Roald A. Hysa.

Tashmë dihet se pushtetet e ndryshme kanë abuzuar dhe vazhdojnë të abuzojnë me imazhe të ndryshme në favor të propagandës së tyre zyrtare. Ndërkaq regjimi komunist që shkoi i ka tejkaluar të gjithë kufijtë e abuzimit, sidomos me armiqtë e regjimit, të cilëve jo vetëm ua fshiu emrat nga historia zyrtare, por edhe fotot e tyre ua hoqi nga muze
të e librat e historisë, duke retushuar gjithçka rregullisht, sa herë që zbuloheshin dhe asgjësoheshin grupet armiqësore. Është shumë e njohur në ambientet e ndryshme studimore letraro-historike skema bardhë e zi e trajtimit të problemeve. Minus – viti 1944; çdo gjë para këtij viti ishte e zezë, vetëm një dritë e vogël xixëllonte, ajo e Partisë Komuniste me shokun Enver Hoxha në krye; plus + viti 1944; fillonin vitet e lumtura të ndërtimit socialist dhe ndriçonte dielli socialist i Partisë së Punës. Shumë e varfër si skemë, por shumë efikase në shkatërrimin e shoqërisë dhe të kundërshtarëve, sepse ishte shumë e thjeshtë në damkosjen e armiqve dhe ngritjen e imazheve të reja të propagandës komuniste. Një aparat i tërë propagande u ngrit me radion dhe televizionin zyrtar, një ushtri e tërë piktorësh dhe dizenjatorësh mbushnin Ndërmarrjet e Dekorit në Tiranë dhe në të gjitha qytetet e Shqipërisë socialiste, duke i zbukuruar ato me rastin e festave të Majit, të Nëntorit dhe për Vitin e Ri socialist, të cilin ne e prisnim me padurim me rezultate të realizuara e të tejkaluara. Pas fillimit të viteve 1980 Shqipëria përjetoi një fazë të re izolimi pas shkëputjes së marrëdhënieve me Kinën. Propaganda e regjimit me forcë iu kthye të shkuarës me një dozë të madhe nacionalizmi brenda, krahas forcimit të imazhit të “shqiptarit”, i cili në të shkuarën “e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë”, ndërsa në ato momente “në një dorë mbante pushkën dhe në tjetrën kazmën” për të ndërtuar socializmin dhe për ta ruajtur e për ta ndërtuar atë “me kazëm”. Në tekstet e marksizmit na mësohej patriotizmi rilindas, por më lart se ai qëndronte patriotizmi socialist. Kjo ishte e vetëkuptueshme. Nuk mund të harrojmë këtu imazhin e Mic Sokolit, që i vuri gjoksin topit, shqiptarët me fustanella e tirqe duke dhënë besën në Prizren, një kullë e vetmuar e kalasë së Krujës, të gjitha këto imazhe të përpunuara mjeshtërisht për të dhënë një ide: atë të luftrave pambarim për liri e pavarësi, të cilat i bëri realitet vetëm “Partia me në krye shokun Enver Hoxha”. Këto imazhe u ushqyen nga një letërsi e tërë e mbështetur nga folklori me këngë popullore, që këndoheshin nga rapsodë të ndryshëm. Romani epik “Mic Sokoli” i shkrimtarit Sulejman Krasniqi, i cili me të vërtetë është një arritje e madhe për autorin dhe me të vërtetë shumë i bukur dhe tërheqës në të lexuar, ka dhënë një kontribut në ngritjen e ikonës së Mic Sokolit. Po ashtu edhe romane si “Oso Kuka”, apo edhe “Dardanët” etj.

Ndërkaq mund të përmendim këtu dy imazhe, me të cilat është abuzuar dhe iu është devijuar kuptimi dhe destinacioni i tyre. Vazhdimisht në shumë klipe dhe postera është shfaqur  një kullë e vendosur mbi muret rrethuese të kalasë së Krujës, ku vazhdimisht është propaganduar lufta për liri etj., etj. Vallja e Shqipeve me Besim Zekthin në kalanë e Krujës mbrapa saj kishte për sfond këtë kullë. Të panumërta janë përdorimet që i janë bërë imazhit të kësaj kulle, duke e shitur për atë që s’është. Në fakt është shumë e thjeshtë për ta marrë vesh, se çfarë është ajo. Kjo është një kullë sahati, e cila deri vonë ka shërbyer për të matur kohën për pazarxhinjtë e Krujës. Këtë mund ta marrim vesh shumë lehtë në muzeun e sahat-kullave të ndërtuar nga prof. Sulejman Dashi pranë sahat-kullës së Tiranës. Sipas të dhënave ajo ka qenë kambanorja e një kishe e më pas është kthyer në kullën e sahatit.

Një imazh tjetër i shpërdoruar është ai që njihet si “Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit”. Rëndom e gjen kudo në librat e historisë nëpër gazeta, revista e kudo ku flitet, si imazh që ilustron tekstet përkatëse. Kjo ndërtesë e vogël për nga madhësia ka një domethënie me të vërtetë të madhe për të gjithë ne shqiptarët sot. Në të vërtetë kjo ndërtesë së bashku me një tjetër aty formojnë kompleksin e ish-medresesë, e cila tashti është kthyer në muze, ku njerëzit marrin informacion për “Lidhjen e Prizrenit” dhe etno-historinë e Kosovës. Në katin e dytë të ndërtesës në fjalë është vendosur një hartë e madhe, ku tregohen të gjitha qendrat qytetare në të cilat u ngritën degët e Lidhjes. Po ashtu në këtë ambient  prej 20 metrash katrore nëpërmjet dokumenteve e relikeve të ndryshme jepet informacion mbi ngjarjet dhe personat që drejtuan Lidhjen e Prizrenit. Madje në një pikturë rreth mbledhjes themeluese na jepen delegatët e ulur, një oxhak diku aty, sheshi i dhomës bosh; apo në një tjetër punim të stilizuar na jepen burra me fustanella, burra me tirq, pra me veshje nga të gjitha trojet shqiptare, të cilët betohen e lidhin besën rreth dy-tre hutave apo martinave dhe aty pranë qëndron Abdyl Frashëri, i cili po ju jep ‘bekimin’ këtyre luftëtarëve malësorë. Gjithsesi, nuk është ky fokusi i problemit… të gjithë këta historianë dhe kjo ushtri njerëzish që i kanë shërbyer, të cilët po vetë na thonë se në Lidhjen e Prizrenit kanë qenë të pranishëm 300 delegatë, nuk na kanë shpjeguar ndonjë herë dhe akoma nuk po na shpjegojnë:

Si mund të futen 300 delegatë, pra, 300 frymë njerëzish në 20 metra katrore dhomë e të diskutojnë për orë të tëra mbi fatet e atdheut?… Sikur një njeri të zejë minimalisht gjysëm metri katror, aty do të hynin 40 frymë. Në të vërtetë vendi ku u zhvillua mbledhja e famshme dhe ku u lidh besa, pra itifaku i Prizrenit ka qenë salla e faljes së Bajrakli Xhamisë në Prizren, si dhe i gjithë kompleksi i Medresesë aty ngjitur me këtë Xhami shërbyen si ndërtesa e qeverisë së dalë nga vendimet e marra në këtë mbledhje.

Këtë deri tashti nuk na e ka thënë kush nga historianët. Shumë prej tyre e dinë shumë mirë kontributin e dhënë nga shumë hoxhallarë, por për shkak të konjukturave politike, deri tashti ata kanë heshtur dhe vazhdojnë të heshtin. Syzet ideologjike nuk i kanë hequr akoma, porse ka ardhur koha që e vërteta të dalë në shesh.

Comments

  • Shume drejt e ke Aisha.Koha jonë ka bere qe shumë njerëz, per fat te keq edhe te rinj myslimane, te kenë prirje personale të konsiderimit të modernitetit si kohë e demitizimit të etikës dhe braktisjes së normave të sjelljes morale, në emër të shoqërisë së bazuar në pluralizëm kulturor dhe ndërtimit ndryshe të mënyrave të sjelljes. Ndërkaq janë shtuar zërat se morali është i panevojshëm, se etikat kanë vdekur, se të vërtetat e jetës moderne janë të ndryshme nga moralja, se kjo e fundit është pengesë për ambicjet e njeriut pragmatist, se normat morale të pengojnë në rrugën drejt suksesit, etj.
    Kjo fushatë e skepticizmit etik përpiqet të gjejë dhe të mbështet mbi argumente filozofike dhe sociologjike për të mohuar nevojën e ekzistencës së normave morale, si kusht për të rregulluar njeriun dhe ndërtuar shoqërinë e mirë . Këto ide më shumë të hedhura sponatnisht kanë ndikuar në zgjerimin e deformimeve morale të jetës në shoqërinë tonë. Ato pasqyrohen në ndryshimet dhe përkeqësimet e thella te situatës së jetës morale. Edhe pse ide të tilla nuk janë artikuluar teorikisht, filozofikisht dhe etikisht, njerëzit në mënyrë intuitive kanë filluar të kuptojnë aksin, të dallojnë kahjen e orientimit të jetës morale të shoqërisë, të mënyrave eksentrike antinormative dhe ultraliberale të sjelljes së njerëzve tanë.

  • bravo Roald, shume shkrim i mire. Por pse nuk e beni dhe ndonje botim akademik e keto zbulime historike te publikohen per te gjithe shqiptaret ti dijne.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *