Talal Asad*

I

Është banal, por gjithsesi i rëndësishëm, fakti se në demokracitë liberale mjetet e komunikimit masiv janë një burim i domosdoshëm i informacionit rreth botës bashkëkohore, një informacion që është i domosdoshëm për formimin e opinionit politikisht të përgjegjshëm. Supozohet se inteligentsia liberale duhet të jetë një pjesë përbërëse e këtij procesi – duke reflektuar, analizuar dhe shpjeguar implikimet e gjera të këtij informacioni. Fatkeqësisht, shumë shpesh ajo dështon në këtë detyrë dhe kënaqet duke mbështetur dhe duke u mbështetur nga diskursi mbizotërues i medias.

Që prej shumë vitesh, media perëndimore ka raportuar ngjarje të dhunshme, autorët e të cilave e identifikojnë veten si anëtarë të lëvizjeve fetarisht të frymëzuara: Në Bregun Perëndimor dhe në Gaza, fanatikët hebrenj kanë sulmuar dhe vrarë palestinezët; në Egjipt, fanatikët myslimanë kanë vrarë një polic, koptët dhe civilë të tjerë; në Algjeri, shkalla e terrorit e drejtuar nga Fronti i Shpëtimit Islamik, që synon përmbysjen e regjimit të tanishëm antikushtetues, është përshkallëzuar në përmasa të paparashikuara; në Indi, lëvizja nacionaliste hinduse vë në shënjestër myslimanët, nxit trazira, kërcënon të vijnë në pushtet dhe anëtarët hindus të kastës së lartë i djegin të gjallë rebelët të dëbuar nga kasta; në Iran, një qeverisje despotike islamike persekuton minoritetet fetare dhe homoseksualët; në Amerikë, katolikët dhe protestantët që janë pjesë e lëvizjes “pro jetës” (pro-life) i kërcënojnë më vdekje mjekët që kryejnë aborte. E gjithë kjo është pjesë e asaj që një akademik e ka quajtur “hakmarrja e Zotit” kundër Rilindjes shekullare.[1]

Këto zhvillime dhe të tjera të ngjashme me to janë komentuar në mënyrë të vazhdueshme në media dhe në publikimet akademike. A janë të gjitha këto zhvillime simptoma të shumta të refuzimit të modernitetit? Apo ato janë shprehje të dëshpëruara të aspiratave moderne që janë ndrydhur për një kohë tepër të gjatë? Analizat dhe shpjegimet gëlojnë, por interesi në këto ngjarje në mediat perëndimore dhe midis intelligentsia-s perëndimore është dukshëm i pabarabartë. Si rrjedhim, “Islami” priret të konsiderohet si mësymja më e madhe politike dhe morale ndaj modernitetit, krahasuar me traditat e tjera fetare. Aktivitetet e dhunshme të militantëve islamik (“fundamentalistëve”) shpesh identifikohen me esencën e një tradite të tërë historike. Edhe në rastet kur nuk ka dhunë të drejtpërdrejtë, Islami shfaqet si bartës i një tradite frikësuese, që thërret me ngulm për bashkimin e politikës me fenë. Në këtë mënyrë, Islami kërcënon të minojë krejt themelet e vlerave moderne, për të cilat thuhet se gjejnë shembull në Evropë dhe Amerikën e Veriut.

Vëmendja e  pabarabartë mbi ngjarje të dhunës fetare i jep besueshmëri perceptimit se Islami është kërcënimi kryesor për Perëndimin. Numri i autorëve që kohët e fundit janë marrë më këtë temë është tepër i madh. Por më i spikaturi midis tyre është shkencëtari politik i Harvardit, Samuel Huntington. Në një artikull shumë të debatuar të publikuar në organin periodik amerikan me ndikimin të madh, “Foreign Affairs”, ai argumenton gjerësisht  se “një fokus qendror konflikti në të ardhmen imediate do të jetë ai midis Perëndimit dhe disa shteteve Islamo-konfucianiste”.[2] Historiani i Egjiptit modern, P.J. Vatikiotis, nuk ndien asnjë vështirësi që të pranojë si të vërtetë se konflikti islamik me Perëndimin nënkupton armiqësinë islamike ndaj tërë botës. Ai i thotë lexuesve të tij se duke qenë se Perëndimi është bota: “vala e tanishme e rigjallërimit islamik nuk është thjesht thellësisht armiqësore me pjesën tjetër të botës, por predikon, gjithashtu, edhe luftën e dhunshme kundër saj (ose së paku kundër atyre që ajo i konsideron si liderët e saj), përfshi edhe përkrahjen, sponsorizimin dhe organizimin e akteve të terrorizmit”.[3] Orientalisti Bernard Lewis zbulon një konspiracion ndërkombëtar frikësues. Duke iu referuar qeverive në vendet myslimane ai pohon se: “ato kanë ngritur, në lidhje me shumë çështje,  një aparat të ndërlikuar të konsultimit dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar; ato mbajnë konferenca të rregullta të nivelit të lartë dhe, paçka dallimeve në strukturë, ideologji dhe politikë, kanë arritur një nivel domethënës dakordësie dhe veprimi të përbashkët. Në këtë pikë, myslimanët janë në kontrast të fortë me besimtarët e feve të tjera”[4]. Lewis përpiqet të na bindë  se hebrenjtë dhe katolikët nuk kanë asnjë organizatë konsultimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar!

Natyrisht, pikëpamje të tilla të papërgjegjshme nuk janë universale midis “ekspertëve perëndimorë mbi Islamin”. Shumë prej tyre, në mënyrë të arsyeshme, kanë refuzuar këtë supozim bazë – përfshi këtu John Esposito-n[5]. Në një numër të mëvonshëm të “Foreign Affairs”, çështja është debatuar nga Leon Hadar ( i cili argumenton në mënyrë bindëse se nuk ekziston asnjë kërcënim real) dhe Judith Miller (e cila mbron pikëpamjen e kundërt). Megjithatë, më i rëndësishëm se argumentet dhe provat e përdorura në këtë debat – i cili përsëritet vazhdimisht në botimet dhe mediat perëndimore – është fakti se pavarësisht nga qëndrimin i marrë nga individët e përfshirë në debat, pyetja që qëndron në themel të tij mbetet urgjente: “A është ringjallja islamike vërtet e rrezikshme? Nëse po, çfarë kërcënon ajo saktësisht?” Ata për të cilët përgjigja ndaj pyetjes së parë është pohuese, ndonjëherë i referohen “interesave perëndimore” dhe ndonjëherë tjetër Vlerave Moderne – dhe supozojnë një lidhje të lehtë midis të dyjave.

Rrjedhimisht, opinioni publik perëndimor është më i alarmuar rreth tendencave të dhunshme dhe autoritare që duket se gjenerohen nga “Islami”, sesa nga ato që i atribuohen feve të tjera. Me një të hedhur të syrit mund të vërehet një rreth vicioz në të cilin, sa më shumë media fokusohet mbi episodet dhe zhvillimet që mund t’i atribuohen “Islamit”, aq më i madh bëhet paniku.

Por ka edhe një tjetër përzgjedhje interesante: media perëndimore është shumë më tepër e interesuar në kërcënimet që i bëhen shkrimtarëve, sesa në mizoritë e bëra kundër qenieve të tjera njerëzore.

Nuk duhet të na habisë fakti që kërcënimet për vdekje, të bëra nga fanatikët myslimanë, kundër anglezit Selman Rushdi dhe romancieres nga Bangladeshi Nasreen Taslima, janë reklamuar botërisht (Ndoshta është e kuptueshme që rasti i Taslima-s, duke qenë një shkrimtare më pak e njohur, do të reklamohej më pak se rasti i Rushdiut. Veç kësaj, ajo nuk shkruan në gjuhën angleze, por në një gjuhë aziatike). Sidoqoftë, ia vlen të reflektojmë mbi arsyen se përse mediat perëndimore tregojnë shumë më pak interes ndaj torturave dhe vrasjeve, nga ana e qeverive, të individëve që nuk janë shkrimtarë (si p.sh. të vrasjes së të burgosurve politikë në Egjipt[6], të palestinezëve në Izrael[7], të banorëve të Kashmirit në Indi[8]). A mos ndodh vallë kjo ndodh sepse shtresa e mesme liberale perëndimore i konsideron jetët e letrarëve si më të vlefshme se ato të vdekatarëve të tjerë? Apo mos vallë kjo ndodh, siç kanë pohuar disa të tjerë, sepse në kërcënimin e tyre përfshihen edhe principe që prekin përbërjen themelore të shoqërisë moderne liberale? Kur, gjatë këtyre katër viteve të fundit, i kam përmendur miqve të mi liberalë këtë pabarazi të shqetësimit moral, shpesh ata më janë përgjigjur duke pohuar se në sulmin ndaj shkrimtarëve, fanatikët myslimanë janë duke sulmuar Lirinë e Shprehjes dhe duke kërkuar të vrasin kritikët e fesë, ata janë duke u përpjekur të vrasin liritë mbi të cilat ndërtohet vetë Shoqëria Moderne. Por nëse do të mendojmë se ky është një shpjegim i përshtatshëm për përgjigjen e tyre jo të njëllojtë ndaj dhunës njerëzore, atëherë do t’i afrohemi të alarmuar mendimit vijues: disa prej liberalëve tanë shekullarë janë më lehtësisht të ndjeshëm ndaj asaj që ata e shohin si një mësymje kundër parimeve të shenjta (njësoj si fanatikët e tjerë) se sa nga rastet konkrete të mizorive të bëra ndaj njerëzve të veçantë. Nga kjo të krijohet përshtypja se “parimet” janë simbolet tepër emocionale të identitetit personal të liberalëve.

Kjo bëhet akoma më e qartë kur shqyrtojmë mungesën e dallueshme të interesit, ndërmjet shumicës së “intelektualëve publikë” në Evropë dhe Amerikën e Veriut, sa i përket rastit të kohëve të fundit të avokatit mbrojtës egjiptian, Madani-t. Sipas një relacioni ndërkombëtar, Abdulharith el-Madani, avokati mbrojtës i disa grupeve të nxjerra jashtë ligjit, për të cilat mesa duket ai po përpiqej të ndërmjetësonte me qeverinë, u arrestua dhe u torturua mizorisht deri në vdekje nga policia.[9] Ky rast torture dhe vrasjeje (vetëm një prej shumë viktimave gjithnjë e në rritje në Egjipt) është mohuar domosdo nga autoritetet shtetërore, por ato megjithatë nuk kanë lejuar kryerjen e një autopsie të pavarur. Mund të supozohej se intelektualët publikë në vendet perëndimore, që janë të shqetësuar për mbrojtjen e lirive moderne shekullare, do të ngrinin zërin në një protestë publike  – në mos jo aq të zjarrtë sa ajo në mbrojtje të rastit të Selman Rushdiut (do të na thuhet se ai ishte një Autor i Famshëm), së paku aq të bujshme sa ajo që u bë në favor të Taslima-s. Sepse, në rastin e avokatit egjiptian, jo vetëm që kemi të bëjmë me një vrasje reale nën torturë (përkundrejt thjesht kërcënimeve për vdekje), por ai është, gjithashtu, një rast ku liritë moderne themelore – liria nga tortura dhe e drejta për përfaqësim publik pa kërcënim – janë sulmuar drejtpërsëdrejti nga një qeveri. Sidoqoftë, ky rast (dhe disa të tjerë) nuk është vënë re fare nga intelligentsia në Perëndim dhe as nuk është ndjekur nga ata që kanë akses tek mediat perëndimore. Më duhet të sugjeroj se kjo vjen si shkak se ngjarja nuk mund të shpjegohet si një sulm mbi simbolet e shenjta që përcaktojnë identitetin kolektiv  të elitës letrare që e konsiderojnë veten si kujdestarët e shtetit shekullar dhe modern.

Nëse “Islami” paraqitet kudo si një kërcënim për simbolet shekullare liberale, atëherë myslimanët që jetojnë në Perëndim do të shihen së paku me dyshim. Paraqitjet mediatike, selektive dhe ideologjikisht të organizuara, fokusohen mbi kërcënimet e brendshme dhe ato “të jashtme” dhe shpesh punojnë në ortakëri me disa frikëra të intelligentsia-s liberale të cilët e shohin “botën islame arabe” si diçka që po e shtyn, përmes emigrimit, identitetin fetar të huaj të saj brenda në Evropë.[10] Në këtë ide ka një konvergjencë me planet oportuniste të politikanëve, siç është rasti i ngacmimit të këtyre ditëve të emigrantëve afrikano-veriorë në Francë, i autorizuar nga Ministri i brendshëm Charles Pasqua. Natyrisht, kur ndërgjegjes liberale i duket se një ngacmim i tillë i kalon kufijtë, të njëjtat organe shtypi që kontribuojnë në paraqitjen e një Islami agresiv dhe intolerant dalin në pah për të mbrojtur myslimanët e viktimizuar.

Për shembull: në një numër të vetëm të “The Guardian Weekly” (14 Gusht 1994) gjashtë artikujt mbi “Islamin” mbanin titujt e mëposhtëm: “Franca thërret në mbledhje ekstremistët algjerianë”, “Sulmohen të krishterët në Irak”, “Malajzia nxjerr jashtë ligjit sufitë”, “Tunizia shtyp kërcënimin islamit”, “Fetvaja Nasreen fsheh paradoksin e Bangladeshit”, “Franca qëndron e palëkundur me Algjerinë”.  Të gjitha këta artikuj sjellin lajme alarmante rreth myslimanëve. Në këtë numër nuk gjejmë qoftë edhe një artikull të vetëm rreth tyre që të mos jetë negativ. Sidoqoftë, një javë më vonë, e njëjta gazetë kishte publikuar një artikull të trazuar të titulluar “Ethet e përjashtimit mbërthejnë Francën”, në të cilin rrëfeheshin në mënyrë të detajuar padrejtësitë e mëdha të bëra nga policia kundër emigrantëve algjerianë, si edhe një paralajmërim editorial të mirëmenduar sipas së cilit “Nëse Franca beson se një regjim i mbështetur nga ushtria mundet ende të shpëtohet me paratë e dhëna nga kreditorët e vendit, apo se ky regjim do të ndihmojë për nxjerrjen jashtë ligjit të “Frontit Islam për Shpëtim” (FIS), përgjatë Evropës dhe Amerikës, atëherë ajo është duke luftuar me mullinjtë e erës … Presidenti Miteran dhe ajo që asokohe ishte ende qeveria e tij socialiste e humbën davanë kur vendosën që të përkrahnin anulimin e zgjedhjeve të vitit 1992”. Megjithatë, në atë kohë shumica e shtypit perëndimor, liberal ose jo, e mbështeti anulimin e zgjedhjeve.

Në këtë pikë më duhet të pohoj qartazi se sipas pikëpamjes sime myslimanët që kërkojnë vrasjen, ose ndëshkime të tjera, të Talisma-s dhe Selman Rushdiut nuk mund të justifikohen për asnjë arsye, e jo më të mbështeten në veprimet e tyre. Sidoqoftë, unë e distancoj veten time nga diskursi mbizotërues sipas së cilit karakterizohen dhe paraqiten këto çështje në media. Është e nevojshme që ta sqarojmë këtë pikë, sepse debati publik në perëndim zakonisht artikulohet në formë alternativash të thjeshta – dikush ose përkrah në mënyrë të pakushtëzuar Rushdiun (tani edhe me Taslima-n) ose përligj veprimet e fanatikëve fetarë. Nuk hezitoj të dënoj aktet e kërcënimit me vdekje, por unë vë në dyshim, gjithashtu, diskursin liberal perëndimor që informon lexuesin rreth këtyre çështjeve. Në veçanti, unë vë në dyshim (a) supozimin e tij se “feja” është kërcënimi kryesor ndaj parimeve të tolerancës dhe demokracisë; (b) rolin e luajtur nga ai në sendërgjimin e një “armiku islamik””; (c) favorizimin që ai i bën shkrimtarëve kundër viktimave të tjera të dhunës;  (ç) shenjtërimin që ai i bën Lirisë së Shprehjes. Pra, unë vë në dyshim supozimin se njerëzit që sulmojnë këto shkrimtarë janë pjesë e forcave më të mëdha që kërcënojnë modernizmin në vetvete.

*Botuar ne The Muslim World, vëll. LXXXVII, Nr. 2, Prill 1997, f.  183-195. Talal Asad eshte profesor i Antropologjise ne City University of New York.

Perktheu Rezart Beka.

Vijon neser…

Comments

  • Rruga për të mësuar ta pranojmë njëri-tjetrin dhe si rrjedhim të jemi të aftë të jetojmë me njëri-tjetrin nuk eshte e lehtë; në të vërtetë ky është një proces delikat, por nuk ka alternativë tjetër.
    Faktikisht, në mënyrë që Evropa dhe Islami ta kuptojnë njëri-tjetrin duhet ta kuptojnë veten e tyre më mirë, sepse nocionet e unit dhe të tjetrit shfaqin një ndikim reciprok.
    Unë mendoj se përgjegjësia më e madhe gjendet në duart e shumicës.
    Rruga drejt pluralizmit është mënyra më e arsyeshme. Çdo përpjekje për të eliminuar identitetin mysliman do të shkaktojë vetëm më shumë probleme.
    Sot myslimanët mund të përfaqësojnë një kulturë të ndryshme, por duhet të kujtojmë se kulturat janë rezultat i proceseve eklektike; kulturat nuk janë asnjëherë të pandryshueshme. A nuk ka qenë krishterimi dikur një fenomen lindor? Por me kalimin e kohës u ngulit në shoqërinë perëndimore. Përzierja e erëzave, qebapi, pica dhe burgerat (hamburgeri, sanduiçi) tani janë elemente të vendosura të kulturës britanike, prapëseprapë ato fillimisht nuk ishin britanike.
    Shoqëritë myslimane kanë qenë tradicionalisht pluraliste. Teologjia myslimane i kujton njerëzimit se larmia është një faktor pozitiv dhe natyral në jetë, ku njerëzit mund të bashkohen për të mësuar për njëri-tjetrin.
    ‘O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë. (El-Huxhurat)
    Sikur të donte All-llahu, do t’ju bënte një popull (në fe e sheriat). (El-Maideh )
    Pluralizmi krijon një rrugë për të ardhmen e NJEREZIMIT që të jetë i fortë, i qëndrueshëm dhe paqësor. Myslimanët duhet të bashkohen me njerëzit e tjerë, pavarësisht nga besimi dhe të punojnë së bashku për të mirën e përbashkët, ashtu si Muhamedi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) hyri në hilf al-fudul. Alternativa për në pluralizëm do të ishte përshpejtimi dhe përgatija për një lloj përplasjeje qytëtërimesh ose eliminimi i njëra-tjetrës dhe kjo do të ishte një goditje e tmerrshme për Evropën dhe Islamin. Do të ishte shumë e trishtueshme nëse mundësitë do të humbeshin.

  • Mendoj se duhet te filloni te seleksinoni edhe komentet hudhra m’kumull qe nuk kane lidhje me cfare shkruhet ketu. Nga qebapi te Ademi a.s, masnej prape te modernizmi e pa koherence diku tjeter ne ndonje ajet Kurani. I iken edhe lezeti ajeteve kur perdoren pa lidhje. Ose komentuesja t’i shkurtoje pak e t’i redaktoje diku para se te na i sjelle ketu.

  • Selam vella Shvejk ,në shekullin e kaluar, mendimtari arab Xhemal el-Afgani shkruante “Çdo mysliman është i sëmurë dhe shërimi i vetëm i tij është në Kuran.”

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *