Çmimi i Harruar i Luftës





Xhon Tirman*

Fundi i luftës në Irak solli shumë pak reflektime mbi shkallën e shkatërrimit që ne kemi sjellë atje. Ashtu siç e kemi zakon, debati u fokusua mbi koston ndaj Amerikës në gjak e pasuri, premisat e rreme të luftës, dhe sfidat e vazhdueshme të instabilitetit në rajon. Çfarë u ndodhi irakianëve në përgjithësi u injorua. Dhe në Libi, investigimi i fundit mbi viktimat civile gjatë fushatës bombarduese të NATOs ishte llogaria e parë e kësaj natyre mbi një luftë që shumë besuan se ishte pa viktima.

Ne shumë rrallë e vëmë në dyshim që luftërat shkaktojnë dëme të mëdha, por këndvështrimi ynë ndaj luftërave të Amerikës ka qenë i verbër ndaj një aspekti të caktuar të shkatërrimit: dëmi njërëzor ndaj atyre që jetojnë në zonat e luftës.

Ne i mbyllim veshët ndaj zërave të viktimave dhe i nënvlerësojmë ankesat e tyre rreth sulmeve të mesnatës, kërkimeve shtëpi më shtëpi, postoblloqeve, sulmeve me avjonë të telekomanduar, bombat që bien mbi dasma në vend të Al Kaidës etj.

Gjenerali Tomi R. Franks tha shprehjen e famshme gjatë ditëve të para të luftës në Afganistan, “Ne nuk numërojmë trupa.” Por dikush duhet të numërojë. Ajo çka mësojmë nga numërimi i trupave na tregon shumë rreth luftës dhe atyre që e bëjnë atë.

Pas më shumë se 10 vjetësh nga fillimi i luftës në Afganistan, ne kemi vetëm një ide të zbehtë mbi numrin e njerëzve që kanë vdekur si pasojë e konfliktit. Zyra e OKBsë në Kabul mbledh disa shifra nga morgjet dhe burime të tjera, por ato janë jo të plota. E njëjta gjë vlen për Irakun, megjithëse disa përpjekje të pavarura janë kryer atje për të logaritur të vdekurit.

Por këto shifra, që shkojnë që qindra mijëra, marrin shumë pak vëmendje. Liderët politikë e ushtarakë amerikanë, ashtu si publiku, tregojnë shumë pak interes mbi viktimat jo-amerikane.

Mohimi, sidoqoftë, është konvenient. Të mos konsiderosh shifrat e vdekshmërisë, refugjatëve, të varfëruarve, spitalet, shkollat dhe ujësjellësit e shkatërruar është njësoj si të mohosh, praktikisht, që lufta ka ndodhur.

Ushtria amerikane nuk mund t’ia lejojë vetes të jetë kaq moskokëçarëse ndaj dinamikës së luftës. Rrjedhojat e mënyrës si bëjmë luftë tregon shumë rreth asaj si apo pse të tjerët na luftojnë.

Në Irak, për shembull, arsyet e rezistencës sunite shpesh i atribuoheshin humbjes së statusit social; roli i dhunës amerikane ndaj civilëve herët gjatë konfliktit diskutohej shumë rrallë. Por shumë nga irakianët e kapur pohonin se ata po mbronin komunitetet e tyre duke rezistuar ndaj forcave pushtuese. Abuzimi fizik, burgosja, apo vrasja e luftëtarëve të dyshuar irakianë – ashtu siç bënin forcat e koalicionit në operacione të shumta – i nxiti disa irakianë të kapnin pushkën, mjetet e improvizuara eksplozive, apo bombat vetëvrasëse. Sa më shumë dhunë nga pushtuesit, aq më i egër ishte reagimi i tyre.

Gjenerali David H. Petreus e kuptoi këtë dhe kërkoi të reformonte praktikën e ushtrisë amerikane. Në një manual të terrenit që ai bashkë-autorësoi në 2006-ën, ai shpjegoi që kur “forcat ushtarake nuk arrijnë të ofrojnë siguri ose e kërcënojnë sigurinë e civilëve, popullata ka shumë gjasa të kërkojë garanci sigurie nga kryengritësit, miliciet, apo grupet e armatosura. Kjo situatë mund të ushqejë mbështetje për kryengritje.”

Në disa sondazhe të opinionit publik, irakianët identifikuan forcat amerikane si burimi kryesor i dhunës në vendin e tyre. Por edhe pse dhuna e luftës dhe e pushtimit ishte një shkak pasues i rezistencës irakiane, ne kemi pak shifra për të kuptuar shkallën e saj. WikiLeaks lëshoi dokumente ushtarake në Tetor 2010 që përfshinin llogaritje të viktimave irakiane, por këto raporte janë jo të plota dhe nganjëherë të anuara, dhe ato reflektojnë vetëm çka kanë dëshmuar trupat amerikane. Raportet e lajmeve në media janë po ashtu të kufizuara. Dhe liderët tanë politikë e ushtarakë as që i konsiderojnë këto shifra gjithsesi.

Ata jetojnë në një botë fantazie ku ka shumë më pak zullum, të pavëmëndshëm ndaj asaj çka i ngjet në të vërtetë popullatës civile. Në 2006-ën, dy sondazhe të pavarura të familjeve irakiane, nga Ministria e Shëndetësisë e Irakut dhe nga kërkues pranë Universitetit Xhon Hopkins, gjetën midis 400.000 dhe 650.000 “vdekje të tepërta” në Irak si rezultat i luftës. Në atë kohë, megithatë, gjenerali komandues në Irak e vinte atë shifër në 50.000 ndërsa Presidenti Bush në fund të 2005-ës pati thënë se viktimat ishin vetëm 30.000.

Nëse liderët tanë nuk kanë vullnetin të kuptojnë shkallën e vdekjes dhe shkatërrimit social, dhe kuptimin e këtij kaosi për popullatën lokale, atëherë përpjekjet luftarake të Amerikës kanë të ngjarë të përfundojnë keq dhe marrëdhëniet me aleatët të sforcohen, siç ndodhi me Presidentin Hamid Karzai në Afganistan.

Ankesat e vazhdueshme të Karzait rreth aksioneve të NATOs që shkaktojnë viktima civile shpesh anashkalohen në Perëndim si lojëra politike, por këmbëngulja e tij në këtë çështje tregon sa fort ajo rezonon me afganët. Ndërsa ne e anashkalojmë, myslimanët nëpër botë mbajnë shënim.

Injorimi i shkallës së viktimave civile dhe dëmi që ato shkaktojnë është një dështim moral si edhe një gabim i trashë strategjik. Ne kemi nevojë të adoptojmë mjete të sigurta për të matur shkatërrimin që shkaktojnë luftërat tona – një “epistemologji e luftës”, siç e ka quajtur një gjeneral tjetër, Uilliam Tekumseh Sherman – për të çarë përmes amnezisë kolektive që na ka kapluar.

Nëse ne nuk kërkojmë një llogaridhënie të plotë të çmimit të luftës, dështime të ardhshme janë aq më tepër të ngjashme – dhe të justifikuara.

 

Xhon Tirman, drejtori ekzekutiv i Qendrës për Studime Ndërkombëtare në MIT, është autori i “Vdekjet e të Tjerëve: Fati i Civilëve në Luftërat e Amerikës.”

 

Marrë nga New York Times

 

Përktheu A.T.

Comments

  • Nje nga shprehjet qe me ka ngelur ne mendje eshte kur e pyeten Medlin Ollbrajt, ish sekretaren amerikane te shtetit, nese 500.000 femijet irakiane qe u llogarit se paten vdekur si rezultat i sanksioneve mbi Irakun pas luftes se pare te Gjirit Persik, ishin nje cmim qe ja vlente te paguhej per te hequr Sadamin nga fuqia, dhe ajo u pergjigj “Une mendoj se po.” Kjo tregon sa vlejne jetet e jo-perendimoreve per Perendimin. Jetet e afrikaneve, arabeve, aziatikeve, meksikaneve, amerikano-jugoreve, e indianeve te Amerikes (aq sa kane ngelur) vlejne pak ne syte e Amerikaneve apo Evropjaneve, fatkeqesisht.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *