Armir Taraj.

 

“Do shkoj në Amerikë” – kjo ide kishte filluar të zinte vend më mendjen time 17-vjeçare, por ishte akome tepër e brishtë dhe e pasigurtë. Sapo kishim mbaruar me mbushjen e letrave dhe dhënien e pagesës (së majme) për të marrë pjesë në programin “exchange student” që niste çdo vit një grup gjimnazistësh nga Shqipëria në drejtim të Amerikës për të ndejtur atje me një familje “pritëse” amerikane e për të ndjekur një simestër apo një vit shkollor në një gjimnaz lokal. Programe të tilla kishte disa vite që operonin në Shqipëri por nuk ishin fort të reklamuar për publikun, me sa kuptoja unë, dhe përveç pagesës mbi $7000, duhej të kishe edhe mik të mirë që të pranoheshe në njërin prej dy-tre programeve të tilla në Tiranë, ku kuptohet që kërkesa ishte boll e lartë, edhe pa reklama.

Me mbushjen e letrave, aventura sapo kishte nisur; akoma duhej gjetur familja amerikane dhe, mbi të gjitha, duhej siguruar viza J-1 për hyrje në Amerikë, një ndërmarrje aspak e sigurtë. Ishte dimri i vitit 1999,  ambasada amerikane ishte e mbyllur prej kohësh për “rinovim” që në të vërtetë thuhej se ishte bunkerizim, pas ngjarjeve të dhunshme të 1997-ës. Tridhjetë studentave të mprehur për udhëtim përtej-oqeanik të grupit tim na duhej të zgjidhnim midis Shkupit, Sofjes, dhe Ankarasë për vizitë tonë konsullore plot ankth. Pasi Shkupi e Sofja kishin prodhuar disa eksperienca negative vitin e kaluar, koordinatorja e programit tonë, nje grua e re me emrin Alma, vendosi që do ta provonim fatin në Ankara.

Dhe kështu, në mes të dhjetorit 1999, së bashku me afro 30 studentë të tjerë nga e gjithë Shqipëria, e me disa shoqërues, hypëm në avjonin e Turkish Airlines e u nisëm për në Ankara, me syrin për të mbërritur më pas në tokën e bekuar të oportunitetit, Amerikën e largët. Për mua ishte hera e parë që hipja në avjon e që largohesha nga familja. Në grupin e studentëve bashkë-shpresues nuk njihja njeri. Gjithçka më dukej si një lojë të rriturish ku ne “fëmijët” duhet thjesht të luanim rolin tonë, por asgjë s’varej nga ne. “Ore, vërtet do shkoj në Amerikë unë?” mendoja në avjon teksa stjuardesat turke na drejtoheshin në anglisht, gjuhë të cilën e kisha studjuar fort muajt e fundit. “Po ça do bëj atje s’e marr vesh. As njeri s’njoh, as gjuhën s’e di mirë. Po më shkon kot e kush përsërit vitin e katërt këtu. Le që s’na e japin vizën këta, kot e kemi. Po hajde ta provojmë të paktën që të mos u ngeli merak prindërve. Me atë rast shohim edhe Turqinë.” Këto mendoja teksa vija re çfarë porosisnin studentët rreth e rrotull meje për të pirë. Dikush një kola, një tjetër birrë, dikush më i guximshëm një gotë verë. Vetë më duket se mora një lëng frutash, alkool as që bëhej fjalë. S’e kisha vënë në gojë që kur pata filluar të ndihem besimtar diku nga mosha 13 vjeç (jo se mund të thuhet se kisha pirë më herët, por nga një gotë birrë na e jepnin në dreka familjare).

Në mendje kisha sa Turqinë dhe Amerikën. Më bëhej qefi që po dilja për herë të parë jashtë Shqipërisë dhe më dukej i veçantë fakti që vendi i parë që do vizitoja ishte një vend mysliman, aq më tepër gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Edhe pse falesha rregullisht, Ramazanin nuk e kisha agjëruar ndonjëherë të plotë. Mamaja nuk më lejonte për shkak të shëndetit tim të dobët në dimër (tek poliklinika e lagjes isha i rregullt) e prej merakut të saj të tepërt se pa bukë do sëmuresha më kollaj. Gjithsesi e dija që kur je udhëtar nuk e ke obligim agjërimin, dhe nuk planifikoja ta mbaja ato ditë që do isha në Turqi, por ama isha kurioz të përjetoja atmosferën e Ramazanit në një vend të madh mysliman.

Kur mendoja Amerikën ndjeja ankth. Vallë në çfarë fshati a qyteti do përfundoja? Çfarë familje do më qëllonte? A do ambjentohesha dot me gjuhën? Po moshatarët e mi si do silleshin me mua? Si do ua thoja amerikanëve të familjes pritëse se kisha nevojë të falesha 5 vakte në ditë? Pata marrë guximin që në aplikimin për programin të tregohesha i hapur rreth besimit tim Islam, kundër këshillës së prindërve të mi e të tjerëve po ashtu. Akoma nuk e dija si do shkonte kjo punë. A do ngadhënjente sensi im i të qenit i sinqertë e i shpresës se Amerikanët ndoshta nuk janë aq të paragjykuar fetarisht sa ç’i mendojmë, apo do mbesja në Shqipëri i turpëruar për mos-dëgjimin e këshillës së prindërve për shkak se asnjë familje amerikane s’do më pranonte. “Nëse janë vërtet kaq me paragjykime, më mirë të mos më dalë fare” mendoja dhe imagjinoja si do ishte jeta atje…

Më në fund mbërritëm në Ankara. Avjoni u ul dhe si një grup tipik shqiptarësh të zhurmshëm u ngritëm e filluam të mbledhim rraqet tona. Teksa zbrisnim shkallët e avjonit në atë mbrëmje të ftohtë, vrisja mendjen se në çfarë hoteli do rrinim e kë do kisha në dhomë. Tek rradha e pashaportave, duke pritur të merrnim stampën e vizës turke “ah sikur të ishte dhe viza amerikane kaq e lehtë”, më zë veshi një nga studentët që tha “El Ihlas”. Po lexonte me zë të lartë një shenjë të madhe në murin pas punonjëses së kontrollit. Atë shenjë e kisha parë dhe unë e po mendoja që ishte titulli i një sureje të njohur të Kuranit, kur personi që pati shqiptuar atë titull fillon të recitojë “Kul huwallahu Ehad, Allahu Samed”. Unë kthej kokën me habi për të parë më mirë kush po recitonte këto vargje kur shoku i këtij të parit i’a kthen “Lem jelid ue lem juled, ue lem jekun lehu kufuuen Ehad.” Dhe të dy fillojnë e flasin rreth kësaj sureje. “Uau, çfarë surprize” mendova i gëzuar. “Jo një por dy djem besimtarë në grupin tonë.” U afrova tek ata dhe me pak ngurrim i pyes “Më falni, ju dëgjova që po recitonit një sure. A jeni besimtarë?” Ata panë njëri tjetrin dhe me buzëqeshje më thanë “Po” e më dhanë selam. Dori dhe Juxhini, dy çuna moshatarë me mua nga Tirana që po aplikonin në të njëjtin program. Ishte a pabesueshme sa shpejt u miqësuam. Vendosëm të rrinim në një dhomë hoteli dhe gjatë asaj jave që qëndruam në Ankara pothuajse nuk u ndamë nga njëri tjetri.

Dy ditët e para në Ankara kaluan me përgatitjet për në ambasadë, mbushjen e aplikimeve, kryerjen e pagesës etj. Ditën e tretë e të katërt kishim intervistat. Do ndaheshim në dy grupe për intervistat e të gjithë donin të ishin në ditën e parë. Disa i luteshin koordinatores së programit ti fuste në listën e parë duke i kujtuar miqësitë që kishin, disa thoshin që nuk duronin dot deri ditën e dytë nga emocionet e donin ta merrnin vesh përgjigjen sa më shpejt. Duke vështruar këto ndërhyrje të paturpshme mu duk sikur mu përzie në stomak e u zverdha në fytyrë. Dikush më pa e më pyeti a ndihesha mirë. I thashë që kisha ngrënë ca qofte të këqija poshtë në restorant e dola nga dhoma. Vendosa të mos interesohesha fare se cilën ditë do më binte rradha. “Ç’të jetë e shkruar do bëhet” mendova. Si përfundim listat u ndanë sipas alfabetit me disa “përjashtime” por shumica e listës së parë përfunduan ditën e dytë gjithsesi sepse ditën e parë të intervistave proçesi u vonua shumë. Kishte ardhur një nga drejtorët kryesorë të programit nga Amerika e po u shpjegonte konsujve të ambasadës detajet e programit ndërsa u jepet garanci rreth seriozitetit të organizimit.

Emocionet tona ishin të larta. Përziheshin në to ëndrrat për një të ardhme më të mirë në Amerikë, ndrojtja nga kjo aventurë e panjohur për shumicën nga ne, frika se mos bënim ndonjë gabim në ambasadë e nuk na e jepnin vizën, inati me shtetin tonë që ishte kaq copë copë sa na bënte të linim shkollën, familjen e shoqërinë për të marrë rrugët e mërgimit kaq herët, dhe jo vetëm kaq, por edhe vizën duhej ta merrnim në një shtet tjetër. I vetmi ngushëllim ishte se po të mos e merrnim vizën, thjesht do ktheheshim në shtëpitë tona e do vazhdonim jetën si më parë, nuk bëhej qameti, përveç se prindërit do humbnin ca pare nga gjithë kjo punë.

Për të hequr mendjen nga intervista, dilnim e shëtisnim në grup gjatë kohës së lirë. Ankaraja ishte një qytet i ri e i madh, por tepër i gurtë e i ftohtë. Kudo shikoje buste të Ataturkut e flamuj turq. S’kisha parë ndonjëherë shpalosje të tilla nacionalizmi e mendoja sa larg ishim ne prej krenarisë kombëtare. Edhe pse lufta e Kosovës sapo kishte mbaruar e ndjenjat patriotike ishin forcuar disi, sjellja e përgjithshme ndaj shtetit shqiptar ishte mos-përfillëse e shfrytëzuese.

Në Ankara ishte hera e parë që shihja aq shumë taksi të verdha. Më kujtoheshin skenat me filma nga Nju Jorku i famshëm. Një vizitë e këndshme ishte tek Xhamia e Bardhë. Xhami e madhe, e mermertë dhe tepër e pastër. Për dikë që kishte parë vetëm xhaminë e Ethem Beut, të Dine Hoxhës, apo të Yzberishit, Xhamia e Bardhë e Ankarasë ishte jashtzakonisht mbresëlënëse.

Një tjetër shëtitje e këndshme ishte tek tunelet nën një nga bulevardët kryesorë të Ankarasë të mbushur plot me dyqane të lloj llojshme e të ndriçuara mirë. Rrobat ishin të firmave të mira e aty pashë për herë të parë dëshirën e madhe të shqiptarëve për “shopping”. Në fakt mallrat ishin goxha lirë. Ishte koha e kulmit të inflacionit të lirës turke e ne të gjithë kishim disa dhjetra miljona lira turke nëpër xhepa. Na vinte për të qeshur me këtë situatë. Të shihje aq shumë zero në një kartmonedhë e të paguaje 820.000 lira për një drekë na dukej gallatë fare.

Në darkë restorantet gjallëronin me agjëruesit që mblidheshin për të çelur iftarin dhe atmosfera ishte vërtet e veçantë. Dy shokët e mi agjëronin e ishim gjithmonë në restorant në orar iftari. Ushqimi turk nuk ishte i keq por pak ndryshe nga i yni. Na pëlqente supa pure me thjerrëza të kuqe dhe pija e kosit “Ayran”. Jo të gjithë turqit agjëronin. Menaxheri i një restoranti pranë hotelit tonë ku darkonim shpesh pinte duhan e çaj, madje dhe uiski, lirshëm gjatë ditës. Kur e pyetëm ditën e parë nëse kishte mish derri në menu, na u përgjigj se në të gjithë Turqinë nuk mund ta gjeje një derr, dhe mund të hanim pa merak kudo. Kjo ishte një lehtësi e madhe në krahasim me Shqipërinë ku të ndiqje dietë hallall ishte sfidë më vete: asnjë sallam apo salçiçe në dyqan nuk kishte etiketë e kasapit s’mund ti besoje kurrë, plus çdo sanduiç që shitej në pushim dreke pranë shkollës dukej se kishte proshuto brenda.

Vizituam dhe një xhami tjetër të vogël pranë hotelit. Një nga ato xhamitë e lagjeve, me minare fare të vogël, e gati e fshehur pas shtëpive të vjetra, por me një atmosferë tepër të ngrohtë e të paqtë brenda. “Ah sa mirë të kishim një të tillë në Tiranë të Re” mendova.

Dita e intervistës.

Ishim vënë në “sira” që në mëngjes herët atë ditë dhjetori para derës së ambasadës amerikane. Kishim dosjet me dokumenta në duar e me ankth prisnim të hynim brenda e ta mbaronim më në fund këtë sprovë të lodhshme. Koordinatorja na porosiste vazhdimisht që të rrinim seriozë se na shihnin në kamera, dhe kur të hynim brenda të mos flisnim me njëri-tjetrin. Kur dikush të mbaronte intervistën, të ulej në vend e të mos diskutonte gjë me shokët derisa të dilnim. Çdo lëvizje e jona vëzhgohej për shenja të dyshimta dhe duhet të kishim shumë kujdes… Gjithë kjo përgatitje vetëm sa na e fuste dhe më tepër frikën.

U futëm brenda më në fund e u ulëm në karriget e renditura në disa rreshta para dritareve të intervistave. Filluan intervistat e para; nuk dukej se zgjasnin shumë. Mundoheshim të lexonim fytyrat e të sapointervistuarve për ndonjë shenjë që mund të na tregonte a e kishin marrë vizën a jo. Disa ishin tepër seriozë e nuk jepnin shenja, veç sa pëshpërisnin diçka me atë që kishin ngjitur kur uleshin. Disa të tjerë fillonin e buzëqeshnin vesh më vesh sapo largoheshin disa hapa nga dritarja. Një çun u kthye tepër i mërzitur në fytyrë dhe u dëgjuan disa pëshpërima “s’e paska marrë”. Kur u ul tek shokët e tij qeshi me mistrecllëk dhe u kuptua që na kishte vënë në lojë. Dukej se intervistat po shkonin mirë.

Kur më erdhi rradha mua, u ngrita e vajta tek dritarja me rrahjet e zemrës që m’u shtuan edhe pse i thashë vetes të rrija i qetë sepse çdo gjë do të ishte në rregull. Konsulli ishte djalë i ri i veshur me këmishë të bardhë e kollare. Pyetjet ishin të lehta e formale, si: Si quheni? Me çfarë merreni? Pse doni të shkoni në Amerikë? Cila është natyra e programit “exchange student” me të cilin po shkoni në Amerikë? etj. Më pas më pyeti ku e kam mësuar anglishten. I thashë: “Në shkollë, me kurse private, dhe kam praktikuar pak me disa misjonerë të krishterë nga Amerika.” Në fakt me misjonerët e kishës Mormone kisha kontakt të rallë për shkak se disa kushërinj të mij ishin konvertuar në Mormonë, por me ata më tepër flisnim shqip se ata vetë donin të praktikonin shqipen. Gjithsesi m’u duk një gjetje me vlerë për të fituar ndonjë pikë me konsullin. Ai u bë kurioz e më pyeti të cilës kishë ishin misjonerët e më pas më pyeti nëse edhe programi “exchange student” kishte një natyrë misjonare. I thashë jo, dhe me aq u mbyll intervista dhe u informova që viza ishte aprovuar. Edhe ajo barrë m’u hoq dhe u ktheva në karrigen time tepër i lehtësuar e i gëzuar.

Nga gjashtëdhjetë e ca studentë të intervistuar ato dy ditë, të gjithë e morëm vizën me përjashtim të një vajze, për të ciën na erdhi keq, por më pas mësuam se ajo kishte vajtur dhe e kishte marrë në Greqi.

Kur dolëm nga ambasada ishim një grup i gëzuar e i papërmbajtshëm studentësh. Ishim tepër të entuziasmuar, adrenalina na vërshonte në vena e ishim gati ti binim Ankarasë cep më cep. Akoma nuk na besohej që kishim marrë vizat amerikane, pjesa më e vështirë e punës qe kryer e tani ishim gati për aventurën e jetës sonë. Teksa ecnim xhiro në rrugët e Ankarasë, që befas na dukej më e ngrohtë, e flisnim me të madhe, gati në të bërtitur, jam i sigurt që kemi tërhequr boll shikime të çuditura nga turqit. Nuk na bëhej shumë vonë për turqit, jo vetëm pse ajo që kishim arritur na dukej jashtë çdo proporcioni, por na bëhej sikur turqit na e kishin borxh njëfarë respekti të veçantë sepse nuk i thonim kot vetes “arnautë” ne, dhe ecnim me të madhe duke lëvruar krejt respektin e mundshëm që mund të pretendonim nga kjo fjalë e vjetër dhe e rreptë.

Kishim edhe dy ditë për të kaluar në Ankara derisa të merrnim pashaportat e të niseshim për Tiranë. Ato dy ditë ishin më të bukurat. Miqësia jonë me Dorin e Juxhinin, por dhe me të tjerët, u shtua shumë e shkëmbyem të dhënat me njëri-tjetrin për të mbajtur kontakt në Amerikë. Dolëm, shëtitëm, brodhëm, bërtitëm, e nuk ndienim lodhje. Pasi morëm pashaportat e lajmëruam familjet tona me telefon për arritjen e madhe, u mblodhëm darkën e fundit për të ngrënë në grup e aty na adresoi dhe koordinatorja e drejtuesi amerikan i programit duke na dhënë porosi të shumta për në Amerikë. Shumica jonë akoma nuk kishim familje pritëse të konfirmuara, por koordinatorja na premtoi se brenda dy javëve do siguroheshin të gjitha, në kohë për të kapur semestrin e fundit të vitit të katërt.

Atë natë, pasi u shpërndamë në hotelet tona e bëmë gati valixhet për nesër në mëngjes, u mblodhëm me disa nga çunat e hotelit tonë në hollin e katit ku rrinim ne, sepse nuk kishim kokërr gjumi. Filluam një bisedë pasionante mbi lloj lloj temash, mbi të gjitha fenë, sepse ata e kishin vënë re që ne të tre ishim besimtarë, e kishin shumë pyetje. Debatonim për shumë gjëra, mbi të cilat më shumë s’dinim se dinim, që nga jeta e përtejme, dhe si mund të ekzistojë shpirti pa trup apo të rikrijohet trupi pasi të jetë shkatërruar plotësisht, e deri tek paracaktimi hyjnor, e si mund ta dinte Zoti çdo bënte dikush momentin tjetër kur ai mund ta ndryshonte mendjen në sekondë e të bënte diçka krejt tjetër. Debati vazhdoi në orët e vona të natës me intensitet, e një turk i shkretë që kishte qëlluar të kishte dhomën në atë kat, hapte derën disa herë e na bënte me shenjë nga ora e dorës e se ç’na thoshte turqisht, kuptohej që donte të flinte e ne e shqetësonim së tepërmi. Na çoi edhe atendentin nga banaku poshtë të vinte e të na lutej të ulnim zërin ose të shkonim në dhomat tona të flinim. Zërin u munduam ta ulnim, por gjumë as që bëhej fjalë; ishim tepër të lumtur, do shkonim në Amerikë.

Pasi mbërritëm në Tiranë më zuri një temperaturë e keqe që më shtriu në krevat një javë të tërë. Janari kaloi me ankthin e pritjes së lajmit për daljen e familjes. Të gjithëve po u dilte e unë po ngelesha i fundit. Mamaja çfarë nuk mendonte e stresohej. Mos nuk më merrnin se isha mysliman? Mos na kishte bërë ndonjë hile koordinatorja se dukej që ishte një … hë hë ajo? Ndërkohë unë rifillova klasat e simestrit të dytë tek Petro Nini, në rast se qëllonte të mos dilte familja e mbetesha pa shkuar. Vetë isha i qetë, shumë i qetë, e kisha lënë çdo gjë në dorë të Zotit e le të bëhej si të ishte e hajrit inshallah.

Më në fund erdhi lajmi më dy Shkurt. Familja kishte dalë diku në veri të Nju Jorkut, vend i ftohtë me borë, kaq dija. Bileta u pre për 7 Shkurt. Natën para se të nisesha isha krejt i mpirë, nuk dija si të ndihesha. Për mirë po nisesha, por me shumë ndrojtje. “Meqë Zoti e ka caktuar, do jetë e hajrit inshallah” mendoja. “Por ku i dihet. Ndoshta ndërroj mendje në minutë të fundit e nuk hipi në avjon.”

Comments

  • Te lumte Armir, edhe me pare e ke treguar veten, se e ke aftesine e te rrefyerit, dhe keto jane nje pjesez e atyre telasheve qe kane hequr shqiptaret e shkrete. Shqiptaret duhet t’i kthehen vlerave te fese tone te nderuar…

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *