E-Zani.

Televizioni Top Channel, në rubrikën speciale Shqipëria tjetër, të hartuar nga gazetari Marin Mema, kësaj rradhe ngrinte një problem shqetësues në lidhje me trashëgiminë kulturore shqiptare, që po zhduket ngadalë, në harresë të plotë prej shtetit. Pjesa kryesore e emisionit i dedikohej rrënimit të objekteve Monumente Kulture, të cilat janë lënë në shpërfillje të plotë prej shtetit, duke u rrënuar çdo ditë e më shumë.

Patjetër, ky shqetësim është serioz dhe ngjall keqardhje dhe indinjatë tek çdo shikues. Por, megjithatë, këtu do të ndalemi tek një shqetësim tjetër, që ka të bëjë me mënyrën selektive sesi trajtohet kjo trashëgimi, përfshirë këtu edhe Top Channel-in. Kronika bënte fjalë për një trashëgimi të pasur objektesh monumentale e cila reduktohej vetëm tek kishat, manastiret dhe kalate. Gjithçka tjetër që ka të bëjë me kulturën që i përket popullsisë muslimane, as që ekziston në vëmendjen e gazetarit, duke mos u përmendur askund. E gjithë kronika ish e mbushur me përmendjen e kishave të panumërta që po humbasin, shoqëruar këto edhe me pamje të shumta objektesh kulti të krishterë, dhe as verbalisht e as në pamje, asnjë monumet dhe objekt trashëgimie muslimane nuk u shfaq.

Gazetari Mema, por edhe redaksia e lajmeve të Top Channel, nuk janë aq injorantë sa të mos dinë që, përveç kishave, manastireve e kalave, ky vend ka një rradhë të gjatë objektesh të kulturës muslimane si xhami, teqe, tyrbe, hamame etj., të cilat janë lënë edhe më shumë në harresë të shtetit, madje, edhe në harresë të mjeteve të komunikimit masiv, të cilat, në rastin konkret, janë në harmoni me koniukturën dhe establishmentin ideologjik në vend. Në këtë mënyrë, kuptohet se nuk kemi të bëjmë me diçka të rastësishme, gjë që është vërtetë shqetësuese, për më tepër kur kemi të bëjmë me një televizion kombëtar.

Pa dashur të tregohemi hatërlinj, shpërfillja e trashëgimisë Islame në raste të tilla, është diçka e ripërsëritur në mënyrë rutinore në komunikimin publik shqiptar. Teksa edhe çdo naiv e kupton që ka një prirje të kudondodhur në hapësirën publike për t’u identifikuar me simbolike, festa e trashëgimi të krishterë e për të shpërfillur, neglizhuar e mbuluar me heshtje atë muslimane, duket se kjo po shndërrohet në një dhunë fetare nëbërmjet imazhit dhe ligjërimit. Pikërisht kjo e bën problemin vërtetë shqetësues. Top Channel, si dhe shumë media të tjera, ofrojnë një vizion të përgjysmuar për kulturën dhe trashëgiminë shqiptare, ku pjesa më e madhe e saj është flakur tej. Kjo do të thotë se kultura dhe trashëgimia e vërtetë nuk u interesojnë aktorëve identitetbërës në këtë vend, ndaj dhe projekti i tyre kombëtar për të ardhmen, është një projekt sakat, ku gjysma e kombit pushton tjetrën.

Në fakt, në harmoni të plotë me këtë elitat shqiptare po ushtrojnë dukshëm një trysni të vazhdueshme për të marxhinalizuar shumicën muslimane të popullsisë dhe kjo është një dukuri shqetësuese, jo thjesht në aspektin fetar, por mbi të gjitha në atë që ka të bëjë me të drejtën, e për më tepër, me vetë shoqërinë e kombin shqiptar. Një shoqëri që margjinalizon dhe diskriminon një pjesë të saj (për më tepër shumicën), është e destinuar të dështojë për t’u zhvilluar, duke e zhytur veten drejt situatave antagoniste, të cilat do të sjellin doemos polarizime që do të dëmtojnë ndjeshëm ekuilibrat shoqërorë. Për këtë arsye, mbulimi me heshtje dhe harresë e trashëgimisë kulturore muslimane, më shumë se muslimanët, dëmton shoqërinë shqiptare. Kjo, jo vetëm për faktin se mohohet një pjesë e madhe e thesarit të trashëgimisë së kultures të kësaj shoqërie (madje pjesa më e madhe e këtij thesari), por këtu dëmi vjen në mesazhet që përçohen ndërmjet rrjeshtave, të cilat informojnë çdo qytetar për përjashtimin që i bëhet rregullisht muslimanëve. Kjo patjetër që prodhon indinjatë, e patjetër që gjithmnjë e më shumë do të prodhojë reagime të cilat, jodomosdoshmërisht do të jenë të shëndetshme. Për këtë arsye, qendrime të tilla i konsiderojmë fatale për të ardhmen e kësaj shoqërie, ndaj dhe duhet që e gjithë pjesa e shëndoshë e shoqërisë të ngrejë zërin sa s’është vonë, për të emancipuar pjesën tjetër, e cila nuk ka ndërgjegjen minimale për t’a ndarë me drejtësi hapësirën publike në këtë vend.

Comments

  • Flm per kete reagim Ezani. Do shpresoja qe do reagonit me shpesh edhe ndaj medieve te tjera per shkelje te tilla ndaj komunitetit mysliman shqiptar

  • Selektimi i objekteve te vlefshme per t’u ruajtur eshte nje histori e shemtuar qe vazhdon prej vitesh. Vizualisht e njejta gje ndodhi edhe kur per here te pare u beme pjese e Festivalit Europian te kenges, ku Shqiperia ne tablon e vet disa sekondeshe paraqiti kisha e manastire ne promovim te vetvetes. Cfaredo lloj gjeje te duhet t’u sqarosh Top Channel-it dhe te tjereve, apo dhe atyre qe kane mbi koke, do te jete pune e kote, sepse e keqja fillon qe nga kompleksi i fajesimit te tjetrit (besoj keshtu i konsiderojne muslimanet) dhe harrojne veten (qe s’dihet me se c’jane). Mirepo ne rastin e Shqiperise tjetri dhe vetja eshte po i njejti vend dhe po te njejtet njerez. Atehere perse e urrejme kaq shume veten? Ma do mendja se duhet te jete pune e veshtire per sociologet dhe psikologet ta kuptojne e te na e sqarojne kete.

  • Harresa e kishave dhe xhamive shekullore

    http://top-channel.tv/artikull.php?id=230584

    Kishat dhe xhamitë antike, së bashku me të gjithë monumentet e tjera të kulturës, trajtohe thuajse si diçka e rëndomtë, në një vend që është mësuar gjithmonë e më shumë me humbjen e vlerave të tij historike.

    Asnjë reagim dhe asnjë projekt serioz nuk ekziston, me përjashtim të zellit për privatizimin e kalave, pa e ditur se në duart e kujt ato do të përfundojnë. Sidoqoftë, deri sa dikush të vërë dorë, gjithçka është e lënë në harresë. Kala, kështjella, monumente, kisha dhe xhami, të gjitha të lëna në mjerim, në shembje nga pesha e kohës që i rëndon mbi supe.

    Udhëtimi i kamerave të “Shqipërisë Tjetër”, në kërkim të këtyre monumenteve të braktisura, nisi nga qyteti i Elbasanit. Ndalesa e parë, xhamia e Nazareshës, që ngrihet diku në unazën e qytetit, në aksin që të lidh me Librazhdin.

    Xhamia, monument kulture që prej vitit të largët 1948, sot dergjet pa asnjë lloj investimi, me mure të çarë, të zhvendosur e gati për t’u shembur, me barishtet që kanë mbirë ngado përgjatë trupit të saj.

    “Nuk kemi marrë absolutisht asnjë lloj fondi, pavarësisht kërkesave që i kemi adresuar autoriteteve”, shprehet myftiu i Elbasanit, Agim Duka. “Kemi patur shumë premtime, por në realitet nuk ka patur asgjë konkrete”.

    Për xhaminë e ndërtuar në shekullin XVI, shpresa e vetme është një agjensi joqeveritare turke, e cila ka dhënë një fond të vogël për rikonstruktimin e tij. Shteti shqiptar, nuk ka ofruar asgjë, ndonëse e ka renditur rikonstruksionin e pjesshëm, si një pjesë të suksesit të tij, pa marrë parasysh që paratë ofrohen nga një shtet tjetër, që paradoksalisht duket se vlerëson pasuritë tona kombëtare më shumë se vetë ne.

    “Është për të ardhur keq. Nuk di se çfarë të them tjetër. Janë bërë më shumë se 20 vjet që kanë kaluar me shpresën që do të bëhet diçka e bukur dhe e mirë”.

    Nga Elbasani, kamerat e “Shqipërisë Tjetër” u drejtuan më thellë në jug, në fshatin e Dhërmiut, ku dallohet e kërrusur kisha e Papandisë, monument culture që prej vitit 1963. E shkalafitur si mos më keq, kisha ka njohur vetëm një ndërhyrje, e cila e ka dëmtuar edhe më shumë, duke i dhënë pamjen e një hauri dhe jo atë të një objekti kulti shekullor.

    Brenda saj, realiteti është edhe më i dhimbshëm, me kupolën e gdhëndur dhe të pikturuar të ngrënë nga të gjitha krahët dhe nuk duket e largët dita kur do të rrëzohet plotësisht. Hartat e ujit, ajnë të dukshme midis mureve që mbahen me vështirësi, ndërsa pikturat murale dhe afreskët, ato pak që mbeten, janë drejt zhdukjes së plotë.

    Më tej në Vuno, fjalët bëhen të tepërta. Kisha e Shën Mëhill është kthyer në një depo të rëndomtë. Monumenti i kulturës prej 49 vitesh ka dhënë shpirt, pa lënë asnjë shenjë tjetër përveç mureve të tij të gjymtuar.

    Kilometra më tej, ngritur në një pozicion dominues mbi Bosht, ndodhet xhamia e Kalasë së Sopotit. Harresa dallohet qartë në këtë objekt të kultit, që është ngritur diku në shekullin e XVII-XVIII. Diku e rrëzuar plotësisht dhe diku e shqyer, xhamia duket se ditët i ka të numëruara.

    “Asnjëherë dhe asnjë lek nuk është investuar për mirëmbajtjen dhe rikonstruksionin e këtij objekti të rrallë kulti. Asnjë fond nuk është dhënë as edhe për xhamitë e tjera të ndodhura në rrethin e Sarandës”, thotë Nuredin Izeti, antar i Myftinisë së Sarandës.

    Nga Borshi në Delvinë, ku në periferi të qytetit ndodhet një prej objekteve më të rralla, jo vetëm islame, por të së gjithë historinë moderne të Shqipërisë. Kompleksi islamik i Xhermahallës lartësohet me vështirësi mes qiparisëve që e rrethojnë.

    Pak e dinë se xhamia që ngrihet në këtë kompeks është një prej më të vjetrave në Shqipëri dhe pavarësisht kësaj, askush nuk është interesuar për t’I rikthyer identitetin e dikurshëm. Krahas saj shtrihet medreseja e vjetër dhe përkrah hamamet, sot të rrethuara në versionin shqiptar brenda një bahçeje, nga një banor i zonës.

    E ngritur në vitin 1682, xhamia “Mbret”, monument kulture dhe të gjithë objektet e saj plotësuese, janë lënë në mëshirë të plotë të fatit. Bledar Ali, myftiu i Delvinës, jep dëshminë e tij, të ngjashme me ato të të gjithë të tjerëve përpara tij. “Është me të vërtetë për të ardhur keq, sepse ne me këto objekte krenohemi. Këto objekte kulti janë trashëgimia jonë dhe duhet t’i kushtohet një rëndësi shumë më e madhe, nuk duhen lënë në këtë gjendje të braktisur”.

    Shumë kisha e xhamia, regjimi komunist i përçundoi, i objekte e magazine të rëndomta. Ndërsa të tjera i shembi. Po demokracia, këto 21 vjet, çfarë ka bërë ndryshe?

    • Te falenderoj per materialin qe solle dhe me behet qefi qe kesaj rradhe Top Chanel eshte treguar vertete i kujdesshem dhe objektiv ne identifikimin e vlerave kombetare. Nuk e di sa kane shkuar ne vesh te tyre fjalet tona dhe se sa kemi ndikuar ne ne kete ceshtje, gjithsesi, mendoj se ky duhet te jete ligjerimi i duhur i mediave ne Shqiperi.

  • Leave a Reply to L, Durres Cancel reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *