Doan Dani

Ingranazhet kryesore të mekanizmit të rezistencës skënderbejane janë tashmë një routinë e memories thuajse për të gjithë shqiptarët, si rezultat i atij procesi socializimi të filluar në shek. XIX nga veprimtaria e elitave, të sistematizuar më vonë nga strukturat arsimore, që së bashku me familjen përbëjnë dy nga institucionet sociale më të rëndësishme me pushtet të jashtëzakonshëm në transmetimin dhe ngulitjen e roleve dhe sistemeve të vlerave. Në rastin konkret përçohet e kaluara, e standartizuar brenda kornizave nacional-romantike. Qëndresës mund t’i veçojmë karaktareristikat dalluese të forcave pjesëmarrëse dhe tipologjinë e aksioneve: më saktë, Heroin kalorës që përballet suksesshëm me ushtri gjigande duke konsumuar përballjen e modelit guerrilas.

Domosdoshmëria e këtij ndërveprimi trepalësh është funksionale për një sërë shpjegimesh, nga madhërimi i luftës mbrojtëse, tek piedestalizimi heroik i figurës së Skënderbeut, tek përshkrimi i osmanëve, deri tek justifikimet historiografike të veprimtarisë së ardhshme të Portës së Lartë, apo efektet e ndryshme anësore dhe, sidomos, gjetjen e një rezervuari heroizmash për t’u itepretuar nga Rilindja në këndvështrimin kombëtar. Konvertimet – jo domosdoshmërisht fetare – nevojojnë një rindërtim identitarë ose, e thënë ndryshe, një risocializim nëpërmjet identifikimit me rrethin e ri të përkatësisë dhe nëpërmjet një procesi që sociologët Peter Berger dhe Thomas Luckman e cilësojnë si “intepretim narrativ” i të kaluarës (Berger, Luckmann 1966). Interpetimi në fjalë konsiston në gjetjen e disa momenteve ose thjeshtë sinjaleve të shkuara, që shërbejnë për t’i dhënë koherencë të tashmes dhe eksperiencës së kaluar, sikur gjendja aktuale në të vërtetë është vazhdimësi graduale, edhe pse në formën e një arqipelagu ishullor, me periudhën pararendëse. Në këtë kontekst periudha skënderbejane, gjithmonë në funksion të idesë së kombit, është moment kulmor, model që autorizon elitat e shek. XIX dhe ato në vijim t’i japin koherencë kohore identitetit kombëtar të “zbuluar” gjatë Rilindjes – jo vetëm nga shqiptarët, por nga shumica dërrmuese e popujve evropian. Ja përse fazat më epike të luftës ekzaltohen me stilin romantik dhe ekuacioni i mësipërm është kaq i rëndësishëm si në drejtim të gjetjes së fosileve të evolucionit kombëtar, ashtu edhe në shpjegimin e disa realiteteve shqiptare.

Një sintezë e “ekuacionit”

Elementi i parë është Skënderbeu kalorës. Simbioza e Heroit me njëthundrakun e tij është gdhendur nga ikonografia nacional-romantike duke filluar nga letërsia, për të vazhduar me historinë, kinematografinë, prodhimet artistike, artin në përgjithësi, deri tek format e shprehjes publike të tij, tek përmendoret dhe portretet, ato mjete që i përshtaten nëvojës së masivizimit të simboleve. Nga momenti i rikthimit në Krujë, në vazhdimësinë e veprimarisë së lavdishme të Skënderbeut, në domosdoshmërinë e transferimeve të furishme dhe të shpejta, figura e kalorësit është njëra prej fijeve përçuese të ngjarjeve dhe njëkohësisht ikonë. Antagonistët e Skënderbeut, osmanët, përbëjnë elementin e dytë të përballjes, të personifikuar nga ushtritë e njëpasnjëshme, përherë e më të bymyera nga politika perandorake osmane. Shifrat, në momentet kulmore, valëviten nga 150 mijë të historiografisë tonë klasike, në 400 mijë të studimit të Aurel Plasarit, të gjitha të bazuara në kronika direkte ose indirekte: të paktën për ato studime që prezantohen dhe respektohen si historike (Islami, Frashëri 1959; Plasari 2010). Konfrontimi, përballë një mizërie të tillë ushtarake, realizohet nëpërmjet luftës guerrilase. Megjithëse termi vjen nga tradita (gjuha) spanjolle e fillimshekullit të XIX, në rezistencën ndaj Bonapartit, praktika guerrilase është e dokumentuar që në antikitet: prandaj nuk ka kuptim të paraqitet si “çudi” e evropianëve për këtë origjinaliet të Skënderbeut (Benigno 2008). Ishte thjeshtë e vetmja mundësi konfrontimi në ato raporte, pa çka se kinematografia i ka lënë hapësirë betejave në fushë të hapur, gjë e cila do të ishte vetëvrasje e sigurtë e rezistuesve arbër.

Elementi i anashkaluar: nga funksionalizmi në fantarealitet

Ngjarjet duan kohën dhe territorin e vet. Pikërisht territori, në kuptimin gjeografik, është elementi i anashkaluar, që mund të frakturojë harmoninë e ekuacionit. Efikasiteti i sulmit dhe tërheqjes së rrufeshme të kalorësisë reduktohet së tepërmi për vetë karakteristikat morfologjike të territorit, në një kontekst ku forcat osmane prezantohen në shifra jashtëzakonisht të larta, aq më tepër kur raporti mes dy ushtrive është në përpjestim të zhdrejtë. Forca goditëse e Skënderbeut qëndron tek sulmi i shpejtë, i befasishëm dhe tek tërheqja gjithashtu e menjëhershme, në mënyrë që të përjashtohen përplasjet e hapura dhe skematike. Kjo është karaktersitika e luftës guerrile e cila mundësohet pra edhe nga aftësia e tërheqjes, ku padyshim kalorësia është themelore në suksesin e saj, pasi përballë 150 apo 400 mijë njësive kundërshtare nuk ka alternativa taktike të shumta, përveç largimit përpara organizimit të kundërreagimit. Mirëpo, a janë ato territore të përshtatshme për kalorsinë? Përgjigja nuk kërkon shumë thellim, sepse mjafton një vëzhgim kalimar për t’u bindur mbi pamundësinë ose, të paktën, mbi vështirësinë, që nënkupton dështimin e taktikës guerrilase. E nëse nuk funksionon kjo mënyrë luftimi, e mundësuar nga kalorësia, është e parealizueshme përballja e ushtrive të atilla. Por Skënderbeu ia arriti të korrte suksese të rëndësishme të dokumentuara, që janë edhe rezultati i ekuacionit. Kështu, ne kemi rezultate pozitive mbi ndërveprimin tashmë joracional të tre elementeve, nëse konsiderohet i papërjashtueshmi faktor territorial. Dy janë mundësitë e shmangies së paradoksit: ose Heroi ka aftësi mbinjerëzore, të shprehura në ndonjë “fluturim”, dhe në këtë rast jemi jashtë kritereve shkencore historike, ose njëri nga elementet ka tejkaluar realitetin. E thënë ndryshe, zgjedhja mbetet mes mitografisë dhe historiografisë.

Drejt zgjidhjes së paradoksit të “superheroit”

Preferenca e kritereve historike krijon hapësira dhe mjete korigjuese në elementin e hiperbolizuar përtej mundësive: ushtria osmane. Ky inflacion i njëanshëm shifrash është i kuptueshëm ngaqë, së bashku me deflacionin e angazhimit numerik arbëror, galvanizon emocionet e lexuesit. Sa më e madhe është forca atyre dhe sa më e reduktuar është forca e jonë, aq më epik do të jetë triumfi i pakicës, e së bashku me të edhe vetëvlerësimi kolektiv nëpërmjet projektimit në ato ngjarje. Një raport i tillë ka lindur në literaturën ballkanike të shek. XIX, është përforcuar me të dhëna historike në shekullin vijues dhe vazhdon akoma sot të pasionojë elitat. Për hire të  korrektësisë nuk mohohet që disa shifra vijnë nga kronikat e kohës.

A mund të mjaftohemi me kaq? Së pari, kronikat lexohen në mënyrë kritike, pasi shpesh herë janë kontradiktore, janë “fotokopje”, vijnë nga një kontekst i caktuar, me një stil dhe objektiv të përcaktuar. Së dyti, burimet kryesore përbëhen nga regjistrat administrativ osman, që fatkeqësisht, në rastin e organizimit të ekspeditave ushtarake, janë të rrallë dhe të pashfrytëzuar. Së treti, rreth ekspeditave ushtarake osmane na vjen në ndihmë kombinimi i disa faktorëve: mënyra e organizmit të ushtrisë, mundësia demografike, precedentet historike dhe tërësia e angazhimeve osmane në Ballkan. Boshllëku i regjistrave në aspektin numërik të ekspeditave mund të mbushet me anë të analizës së potencialit maksimal ushtarak osman, që, nëse nuk jep të dhëna mbi ekspedita specifike, të paktën  nuk lejon zhdoganimin e shifrave të papërmbajtshme. Konkretisht, ushtria e Mehmetit II përbëhej nga: kalorësia e spahinjve dhe e “klientelës” së tyre, përafërsisht 40 mijë trupa; nga kalorësia e lehtë – të krishterë dhe musliman – me rreth 10 mijë trupa; ndërsa këmbësoria ndahej në azabë dhe jeniçer, që sëbashku shkojnë në rreth 20 mijë trupa; këtyre u duhen shtuar akinxhinjte dhe disa numra të reduktuar efektivësh të artilierisë, të xhenios, të gardës personale. Përllogaritjet rrjedhin kryesisht nga defterët e sistemit të timarit, ku rekrutohej kalorësia, dhe nga defterët e jeniçerëve (Babinger 1953; Inalçik 1973; Mantran 1999; Runciman 1965; Shaw 1977). Numri përfundimtar luhatet në rreth 70-80 mijë efektiva. Pak më shumë se 100 mijë trupa kishte në dispozicion Sulejmani (shek. XVI) me të cilët do t’i afrohej Vjenës. Kjo forcë gjithashtu duhej të shpërndahej në garnizone të vogla në qytete dhe zona nevralgjike të Anadollit të trazuar dhe Ballkanit të porsa nënshtruar ose në proces pushtimi. Do të thotë që potenciali praktik i Mehmetit II reduktohet akoma më tepër se 80 mijë efektiva, pra më pak se gjysma e propozimit të Akademisë së Shkencave.

Vëzhgim përreth

Për të arritur në përputhjen e shifrave që propozon shumica e studimeve tona, Mehmetit II i nevojitej një rezervuar demografik i konsiderueshëm ose një organizim i posatçëm i rekrutimit ushtarak. Perandoria Romake në kulmin e inflacionit ushtarak numëronte rreth 400-450 mijë efektiva, ndërkohë që popullsia brenda territoreve të kësaj Perandorie është përllogaritur në rreth 54 milion banorë (Jacques, Scheid 1992). Territori osman, nga Anadolli në Ballkanin e fundshekullit të XV dhe fillimshekullit të XVI, kishte rreth 8-10 milion banorë (Mantran 1999; Minkov 2004). Nëse marrim në konsideratë realitetin e militarizuar romak të shek. III, Perandoria Osmane nuk do të mund të dërgonte në Krujë aq ushtarë sa kishte në tërësi Perandoria Romake, me një rezervuar demografik 600% më të lartë se ai osman.

Shërbimi ushtarak i detyrueshëm i mungon realitetit antiko-mesjetar, madje edhe atij modern. Do të jetë Franca revolucionare, veçanërisht në vitet e aventurës bonapartjane, panairi i parë i ushtrive masive të bazuara tek rekrutimi i detyruar i qytetarëve: numri i ushtarëve luhatet nga 2 deri në 2,5 milion, në një popullsi franceze prej rreth 25 milion banorësh (Chandler 1967; Sabbatuccui, Vidotto 2009). Në sajë të parësisë demografike në Evropën perëndimore dhe të shërbimit ushtarak të detyrueshëm, Bonaparti angazhoi mbi 600 mijë trupa për pushtimin e Perandorisë Ruse. Ishte thjeshtë e pamundur që Perandoria Osmane, me popullsi pothuajse tre herë më të vogël se Franca dhe pa shërbim të detyrueshëm, të grumbullonte 400 mijë forca, e aq më tepër t’i shpenzonte në Krujë, me pretekstin – mjaft i modës – që kërkonte një trampolinë për në Itali: mund t’i kushtonte më pak një marshim tokësor. Shërbimi ushtarak i detyrueshëm do të vendoset nga Porta e Lartë në shek. XIX, si imitim i shembullit bonapartjan.

Por shifra e propozuar nga ne tejkalon edhe angazhimin numërik ushtarak të Mehmetit II në marrjen e Kostandinopojës. Për kryeqendrën e Bizantit njëmijë vjecar, për vlerën strategjike, pjesërisht edhe ekonomike, për vlerën e padiskutueshme simbolike, të justifikuar edhe nga ngjyresa fetare që shkojnë thellë deri tek tradita profetike, për ëndrrën sulltanore dhe projektimin e gjatë, Kostandinopoja – edhe duke konsideruar shifrën e ekzagjeruar të 200 mijë rrethuesve të qyetit (Pertusi 1976) – i paskësh shpenzuar Mehmetit II gjysmën e forcave të reshtuara dhe të dështuara në muret e Krujës. Është rastësi që shifrat e kronikave greke të rënies së qytetit nuk konsiderohen nga historianë perendimor? Nuk është problem, për shembull, gjetja e citimeve nga kronika që e paraqesin popullsinë ballkanike parasllave të zhdukur plotësisht, e për rrjedhojë ne shqiptarëve na gjymtojnë lidhjen me ilirët; po ashtu, është familjarë bymimi i shifrave të ushtrive osmane nga kronistët osman ose grek: «ushtria e tij [Mehmetit II] ishte e panumërt, si kokrrizat e rërës» dhe kur ndalej marshimi «toka nuk dukej më nga çadrat» (Sphrantzes 1985; Tursun Bey 2007). Sikur të mjaftonin disa citime kronikash nuk do të kishim nevojë për historian.

Përputhje e racionalizmave ‘mjetësor’ dhe ‘konjitiv’

Elementi më i paqëndrueshëm i ekuacionit të mësipërm është numri i armikut, i rrëshqitshëm faktikisht, që deri sa të mbijetojë do të mundësojë vazhdimësinë e “fluturimit” të Skënderbeut historik. Përkundrazi, nuk përbën asnjë dobësim për figurën e Heroit inkuadrimi i shifrave brenda korniza historiografike: shqiptarët do të kishin mundësinë e krenarisë së shëndoshë dhe prezantimit me epopenë e një rezistence të lakmuar nga fqinjët, që nuk i kanë mbijetuar tundimit të “vjedhjes” së personazhit, sikur përshkrimi i ngjarjeve të ishte sa më real dhe i vërtetueshëm shkencërisht. Ishte normale qasja romantike e shek. XIX, e tejzgjatjur në shek. XX, për vetë “fëmijërinë” e kombit, ashtu siç është tërheqës për fëmijët Plaku i Vitit të Ri – në fakt Santa Klaus, që në këtë kontekst mishëron elementin artificial dhe jo ndonjë figurë njerezore specifike – si element i një tablloje më të gjërë, porse në fazën e pjekurisë individuale dhe kombëtare këto përshkrime nuk mund të jenë më shumë se sforcime letrare.

Comments

  • Shkrim shume i mire. Gjynah ti shtohet doza emocionale me perdorimin e termave ” fosile, thundrak, Santa”. Keto emocione jo vetem qe demtojne analizen shkencore, po edhe krijojne nje paragjykim ndaj autorit/shkrimit si edhe shpesh betonojne pozitat e mbrojtesve te teorive te tjera

  • “Njethundraku” eshte sinonimi i kalit te heroit.
    “Fosile” eshte metafore e te kaluares se humbur, te larget dhe njekohesisht shoqeruese e brezave te mevonshem, sepse ndodhet gjithmone aty, ne pritje te zbulimit.
    “Santa Klaus” eshte krahasim dhe me duket e kam sqaruar duke shtuar se “në këtë kontekst mishëron elementin artificial dhe jo ndonjë figurë njerezore specifike”, pikerisht per te shmangur keqkuptimin e krahasimit me heroin. Elementi artificial eshte inflacioni i shifrave qe me duket mjaft romantik. Ky i ngjason, per nga simpatia dhe fantarealiteti, Santa Klausit.
    Dikush mund te thote se edhe termi “inflacion” nuk eshte i duhur, pasi i takon ekonomise, por ama e transmeton mjaft mire idene time, per te cilen kam sjllur disa fakte jo te merzitshme per lexuesin. E historiogfaria ushqehet me fakte, te analizuara me metoda perkatese, te shprehura sipas individualizmit te autorit. Perse zgjedh “nata e perjetshme” ne vend te “vdekja” me duket se kategorizohet tek shijet personale. Konkluzioni ngelet i njejte, ky eshte fakti.

  • Une mendoj se ngado qe ta lexosh kete shkrim teper profesional te Doan Danit, emocionaliteti eshte pika me pak e diskutueshme duke pasur parasysh se njeriu kur shkruan ka nje vizion te vetin, dhe ne kete rast perdorimi i ndonje mbiemri te emerzuar a epiteti eshte fare irrelevant. Duke u nisur qe nga shkrimet e tij te meparshme ne lidhje me kete teme ai i eshte qasur profesionalisht me mire e me shume se kushdo tjeter. Dhe kete e ka bere jo ne rangun e ndonje analisti qe “po diskuton mbi temen” , e as per ndonje arsye pragmatiste, antropologjike apo idealizmi sic diskutohet rendom mbi kete ceshtje edhe nga publicistet Lubonja, Klosi etj.
    Madje edhe po te duash t’i besh interpretim analitik tekstit, zor se njethundraku apo fosilet mund te paraqiten me doza emocionale. Perkundrazi vijne me teper si tokezim i mitikes.
    Ndersa persa i perket paragjykimit, eshte i tepert pretendimi, kur ato jane thelle e me thelle te rrenjosura ne te gjithe truallin e elites se sotme shqiptare dhe me bindje te plote po bejne c’eshte mundur te mos thyhen e cmitizohen disa (ne fakt shume) klishe. Madje edhe ne blogun e PTF-se ku lexova per se pari kete shkrim, megjithe reagimet alergjike te komentuesve, shumica ishin te detyruar t’i permbaheshin tekstit dhe te kerkonin fakte ne mbeshtetje te ideve te tyre.
    Besoj se autori Dani eshte ne sinkron te plote edhe me autore te tjere shqiptare e te huaj qe kerkojne rishikimin me objektivitet dhe rigorozitet te plote shkencor te te gjithe periudhes otomane, para, gjate dhe pas periudhes se Skenderbeut, per te cilen sic pohoi me delikatese ne emisionin Opinion te Blendi Fevziut historiania e njohur Nathalie Clayer: ka zona gri te kesaj periudhe.

  • Nje perpjekje e suksesshme e ndarjes se mitografise nga histografia. Vertete ne cdo mitologji ka dicka historike: Hic hiperbolizmat (mitik) dhe ajo qe mbetet eshte e vertete (historike).
    Z. Dani te pergezoj per kete gjykim (kritike) prej herodoti…

  • Perdorimi i njethundrakut perkundrejt kalit/kafshes eshte nje sforcim letrar. Edhe shembujt qe ka sjelle Eltoni bien ne perpjekje per te letrarizuar nje punim historik. Jane lemente qe i shkojne nje opinioni, apo i japin nje punimi te paramenduar si profesionist nuancat e nje opinioni. Nje pyetje: perse ky lloj inflacioni artikujsh nga ana juaj per keto teme? Perse ne shtype dhe blogje dhe jo ne media e ambjente profesionale? Me lene shijen e nje perpjekje per te dominuar skenen publike (ne vend te asaj profesionale) – gje qe ne fakt ka krijuar tradite jeto 20 vitet e fundit: profesionistet anashkalojne komunitetet e tyre dhe legjitimohen ose nga ananonimet e internetit ose nga komentuesit e gazetave. Eshte, ne opinionin tim, nje lloj short-cuti per te anashkaluar, ne thelb, anonimitetin e shendeteshem te profesionistit/studiesit.

  • E thjesht fare Alton.
    Ne nje vend te civilizuar lejohet dhe kultivohet diversiteti i mendimit dhe kritika, e cila ne fakt eshte motori nxites i kerkimit, gjithmone duke nenkuptuar kritiken metodologjike. Tek ne propagandohet lirina e fjales, por njekohesisht i mbyllen rruget. Shembull i mire eshte fakti se perkthyes dhe drejtor, apo botues e gazetar, bejne rolin e historianit. Jo sepse nuk ka profesioniste, por sepse nuk ka hapesira. Per shembull: Tursun Beu botohet ne Itali nga nje shtepi botimi prestigjoze, pa pasione ideologjike e mllefe mesjetare, duk ia nenshtruar rigorozitetit te redaktoreve ne radhe te pare shkencor. Tek ne e korrekton kroniken letraro-historike mesjetare nje profesor fizike, parathenien e vendos botuesi qe nuk ka asnje specializim ne fushe, perveç hapesirave dhe fondeve, e per me teper pohon se fatkeqesia jane botime nga gjuhe te dyta, kur vete ai i boton. Mund te imagjinojme anomaline tone. Ka nga me absurdet.

    Shtypi ofron diçka me teper, por edhe ai ne varesi te interesave te dites, pa harruar qe preferon nje lloj kritike pak me te rrjedhshme ne lexim. Webi eshte shume pozitiv per hapesiren, por edhe mjaft ngushte.
    Hapesirat alternative ndaj ketyre profesionsiteve te mesiperm dhe atye te prodhuar nga sistemi i shkuar, nga ana tjeter, lexohen me pak, sepse kane pak publiciet mediatik. Edhe ato rralle here qe ftohen neper media historian, zakonisht nuk jane profilizuar ne fushen te cilen trajtojne.
    Problem tjeter eshte se ne jemi shnderruar Tv-dipendent dhe lexojme shume pak. Siç pohova, eshte çeshtje anomalish tipike te nje vendi qe akoma nuk e ka braktisur mentalitetin e trasheguar nga enverizmi. E si mund ta bejne? Jane po ata!
    Keshtu, nuk eshte ceshtje eremitizmi, por internimi qe synon ta beje masen te varur prej faunes televizive, prej profesionisteve, siç thoni, te cilet telepredikojne, prej jetes iluzive te telenovelave, e natyrisht pa harruar iluzionin me te madh, ate “te parajses evropiane” dhe shpetimit tone me “shkopin magjik”.

  • Ne lidhje me fjalet e mesiperme si “njethundrak”, apo “santaklaus” etj., nuk shoh kurrfare problemi, dhe nuk i shoh hic si emocionale. Gjuha e njeh metaforen si nje mjet te rendesishem komunikimi dhe metafora nuk eshte doemos emocionale. Termi njethundrak, eshte nje menyre per te bere lexuesin te kuptoje se ne thelb, imazhi epik i heroit mbi kale, eshte thjesht nje produkt mitik dhe nuk ka te beje me realitetin e jetes dhe vepres se konkrete te Skenderbeut. Metafora ketu synon te ngreje lexuesin ne nivelin e kthjelltesise per te kuptuar se pertej kalit (dhe te gjitha asosacionet epike qe ai prodhon) behet fjale per nje qenie konkrete nga bota e kafsheve, i cili eshte nje gjitar i zbutur ne sherbim te njeriut, e qe sherben si kafshe ngarkese. Pra, metafora “njethundrak”, eshte nje gjetje e holle e inteligjente e Doanit per ta bere lexuesin te afte te dalloje “kalin” si piedestal heronjsh, nga kali ne te vertete, si nje kafshe e dobishme ngarkese, qe perdoret ne luftera nga cdo lloj ushtrie, ne pavaresi nese kaloresi eshte hero, tradhetar apo edhe frikacak. Qellimi ketu nuk eshte as per te zhvleresuar Skenderbeun ne vetvete, e aq me pak kalin e tij. Qellimi eshte pikerisht per te na lehtesuar aftesine per t’u zhveshur nga ngjyresat epike, mitike, dramatike.
    Patjeter, ky shkrim ka edhe natyren e opinionit, por ama nje opinion i bazuar mbi nje logjike, racionalitet dhe argumentim shkencor. Shkrimi nuk eshte shkencor ne raport me kushtet qe mbartin artikujt studimore, ne te cilat hidhet teza, antiteza, sinteza, argumentimi, bibliografia, referencat, citimet apo ofrohet formulimi i abstraktit hyrjes, ndarjes se pikave etj. Shkrimi eshte ne forme eseistike dhe eshte i zhveshur nga ftohtesia dhe rigoroziteti i nje trajtese shkencore, studimore.
    Pse ky shkrim botohet ketu dhe perse ky blog boton kesi shkrimesh?
    Kjo eshte e drejte e ketij blogu dhe une mendoj se kjo eshte gje e mire. Fillimisht, une mendoj se shumica e organeve te shtypit shqiptar nuk e meritojne t’u dergosh shkrime te tille, pavaresisht se edhe vete Doani ka botuar ne shtyp, pasi nje gje e tille behet e nevojshme ne mjedisin ku jetojme. Por, pervec kesaj, ky blog po perpiqet te prodhoje mendim dhe profil duke dashur te konkuroje aq sa mundet me ide dhe qendrime vatra te ndryshme te prodhimit te ideve dhe qendrimeve ne kete vend. Duke qene te grupuara ne nje vend, keto ide marrin vlere tjeter nga prania e tyre e shperndare ngado, neper shtypin shqiptar qe nuk ka bosht e themel. Ketu jo vetem qe nuk ka asgje te keqe, por kemi te bejme me dicka pozitive, e madje te nevojshme e te domosdoshme.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *