e-zani.

 

Nga gjaku tek feja: shqiptari i Mero Bazes

Paaftësia e klasës politike shqiptare për të mënjanuar cinizmin dhe konfliktualitetin e personalizuar, panoramë, kjo, e mungesës së kulturës së diskutimit të trashëguar prej regjimit të kaluar, pasurohet herë pas here nga mungesa e përditimit të informacionit dhe koncepteve. Në intervistën e deputetit Alibeaj, lidhur me çështjen hetimore ndaj Spahiut, i gjejmë të konktretizuara këto veçori, ku spikat ngurrtësimi i deputetit rreth sinonimit të kombit me etninë. Mësohet të ketë thënë se:

 

«Aq më tepër që ka një legjendë urbane, e cila thotë se gjenealogjia e tij [K. Spahiut] nuk e nxjerr një shqiptar, porse si një përfaqësues i një etnie të huaj të ngulur në rrethinat shqiptare të Prizrenit».

Përtej klimës politike, ideja që kombi apo kombësia rrjedh nga etnia është tejkaluar nga komuniteti shkencor perëndimor – por edhe nga diskutimi publik – prej shumë kohësh, në favor të idesë së burimit nga kultura ose shteti. Deri diku, në këtë aspekt, edhe mund ta shfajsojmë Alibeajn, pasi edukimi historik në shkollat shqiptare sigurisht që rrezaton inkubatorët e Akademisë së Shkencave, ku këmbëngulet jo vetëm tek përputhja entiko-kombëtare shqiptare, por edhe tek pastërtia iliro-shqiptare. Sidoqoftë, ka përbërës të elitave shqiptare me hapësira publike, siç është rasti i Mero Bazes, që (duket se) kombësinë e lidhin me kulturën dhe janë të ndjeshëm ndaj rrëshkitjeve të politikanëve:

 

«Rreziku i tretë i madh që sjell kjo deklaratë, është zgjimi i frikshëm i pakicave të vogla etnike në vend, të cilat janë thuajse të integruara me shqiptarët dhe ndjehen tërësisht shqiptarë».

 

Megjithatë, arsyeja e reagimit ka objektiva të qarta politike dhe të përziera me një “alarm”, që sipas publicistit Baze – të ngelur në opozitë sigurisht jo për mospërputhje etiko-morale me armikun pozitë – lidhet me «prirjet radikale myslimane të një klani në qeverinë Berisha, [ku] është evidente se ata janë lidhje personale e fëmijëve të Sali Berishës, të cilët falen pesë herë në ditë». Me këto fjalë, zhgënjimi nga moralizmi i Bazes vjen menjëherë dhe koncepti që ai ka rreth kombësisë mjegullohet, megjithëse i ndryshëm nga etnia, por paralelisht përjashtues, pra i ngjashëm me përjashtimin e deputetit, ndonëse në kah të kundërt. Kushdo që praktikon besimin brenda PD-së është domosdoshmërisht radikal, madje mjafton vetëm besimi. Teksa diagnostikon deputetin i drejtohet Berishës që të distancohet:

«[ndaj] këtij njeriu të gjymtuar mendërisht dhe të frustruar psiqikisht nga fakti që ëndrra e tij e fshehtë e ngulitur kur studionte tek Gadafi apo kur dërgohej me mision nga shërbimet në Mekë, të marrë fund bashkë me karrierën e tij. […] Është beteja me një njeri që ka lindur më 11 shtator, është shkolluar në Libi, është bërë Haxhi në Mekë dhe beson tek …Sali Berisha».

 

Mësojmë kështu se kush është i lindur me 11 shator, apo në data të tjera që përkojnë me katastrofa akoma më të mëdha dhe kush ka patur marrëdhënje me Gadafin, pra gjysma e politikës evropiane, duhet internuar. E njëkohësisht, të studiosh në vendet arabe apo të kryesh ritet fetare, ndër të tjera, të sanksionuara si liri kushtetuese, përbën veprimtari të rrezikshme antishqiptare. Fillimisht Baze irritohet që Alibeaj, duke përcaktuar kombin në bazë të gjakut, përjashton pakicat, ndërsa, duke marrë shkas nga kultura fetare, e zgjeron shkrimin me mohimin e kombësisë të rilindësve, patriotëve, klerikëve dhe besimtarëve që e kanë ndërtuar Shqipërinë edhe për ato pakicat. Dhe mos të harrojmë që shkrimi merr shkas nga diskriminimi, nga një publicist që pohon se «jo vetëm politikanët, por gjithë shoqëria shqiptare, është një nga shoqëritë më të moderuara dhe më të emancipuara të Ballkanit». Në fakt fjalori i mësipërm këtë verteton! Por siç duket kur ky fjalor dhe kjo urrejtje bie mbi armiqtë që falen e shkojnë në Mekë është patriotizëm dhe lejohet.

 

II.

 

Ndërkohë Spahiu, për të treguar se politikanët shqiptarë janë të gatuar nga e njëjta mendësi, ka bërë të njëjtën gjë dhe ka ngritur platformën prezantuese të forcës së re politike mbi akuza orientalizuese ndaj kryeministrit Berisha e partisë që ai drejton dhe prej së cilës gjer më dje Spahiu mbështetej. Gazeta Shqip bën të ditur se:

 

Pas kreut socialist, Edi Rama, që e ka cilësuar qeverinë si fashizëm oriental, edhe ish-i zgjedhur i saj, Kreshnik Spahiu e ka “degdisur atë në Anadoll”. Në fjalën e parë të mbajtur dje pas largimit nga detyra e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ai ka dhënë disa konsiderata negative për ekzekutivin e drejtuar nga Sali Berisha, të cilin e ka karakterizuar si “otoman”. “Nuk mund të ketë një Tiranë europiane me një qeverisje otomane. Për herë të parë në historinë e BE-së, shqiptarët u lanë jashtë. Dy herë u refuzua statusi i kandidatit për shkak të papërgjegjshmërisë së politikës së sulltanëve shqiptarë”, – deklaroi Spahiu në takimin e mbajtur me rastin e krijimit të bordit të Aleancës Kuq e Zi për kryeqytetin… “Aleanca Kuq e Zi nuk është rrezik për Shqipërinë, por është alternativa më e mirë për stabilitetin në rajon. A janë të rrezikshëm këta intelektualë e këta qytetarë? Jo, sepse kjo është alternativa më e mirë kundër sulltanëve të politikës”, – u shpreh ai.

 

Kujtojmë këtu se në fillimet e lëvizjes Kuq e Zi aktivistët e saj rendën të kërkojnë mbështetjen dhe firmat e muslimanëve nëpër xhamitë “otomane” që i shpëtuan zellit të fundametalizmit sekular të komunistëve. Spahiu përdor të njëjtat metoda, të njëjtat retorika të turqizimit dhe orientalizimit të armikut politik, të cilat i kemi komentuar kaq herë në këtë blog dhe që gjenden sa tek fjalët e kreut socialist Edi Rama, por aq dhe tek ministrat e Berishës. Së fundmi e dëgjojmë dhe tek kreu i partisë me ngjyra nacionaliste, gjë që njofton për një riciklim të nacionalizmit përjashtues dhe ndasues që kemi parë pas rënies së komunizmit. “Otomani”, jo si shënues historik, por si shënues me konotacion politik aktual dhe sigurisht me dimension fetar mysliman është koka e turkut në ping-pongun politik shqiptar. Është topi që kushdo e heq nga vetja për ta lënë si kopili në derën e oponentit politik.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *