Në një intervistë të deputetit Alibeaj, i cili kryeson komisionin parlamentar që po heton Kreshnik Spahiun lexojme se:
Komisioni në fjalë ka në fokus të vet jo thjesht dhe vetëm verifikimin e fakteve dhe rrethanave për shkarkimin e këtij funksionari shtetëror (nëse kushtet ekzistojnë), por më tepër, për të verifikuar dhe eventualisht për të korrigjuar deformimin e madh që Kreshnik Spahiu i ka sjellë jo vetëm sistemit të drejtësisë, por edhe atij institucional kushtetues… Me këtë komision hetimor, po bëhet e mundur jo vetëm të saktësohet se deri në çmasë e ka “politizuar” paligjshmërisht ky njeri këtë funksion jopolitik, por edhe për të korrigjuar dëmin e shkaktuar, si edhe për të rivendosur në vend dinjitetin e Kuvendit dhe mirëfunksionimin ndërinstitucional shtetëror. Së fundmi, ky komision do të mund të shërbejë edhe si një shembull për të saktësuar korrektësisht marrëdhënien e llogaridhënies midis anëtarëve të zgjedhur në KLD dhe trupës zgjedhore përkatëse.
Por përtej detyrës së ngarkuar nga Parlamenti, Alibeaj vihet të gjuromojë edhe gjeneologjinë e Kreshnik Spahiut:
Aq më tepër që ka një legjendë urbane, e cila thotë se gjenealogjia e tij nuk e nxjerr një shqiptar, porse si një përfaqësues i një etnie të huaj të ngulur në rrethinat shqiptare të Prizrenit! Mjafton kaq për të kuptuar se sa i sinqertë dhe “i ndier” është “irritimi” nacionalist i këtij të fundit.
“Turqizimi” i armikut politik (ashtu si dhe “greqizimi”) është një vegël e njohur në retorikën politike shqiptare – dhe përherë imorale. Kësisoj nëpërmjet një pretendimi legjitimiteti politik Jus Sanguinis, sinqeriteti kombëtarist i Spahiut vihet në dyshim në të njëjtën kohë që ngrihet pretendimi për shqiptarësinë e vërtetë të Alibeajt. Por pretendimi për “etninë e huaj në rrethinat e Prizrenit” të Spahiut, turqizimi i tij, të sjella këto si një “legjendë urbane” kthehen në fakt në trgues të politizimit të komisionit që kryeson Alibeaj. Kemi vënë në dukje më parë në këtë blog që turqizimi i oponentit politik, qoftë në gojën e Ramës, Ngjelës apo shtypit të së djathtës, me gjithë konotacionin fetar që mbart ka vite që është bërë pjesë e retorikave polarizuese të politikanëve shqiptarë.
Comments
Mero Baze mbi te njejten ceshtje
http://www.gazetatema.net/web/2012/02/19/kriteri-alibeu-dhe-nacionalizmi-etnik-ne-shqiperi/