Besnik Sinani*

 

Dy vajza të reja amerikane mbërrijnë në Paris për të kaluar pushimet e verës. Në aeroport një djalë i ri u ofron që të ndajnë bashkë çmimin e taksisë, por në fakt ai është duke vepruar sipas një skeme të përsëritur disa herë për të marë vesh vend-banimin e këtyre vajzave të reja që më pas do rrëmbehen nga mafia shqiptare për t’u shitur si prostituta. Babai i një prej vajzave, një ish-agjent i CIAs, vihet në gjurmim të grupit të tropojanëve, një grup horrash që përshkruhen në fjalët e një polici francez si të egër e të rrezikshëm, i vret ata dhe arrin më së fundi të gjejë dhe të shpëtojë të bijën në jahtin e një sheiku arab, teksa ajo është ende e virgjër. Ky është me pak fjalë skenari i filmit Taken (2008), një action-thriller ku emigrantët shqiptarë janë të ligjtë në luftën e përhershme hollivudiane midis të mirës dhe të keqes.

 

Ky nuk është i vetmi film që furnizon paragjykimet që ndërlidhin shqiptarët me mafian, paragjykime që i vuajnë në kurriz kaq e kaq shqiptarë, njerëz si gjithë të tjerët pa ndonjë vokacion të veçantë për të qenë mafiozë. Këto paragjykime furnizojnë përfytyrimet kolektive për një popull, përfytyrime që reduktojnë një popull apo një etni në një bandë kriminelësh ndaj të cilëve duhet patur frikë, e për rjedhojë justifikojnë politika agresive – të përfytyruara si të domosdoshme – kundra shqiptarëve (p.sh. Fshesa). Mënyra se si kinematografia ka ndikuar në përforcimin e stereotipeve raciste e etno-fobe ka vite që studiohet ashtu siç është studiuar, për shembull stereotipi i italianit mafioz, apo arabit terrorist si në studimin e Jack G. Shaheen, Reel Bad Arabs: How Hollywood Vilifies a People (Olive Branch Press, 2001). Por përfshirja e shqiptarëve në grupet e stereotipizuara nga kinematografia bëhet edhe më shqetësuese kur vendoset në kontekstin e rritjes së albanofobisë.

 

Në një artikull të para pak ditëve, Seb Bytyçi shkruante se: ”Tashmë flitet për një albanofobi, apo frika nga shqiptarët. Të gjithë ata që kanë jetuar jashtë vendit, apo të paktën që kanë udhëtuar, mund të dëshmojnë për këtë, besoj. Albanofobia është shumë e ngjashme me antisemitizmin, pikërisht për shkak se drejtohet kundër një populli që është ndryshe nga të tjerët… Edhe pse kultura është, natyrisht, e ngjashme me popujt fqinjë të rajonit, dallimet gjuhësore bëjnë që të krijohet një aversion dhe frikë nga “e pakuptueshmja” që paraqesin shqiptarët.”

 

Autori vë në dukje me të drejtë se kontrbuesit e albanofobisë në Perëndim sot gjinden si tek e majta dhe e djathta ekstreme. Nëse vërejmë, gjithashtu, argumentin më të artikuluar të së majtës kundra ndërhyrjes amerikane kundra Serbisë, librin A Generation Draws the Line: Kosovo, East Timor and the Standards of the West, të Noam Chomsky vëmë re se me gjithë kritikën anti-imperialiste që deligjitimizonte ndërhyrjen amerikane, e majta nuk ofronte dot asnjë alternativë shpëtimi për ata mijëra shqipëtarë që përballeshin me programet sërbe të pastrimit etnik, gjë që tek e fundit bënte që kritika e tyre anti-imperialiste t’i shërbente nacionalizmit serb.

 

Rasti më ekstrem i albanofobisë tek e djathta është ndeshur në rastin e Anders Breivik, terroristit norvegjez që zemërimin ndaj Islamit, emigrantëve, marksistëve dhe multikulturalizmit e zbrazi me breshëri plumbash mbi aderusit e rinj të partisë socialiste të Norvegjisë. Manifesti i tij i ka dedikuar goxha hapsirë propozimeve se si duhet zgjidhur “problemi i shqiptarëve.” Por problemi shqiptar i Breivik na sjell në vëmendje ndërlidhjen e albanofobisë me islamofobinë.

 

Bytyçi shkruan në artikullin e tij në lidhje me albanofobinë se: “Terroristi djathtist, Breivik ishte frymëzuar – sipas vetëdeklarimit të tij – nga apologjeti Nr. 1 i gjenocidit ndaj boshnjakëve e shqiptarëve, Srdja Trifkoviq. Për ata që nuk e njohin, Trifkoviq ishte “zëdhënës jozyrtar” i Republikës Serbe, përfaqësues i këtij entiteti në Londër, këshilltar i Presidentes së saj dhe kriminele e dënuar e luftës, Biljana Plavshiq dhe Vojisllav Koshtunicës. Pra, përçmimi i shqiptarëve po përhapet te e djathta ekstreme në Europë.” Pak më poshtë autori shton: “Kësaj duhet t’i shtohet edhe një dozë e islamofobisë, e cila ndihmohet shumë nga propaganda që i paraqet shqiptarët si ekstremistë. (Dorën në zemër, këtu nuk ndihmon as propaganda “pro-shqiptare” e atyre që i paraqesin shqiptarët si shumë të dhënë pas fesë duke shtrembëruar realitetin, si p.sh., një dokumentar nga EBRU TV turk. Si dhe religjionizimi i rastit të Kosovës nga disa akterë ndërkombëtarë të tij, për të fituar poena politikë).”

 

Unë bashkohem me kritikën e Bytyçit ndaj përpjekjeve për të paraqitur shqiptarët më myslimanë se sa janë, por kjo nuk mund të diskutohet pa u vendosur në kontekstin e përpjekjeve për t’i paraqitur shqiptarët më pak myslimanë se sa janë, përpjekje të cilat, me qëllimet më të mira patriotike, kanë krijuar politika margjinalizuese dhe diskriminuese. Ish-presidenti Moisiu në fjalimin e mbajtur në Angli në 2005 mohoi tërësisht prezencën e myslimanëve shqiptarë. Ndërkohë, Breivik u celbrua si hero qoftë në faqe shqiptare në internet si Zemra Shqiptare apo në shtypin e Tiranës si në gazetën Sot.

 

Por këtu vlen të ngrihet edhe një pyetje tjetër. Në vazhdën e fushatës për zgjedhjet presidenciale në ShBA në 2008, zuri vend tek shumë votues amerikanë me simpati politike të djathta bindja se Senatori i atëhershëm, Barack Obama ishte mysliman. Pyetja ju drejtua oponentit të tij, John McCain, nëse ai mendonte që Obama është mysliman. Jo u përgjegj McCain, ai është njeri i mirë. Shumë komentatorë, ndër të cilët edhe opininisti i gazetës The New York Times, Nicholas Kristof, apo qoftë edhe ish sekretari i shtetit, Colin Powell, teksa lavdëruan qëndrimin e McCain që u distancua nga kjo shpifje kundra Obamës, vunë në dukje se McCain duhet të kishte shtuar: Po dhe po të ishte mysliman, po pastaj?

 

Në të njëjtën linjë, duke lexuar artikullin e Bytyçit, ngremë pyetjen: Po sikur shqiptarët të ishin “më shumë” myslimanë, a do justifikonte kjo albanofobinë? Pyetja nuk shtrihet vetëm në rrafshin moral, por dhe në atë mirëfilli pragmatist. Përgjithësisht, shqiptarët evituan të shohin këtë lidhje të islamofobisë dhe albanofobisë kur Partia Popullore Zviceriane organizoi referendumin për ndalimn e minareve, por kur kjo parti nisi një fushatë ku paraqiste gra shqiptare e boshnjake të mbuluara me shami që laheshin në ujrat e një liqeni si alternativa e frikshme ndaj një realiteti të paqshëm të pesë femrave nudo që gjithashtu përgatiten të lahen në ujrat e një liqeni zvicerian, lidhja e islamofobisë dhe albanofobisë ishte shumë e qartë për këdo që nuk donte të mbyllte sytë. Në rastin më të fundit të fushatës anti-shqiptare të kësaj partie, pas krimit të një shqiptari ndaj një zviceriani në Shtator të vitit 2011, së paku kjo lidhje e stereotipit etnik me atë fetar ishte më se e qartë për Kishën Katolike të Zvicrës, e cila protestoi qëndrimet e Partisë Popullore: “Nuk mund të vendosësh të tërë popullin apo një komb dhe një kulturë vetëm për një apo dy raste. Kjo temë të cilën përpiqet të zgjeroj SVP, jo që nuk ndihmon shtetin apo kulturën zvicerane, por në të kundërtën, kjo temë vetëm sa sjell urrejtje dhe përçarje mes kulturave dhe multi-besimeve në Zvicër.“

 

Albanofobia si çdo formë fobie nuk është përherë konsistente dhe tropojani më i lig i filmit Taken, mbart emrin pagabueshëm të krishterë “Marko.” Por kushdo që është i shqetësuar për albanofobinë nuk mund të injorojë apo përligj islamofobinë që shpesh potencon albanofobinë.

*Botuar te Shenja 1 Shkurt, 2012. Shkup

Comments

  • Dua te “shfajesoj” pak Noam Chomskyn, jo si amator i mjaft analizave te tija. Ai liber i gjuhetarit nobelist, te shmangur prej dekadash drejt gjeopolitikes, per ne shqiptaret eshte emocioanlisht i pakaperdimshem sepse, sic thua ti, nuk shpjegon ilaçin e shpetimit te 2 milion njerezve, aq me teper kur lexuesi dhe viktima kane te njejtin identifikim kombetar. Madje, do te shtoja qe eshte njeri nga pak librat me te ngadalshem te Chomskyt, e mbase ky eshte ndikimi emocional. Megjithate, duke shmangur veteperfshirjen ne ngjarje, ai ka te drejte tek metoda dhe justifikimet e nderhyrjes. Per kete ka zgjedhur dy shembuj te njohur, pasi nderhyrjen ne Kosove e ka shtjelluar mire tek ‘The New Military Humanism. Lessons From Kosovo’, emocionalisht akoma me i papelqyeshem. Retorika e Chomskyt, ne keto libra dhe te tjere, eshte e thjeshte: nese u propagandua se i dhimbseshin shqiptaret, perse nuk iu dhimbsen edhe timorezet, apo palestinezet e shume popuj te tjere, deri tek sirianet e sotem, ne nje kohe qe ne Kosove apo Libi u realizua ose u mbeshtet angazhimi ushtarak?
    Pra, Chomsky nuk eshte kunder shpetimit te shqiptareve te Kosoves, por kunder interesave qe denojne me vdekje popuj te tjere, ashtu sic bene me shqiptaret per nje shekull, e pjeserisht po bejne edhe sot. Nenvizon dy raste homologe te trajtuara me dy njesi matese te ndryshme. E konkretizuar: urrjetja e nxitur nga A. Kristo eshte konsideruar terrorizem, ndersa ajo e nxitur nga mjaft shkrime te faqes Zemra Shqiptare, te K. Myftaraj, te fjaleve te A. Kçires, etj, eshte urrejtje e shendetshme. Chomsky nenvizon pikerisht mosperputhjen e standardeve.

  • Ne fakt mua libri i Chomskyt me pelqen por ceshtja eshte se gjithsesi pertej venies ne dukje te kontradiktave, e majta kritike ndaj hegjemonise amerikane nuk ka ofruar asnje rrugedalje dhe ne menyre praktike, ne fakt, u vendosen ne krah te Serbise si viktime e kesaj hegjemonie. Ana tjeter e ketij argumenti ve ne dukje, per shembull, se sado te irritohet bota per cfare bejne ruset ne Ceceni, qe ne fakt nuk irritohet fare, nuk ka mundesi praktike te nderhyhet ne Ceceni, edhe nese do ishte deshira. Atehere, c’do te thote kjo qe duhet neglizhuar cdo lajthitje tjeter patrimi teknik. Le te jemi te qarte qe nuk ka iluzione ne kete mes per altruizem dhe as ceshtje patriotizmi, por nderhyrja amerikane shpetoi popullin kosovar. E majta me kritiken e saj neglizhoi plojen e popullit kosovar ne emer te humanizmit te vet te majte.

  • Problemi i te majteve eshte se shohin kudo te njejtin problem. Eshte si puna e Skenderbeut kinematografik qe nuk shihte as fusha, as lule, as gjelberim, por vetem turq.
    Ne te njejten menyre, te majtet shohin kudo imperializem dhe kjo i pengon te shohin pertej tij, shovinizmin genocidal serb.
    Raymond Aron, qe ne 55-n, ka folur me mjeshteri per ate qe ai e quan “miti i se majtes”, i cili perpiqet te mbaje me paterica disa kauza boshe, te cilat shpesh e bejne te legjitimoje halle shume here me te medha te botes. Konkretisht Aroni flet per nje prirje universale te se majtes per te flirtuar me Bashkimin Sovjetik, per te legjitimuar apo justifikuar kriminalitetin e atij regjimi. Sipas Aronit, e majta tregohej e bute me Bashkimin Sovjetik dhe e ashper me perendimin, duke rreshkitur nga mbajtja e nje standardi ne gjykim. Kete problem, duket se e majta vijon ta ruaje, pavaresisht se ka te drejte kur kritikon imperializmin perendimor.

  • Tani te rrime shtrembete te flasim drejte, administrata amerikane e Klintonit e majte ishte dhe mos ja fusim kot pasi Amerika ne politiken e jashtme e tejkalon te majten e te djathten pastaj spektri i majte eshte aq i gjere( perfshi nga anarkistet tek social-demokratet) sa monolitizmi qe kerkon ti jape dalani eshte manipulim hashiqar. Sipas te drejtes nderkombetare( vetvendosjes dhe sovranitetit te kombeve) nderhyrja amerikane ne kosove ishte kryekeput kundravajtje dhe jo me kot Ollbrajt mori ne dore flamurin e humanizmit duke i thyer barrierat e interesave kombetare per interes se paqes njerezore. Problemi eshte se tani zoti albin kurti nuk e do kete paqe imperialiste neokolonialiste dhe i riktheket te drejtes per vetvendosje dhe sovranitet duke e duke e ditur shume mire qe nuk eshte i afte as te vetvendose e as te ruaj sovranitet teritorial pa mbeshtetjen e komunitetit nderkombetar ne mosprezence te te cilit per 24 ore Serbia vendos serisht hegjemonine e saj mbi kosove. Saper shkaqet e verteta te nderhyrjes Amerikane ne kosove spekullimet vazhdojne ende sot duke filluar me perm
    iresimin e imazhit pas katranosjes qe pesuan ne Bosnje deri tek planet afatgjata ne luften per supremaci.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *