Ali Dibra.

Titulli i këtij shkrimi nuk është as tendencioz e as intrigues. Por në të vërtetë, në kuadrin e sjelljeve të fundit të KMSh-së, nuk mund të gjej cilësi më gjithëpërfshirëse të sjelljeve të këtij institucioni përfaqësues të 75% të shqiptarëve se sa kjo me të cilën kam titulluar këtë shkrim.

Nuk kam parasysh me këtë cilësim të kundërtën e pranverës me të cilën janë cilësuar revolucionet arabe kundër despotëve të tyre, por kam parasysh fenomenin e letargjisë që shkakton dimri.

Kam parasysh pikërisht këtë fenomen sepse gjatë kohës së letargjisë, në të cilën hyjnë disa gjallesa, këto gjallesa janë totalisht të zhytura në botën e tyre dhe nuk kanë asnjëlloj interesi dhe kontakti me fenomenet e ndryshme natyrore dhe zhvillimet e tyre, apo me objektet e tjera rreth tyre duke mos marrë në konsideratë asgjë që ndodh në natyrën ku këto gjallesa kalojnë letargjinë e tyre. E vetmja gjë që i mundon këto gjallesa është gjumi i tyre i thellë dhe ndonjë ëndërr nëpër të.

Kështu ka vepruar edhe KMSH-ja me vendimin e fundit ndaj kuadrove drejtues të xhematit dhe xhamisë së Medresesë.

Nga çfarë e ka verbuar KMSH-në letargjia e saj?

Me këtë sjellje të “guximshme” që bën KMSH-ja nxjerr në pah dritëshkurtësinë, moskoherencën, naivitetin dhe verbërinë e saj duke mos marrë në konsideratë disa aspekte shumë të rëndësishme aktuale dhe reale që kanë të bëjnë me xhamitë, kryesisht të Tiranës dhe xhematëve të tyre. Po kufizohem tek xhamitë meqë sjellja e institucionit përfaqësues të 75% të shqiptarëve myslimanë ka të bëjë me institucionin e xhamisë dhe frekuentuesve të saj.

Drejtuesit e KMSH-së, të gjithë pa përjashtim, ndërkohë që mjaftonte vetëm shefi i kuadrit, bashkë me stafin e Medresesë së 75% të shqiptarëve dhe me një grup të konsiderueshëm mendrezistësh, zbarkojnë tek xhamia e Medresesë për namaz të Iqindisë për t’i komunikuar imamit të kësaj xhamie shkarkimin.

Cili është motivi?

Pas gjithë kësaj zhurme u shfaq natyrshëm dhe u kuptua se motivi është: pa motiv. Thjesht nuk duam që Hoxh Ferid Piku dhe Hoxh Lulzim Plloci të jenë predikues dhe imam të kësaj xhamie.

Kjo u kuptua veçanërisht pas korrigjimit të motivit të deklaruar paraprakisht nga KMSH-ja, se xhamia duhet të jetë thjesht faltore për medresantët dhe sallë praktikimi për ta, e më pas u deklarua nga vet drejtuesit e KMSh-së se xhemati nuk do pengohet nga kryerja e faljeve në këtë xhami dhe se kjo xhami do të funksionojë si më parë.

 

Kur ndodh kjo?

Kjo sjellje e KMSH-së ndodh në një situatë shumë kritike për Islamin dhe ftesën islame në Shqipëri. Shqipëria duke qenë një vend në tranzicion ky status dhe kjo gjendje ka ndikuar domosdoshmërish edhe në aktivitetin islam Shqiptar.

Ky tranzicion është reflektuar, ndër të tjera, gjatë këtyre viteve të aktivitetit islam si në sferën e funksionimit të institucionit përfaqësues të 75% të shqiptarëve (mysliman), ashtu edhe në sferën e aktivitetit të xhamive dhe pozicionimeve të ndryshme të xhemateve që kanë të bëjnë kryesisht me çështjet islame.

Ka reflektuar gjithashtu edhe në marrëdhëniet e imamëve dhe ftuesve me njëri-tjetri,n duke pasur parasysh se kanë dalë nga shkolla të ndryshme juridike islame dhe rrjedhimisht kjo ka reflektuar edhe në marrëdhëniet e xhemateve me njëri-tjetrin.

Të gjitha këto reflektime së bashku kanë çuar në tensionime dhe çtensioneme të vazhdueshme dhe për pasojë në të shumtën e rasteve ka shkaktuar shkëputjen e vëmendjes nga roli kryesor i xhamive, i imamëve, ftuesve dhe xhematit: roli i edukimit të xhematit brenda xhamisë dhe përgatitja e tij për të luajtur rolin e tyre edukues në shoqëri.

Por si pasojë e një lloj aktualiteti të kuadrove islam, të reformimit të metodës së punës, e nxitur kjo nga sfidat e aktualitetit, e mbi të gjitha e nxitur nga përgjegjësia para Krijuesit të gjithësisë, mbase edhe si pasoje e lodhjes nga fryrje-shfryrjet e shpeshta nga problemet dhe konfliktet e shumta rreth çështjeve të aktivitetit islam, këto vitet e fundit vërehet një stabilitet i dukshëm si dhe një vijueshmëri dhe progres i aktivitetit islam në xhamitë e Tiranës. Thënë ndryshe, të paktën këto dy-tre vitet e fundit nëpër xhamitë e Tiranës nuk vërehet më zhurmë dhe polemikë, por impenjim të imamëve dhe xhemateve për t’ia kthyer natyrshëm xhamisë rolin e vet edukues. Siç janë vërejtur njëkohësisht edhe koordinime të ndryshme mes imamëve të xhamive, fenomen ky që të krijon përshtypjen e ekzistencës së një respekti të ndërsjellët mes kuadrove të xhamive, gjë e cila rrjedhimisht ka reflektuar edhe në marrëdhëniet pozitive të xhemateve të xhamive ndërmjet tyre. Pikërisht mu në këtë fazë të fillimit të ngritjes dhe rritjes së aktivitetit të vërtet islam, mu në këtë fazë ku sapo ka filluar të ngjizet trashëgimia e brezit aktual për brezin që vijon, mu në këtë fazë ku sapo kanë filluar kuadrot islam shqiptar të ecin në hapat e të parëve të tyre dhe të zgjojnë ato vlera që i pati anestezuar komunizmi, pikërisht këtu vjen kjo sjellje e pamençur e përfaqësuesve të 75% të shqiptarëve (mysliman).

Duke qenë i paaftë t’ia atribuoj diçkaje tjetër, apo ta motivoj me diçka tjetër këtë sjellje të përfaqësuesve të 75% të shqiptarëve mysliman, po ia atribuoj naivitetit, që i ka bërë të papërgjegjshëm në sjelljen e tyre në fjalë.

Sakaq, do të mjaftonte kjo si pikë, veç atyre që vijojnë më poshtë, për të vërtetuar se drejtuesit e KMSH-së nuk janë aspak koherent me zhvillimin e ngjarjeve dhe me dialektikën dhe ecurinë e aktivitetit islam dhe efektet e tij në Tiranë dhe Shqipëri.

Të sillesh kështu do të thotë të mohosh nderin që këto xhemate dhe drejtuesit e tyre i kanë bërë dhe vazhdojnë t’i bëjnë Tiranës dhe Shqipërisë.

Letargjia e drejtuesve të KMSH-së i ka bërë që me këto lloj sjelljesh të shkelin me të dy këmbët në nderin e madh që xhematet e këtyre xhamive dhe drejtuesit e tyre i kanë bërë dhe vazhdojnë t’i bëjnë jo vetëm Tiranës por të gjithë Shqipërisë.

Për çfarë kanë shërbyer deri më sot xhamitë e Tiranës?

Për të argumentuar pohimin e mësipërm na duhet të bëjmë një përshkrim të shkurtër të këtij shërbimi, pa shtjelluar detaje që kanë të bëjnë me predikimet e të xhumave, dritën dhe ushqimin shpirtëror javor që merr xhemati çdo të premte, mësimet javore ku myslimanët pajisen me koncepte dhe vlera me efekt shumëdimensional, individual dhe shoqëror. Faktin që këta drejtues u prijnë xhemateve në ushqimin shpirtëror pesë herë në ditë, faktin që këta drejtues konsiderohen, të paktën për pjesën më të madhe të xhemateve të tyre, si model dhe referencë për të qarë hallet e dynjasë dhe të fesë, pa i shtjelluar të gjitha këto detaje dhe shumë të tjera po e sintetizoj frytin e rolit dhe mundit të tyre në një të vetëm: këta xhemate dhe drejtuesit e tyre kanë shërbyer dhe shërbejnë fuqishëm si burim i pashtershëm dhe i vazhdueshëm për furnizimin e shoqërisë shqipëtare me individë të shëndoshë, intelektualsht, shpirtërisht dhe moralisht, që natyrshëm shërbejnë për ndërgjegjësimin e auditorit ku aktivizohen dhe shoqërisë ku jetojnë rreth të vërtetës islame.

Me kryerjen e këtij roli kanë bërë të mundur justifikimin e të gjithë myslimanëve karshi realizimit të farzit më të madh kifaij (obligimit mjaftues) që rëndon shumë, aktualisht, mbi supet e gjithë myslimanëve shqiptar. Ky obligim konsiston në pajisjen e shoqërisë shqiptare me individët besimtarë, bashkëkohor, model për shoqërinë ku jetojnë, në sferën e dynjasë dhe të ahiretit.

Edhe ata mund t’a bëjnë!

Me të drejtë mund të thuhet dhe mund të themi se edhe drejtuesit e KMSH-se dhe të emëruarit e tyre mund ta bëjnë një gjë të tillë. Por disa objeksione reale aktuale na bëjnë të dyshojmë rëndë mbi këtë mundësi.

Së pari: mënyra se si është sjellë kryesia e KMSH-së me një nga xhematet më të plotësuara dhe me dy nga kuadrot islam më të denjë, duke mos respektuar në asnjë farë forme vullnetin e xhematit dhe duke mos u dhënë asnjë lloj motivi imamit dhe hatibit për shkarkimin e tyre, na bën të dyshojmë jashtë mase rreth gatishmërisë së tyre për ta pasur si shqetësim të tyre farzin kifaje mbi të gjithë myslimanët shqiptar. Këtij farzi i kanë shërbyer prej më shumë se dhjetë vjet në këtë xhami imamët e lartpërmendur.

Së dyti: shenja dhe treguesi kryesor i respektimit të mundit dhe djersës së tjetrit, në këtë rast të përpjekjes dhe punës së këtyre kuadrove islam, është respektimi i integritetit dhe figurës së vetë këtyre kuadrove.

Allahu e mëshiroftë Umer Ibnu Hatabin. Një ditë pa në një nga rrugicat e Medinës së ndriçuar një burrë të moshuar hebre që po lypte. Sapo e pa urdhëroi sekretarin e tij që ta merrte këtë të moshuar e ta çonte tek bejtul-mal (shtëpia e pasurisë) dhe t’i jepte sa i nevojitej. “Merre – i tha sekretarit të tij – dhe jepi derisa të mos lyp më, se ndryshe, për Zotin, i kemi bërë padrejtësi nëse e lëmë në këtë gjendje. Rininë ia kemi shfrytëzuar duke i marrë xhizjen ndërsa në pleqëri e lëmë rrugëve duke lypur”. Domethënë, ai që nuk di të respektojë misionarin, nuk di të respektojë as misionin dhe ai që nuk respekton dijetarin nuk di të respektojë as dijen. Jo më kotë Allahu i Madhëruar e ka konsideruar respektimin e dijetarit adhurim, kjo jo për arsye të vet atij, por për arsye të dijes që ai mban. E nëse nuk respekton figurën e tij kjo do të thotë se nuk di të respektosh as cilësinë, kapacitetin dhe dijen. Dua të theksoj se aktiviteti i këtyre kuadrove dhe prijësve islam nuk ka qenë asnjëherë i kufizuar nga lëmosha e KMSH-së. Ai që i njeh këta drejtues e ka shumë të lehtë ta besojë.

Së treti: ndërkohë që këta kuadro islam insistojnë vazhdimisht t’i japin xhamisë statusin dhe rolin që i takon, pra ndërkohë që e faktorizojnë maksimalisht xhaminë në shërbim të rolit të saj edukues dhe ndërgjegjsues, tendenca e drejtuesve të rinj të KMSH-së sa vjen dhe merr ngjyra akoma më të theksuara të uzurpimit të të gjitha institucioneve të KMSH-së dhe vetëm kaq. Pra akoma nuk ka asnjë shenjë reale që këta institucione, që po i uzurpojnë dita ditës, të fillojnë të ngrihen drejt nivelit të shqetësimeve reale të myslimanëve dhe mbarë shqiptarëve.

Faktet për këtë janë shumë, një ndër këta është edhe sjellja aktuale e KMSH-së, por veç këtij mjaftojnë edhe dy fakte të tjerë shumë të qartë: dypunësimi i drejtuesve të rinj të KMSH-së. Brenda këtyre institucioneve, pra kemi myfti dhe në të njëjtën kohë mësues në isntitucionet arsimore islame nën juridiksionin e KMSH-së, ndërkohë që shumë kuadro të tjerë islam të kualifikuar janë akoma të paemëruar gjëkundi. Apo fakti tjetër që ka të bëjë më myfti të emëruar nga drejtuesit e rinj të KMSH-së që thjesht marrin emërimin e tyre dhe vizitojnë qytetet ku janë emëruar maksimumi një herë në muaj. Imagjino në këtë rast se çfarë kontakti do të ketë ky kuadër  me hallet dhe shqetësimet e myslimanëve.

Çfarë dinë të bëjnë mirë drejtuesit e rinj të KMSH-së?

Përvoja e deritanishme e sjelljes së drejtuesve të rijë të KMSH-së na tregon se dinë të bëjnë mirë tre gjëra, njëra më e rrezikshme se tjetra, për të ardhmen e Islamit dhe të myslimanëve në Shqipëri dhe për çdo njërën prej tyre nuk është aspak e vështirë të sillen fakte:

E para: uzurpimi i institucioneve të KMSH-së.

E dyta: shkarkimi ose lirimi siç e quajnë ata, të kuadrove fetar dhe jofaktorizimi i tyre.

E dyta: egocentrizmi i tejskajshëm.

Këto aftësi i vërteton gjendja aktuale e institucionit qendror përfaqësues, KMSH-ja, ku të gjitha departamentet, përveç njërit, janë në dorën e drejtuesve të rinj të KMSH-së. Siç e vërtetuan edhe në 2005 me rastin e Medresesë “Haxhi Hafiz Muhmud Dashi” të Tiranës, të cilës ia ndërruan dhe emrin dhe larguan të gjithë mësuesit që nuk u përkisnin drejtuesve të rinj të KMSH-së; siç vazhdojnë ta vërtetojnë me uzurpimin e të gjitha myftinive të rretheve dhe xhamive qendrore të qyteteve.

Kjo që po ndodh me Xhaminë e Medresesë së Tiranës nuk është e paprecedent por është fenomen i përsëritur. Para jo më shumë se dy vjetëve, drejtuesit e rinj të KMSH-së janë munduar ta realizojnë këtë praktikë edhe me Xhaminë e Tabakëve dhe me Xhaminë e Pazarit, ndërsa dëshira e tyre për ta realizuar edhe tek xhamitë e tjera kryesore të Tiranës nuk ka nevojë për shumë imagjinatë. Tendenca e tyre e theksuar për të uzurpuar institucionet e KMSH-së shpërtheu dhe bëri buëj të madhe edhe para një viti brenda vet drejtuesve të rinj të KMSH-së.

Po e mbyll me faktin e ngrirjes institucionalisht dhe zyrtarisht të dhjetëra kuadrove islam, të kualifikuar në universitete të shquara islame, që sot janë të paaktivizuar nga drejtuesit e rinj të KMSH-së dhe janë të mohuar totalisht pavarësisht se herë pas here në institucionet e KMSH-së krijohen vende vakante për kuadro të rinj, por ligji i heshtur i drejtuesve të rinj të KMSH-së kualifikon vetëm kuadrot me përkatësi të njëjtë me drejtuesit e rinj të KMSH-së.

Letargjia e drejtuesve të rinj të KMSH-së dhe zhvillimet globale e rajonale

Letargjia e drejtuesve të rinj të KMSH-së i ka bërë që me sjelljet e tyre jo vetëm të jenë aspak koherent me zhvillimet rajonale dhe globale, por përkundrazi të jenë kë kundërshtim të plotë me çka po ndodh.

Modeli i suksesshëm i politikës drejtuese turke dhe ai i dështuar i drejtuesve të rinj të KMSH-së shqiptare.

Lidhjet historike dhe vëllazërore që shqiptarët kanë pasur dhe kanë me shtetin vëlla turk, bëjnë që zhvillimet pozitive të ekonomisë dhe politikës turke të përjetohen gëzueshëm edhe tek shqiptarët. Madje, me të drejtë, shqiptarët i japin të drejtë vetes edhe të mburren me këto zhvillime shumë pozitive që ndodhin tek populli vëlla turk sepse veç lidhjeve historike dhe vëllazërore, forcimi i pozitave të Turqisë do të thotë forcim i shqiptarëve dhe kjo nuk ka nevojë për argumentim.

Pikërisht për këto lidhje që ka populli shqiptar me atë turk, si dhe për kontributin e ndërsjellët që kanë pasur të dy popujt tek njëri-tjetri, shqiptarët e duan dhe e respektojnë popullin turk dhe jo sepse vetëm se janë turq.

Por përballë këtij modeli goxha të suksesshëm që paraqet dhe prezanton populli turk dhe qeveria e tij, si në rrafshin politik, në atë ekonomik, në atë ndëretnik, në atë strategjik, por edhe në sferën e lojës shumë të bukur diplomatike rajonale dhe globale të cilën e karakterizon një fleksibilitet shumë fin, vëllezërit tanë, drejtuesit e rinj të KMSH-së, na paraqiten me një performancë totalisht të kundërt me atë të mjedisit ku janë shkolluar dhe edukuar.

Parimet sociologjike, sipas Ibnu Xhemaa, pohojnë se: “Njeriu është bir i ambientit ku jeton dhe produkt i kohës së tij”. Megjithatë, myslimanët shqiptar, veçanërisht xhematet frekuentuese të xhamive, akoma nuk po përjetojnë atë përvojë që mund dhe duhet t’a kishin përthithur dhe përvetësuar vëllezërit tanë, drejtues të rinj të KMSH-së në Turqinë, vëllain e madh të popullit shqiptar.

Pranvera arabe dhe letargjia e drejtuesve të rinj të KMSH-së

Sjellja aktuale, despotike e drejtuesve të rinj të KMSH-së, bën një kontrast të theksuar ndër të tjera edhe me ngjarjet dhe ndryshimet rrënjësore që ndodhin në vendet islame të lindjes së mesme. Kjo për arsyen e shpresës që ngjallin tek çdo mysliman edhe tek shqiptarët këto ndryshime pozitive demokratike, të cilat po e projektojnë botën islame në udhën e misionit të saj të vërtetë, për të arritur gradat që meriton ndër popuj. Kjo shpresë përballet me pashpresën që ndjell sjellja despotike e drejtuesve të rinj të KMSH-së me kthimin e pushtetit në vendet myslimane në duart e merituesve të vërtetë në popujt mysliman.

Sjellja despotike e drejtuesve të rinj të KMSh-së dhe lakorja e përmirësimit të imazhit të Islamit

Stadi aktual i Shtetit shqiptar, i cili ndodhet pranë anëtarësimit në BE apo fitimit të statusit të kandidatit, ka ndikuar pozitivisht edhe në imazhin e Islamit në Shqipëri. Natyrshëm BE-ja nuk do që kandidati i saj për në union të ketë, ndër të tjera, probleme fetare. Kjo ka ndikuar pozitivisht në qasjen ndaj Islamit në Shqipëri nga të gjitha instancat shqiptare si ato politike edhe ato intelektuale. Të paktën niveli i trillimeve dhe i shpifjeve apo i spekulimeve dhe manipulimeve me elementët islam në Shqipëri është ulur ndjeshëm, në media dhe më gjerë. Edhe kur i qasen elementit islam, aktual në Shqipëri, mundohen t’a paraqesin si element stabilizues, ruajtës dhe kontribues të harmonisë fetare në vend, pavarësisht qasjeve jo të drejta historike.

Presidenti Bush i riu, para se të vizitonte Shqipërinë deklaroi se do të vizitonte një vend mysliman tolerant. Madje ambasadori Withers komentoi për vizitën e presidentit Obama në Egjipt: “Presidenti Obama ka aftësi shumë të mira komunikimi dhe fjalimi i tij padyshim do të jetë i shkëlqyer, por ai fjalim do të kishte qenë akoma dhe më i arrirë nëse Obama do të kishte ardhur në Shqipëri, këtu në Durrës, para shkuarjes në Egjipt. Ato që ai i sheh si shpresë në jetën e Egjiptit dhe më tutje, janë realitet këtu” (gazeta Shqip. dt. 04 qershor. 2009)

Veç kësaj, zhvillimet që po ndodhin në Lindjen e Mesme dhe ndryshimet rrënjësore kanë përmbysur një pjesë të konsiderueshme të stereotipave negative mediatike ndaj Islamit, që kishin të bëjnë me: popuj që nuk duan demokracinë dhe lirinë, popuj të vdekur, popuj që nuk e duan zhvillimin dhe prosperitetin, etj. Madje, për shkak të këtyre zhvillimeve, media prestigjioze, si BBC-ja, të cilat deri para këtyre ndryshimeve ishin promovuesit kryesor të këtyre stereotipave, kanë kërkuar falje për trillimet dhe shpifjet e tyre ndaj Islamit dhe myslimanëve.

Kanë ndikuar pozitivisht në përmirësimin e imazhit të Islamit dhe myslimanëve edhe përvoja e suksesshme politike turke e cila vërtetoi se islamikët mund të jenë drejtues shumë të mirë të sistemeve demokratike, etj.

Përballë këtij kontributi kaq të madh, që kanë dhënë këto zhvillime dhe e kanë ngritur shumë nivelin e lakores së imazhit të Islamit, stonon dukshëm kontributi negativ dhe i rëndë që japin drejtuesit e rinj të KMSH-së në lidhje me imazhin e Islamit në Shqipëri, përmes sjelljeve të tyre aspak parimore, aspak reale dhe aspak koherente dhe me efekte shumë të rënda për të ardhmen e Islamit dhe myslimanëve në Shqipëri, por të paparashikuara dhe të pastudiuara nga drejtuesit e rinj të KMSH-së.