Talal Asad (vazhdon)

II

 

A është “feja” përbërëse (integral) e këtyre forcave përçarëse? Vështirë se mund të mohohet që veprat më të mëdha të mizorisë dhe shkatërrimit njerëzor në shekullin e XX janë kryer nga qeverisjet shekullare (Nazistët në Gjermani, Stalinistët në Rusi,  ndjekësit e Maos në Kinë, etj.) dhe jo nga ato fetare. Në Amerikë, e cila është një model i qeverisjes liberal-demokrate dhe e ndarjes konstitucionale midis Kishës dhe shtetit, deri vonë kemi dëshmuar intolerancën e mekartizmit, antisemitizmin, dhe aparteidin ligjor midis të zinjve dhe të bardhëve; në ditët tona përballemi me mizori të gjithanëshme të një racizmi të ngulitur dhe varfërisë masive. Në Izrael, bastioni i demokracisë në Lindjen e Mesme, racizmi sistematik kundër palestinezëve është i institucionalizuar. Natyrisht, asnjë prej këtyre fakteve të mirënjohura nuk kufizon virtytin e epërm të statusit fetar.. Jam duke i cituar këto fakte vetëm për të kundërshtuar lidhjen e lehtë të bërë nga shekullaristët midis intolerancës dhe “fesë”. Unë sugjeroj se ka edhe më shumë për t’u frikësuar nga disa prirje të prodhuara nga moderniteti shekullarist: sovraniteti i shteteve komb, pajisja në masë të madhe e shteteve joevropiane me armë të prodhuara dhe të shituara nga Perëndimi, ndotja globale dhe zhvatja e mjedisit natyror, zhvillimi dhe aplikimi i teknologjive të sofistikuara të kontrollit shoqëror, një ekonomi globale e konsumit të shthurur, lëvizjet e të cilës mbeten thuajse të pakuptuara, etj. Theksoj se këtu nuk jam duke paraqitur një skenar apokaliptik dhe as duke denoncuar “Modernitetin”. Pavarësisht të gjitha problemeve të saj, kjo është e vetmja botë që kemi dhe ne duhet të përpiqemi që të jetojmë në të sa më mirë që të jetë e mundur. Këtu thjesht po them se duke e identifikuar “fenë” si kërcënimi i vërtetë ndaj tolerancës dhe gjendjes normale, ne po i lejojmë vetes një rrugëdalje të kollajtë nga problemet madhore me të cilat ballafaqohet bota moderne.

Nëse shpesh feja mendohet si një rrezik madhor, “Islami” paraqitet shpesh si një shembull veçanërisht kryeneç i një feje aktive në botën moderne. Në botën moderne “feja” ka – ose së paku ne besojmë se duhet të ketë – vendin e saj të caktuar. Islami, i paraqitur si një “qytetërim fetar”, është sendërgjim jo vetëm i mediave, por edhe i diskursit intelektual. Domethënë, diskursi në të cilin historia e pasur dhe e ndryshme e shoqërive myslimane, përgjatë tre kontinenteve dhe njëmijë e katërqind vjetëve, reduktohet në parimet thelbësore të një “qytetërimi fetar” të dalluar

Një karakterizim i tillë esencialist i “qytetërimit islam” ndonjëherë bëhet në mënyrë dashamirëse e ndonjëherë tjetër me qëllim të keq, por, në secilin rast, ai i nxit njerëzit të shpjegojnë tendencat e shumta autoritare apo të dhunshme në vendet myslimane duke iu referuar një “Islami” esencial. Ndaj kësaj procedure shpjeguese ekzistojnë disa objeksione, por unë do ta kufizoj analizën vetëm tek ato që janë më evidente: Asnjë liberal në Perëndim nuk do të sugjeronte se lëvizja Gush Emunim në Izrael përfaqëson esencën e Judaizmit, apo se vrasjet në Amerikë të doktorëve që kryejnë aborte, nga aktivistët e lëvizjes “pro jetës” (pro life), përfaqësojnë esencën e Krishterimit. Në ditët tona, shkollarët liberalë do ta kundërshtonin me të drejtë sugjerimin se fushata në Indi, fuqimisht autoritare, për Hindutva-n (të cilën disa vëzhgues e kanë krahasuar me Nazizmin)[11] është shprehje e esencës së “Hinduizmit”. E megjithëkëtë, shkrimtarët vazhdojnë të identifikojnë një “autoritarizëm” esencial në vendet myslimane dhe t’ia atribuojnë atë besimit monoteist islam.

Diskursi intelektual perëndimor mbi “qytetërimin islam” shkon prapa së paku deri në gjysmën e parë të shekullit XIX, por në ditët tona riprodhimi i tij ka vazhduar (von Grunebaum, Gibb, Watt, Lewis, Crone and Cook, Geertz, Gellner e shumë të tjerë). Ky diskurs nuk është në mënyrë të pandryshueshme armiqësor, por ai bën të mundur që rigjallërimi bashkëkohor islamik të paraqitet si rezultat i një esence qytetërimore, e cila reagon dhunshëm në mënyrë vetëmbrojtëse kundër sfidës së modernitetit. Unë kundërshtoj duke thënë se se vetë ideja e “qytetërimit” – një shpikje e shekullit XIX – nuk është aspak e dobishme për të menduar në mënyrë konstruktive rreth problemeve kulturore dhe politike të kohëve tona. Nga ana tjetër, “tradita” – e cila, që nga periudha e Iluminizmit, i kundërvihet shpesh në mënyrë të gënjeshtërt “modernitetit” dhe “arsyes” – është një koncept shumë më premtues se ai i qytetërimit.

 

Comments

  • Që Islami dhe Evropa të mësojnë të jetojnë së bashku duhet të theksojmë se historia e përbashkët e Islamit dhe Evropën nuk është vetëm një tablo shkatërrimi dhe errësire, por përmban raste të panumërta të shkëmbimit të njohurive, zhvillimit reciprok dhe partneritetit. Tani dijetarët evropianë jetojnë në një klimë, ku janë gati ta pranojnë ndikimin e madh të qytetërimit mysliman në formimin e Evropës; kontributin e Ibn Kaldunit në sociologji dhe histori, të Razit dhe Ibn Sinas në mjekësi dhe Khuwarizmit në matematikë.
    Përdorimi i zakonshëm i fjalëve si alkooli, alkimia dhe algjebra vijnë nga arabishtja. Udhëtimet e gjata të evropianëve drejt qendrave të dijes në Kordovë, Toledo dhe Granadë në Spanjën myslimane dëshmojnë kontributin e myslimanëve në formimin e Evropës. Urtësia e grekëve të lashtë u ruajt dhe u shënua nga arabët, si shkrimet e Aristotelit, Euklidit, Galenit, Arkimedit dhe të tjerëve, të cilat u përkthyen në arabisht dhe më vonë në latinisht. Faktikisht, arabishtja mund të konsiderohet si një prej gjuhëve klasike të Evropës.
    Montgomery Watt është shprehur: “Si rrjedhim kultura superiore e arabëve hapi gradualisht rrugën e saj drejt Evropës perëndimore, me anë të lidhjeve tregtare dhe pranisë politike në Spanjë dhe Sicili. Edhe pse Evropa perëndimore kishte lidhje me Perandorinë Bizantine transportonte më shumë nga arabët se sa nga bizantinët. Kur njeriu informohet për shkallën e gjerë të eksperimentimeve arabe, mendimit dhe shkrimit arab, ai e kupton se pa arabët, shkenca dhe filozofia evropiane nuk do të ishin zhvilluar në atë kohë që u zhvilluan”.
    Megjithatë është e vërtetë se mbizotëron një shkallë e lartë mosbesimi në lidhje me Tjetrin, nga ana e disa myslimanëve dhe nga ana e disa elementëve të caktuar brenda Evropës. Franços Leotard, në postin e ministrit të Mbrojtjes, deklaroi: Fundamentalizmi islamik është sot po aq i rrezikshëm sa ka qenë nazizmi”. Teoritë e Huntingtonit edhe pse pjesa më e madhe e tyre janë hedhur poshtë, vazhdojnë të kenë ndjekësit e tyre të përkushtuar. Në gjithë Evropën duket se Islamofobia po rritet. Në një nivel më të përgjithshëm, ish kryetari i Partisë Konservatore të Mbretërisë së Bashkuar Lord Tebbit, pikëpamjet e të cilit për kriketin njihen, deklaroi: “Nuk mund të kesh një ngarkesë të tërë të kulturave të ndryshme në një shoqëri; mund të kesh një kulturë për një shoqëri…Multikulturalizmi është një forcë ndarëse”.
    Edhe pse këto mendime mund të mos jenë gjithmonë të rrymës kryesore, ato kanë ndikimet e tyre të rëndësishme mbi komunitetet e pakicës. Këto mund të krijojnë mendësinë e një kohe të vështirë tek ata që akoma i ruajnë kujtimet e trashëguara të kolonializmit. Duke përjashtuar disa shtete, Islami nuk njihet zyrtarisht nga Evropa. Pa dyshim Islami është këtu, d.m.th është realiteti, por njohja zyrtare ka ndikimin e vet në botëkuptim, konsolidim, status e kështu me radhë. Evropa perëndimore ka zhvilluar modele të ndryshme për ta trajtuar Islamin. Austria, Spanja dhe Belgjika e kanë njohur Islamin zyrtarisht. Suedia është e gatshme të financojë disa aktivitete për myslimanët me kusht që ata të përfaqësohen nga organizata të një përmase të caktuar minimale. Në Francë asnjë komunitet fetar nuk njihet zyrtarisht. Themelimi i Laicite (laicizmit) në vitin 1905 e ndalon shprehjen e fesë në jetën publike. Në bazë të kësaj u zhvilluan incidentet për shaminë. Megjithatë është e rëndësishme të theksojmë se presidenti francez varroset tradicionalisht në Notre Damë dhe kësula e hebrenjve tolerohet. Gjermania akoma nuk e pranon se është një vend emigracioni; prandaj emigrantët njihen si gasterbeiter, ose punëtorë të ftuar, edhe pas tre brezash. Britania edhe pse nuk e njeh ligjërisht komunitetin mysliman, ka strehuar dhe ka pranuar larminë e pakicave të saj.
    Gjatë bashkëveprimit të gjatë mes Evropës dhe Islamit janë krijuar shumë imazhe negative për Islamit, disa prej tyre të motivuar politikisht dhe disa të tjera për shkak të ndryshimeve fetare. Në epokën mesjetare njerëzit mendonin se myslimanët ishin idhujtarë të cilët adhuronin Muhamedin (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), ose se Muhamedi ishte magjistar ose në raste të tjera, djalli Mahound ose antikrishti. Islami përshkruhej si fe e gënjeshtërt, si një tjetërsim i qëllimshëm i të vërtetës. Për më tepër se ishte fe e dhunës që u përhap me shpatë. Myslimanët mendohej se ishin njerëz të cilët ishin të dhënë pas dëshirave fizike dhe vetëkënaqjes; imoraliteti dhe homoseksualizmi dukej se justifikoheshin nga besimi. Shumë prej këtyre mendimeve u trilluan për të krijuar një aleancë me botën e krishterë për të luftuar në Kryqëzatat, për të treguar se Tjetri po jetonte në errësirë, duke justifikuar kështu nevojën për t’u ndërruar fenë apo për t’i luftuar. Është me interes të theksojmë se disa prej këtyre imazheve ekzistojnë edhe sot, si dhe ka imazhe të tjera të reja.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *