhe nuk meriton vëmendjen dhe sentimetet që u kushtojmë.

Ajo që duhet kuptuar fillimisht është fakti që kemi të bëjmë me një fushë delikate ku diskutimet nuk mund të shtrohen në një mënyrë kaq vulgare. Nacionalizmi është sot një teme për të cilën ka një mori studimesh e debatesh në rang akademik dhe problemi nuk mund të reduktohet tek ndërtimet pa leje, si tregues i inkoherencës shqiptare në raport me patriotizmin e vet. Për këtë arsye, diskutime të tilla nuk mund të bëhen me gazetarë që nuk ia ka absolutisht haberin komplikueshmërisë së temës, siç është konkretisht Bushati. Në shqipëri ka disa autorë, të cilët kanë shkruar libra mbi nacionalizmin shqiptar, si psh. Hysamedin Feraj, Enis Sulstarova, Eva Hyskaj etj. dhe nuk ka përse debati të kushtëzohet në nivele gazetareske.

Ajo që përbën diskutimet kryesore sot mbi nacionalizmin lidhet me teori të tilla si konstruktivizmi dhe primordializmi si dhe disa teori të ndërmjetme, të propozuara nga autorë të ndryshëm. Gjithashtu, diskutimi mund të shkojë edhe në një rrafsh më të gjerë që lidhet me modernizmin, potmodernizmin, antimodernizmin, tradicionalizmin, liberalizmin e konservatorizmin, duke shkuar deri në debatet mbi globalizimin. Natyrisht, formati i një emisioni televiziv nuk i përmbush të gjitha këto, por ato duhet të jenë të paktën në dijet e diskutuesve. Një diskutim mes të diturve, të paktën do të ketë mundësinë të jetë në linjat e duhura, pavarësisht se cilat janë bindjet e studiuesve. Në të kundërt rrihet ujë në havan, duke disutuar mbi fenomene që jo domosdoshmërisht kanë lidhje me objektin e diskutimit.

Në rastin konkret, diskutimi ishte një sorollatje në mjegull, mes njerëzish që flasin në gjuhë të ndryshme, pa përkthyes. Konketisht, Lubonja imponon një kuptim të vetin për termin nacionalizëm, duke e parë atë si shovinizëm të mirfilltë. Për të nacionalizmi është një ide ku kombi është mbi të gjitha, ku tjetri është i përjashtuar, ku ushqehet një aspiratë për të dominuar kombet e tjerë dhe për të refuzuar çdo lloj ndikimi kulturor të huaj. Për të, gjithashtu nacionalizmi është domosdoshmërisht vrasës, totalitar, dogmatik, ndaj dhe përbën një gjëmë të madhe për çdo shoqëri. Në fakt, studiuesit shpesh ndajnë nacionalizmin si dukuri nga format e shfaqjes së tij në rrethana të ndryshme politike e historike. Shumë studiues e shohin nacionalizmin si rrugën më të mirë drejt kozmopolitizmit, madje ka të tillë që e shohin si rrugën e vetme për këtë. Edhe Gellner, një modernist i mirëfilltë, e njeh dhe pranon një model pacifist dhe pluralist e humanist të nacionalizmit, i cili e sheh kombin si njësinë themelore të rendit botëror, duke mbrojtur parimin e të drejtës dhe vllazërimit të kombeve. Gjithashtu studiues të tjerë kanë theksuar rolin integrues dhe koheziv që nacionalizmi ka në marrëdhëniet e brendshme të një shoqërie, duke njohur parimin e “kombit demokratik”.

Në fakt nacionalizmi nuk mund të jetë ndryshe përveç se demokratik, për sa kohë ai përfaqëson vullnetin e një kombi, i cili trupëzohet në vullnetin e popullit. Fakti që nacionalizmi, në të shumtën e rasteve në historinë e shek XIX dhe XX ka sjellë luftëra si dhe diskriminim të brendshëm të pakicave etnike lidhet më shumë me rrethanat politike në të cilat ai është zhvilluar dhe jo me parimet e tij në vetvete. Ky realitet ka të bëjë me mënyrën sesi është zhvilluar historia botërore në harkun kohor të dy luftërave, me rolin e Fuqive të Mëdha në dramën e përbashkët të shumë popujve, të cilat mbeten ende të pazgjidhura. Por nuk mund të jetë faji i nacionalizmit, përse shumë padrejtësi justifikohen nëpërmjet tij. Natyrisht, këtu hapet një tjetër debat, që ka të bëjë me stimulimin që nacionalizmi prodhon në drejtim të dhunës, por ky është një diskutim që na zgjat dhe nuk mund të ndalemi ta trajtojmë. Të paktën, diskutuesit në emision duhet të bëjnë dallimin midis parimeve nacionaliste dhe realiteteve konkrete, dhe më tej mund të diskutohet mbi shkaqet e deformimit të këtyre parimeve. Por nuk mund të trajtohen rastet e defomimit si vetë parimi. Kësaj i thonë, të zhdukësh fetë për shkak se ka fanatikë që bëjnë luftë në emër të saj, apo të zhdukësh politikën, për shkak se politikanët bëjnë paudhësi. Pikërisht, këtë u përpoq të bënte Marksi. Ai synonte të sillte një rend ku nuk do të ketë më politikë, nëpërmjet eleminimit të klasave, të cila ishin edhe shkaku i ekzistencës së saj. Për këtë arsye të nxjerrësh si përfaqësues të nacionalizmit politikanët që, sipas vetë Lubonjës dhe të tjerëve, po abuzojnë me nacionalizmin është njësoj si të nxjerrësh Hitlerin si përfaqësues së racës së bardhë, për të treguar sesa e kriminale është ajo, apo njësoj si të thuash se demokracia është e keqe sepse i jep mundësinë qeverisë të bëjë korupsion.

Një pikë tjetër, fare pa lidhje, në debat ishte ajo se nacionalizmi po na largon vëmendjen nga lufta kundër korupsionit dhe po mban në pushtet të koruptuarit. Në fakt, si në vitet 90, kur askush nuk e çante kokën për idetë kombëtare, edhe sot, kur po duket njëfarë ringjalljeje e sentimenteve patriotike, njësoj ka pasur korupsion.  Kemi 20 vjet që flasim në media çdo ditë për korupsionin, për abuzimet e pushtetarëve, për mosrespektimin e ligjit, për gjithçka dhe kjo nuk na ka shëruar ende prej tyre. Fakti që sot po shtojmë edhe një temë që ngjall interes në menunë e fastfood-it që na servir përditë media, nuk do të thotë se hoqëm dorë nga dënimi i korupsionit. Në të njëjtën mënyrë, është naive të pretendosh se vëmendja jonë duhet të jetë e përqendruar vetëm në një problem – korupsioni – në mënyrë që ai të zgjidhet. Përkundrazi, pavërtetësinë e kësaj e dëshmojnë vetë z. Lubonja dhe Hasimja, me reagimet e tyre të shumta në mbrojtje të të drejtave të komuniteve gay, romë etj. Nëse shtrirja e gamës së problemeve që diskutohen në shoqëri, na shpërqendron nga ato më të rëndësishmet, mos vallë diskriminimi i homoseksualëve është një problem më i madh për shoqërinë tonë sesa çështja kombëtare?!

Jo vetëm që çështja kombëtare nuk bëhet pengesë për korupsionin dhe zbatimin e ligjit, por e kundërta është e vërtetë, duke kultivuar sentimentet patriotike dhe bindjet nacionaliste njeriu bëhet më i motivuar për të qenë qytetar më i mirë i një vendi. Eshtë pa kuptim pritshmëria puritane që Lubonja, Bushati, Hasimja shfaqin ndaj njerëzve patriotë: patrioti nuk shkel ligjin, nuk bën korupsion, nuk dëmton njeri, por vetëm kontribuon dhe punon për të mirën e të tjerëve. Parimisht është kështu, por fakti që jo të gjithë patriotët janë model dhe fakti që edhe ndërmjet tyre, ka njerëz që shpesh veprojnë në mënyrë të pandërgjegjshme, kjo nuk do të thotë se ata nuk e duan atdheun dhe, për më tepër, kjo nuk e bën atdhedashurinë të pavlerë. Duke cituar Nënë Terezën Lubonja u shpreh gjatë debatit se: “Atdheun do ta doni më shumë, po të doni njëri-tjetirn”. Në fakt po kaq e vërtetë është edhe e kundërta: Njëri-tjetrin do ta duam më shumë po të duam atdheun. Tek e fundit, mbi çfarë motivimi do të mund ta duam njëritjetrin dhe mbi çfarë motivimi do të mund të ngrihet qytetaria abstrakte e Lubonjës, nëse jo mbi motivimet e lidhjeve të forta tradicionale midis njerëzve dhe sentimenteve kombëtare dhe fetare?! Një shoqëri individualiste e postmoderniste si ajo që promovon Lubonja, nuk ka asnjë vjegë prej nga mund të bëjë të mundur kohezionin social. Për këtë arsye antinacionalizmi i tyre është shumë herë më problematik sesa çfarëdo teprimi emotiv që shfaqet tek shumë prej shqiptarëve që ndjehen patriotë dhe janë të interesuar e shqetësuar për çështjen kombëtare.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *